Grupimet kriminale dhe shteti

Skopje Jan 10, 2001

Prostuitucioni ka degraduar institucionet e Maqedonisë

AIM Shkup, 09.01.2001

Në fund të vitit të kaluar pjesëtarët e policisë maqedonase ndërmorrën një sërrë aksionesh të organizuara kundër prostitucionit, i cili në Maqedoni

kishte marrë përmasa të rrezikshme. Më shumë se 100 prostituta të huaja janë deportuar jashtë Maqedonisë, ndërsa u mbyllën edhe 20 objekte hotelierike që kishin ofruar shërbime të prostitucionit. Për më pak se një muaj, një numër i tyre u hapën përsëri, ndërsa shumica e objekteve tjera të prostitucionit të cilat vetëm në Maqedoninë perëndimore vlerësohen të jenë mbi 150 shtëpi publike, u kursyen nga bastisjet e policisë

Disa të dhëna jozyrtare thonë se në Maqedoni veprojnë mbi 2.000 prostituta të huaja, shumica nga shtetet e Evropës lindore. Pjesa më e madhe e tyre në Maqedoni kanë gjetur hapësirë të mjaftueshme për të huazuar lirshëm trupin e tyre klientëve të shumtë të vendit dhe atyre të huaj që përkohësisht punojnë në Maqedoni. Problemi i prostitucionit në Maqedoni ekziston që nga pavarësimi i Maqedonisë, ndërsa për këto dhjetë vjet, ajo ka marë përmasa të rrezikshme duke u përhapur në mënyrë të pakontrolluar. Me hapa të sigurtë, prostitucioni ka vërshuar edhe pjesët rurale të vendit, prej të cilave më të rrezikuara janë ato në pjesën perëndimore të Maqedonisë, ku gjendja vlerësohet të jetë alarmante. Ka fshatra në të cilat funksionojnë edhe nga 12 e më tepër shtëpi publike, siç është shembulli me fshatin Bogovinë të komunës së Tetovës. Situata nuk është më e mire as në fshatrat Veleshtë, Pirok, Çegran, Hanet e Mavrovës, Vrutok, Neproshten, Reçicë, Dobërdoll, dhe kështu me radhë, të gjitha këto fshatra që shtrihen në pjesën perëndimore të Maqedonisë të banuar kreyesisht me popullatë shqiptare.

Sipas ligjeve ekzistuese në Maqedoni, organizimi, nxitja dhe mundësimi i

prostitucionit paraqet vepër penale, e cila sanksionohet prej 6 muaj deri më 10 vjet burg. Përkundër kësaj, organizatorët e këtij lloji të kriminalitetit kanë arritur të krijojnë një infrastrukture të gjërë të veprimit. Deri tani në Maqedoni ende nuk është dënuar asnjë prej organizatorëve të shumtë të këtij lloji të kriminalitetit, edhe pse emrat e "bosëve" të prostitucionit në Maqedoni, janë bërë sekret publik për opinionin më të gjërë. Ata kanë angazhuar një numër të madh të vajzave që vijnë nga shtete të Evropës lindore, të cilat legalisht punësohen në objekte të ndryshme hotelierike, edhe atë si kameriere, valltare, shërbëtore ose pastruese. E githë kjo me qëllim të evitimit të rrezikut nga kontrollet rutinore të këtyre objekteve nga ana e organeve kompetente të shtetit.

Sjellja e prostitutave të huaja në Maqedoni, paraqet vetëm njërën nga fazat e një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar, i cili për këtë shkak kryhet nga grupe të specializuara. Ekzistojnë të ashtëquajtur agjentë të prostitutave të cilët në vende të ndryshme të Evropës Lindore, kërkojnë vajza që janë të interesuara të shesin trupin e tyre. Kryesisht vajzat duhet të jenë të reja dhe të bukura, ndërsa vendi ku agjentët e mafias së prostitucionit më së lehti arrijnë deri te ato, janë shkollat e ndryshme të baletit. Kryesisht për shkak të standardit të ulët të jetesës në këto vende, shumë vajza pranojnë vullnetarisht të merren me prostitucion, duke e konsideruar atë si formë të vetme të sigurimit të mjeteve të nevojshme materiale për ekzistencën e tyre personale dhe familjes së tyre. Jo çdo herë vajzat bëhen prostitute me vullnetin e tyre. Disa prej tyre manipulohen duke besuar në premtimet e rrejshme të agjentëve të prostitucionit të cilët para tyre zotohen se do t'i ndihmojnë në karrierën e tyre si valltare apo këngëtare. Pasi vijnë në Maqedoni, me forma të ndryshme ata detyrohen të harrojnë ëndërrat se kanë arritur në token e premtuar, duke iu krijuar atyre karrierrë të prostitutave.

