Zgjedhjet amerikane dhe Kosova

Pristina Jan 7, 2001

Prishtinë, 31.12.2000.

Fitorja e republikanëve konservatorë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te një pjesë e opinionit të Kosovës është pritur me rezerva, në rend të parë për shkak të ndihmës së madhe që administrata e demokratëve e prirë nga presidenti Clinton i ofroi Kosovës. Mirëpo, njohës të rrethanave politike në Kosovë, përfshirë këtu edhe analistë të pavarur dhe përfaqësues të subjekteve politike, sugjerojnë se ndryshimet në kreun shtetëror amerikan nuk lënë vend që qytetarët e Kosovës të kenë frikë nga ndryshimi i kursit të politikës amerikane ndaj Kosovës dhe regjionit përgjithësisht. Sidoqoftë, dyshimi i shqiptarëve ndaj kursit që do të ndjekë presidenti i ri George W. Bush është pasojë e deklaratave parazgjedhore të Bushit të Ri për tërheqjen e forcave amerikane nga Kosova dhe Ballkani. Nënkëshilltari i sekretarit amerikan të shtetit, zoti James Pardew, gjatë qëndrimit të tij triditësh në Kosovë, ka thënë se është i bindur që Kosova është interes amerikan, prandaj politika amerikane nuk do të ndryshojë, pavarësisht nga deklaratat parazgjedhore të zotit Bush. "Komentet e tilla janë bërë në vlugun e fushatës politike dhe i janë drejtuar një audience të caktuar në një kohë të caktuar", ka thënë zyrtari i lartë Pardew, derisa po përuronte disa projekte të investuara nga qeveria amerikane, duke përmendur edhe angazhimet dhe obligimet që Shtetet e Bashkuara janë të vendosura t'i përmbushin deri në fund, po edhe sa i përket Kosovës. Pardew, megjithatë, ka pranuar se ende nuk ka kontaktuar me asnjërin nga njerëzit e rinj të administratës së Uashingtonit, për të diskutuar kursin që ka ndërmend ta ndjekë qeveria e re e republikanëve, që arriti të kthehet në krye të superfuqisë së vetme në botë pas tetë vjet sundimi të demokratëve.

Nga ana tjetër, subjektet politike shqiptare dhe analistë të pavarur në Kosovë, megjithëse popullit të tyre i sugjerojnë të mos dyshojë në kursin amerikan, duket sikur në vete mbajnë ca dyshime ndaj zotit George W. Bush. Ata, megjithatë, për opinionin thonë se politika e jashtme amerikane gjithherë ka pasur një kontinuitet veprimi. Milazim Krasniqi, analist politik dhe aktualisht nënkryetar i një partie politike në Kosovë (PQLK), thotë se ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë janë në kuadër të procedurave demokratike, të cilat nuk e ndryshojnë doktrinën themelore amerikane, pasi kjo doktrinë ka një koherencë shekullore. "Edhe presidenti i ri Bush do të sillet në pajtim me politikën amerikane të interesimit për Ballkanin dhe posaçërisht për Kosovën", thotë Krasniqi duke përkujtuar se babai i presidentit të ri amerikan, i cili ishte paraardhës i Clintonit, qe pikërisht njeriu që ia përcaktoi Millosheviqit të famshmen "vijë të kuqe" lidhur me Kosovën. Zoti Krasniqi madje është i mendimit se presidenti clinton qe vonuar shumë për të mbrojtur këtë "vijë të kuqe" që e vuri parardhësi i tij.

Ndërkaq, ish-politikani i njohur kosovar i kohës së komunizmit, për të cilin pohohet se është njohës i politikës së jashtme amerikane, zoti Mahmut Bakalli, ka thënë se ndryshimet në administratën amerikane nuk mund të sjellin ndonjë ndryshim esencial në politikën amerikane ndaj Ballkanit dhe ndaj Kosovës. "Jam i bindur se administrata e presidentit Bush do ta vazhdojë angazhimin ushtarak, politik dhe ekonomik sa i përket Kosovës dhe këtu nuk ka vend për kurrfarë frike", ka vlerësuar z. Bakalli.

Liderë politikë dhe analistë të pavarur kanë besim të plotë në koherencën dhe vazhdimësinë e politikës së jashtme amerikane. Z. Milazim Krasniqi në këtë kuadër i kthehet edhe kontekstit historik, i bindur se politika do të mbetet e pandryshuar. "Rrezatimi moral i politikës amerikane është një çështje e modelit të demokracisë amerikane dhe për ne shqiptarët kanë qenë dy presidentë që duhet mbajtur mend. Fillimisht, presidenti Willson, i cili e shpëtoi Shqipërinë në Konferencën e Versajës dhe, më pas, Bill Clinton, i cili e shpëtoi Kosovën në luftën e fundit", thotë Krasniqi. Vazhdimësia e politikës amerikane është paralajmëruar në kontekst të "rrezatimit moral" edhe nga këshilltarja e zotit Bush për siguri kombëtare, zonja Condoleeza Rice, e cila, duke komentuar deklaratat e zotit Bush për tërheqje nga Kosova, ka thënë se është fjala për rirreshtime të ushtrisë amerikane, pasi sipas saj "aleatët tanë në mbarë botën do të kuptojnë se Bush është një mik i sinqertë dhe se thjesht nuk e ka ndërmend ta ndërpresë misionin dhe të ikë..." Madje, si për të qenë më bindëse, zonja Condoleeza Rice ka përkujtuar: "Mos harroni se Bush e ka përkrahur intervenimin ushtarak në Kosovë".

Në këtë kontekst janë vështruar këtu edhe deklaratat e ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holebrooke, i cili në ditët e fundit të mandatit e ka ashpërsuar kursin e deklaratave të tij. Duke theksuar se statusi final i Kosovës duhet të përcaktohet në një konferencë ndërkombëtare si ajo e Dejtonit, ambasadori Holebrooke, ndryshe tepër i afërt me Kosovën dhe Ballkanin, ka thënë me bindje se "pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kryejnë punën e tyre në Kosovë".

Edhe zyrtarët e tjerë në përfundim të mandatit në administratën e Clintonit flasin për një kurs të pandryshuar të politikës amerikane. Pas takimit të parë me pasardhësin e saj Colin Powell, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ka thënë se rajoni i Evropës Juglindore dhe posaçërisht Kosova përfaqësojnë interesa amerikane dhe se ndërhyrja atje ka qenë e domosdoshme për ta ndalur regjimin e Millosheviqit. Albright ka thënë se është thellësisht e bindur se një politikë e tillë do të vazhdojë. Në këtë kuadër, për vazhdimësinë e politikës së jashtme amerikane flet edhe përbërja e administratës së Bushit të Ri, i cili rreth vetes ka mbledhur njerëzit e afërt me të atin e tij, duke emëruar për zëvendës zotin Dick Cheney, ndërsa për sekretar të shtetit ish ministrin e mbrojtjes nga koha e luftës në Gjirin Persik, gjeneralin Colin Powell.

Deklaratat e George W. Bush për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova dhe nga Bosnja janë përjetuar keq edhe nga kreu i NATO-s, megjithëse është shprehur bindja për vazhdimin e misionit të tyre. "Ushtarët amerikanë janë trima dhe profesionistë të shkëlqyeshëm dhe prania e tyre në misionet ndërkombëtare është tepër e nevojshme", ka thënë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, George Robertson, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë. Ndërkohë që këto diskutime për tërheqjen apo jo të ushtarëve amerikanë nga Kosova kanë vazhduar në qarqe të ndryshme, Pentagoni ka përcaktuar edhe kontingjentet e ushtrisë amerikane që do të shërbejnë në Kosovë deri në vitin 2005.

Sidoqoftë, shqetësimi fillestar i opinionit kosovar ndaj ndryshimeve në administratën amerikane e ka bazën te frika nga ndryshimet dhe jo te ndonjë analizë e hollësishme e angazhimeve të demokratëve apo republikanëve amerikanë në rajonin e Ballkanit, sidomos në Kosovë. Tekefundit, thonë analistët, një shqetësim i tillë pati mbretëruar në Kosovë edhe para katë vjetësh, kur republikani Robert Dole humbi në zgjedhje nga demokrati Bill Clinton, administrata e të cilit bëri aq shumë për shqiptarët dhe për Kosovën. Në këtë luhatje në masë të madhe ka ndikuar edhe luhatja e lobit të fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë dekadës së fundit dhe pavendosmëria e tyre për të përkrahur qoftë demokratët, qoftë republikanët. Në fund të fundit, thonë këta analistë, rajoni është pjesë e interesit dhe e strategjisë afatgjate amerikane, e cila nuk mund të ndryshohet aq thjesht nga një president.

AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI