Rifitimi i ngadalshëm i "identitetit"

Pristina Jan 10, 2001

Prishtinë, 31.12.2000.

Po t'i kërkosh sot një kosovari një dokument identifikimi ai mund t'i nxjerrë disa sosh, apo asnjë! Një pjesë e madhe e tyre kanë dalë nga lufta me dokumente të djegura bashkë me shtëpitë e tyre të djegura e të rrënuara, një pjesë tjetër pohon se dokumentet e tyre janë grisur nga forcat serbe të sigurimit në kufijtë e Kosovës me Shqupërinë dhe Maqedoninë gjatë deportimit dhe daljes së tyre të madhe në pranverën e vitit 1999. Por, ka edhe të atillë që dokumente nuk kanë pasur kurrë. Banorë të fshatrave të tëra nuk kanë pasur kurrë dokumente, posaçërisht ata të atyre zonave që janë karakterizuar nga "rezistenca" e vazhdueshme ndaj pushtetit. Posaçërisht dukuria e mbetjes pa dokumente është shfaqur shumë gjatë viteve '90, kur (veçanërisht) në mjediset fshatare refuzimi i tyre konsiderohej si "rezistencë pasive". Gjithsesi, më së shumti dokumente janë zhdukur gjatë luftës dhe më së shumti i kanë "humbur" ata që kanë kërkuar strehim në Shqipëri. Shpjegimi është i thjeshtë. Forcat e Millosheviqit dëshironin të dëbonin njerëz pa "identitet" për t'ia krijuar vetes alibinë me rastin e seleksionimit të të kthyerve të mundshëm. Duket se ajo është konstruktuar për t'i shërbyer tezës se "shumë banorë të Kosovës në fakt janë emigrantë nga Shqipëria dhe jo banorë autoktonë".

Sidoqoftë, disa qindra mijëra njerëz pas luftës mbetën pa dëshmi të identitetit të tyre, ndërsa procesi i pajisjes me dokumente nga administrata ndërkombëtare ka ecur me hapa kërmilli. Administrata e Kombeve të Bashkuara premtoi se dokumentet e para do të jepen gjatë verës së këtij viti, menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të votuesve për zgjedhjet lokale të 28 tetorit. Por, kjo nuk ndodhi. U deshën të kalojnë muaj të tjerë të tërë dhe ky proces, më në fund, i bëri hapat e parë ende shumë të plogësht më 19 dhjetor. Zëvendësadministratori i Kosovës, Tom Koenings, tha se janë bërë gati (më në fund dhe vetëm) 34 mijë dokumente të identifikimit (leje të njoftimit). Të gjithë këta janë persona të cilësuar si "raste për shqyrtim" gjatë procesit të regjistrimit apo, thënë më qartë, ata janë njerëz që nuk kanë kurrfarë dokumenti të identifikimit. Ndërkaq, deri në fund të janarit të vitit 2001 pritet shtypja dhe përgatitja e 250 mijë lejeve të njoftimit. Mbetet ndërkaq që rreth 700 mijë të dhëna për persona të regjistruar të korrigjohen dhe të ripunohen, meqenëse janë me gabime, thanë përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke kërkuar "ndjesë për gabimet dhe vonesën"... Zoti Koenings tha se "Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) po e krijon kësisoji sistemin qendror të të dhënave që do të funksionojë si një regjistër civil, i cili do të përdoret për gjithë dokumentacionin në të ardhmen, si letërnjoftimet, dokumentet e udhëtimit, lejet e vozitjes, si dhe si listë votuesish për zgjedhjet e përgjithshme..." . Administrata e la pa mend opinionin me pohimin se "të dhënat janë përpunuar në Indi dhe se ato ishin plot gabime". Zoti Koenings tha se "për dikë që nuk flet shqip nuk është e qartë menjëherë se si shkruhet e dhëna shkronjë për shkronjë. Ne bëmë një tender ndërkombëtar, zgodhëm ofertën më të shpejtë dhe më të lirë dhe vonë e kuptuam se cilësia nuk ishte e mirë..." Ai pranoi se ishte një gabim i përbashkët i UNMIK-ut dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) vendimi për t'i çuar të dhënat në Indi dhe jo për ta ngritur në kapacitet lokal për atë qëllim. Gabimet ishin evidente që në përfundimin e procesit të regjistrimit civil në Kosovë, por autoritet thanë asohere se listat ishin të mjaftueshme për ta identifikuar zgjedhësin, por gabimet në të dhënat e tjera e pamundësojnë dhënien e letërnjoftimeve. Dhe tani gabimet duhet të korrigjohen në Kosovë. Tërë procesi, sipas autoriteteve kushton 30 milion DM, ndërsa vetëm korrigjimi i gabimeve që duhet të bëhet në Kosovë do të kushtojë 250 mijë DM.

Megjithatë, lëshimi i letërnjoftimeve filloi. Në rrethana normale ky do të ishte një lajm lehtësimi, por kosovarët janë të zhgënjyer disa herë me radhë. Ata, megjithatë, shpresojnë se menjëherë do të fillojë edhe procesi i dhënies së "pasaportave", të cilat UNMIK-u i quan "dokumente udhëtmimi", meqenëse Kosova me autonominë e saj substanciale nuk mund të ketë pasaportë... Tom Koenings thotë se të gjithë ata që marrin lejet e njoftimit mund të aplikojnë menjëherë për dokumentin e udhëtimit , për të cilin duhet të paguajnë 60 DM, për dallim nga letërnjoftimet që jepen falas. Kush aplikon për dokumentin e udhëtimit duhet të presë 4 javë, meqenëse "ai dërgohet në Gjermani për shkak të përgatitjes më të lartë dhe të pafalsifikushme të tij". Dhe, nëse ke "fat" ta marrësh (ende nuk është shënuar ndonjë rast i tillë), atëherë me atë dokument udhëtimi mund të vizitosh 14 vende që e kanë pranuar atë deri tani: Finlandën, Gjermaninë, Spanjën, Zvicrën, Anglinë, SHBA-të, Danimarkën, Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Greqinë, Austrinë, Kroacinë, Francë. Por, këtë ende nuk mund ta bësh në Maqedoni (dera e parë e kosovarëve me botën) meqenëse ajo ende nuk e ka pranuar atë... Nuk ka shpjegime nëse duhet apo jo vizë për këtë dokument udhëtimi, por dihet se as vendet tjera fqinje me Kosovën nuk e kanë pranuar këtë dokument. Banorët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë nëpër vendet e tyre fqinje me dokumentet e UNMIK-ut, pavarësisht se kjo administratë është vendosur me vendimin e organizatës më të madhe botërore. Ata tashmë kanë tabelat e regjistrimit të veturave me të cilat mund të vozisin vetëm brenda Kosovës. Do të kenë dokumente me të cilat do të mund të qarkullojnë lirshëm vetëm në Kosovë, por, siç u shpreh një publicist kosovar, ata duket se "po fitojnë statusin e popullit qiellor, meqë për të arritur në vendet ku u njihen dokumentet e udhëtimit ata duhet vetëm të fluturojnë"... Me dokumente "moderne" që kanë rrugëtuar nga Kosova në Indi dhe anasjelltas, shqiptarët duken të mbyllur si në "geto" brenda Kosovës...

Paradoksalisht, "shpëtimin" ata po e kërkojnë në një zyrë në qendër të Prishtinës, ku edhe sot e kësaj dite mund të marrësh pasaportë jugosllave me nënshkrimin dhe vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (ndonëse ajo as nuk e kontrollon e as administron me Kosovën). Ky "aktivitet" i ruajtjes së pushtetit jugosllav kryhet në Qendrën për Paqe dhe Tolerancë që ruhet nga forcat e KFOR-it. Para dyerve të kësaj qendre presin kosovarët në radhë të gjata për të marrë dokumentet e vendit "të cilin nuk e pranojnë"... Misioni i Kombeve të Bashkuara thotë se është e drejtë e çdo qytetari që të marrë pasaportën, e cila nga pikëpamja e statusit ligjor ndërkombëtar ka dallim të madh nga dokumenti i udhëtimit... Pastaj, "sipas Rezolutës 1244 Kosova është pjesë e Jugosllavisë dhe ajo ka të drejtë të japë pasaporta", të thonë në UNMIK... Shqiptarët shikojnë vëngër, shajnë dhe presin sërish në radhë... Liderët e tyre as nuk mund t'i ndalojnë as t'u ndihmojnë. Ata thjesht nuk mund të ngriten kundër, sepse do të duhej të kishin zgjidhje tjetër. Por, as ata vetë nuk kanë dokumente valide...

Sido që të jetë, procesi i pajisjes me dokumente ka filluar dhe pavarësisht se ai duket të jetë i gjatë dhe i mundimshëm (gabimet ende nuk janë përmirësuar), ai shihet si shumë i rëndësishëm. Rrugët e Kosovës nuk do të jenë (ndoshta) më të mbushura me njerëz "pa identitet" që mund të jenë pjesë e krimeve, të cilat vazhdojnë të mbeten të pazbuluara...

AIM Prishtinë, Besnik BALA