Në Maqedoni dallohen disa emra të organizatorëve të cilët kanë bërë që prostitucioni në Maqedoni të përhapet sipas një progresioni gjeometrik. Edhe pse me qëllime të njëjta, shumica e tyre i kanë të ndara viset në të cilat konkurentët tjerë e kanë të ndaluar të hapin objekte të prostitucionit. Në këtë mënyrë ata kanë krijuar një autonomi në veprimtarinë e tyre e cila nuk mund të rrezikohet nga të interesuarit tjerë, të cilët ndihen të pafuqishëm kundër këtyre bosave të mafias së prostitucionit. Të frikësuar ndihen edhe banorët e fshatrave të cilët nuk guxojnë të kundërshtojnë haptazi këtë dukuri të re në fshatrat e tyre, e cila është në kundërshtim të plotë me traditën e tyre kombëtare dhe fetare. Gjatë vitit të kaluar janë shënuar edhe raste kur disa fshatarë kanë marrë ligjin në duart e tyre dhe janë konfrontuar me organizatorët e këtij biznesi, duke dashur të pengojnë shtrirjen e prostitucionit në fshatrat e tyre. Në këtë qëllim të tyre ata nuk kanë pasur sukses, për shkak se janë ndeshur me një rrezistencë të fuqishme nga pronarët e objekteve, si edhe nga vetë përfaqësuesit e organeve të shtetit të cilët në forma të ndryshme janë vënë në mbrojtje të interesave të organizatorëve të prostitucionit.

Një hap serioz në këtë drejtim është shënuar në fund të vitit të kaluar Kur anëtarët e Këshillit komunal të fshatit Veleshtë, fshat ky i cili numëron Jo më pak se 8 shtëpi publike, apeloi deri te organet kompetente të shtetit që në përpurthje me ligjet ekzistuese t'i mbyllë të gjitha objektet që mundësojnë prostitucionin në këtë fshat. Kjo ishte goditja e parë serioze që i bëhej organizatorëve të prostitucionit, edhe atë nga vetë fshatarët të cilët nëpërmjet të zgjedhurve të vet kërkonin ndihmën e organeve të shtetit.

Prefekti i kësaj komune Tahir Hani, kishte kërkuar edhe përkrahjen kolegëve të tij në komunat tjera të Maqedonisë, mirëpo deri sot, asnjëri prej tyre nuk është solidarizuar me këtë inicativë të banorëve të fshatit Veleshtë. Kjo për shumë media të vendit ishte një shembull konkret se si Përfaqësuesit politik janë të koruptuar nga mafiat e prostitucionit. Kjo për shkak se shumë komuna tjera deri te të cilat ishte drejtuar apeli për solidarizim dhe luftë të përbashkët kundër prostitucionit, ballafaaqoheshin me problemin e njëjtë. Pak më vonë, nën organizimin e komunës së Veleshtës u organizua një seminar që për temë kishte prostitucionin në fshatrat shqiptare, në të cilën përveç ekspertëve të ndryshëm morën pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila është pjesëmarrëse në Qeverinë e Maqedonisë, dhe e cila konsiderohet si përgjegjëse për të insistuar në respektimin e ligjit në fshatrat e Maqedonisë perëndimore të mbushura me shtëpi publike. Qëndrim i përbashkët i këtij takimi ishte se prostitucioni duhet të ç'rrënjoset nga fshatrat e Maqedonisë Perëndimore, dhe të nxirret një ligj me të cilin do të ndërrohej trajtimi i tashëm i prostitucionit si krim në veprimtari legale. Përkrahësit e kësaj ideje ishin të mendimit se në këtë mënyrë, prostitucioni do të vihej nën kontroll, do të përcaktoheshin rregulla me të cilat do të zvogëlohej interesimi i njerëzve për të hapur shtëpi publike, si dhe do të shtohej siguria e klientëve nga infektimet e ndryshme të organeve gjenitale. Kundërshtarët e kësaj ideje kanë hedhur poshtë këto arsyetime, për të cilat thonë se pas tyre fshihen vetëm interesat e mafias së prostitucionit. Ata mendojnë se nxjerrja e një ligji nuk do të sjellë asgjë të re, për shkak se në Maqedoni ligjet nuk respektohen, ndërsa shembull për këtë është vetë situata momentale, ku përkundër ligjeve ekzistuese të cilët organizimin e prostitucionit e konsioderojnë vepër penale, ajo ka marrë përmasa alarmante. Ky grup i njerëzve është i mendimit se asnjë shoqëri nuk ka dobi nga prostitucioni, përpos njerëzve të cilët merren me organizimin e tij, ndërsa arsyetimet se ka njerëz të cilët cilët kanë nevojë të vizitojnë këto objekte, i kanë hedhur poshtë duke tërhequr një paralele me problemin e narkomanëve të shumtë në vendin tonë, të cilët vazhdimisht duhet të kosnumojnë ndonjë nga llojet e ndryshme të drogave. Ata thonë se nëse shkohet sipas kësaj logjike, atehër do të duhej te legalizohej edhe tregëtia ilegale me drogë, e cila do të duhej të plotësonte nevojat e përditshme të një numri të madh të narkomanëve.

Deri sa qytetarët shprehnin publikisht opinionin e tyre, pjesëytarët e policisë maqedonase intervenuan duke mbyllur një numër të madh të objekteve të prostitucionit. Aksioni policor, edhe pse linte përshtypjen e një fushatë të gjërë kundër prostitucionit, ajo u cilësua si pak produktive. Në fillim policia mbylli një numër të madh të objekteve që ofronin shërbime seksuale, mirëpo ajo që nuk i është sqaruar ende opinionit, është fakti se pse asnjë nga organizatorët e këtij biznesi profitabil nuk është gjetur para gjyqit të drejtësisë. Paralelisht me këtë, një numër i konsiderueshëm i objekteve të mbyllura janë hapur sërisht, ndërsa disa shtëpi tjera publike për të cilat në opinion mbizotëron mendimi se janë nën kontrollin e partive në pushtet, as që janë mbrojtur nga kjo fushatë e pjesëtarëve të policisë maqedonase.

AIM Shkup

LIRIM DULLOVI