Lugina e Preshevës: lamtumirë armë?!

Pristina Jan 12, 2001

Prishtinë, 10.01.2001.

Në hyrje të fshatit Dobrosin, që ndodhet në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ushtarët amerikanë të fusin në "rëntgen" dhe i marrin të gjitha shënimet tua, duke filluar nga emri e mosha e deri tek "arsyet që të çojnë në këtë fshat", i cili cilësohet si bazë e kryengritësve shqiptarë nga komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Dhe pasi ke kaluar postbllokun e rrethuar me tela gjemborë, me reflektorë të fuqishëm dhe me ushtarë që mbajnë automatikë "Thompson", disa qindra metra më tutje has në një postbllok tjetër "të varfër" me thasë me rërë, prapa të cilëve qëndrojnë djem të rinj, të veshur me uniforma të varfëra dhe me "kallashnjikovë", tytat e të cilëve të përkujtojnë emisionet e dikurshme të televizionit të Tiranës me reportazhet për "çelikun e Partisë", reportazhe ato shumë të preferuara të komunistëve shqiptarë që e izoluan vendin e tyre për 50 vjet me radhë... Derisa guerilët shqiptarë, që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (një imitim i zbehtë i paraqitjes dhe emrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç pohojnë ca vëzhgues), "verifikojnë" (përmendësh) identitetin tënd, një grup banorësh shullëhen në diellin e ftohtë të janarit, ndërsa një grup fëmijësh luajnë në rrugën e rrëpinjtë (duket, më shumë për të dhënë imazhin e njerëzve të lirë?!). Pasi ke marrë "lejen" për të vazhduar tutje, të pret një rrugë e tmerrshme fshati me hendeqe të thella, në të cilat makina jote luksoze nxjerr tym pas pak metrash dhe të bën të "turpërohesh" për pafuqinë e qytetërimit...

Një grup guerilësh të rinj, që thonë se sapo kanë dalë nga "ambulanca" (ku nuk ka asnjë mjek), pohojnë se komandantët e tyre janë në fshatin Konçul, në rrugën që lidh Bujanocin në Serbi me komunën e Gjilanit në Kosovë. Të lodhur, të sëmurë dhe të parruar, ata më shumë ngjanin me një grup "vëzhguesish" dikur shumë popullorë në organizimet e dikurshme rinore të Lidhjes së Rinisë Socialiste...

Rrugën, që për ta kaluar më këmbë duhen të paktën dy orë, e shkurton shumë një "Niva" e vjetër, me të cilën udhëtojnë asgjë më pak se nëntë persona. Kodrinat e zhveshura përreth janë "lëvruar" në shumë vende nga forcat serbe të sigurimit apo vetë guerilët, që herë ia marrin e herë ia lëshojnë njëri-tjetrit "istikamet"... Makina gulçon nëpër rrugën plot gropa që kalon nëpër zonën pesëkilometërshe të sigurisë, ku forcat serbe nuk mund të stacionojnë më tepër se policinë lokale (sipas marrëveshjes së nënshkruar me NATO-n në Kumanovë në fund të luftës së Kosovës). Aty nuk ka shenja të ndonjë lufte të madhe e, megjithatë, gjatë vitit 2000 janë vrarë mbi 30 persona, ndërsa mijëra të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e veta...

Pas një udhëtimi të vështirë, ku në çdo hap pret të rrokullisesh në humnerë, arrin në fshatin Konçul (një fshat gropë, nëse mund të quhet kësisoji). Përskaj fshatit kalon rruga magjistrale nëpër të cilën udhëtojnë shqiptarët dhe serbët, ndërsa e kontrollojnë pjesë-pjesë të dyja palët. Banorët kishin dalë për të 'bërë sehir' një kolonë të gjatë me makina, traktorë dhe kamionë dhe disa qindra njerëz që kishin ardhur aty për të "kërkuar kthimin në fshatin Luçan të komunës së Bujanocit", prej nga ishin larguar një muaj më parë për shkak të luftimeve. Disa makina të Kryqit të Kuq venin e vinin, ndërsa ata që prisnin në rrugë shpresonin në "ndërhyrjen e KFOR-it" (të gjithë të huajt ata i quanin thjesht KFOR). Përballë tyre, në pozicione qëndronin forcat e policisë speciale serbe, ndërsa pas tyre ishin guerilët e armatosur, të përcjellë edhe nga udhëheqësit e tyre më të lartë. Buzëmbrëmjes, banorët i kanë humbur shpresat për t'u kthyer, e megjithatë presin me besimin se "gjërat po lëvizin nga vendi...". Në prag të Vitit të Ri forcat paqeruajtëse në Kosovë arritën të ndërmjetësojnë një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë serbe dhe guerilëve për heqjen e postblloqeve përgjatë komunës së Bujanocit dhe rrugës që e lidh këtë komunë me Gjilanin. Të dyja palët thanë se e kanë respektuar marrëveshjen dhe se "liria e lëvizjes është e siguruar për të gjithë". Mirëpo, përkundër kësaj lirie, gjashtë pjesëtarë të komunitetit serb e kaluan natën e Vitit të Ri diku në postblloqet e UÇPMB-së. Sërish ndërhynë forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe siguruan lirimin e tyre. KFOR-i tashmë ka hyrë në 'lojë' dhe madje, siç thonë vëzhguesit, tashmë e ka "shkelur vetë marrëveshjen e Kumanovës për ta ndihmuar zgjidhjen e problemi". Megjithatë, ata janë treguar shumë gjakftohtë ndaj pohimeve se KFOR-i është bërë mbështetje logjistike për UÇPMB-në, apo ndaj atyre se KFOR-i po i mbron autoritetet e reja jugosllave në Beograd... Ndaj konstatimeve të tilla, ata përgjigjen ftohtë: "Ne jemi për paqen..."

