Bankat: biznes apo patriotizëm
Prishtinë, 29.12.2000.
Për dhjetë vjet me radhë është kultivuar ndjenja se "pas largimit të Serbisë, Kosova do ta ketë bankën e vet". Madje, vlerësimet shkonin deri atje sa pohohej se përveç bankave komerciale do ta kemi bankën qendrore dhe valutën...
Mirëpo, përkundër kësaj kategorie të boznespatriotëve, në Kosovë po krijohet një realitet tjetër, ndonëse realisht më efikas se ai që ata e ëndërronin. Deri tani është themeluar një bankë, MEB Banka, "por ajo është bankë gjermane", kurse gjashtë banka "domicile" kanë marrë vetëm licencë paraprake. Edhe pse po kalon edhe muaji i tetë, ato ende nuk kanë leje përfundimtare për punë. Ekzistojnë, megjithatë, dilema a janë vërtet ato banka domicile, apo nuk janë të tilla. Sipas strukturës së kapitalit të bërë transparente, Banka e Re e Kosovës të gjithë aksionarët i ka nga Kosova, ndërsa Banka Ekonomike dhe Banka Kreditore potencialin aksionar kryesisht e kanë siguruar nga një kompani zvicerane, pronar i së cilës është z. Behxhet Pacolli. Në anën tjetër, Banka Tregtare u përpoq t'i ofrojë kompanitë tregtare kosovare, por në fund u detyrua të trokasë në dyert e një kompanie private amerikane; themeluesit e Bankës Hipotekare, ndërkaq...
Por, MEB Banka (Micro Enterprise Bank) është banka e parë që e filloi punën dhe brenda një kohe të shkurtër ajo bëri "mrekulli". Filloi me një kapital themelues solid prej 3 milionë DM, ndërsa deri tani ajo këtë kapital gati e ka trefishuar.
"Kapitali ynë tani është diku rreth tetë miolionë DM, ndërsa aspiratat tona janë që deri në fund të vitit ai të jetë edhe për dy milionë DM më i madh. Kemi 21.183 depozitues, prej të cilëve 30 për qind janë subjekte juridike, që kanë depozituar rreth 140 milionë DM, kurse kemi bërë transferin e një miliard DM", thotë z. Ralf Reifemaier, zëvendës drejtor i kësaj banke në Prishtinë.
"Themeluesit e bankës nuk kanë aq shumë dëshirë që të merren me transfer të parave, ata e preferojnë kreditimin. Kemi dhënë 537 kredi, në një shumë të përgjithshme prej 7.5 milionë DM, ndërsa deri në fund të vitit plasmanet do të jenë dhjetë milionë marka", thotë ai.
Sipas tij, lartësia mesatare e kredisë është 13 mijë DM dhe politika kreditore e saj zhvillohet sipas logjikës: plasmane të vogla - rreziku më i vogël. Për kosovarët nuk është brengosës vetëm niveli i ulët i kredisë, por kamatat e larta që kanë ato. "Normat e interesit për kredi afatshkurtra janë tepër të larta, deri në 24 për qind në vit. Me politikën e saj kreditore ajo nuk i përfshin zonat rurale, ku jeton rreth 70 për qind e popullatës kosovare, e cila i ka pësuar dëmet më të mëdha gjatë luftës. Provizionet për transfere financiare ndërkombëtare janë shumë të larta. Ajo nuk ka kurfarë politike kursimore, e cila do të ishte një burim shumë i rëndësishëm i financimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës", thotë mr. Halim Gjergjizi, drejtues i Institutit "Eko-projekt".
"Kushtet që i ofron MEB Banka për ekonominë e Kosovës janë të rënda, mu për shkak të kamatave të larta", pohon edhe Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, për të shtuar se "pasi ajo është e vetmja bankë, ajo e luan rolin e bankës monopoliste. Mendoj se shumë pak i ka ndihmuar Kosovës, së paku në periudhën që e kemi lënë pas".
Z. Ralf Reifemaier, megjithatë, ka mendim tjetër. Ai thotë se objektivat kryesore për MEB-in janë zhvillimi i sektorit financiar dhe sigurimi i kredive për biznese të vogla. "Ne jemi vetëm një bankë dhe nuk mund ta zhvillojmë tërë ekonominë përnjëherë. Ne jemi bankë e biznesit të vogël, pra i financojmë vetëm mikro bizneset", shton z. Reifemaier.
Në Evropë, respektivisht në Bankën Qendrore Evropiane, me të madhe është duke u diskutuar çështja e kamatave. Ndërkaq, në Gjermani kamatat për kredi komerciale sillen prej 10 deri në 12 për qind. Juristët vlerësojnë se nëse dikush të ngarkon me kamatë prej 24 për qind, mund ta akuzosh për mashtrim apo përfitim të paligjshëm përmes shfrytëzimit të situatës së pavolitshme ekonomike. A mund të cilësohet si e tillë edhe puna e MEB Bankës në Prishtin ë?
"Mungesa e ligjeve krijon ambientin në të cilin MEB Banka është e detyruar ta bartë vetë një pjesë të madhe të rrezikut. Nëse dikush nuk e kthen kredinë, nuk ka kush ta mbrojë bankën, kështuqë ata duhet të jenë të kujdesshëm", thotë Ben Atkins, zëdhënës i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, aksionare e MEB Bankës.
Në anën tjetër, zëvendës drejtori i MEB Bankës në Prishtinë thotë: "Sa u përket kamatave, ne nuk i përmbahemi konceptit të NGO-ve, ne nuk jemi këtu për një periudhë të shkurtër që të japim disa kredi dhe të zhdukemi. Duam ta kemi një bankë të fortë dhe efikase, që krijon profit dhe që do të ekzistojë për 100 vjet të ardhshme. Pra, ne duhet t'i mbulojmë shpenzimet tona. Prandaj e aplikojmë këtë kamatë. Ndërkaq, ju po harroni se rreziku në Kosovë është më i madh se në Gjermani. Dhe, së dyti, ne po japim kredi në shuma të vogla, të cilat janë edhe më të shtrenjta".
Marc Engelhardt, drejtor i Zyrës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim në Prishtinë (GORED), e arsyeton çmimin kaq të shtrenjtë të MEB Bankës, madje punën e saj e vlerëson si shumë të suksesshme. "Ideja ishte që me MEB-in të krijohet një bankë e vërtetë private komerciale në Kosovë. Ne jemi një nga pesë aksionarët e saj. Por, MEB-i ka një personel drejtues të aftë, i cili gjithnjë e më shumë po zëvendësohet me personel kosovar". Ndërsa për shkallën e lartë të kamatave, Engelhardt thotë se "kërkesa dëshmon për të kundërtën. Kërkesa për kredi te MEB-i i ka kapërcyer parashikimet tona. Deri tani kemi mundur të japim mbi 600 kredi nëpërmjet MEB-it, me një vëllim mbi 5 milionë DM dhe e gjithë kjo ka ndodhur që nga muaji prill i këtij viti. Pra, nuk kanë kaluar as tetë muaj, ndërsa çdo ditë në MEB vijnë klientë të rinj, madje aq sa banka nuk mund ta përballojë valën e klientelës, pasi ajo tani për tani nuk ka personel të kualifikuar të mjaftueshëm. Është e vërtetë që interesat janë relativisht të larta, por këtë e kemi bërë me vetëdije, sepse ne duam që kreditë të jepen në bazë të kritereve të ekonomisë së tregut, e kjo do të thotë vetëm për ato ndërmarrje që vërtet janë në gjendje të prodhojnë profit, që janë vërtet të orientuara drejt fitimit, punojnë me efikasitet dhe janë në gjendje t'i shlyejnë kreditë.
Ne duam ta parandalojmë atë që ndodhi në Bosnjë, ku pjesërisht janë financuar me kredi të lira ndërmarrje që nuk mund të mbijetonin, të cilat kanë falimentuar pas një ose dy vjetësh, duke çuar madje edhe te falimentimi i vet bankës. Në Bosnjë kjo ka ndodhur dy herë. Ne duam ta shmangim pikërisht diçka të këtillë, pasi qëllimi ynë në Kosovë është të përpiqemi që në fillim të punohet në mënyrë konsekuente dhe me plan afatgjatë në bazë të kritereve të ekonomisë së tregut".
MEB Banka, megjithatë, me sukses po e merr tregun në Kosovë. Ndonëse me çmim të lartë, ajo është banka e vetme që jep kredi dhe si të tillë biznesmenët e pranojnë atë.
Mirëpo, bankierët kanë mendim tjetër. "Sikur të kishim më shumë banka, konkurrenca do të ishte më e madhe dhe çmimi i punës së tyre po ashtu do të ishte më i vogël", është e mendimit Zineta Daci, koordinatore për çështje bankare në Odën Ekonomike të Kosovës.
Bankierët kosovarë ia hedhin tërë fajin Autoritetit të Bankave dhe Pagesave në Kosovë, i cili i ka kompetencat e bankës qendrore. "Ata nuk duan të na japin licencë", thonë bankierët. Mirëpo, asnjëri nga ata nuk pranon se ende nuk ka asnjë bankë vendase të përgatitur për punë. Ato nuk kanë kapitale, as kuadër për rrethanat e reja...
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI