Vukovari - viktimë e “politikës së lartë”
Aim, Zagreb, 14.1.2001.
Në largësi kohore dy ditore - një javë para vitit të tretë të reintegrimit paqësor në Podunavlen kroate, më 15 janar - agjencia gazetareske kombëtare HINA distribuoi dy informacione mjaft interesante. Lajmi i parë: Në pranverë të këtij viti, pas një pauze dhjetëvjeçare, do të fillojnë gjurmimet arkeologjike në lokalitetin aq shumë të përfolur Vucedol afër Vukovarit. Lajmi i dytë: udhëheqësia e qytetit të Vukovarit ka bërë projekt për pastrimin e ndërtesave, të dëmtuara rendë ose të rrënuara në sulmet ndaj Vukovarit, që të “zbukurohet pamja e qytetit”. Kësaj mund t'i shtohet edhe lajmi i tretë, që nuk u kumtua nga HINA, por që e lansoi në javoren “Arena” prefekti i Vukovarit Vlladimir Shtengl. Ky lajm ka këtë përmbajtje: serb të rinj podunavas, të cilëve më 15 janar u kalon afati i shërbimit ushtarak në Kroaci, të cilët janë përcaktuar për shërbim civil, mundet që në vend të mbajtjes së armëve, të vijnë nga i gjithë vendi për të pastruar gërmadhat e Vukovarit.
Sa është lajm i mirë se në pranverë arkeologët do të vazhdojnë me gërmimet përgjatë Danubit, pranë Vukovarit, po aq duket e pabesueshme se udhëheqësia e qytetit - tre vjet pasi Kroacia këtu vendosi pushtetin e tërë - krijoi plan për pastrimin e gërmadhave. Dhe atë me kusht që të arrijnë 30 milionë markat e premtuara nga shitja e "challengar-it" presidencial, kurse dikur për pastrimin e gërmadhave morrën 2.5 milionë DM.
Kur para tre vitesh, më 15 janar 1998 në kremten në Vukovar, drejtuesi i atëhershëm kalimtar i rajonit të UNTAES-it (që përfshinte Sllavoninë Lindore, Baranjën dhe Sremin Perëndimor) Uiliam Uoker i dorëzoi Zagrebit rajonin e riintegruar qetë, Kroacia haptas, me siguri, mendoi se në kufi të këtij rajoni tashmë ishte vendosur një mekanizëm i madh me shumë njerëz, që vetëm sa priste një shenjë për të hyrë në këtë rajon dhe të fillonte rindërtimin. Në fakt kështu ishte propaganda zyrtare. Të dëbuarve iu premtua se si shumë shpejt do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, se si ekzistojnë plane për rindërtim jo vetëm të shtëpive, por edhe ekonomisë së vendit dhe se Vukovari, si në atë thënien e njohur, “së shpejti do të jetë edhe më i vjetër dhe më i bukur”.
Tani pas tre vjetësh, autoritetet e atjeshme lokale paraqitën në opinionin publik informatën se si kanë plan për pastrimin e gërmadhave. Autoritetet e Tugjmanit gjatë dy viteve të atëhershme bënë shumë pak për të përmirësuar rrethanat e atëhershme. Por ky as nuk ishte qëllimi i tyre. Kur popullësia e atjeshme dominante përmes ngjalljes së frikës nuk mundej më të dëbohej në Jugosllavi - sepse në Podunavle edhe pas përfundimit të reintegrimit mbetën vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë - u tentua që kjo të bëhej përmes një gjendje të padurueshme ekonomike. Tugjmani nuk guxoi të lejonte cenimin e suksesit për të cilin u lavdërua edhe publikisht - përmes aksioneve ushtarake Shkëlqimi dhe Stuhia përqindjen e serbëve në Kroaci arriti, sipas tij, ta ulte në shkallën e pranueshme: prej 12 përqind para lufte në pesë përqind pas saj. I konvenonte që sa më shumë serb të shkonin në RFJ dhe të zhvendoste, siç e quante ai, "faktorin çrregullues".
Pushteti i BDK-së (Bashkësisë Demokratike Kroate) në këtë rast aspak nuk e morri me mend se në Vukovar nuk kthehen as kroatët e dëbuar. Nga një transkiptim të një bisede të Franje Tugjmanit (të botuar pas vdekjes së tij) dhe ministrit të tij Jure Radiç, i autorizuar për ripërtrirje të rajoneve të prekur nga lufta - duket se kreu i autoriteteve kroate kishte të përpunuar një variant rezervë. Kishte për qëllim që në Podunavlje të sillte “krajishnikët” e vet, kroatët boshnjak, refugjatë nga BeH, të cilët duhej ta popullonin këtë rajon.
Kështu u humbën dy vite mjaft të çmueshme. Pa investime në ekonomi ishte iluzore të pritej kthimi, prandaj pushteti i ri, i zgjedhur më 3 janar 2000, vendosi të tregonte “se si bëhej kjo” punë. Në maj të vitit të kaluar - vetëm dy-tre muaj pasi Raçani formoi kabinetin e tij - gjithë Qeveria në mënyrë pak teatrale udhëtoi për në Vukovar që atje ta mbante seancën e parë jashtë Zagrebit dhe t'i tregonte opinionit publik se Podunavla do të ishte një ndër prioritetet e saj. Ky takim, në realitet, ishte i stërfryrë, siç e kishte bërë edhe Tugjmani, kur para përfundimit të reintegrimit paqësor me një numër të madh të ithtarëve të tij përmes "Trenit të paqës" marshoi në Vukovar, duke premtuar me këtë rast kodra e male, mes tjerash se në çdo nga 21 rajonet do të ngris nga një objekt nga lista e prioriteteve të Vukovarit. Por, me diçka ishte i ngjashëm me marshin e Tugjmanit: pas tij në Vukovar asgjë nuk ndryshoi për të mirë.
Qeveria e Raçanit në Vukovar premtoi se në të njëjtën vjeshtë, në seancën e pare të Kuvendit, do të sillte ligjin për rindërtimin e Vukovarit, se si do të shiste ajëranijen e kryetarit, kurse 30 milionë market gjermane, sa mendonte të fitonte nga kjo, do t'i orientonte në rindërtimin e qytetit të rrënuar. Në vend të ligjit për Vukovarit, Kuvendi u morr vetëm me deklarata rreth mbrojtjes së dinjitetit të Luftës atdhetare, bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës dhe ndryshimin e Kushtetutës, kurse Ligji për Vukovarin nuk erdhi në rradhë. Qeveria nuk arriti ta shiste "challenger-in" presidencial.
Qeveria dhe Kuvendi që filluan të merreshin me “politikë të lartë” ashtu vepruan edhe në Vukovar. Një energji e çmueshme u harxhua rreth ndryshimeve të emrave të rrugëve të qytetit: Kroatët ua prishën përmendoret në varre serbëve, që i kishin ngritur për të rinjtë e tyre, pale siç thoshin ata, në mbrojtje të Vukovarit, kurse serbët në Borovë kroatëve ua shkulën fidanet e mbjellura në shenjë përkujtimi për rojet e vrarë kroat, në paralojën e luftës, në pranverën e vitit 1991. Pastaj filloi konflikti mes nxënësve të shkollave të mesme, në baza nacionale, ku në gjithë këtë rrëfim u përzien mediumet dhe në përmasa të mëdha e frynë gjithë këtë punë. Pastaj plasi rrëfimi rreth policëve të nacionalitetit serb që punojnë në Podunavle dhe jetojnë në RFJ, gjegjësisht, përditë gjatë shërbimit dhe heqjes së uniformave policore, shkojnë tek familjet e tyre në Jugosllavi, menjëherë matanë kufirit, që të nesërmen të kthehen sërish në punë në Kroaci.
Politika e lartë vukovarase, pastaj, gjatë javëve të fundit, filloi të shtrihet rreth çështjes së shërbimit të të rinjve serb në Ushtrinë Kroate, ku kontribut të veçantë në këtë dha, siç e përmendëm edhe në fillim, prefekti i Vukovarit Shengl. Përndryshe, prej se më 15 janar të vitit të kaluar skadoi afati, me çka Qeveria kroate para mbarimit të reintegrimit arriti marrëveshje me drejtuesin e përkohshëm Zhak Paul Klein, një marrëveshje të heshtur të Ministrisë së Mbrojtjes dhe bashkësisë etnike serbe, që përbën opcionin shumicë të Bashkësisë, u arrit marrëveshja që gjatë vitit vijues të rinjtë serb të mos thirren në shërbim ushtarak, por vetëm të rekrutohen dhe evidentohen. Tani, më 15 janar, ky afat skadon, prandaj sërish imponohet rrëfimi se a janë pak tre vjet që “të shërohen plagët e luftës” ose a ka ardhur koha që të rinjtë e nacionalitetit serb nga Podunavla, pa frustacione, ta kryejnë shërbimin në Ushtrinë kroate.
Këto dhe pyetje tjera nga “politika e lartë” lokale i mbisundojnë autoritetet që edhe sot e kësaj dite mbeten skajshmërisht të ndarë në bazë etnike, ashtu siç e mbisundon kjo çështje e “politikës së lartë” edhe Qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga Raçani, krahas preokupimit me problemet konkrete të shoqërisë kroate, në mesin e të cilëve një vend me rëndësi zë edhe përmirësimi i ekonomisë si dhe rindërtimi i Vukovarit. Prandaj edhe nuk çudit - kur dihet edhe njëra edhe tjetra - që autoritetet e Vukovarit sot, tre vjet pas reintegrimit, me mburrje shprehen për një plan për pastrimin e gërmadhave me çka "do të përmirësohej estetikisht imazhi i qytetit”
AIM Zagreb
DRAGO HEDL