Guerilët pohojnë se i kanë hequr pengesat, ndërsa të njëjtën e pohojnë edhe forcat serbe. Mirëpo, aktivistët humanitarë lokalë pohojnë të kundërtën. Shaip Kamberi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili po i përcillte përpjekjet e banorëve të fshatit Luçan për t' u kthyer në shtëpitë e tyre, tërhoqi vërejtjen se prania e forcave serbe të sigurimit është ende shumë e madhe, ndërsa tash për tash ato kanë hequr vetëm një postbllok në hyrje të fshatit Tërnoc. "Ai ishte një postbllok i përzier me forca policore e ushtarake dhe, sipas disa pohimeve, aty ishin stacionuar edhe "Frankyt", paraushtarakë të njohur për krime lufte në Kosovë"...

Guerilët shqiptarë, ndërkaq, thanë se ushtarakët serbë po bëjnë shumë propagandë, ndërsa hodhën poshtë të gjitha paralajmërimet e autoriteteve të ushtrisë jugosllave për, siç thuhet, mundësinë e veprimeve të guerilëve gjatë krishtlindjeve ortodokse. Më gjashtë janar, njëri nga komandantët e guerilëve, i njohur si komandant Lleshi, tha se një gjë e tillë është e pamundur, madje ai "uroi të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb me rastin e krishtlindjeve duke u dëshiruar paqe e qetësi", ndërsa premtoi se "Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit do të bëjë gjithë ç'është e munur që kremtimet të kalojnë në qetësi".

Udhëheqësit e guerilëve madje thanë se ka shenja pozitive, që hapin rrugë për zgjidhjen politike të çështjes së luginës së Preshevës.

Banorët lokalë të fshatit Konçul thanë se rihapja e kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë ka ndihmuar mjaft në përmirësimin e gjendjes humanitare, meqenëse për disa ditë me radhë ata ishin përballur me probleme të furnizimit. KFOR-i kishte hapur pikat kufitare me përjashtim të Dobrosinit, ndërsa banorët, që për disa ditë kishin jetuar vetëm nga ndihmat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tash po ndjeheshin shumë më të "çliruar"...

Megjithatë, në kufi janë dërguar përforcimepërforcime të reja me ushtarë britanikë e skandinavë, të cilët janë dërguar me qëllim që, siç thuhet, "të garantohet përparimi i arritur drejt një zgjidhjeje paqësore, si dhe pengimi i bartjes së çfarëdo aktiviteti të paligjshëm nga Kosova në këtë zonë". Ky operacion i ri do të zgjasë për një muaj, ndërsa si për të dëshmuar gatishmërinë e tyre, britanikët që në ditën e tretë të stacionimit arrestuan 13 persona nën dyshimin se janë pjesëtarë të UÇPMB-së. Mbi 100 persona janë arrestuar nga paqeruajtësit dhe janë dërguar në kampin e forcave amerikane "Bondsteel" afër Ferizajit në Kosovë, ku presin të përgjigjen për veprimtarinë e tyre.

Sidoqoftë, ende asgjë nuk është zgjidhur, por duket se të dyja palët e kanë kuptuar se zgjidhja nuk mund të vijë nga armët. Autoritetet e reja jugosllave nuk mund të hyjnë në zonën e sigurisë dhe tani për tani nuk kanë arritur të imponojnë kërkesën e tyre për heqjen e saj. Përdorimi i armëve të rënda në këtë zonë është i ndaluar, ndërsa çdo veprim ushtarak që do të pasohej me gjakderdhje do të ishte "fatal" për pushtetin e ri në Beograd, pohojnë analistët vendorë. Njëkohësisht, ata kanë marrë garanca se "nuk mund të mendohet për kurrfarë shkëputjeje të kësaj pjese të Serbisë...". Nga ana tjetër, guerilët e dinë se nuk kanë as forcë e as mbështetje për ndonjë luftë më të madhe, ndërsa nga "mësuesit" e tyre duket të kenë marrë sinjale se "nuk vdiset për një autonomi kulturore" (që duket të jetë edhe maksimumi)...

AIM Prishtinë, Besnik BALA