Zgjedhjet serbe dhe protestat e pasuksesshme

Pristina Jan 1, 2001

Prishtinë, 25.12.2000.

"No, but yes...", ishte qëndrimi i vazhdueshëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ndaj zgjedhjeve të sapopërfunduara parlamentare serbe. Qëndrim "as mish, as peshk", vlerësuan vëzhguesit e këtushëm, të cilët 'luhatjet' e UNMIK-ut janë të prirur t'i shohin si pasqyrë të 'luftës së nxituar' të qendrave të vendosjes ndërkombëtare për ta forcuar 'digën' kundër Millosheviqit në Serbi dhe për ta lehtësuar 'pushtimin' e Serbisë.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë e lejuan mbajtjen e zgjedhjeve jugosllave më 24 shtator të këtij viti, ndonëse që më parë ato i kishin shpallur zgjedhje "farsë". Ndonëse thanë se "nuk do t'i organizojnë e as vëzhgojnë ato", megjithatë UNMIK-u i organizoi "dëshmitarët" me makina të bardha, të cilët numëruan në hyrje të vendvotimeve të gjithë ata që hynë brenda tyre. Kjo për arsye se, siç thuhej, "ishin të sigurt që Millosheviqi do të përpiqej të manipulojë me votat e kosovarëve". Dhe kur Millosheviqi shkoi, ata thanë se "zgjedhjet ishin demokratike, të lira dhe të drejta", ndërsa shqiptarëve që protestonin ua mbyllën gojën me arsyetimin se "sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova është pjesë e Republikës Federale Jugosllave". Dhe ky arsyetim i thënë edhe nga vetë administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, i cili Rezolutën 1244 e kishte pagëzuar si 'Biblën' e tij, i 'bindi' shqiptarët që të rrinë urtë dhe që me asgjë të mos i prishin 'zgjedhjet që e larguan pushtetin jodemokratik në Beograd'... Megjithatë, qëndrimi i UNMIK-ut deri në ditët e fundit para mbajtjes së tyre ishte "Jo, por Po..."

Ndonëse e pranuan me 'zemër të thyer' faktin se ishin të pafuqishëm për të ndryshuar qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, shqiptarët shpresuan se një gjë e tillë nuk do të ndodhte me zgjedhjet parlamentare serbe të 23 dhjetorit. Që në paralajmërimet e para se ato do të mbahen edhe në zonat e banuara me serbë në Kosovë, ata reaguan duke tërhequr vërejtjen se "ato janë zgjedhje të një shteti të huaj dhe se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën ka marrë fund". UNMIK-u sërish tha se "nuk është i përfshirë as në organizimin e as në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve". Madje, një ditë para organizimit të tyre ata thanë se "nuk do të ketë as dëshmitarë, siç kishte ndodhur me zgjedhjet jugosllave, meqë nëse atëherë ekzistonte frika e manipulimit, tashmë nuk kishte vend për këtë frikë". Prandaj vendimi i fundit ishte "shtimi i masave të sigurisë për të penguar çfarëdo incidenti që do të mund ta dëmtonte stabilitetin e Kosovës". Krahas theksimit të "besimit të plotë ndaj presidentit të ri jugosllav, Vojisllav Koshtunica", ata thanë "Jo, por Po"...

Mëngjesi i 23 dhjetorit i gjeti kutitë e votimit të hapura në enklavat serbe në veri të Kosovës, por edhe në disa zona të tjera të banuara me pjesëtarë të këtij komuniteti. Disa nga liderët e tyre thanë se e vetmja arsye pse i kishin përkrahur këto zgjedhje, megjithëse, siç theksonin, vetë organizimi i tyre këtu qe katastrofal, ishte që të demonstrohet se "Kosova është Serbi" ... Forcat paqeruajtëse (KFOR) dhe policia e UNMIK-ut thanë se çdo gjë kaloi në qetësi dhe nuk u shënua asnjë incident. Disa përfaqësues të serbëve thanë se ka pasur parregullsi, ndërsa listat e votimit ishin ato të përpiluara më 1996, ku ishin përfshirë edhe emrat e njerëzve që kishin vdekur kaherë. Në Fushë Kosovë pati edhe "qërim fizik të hesapeve", meqë mbi një milion e dyqindmijë dinarë jugosllavë ishin marrë nga pjesëtarët e Partisë Socialiste të Serbisë, në emër të "shpezimeve për punën e anëtarëve të trupave zgjedhorë". Listat e votuesve arritën vetëm për tri rrethe në Kosovë dhe diç më pak se 48 orë nga mbajtja e zgjedhjeve, ndërsa fushatë paraelektorale gati as që ka pasur. Kësaj here Kosovën nuk e kanë vizituar as liderët serbë, si para mbajtjes së zgjedhjeve jugosllave. Sidoqoftë, zgjedhjet u mbajtën pa dëshmitarë apo vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, tani po e zbraznin 'inatin' mbi UNMIK-un, por duket edhe me njëri-tjetrin. Liderët e tyre kryesorë i kishin kundërshtuar këto zgjedhje në deklaratat e tyre publike, ndërsa në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve po heshtnin, mbase të vënë para aktit të kryer.

Disa qindra qytetarë shqiptarë protestuan duke iu përgjigjr thirrjes së njërës nga partitë më të vogla, Partisë Qendra Liberale e Kosovës, për të kundërshtuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Në pankartat që ata mbanin në duar shkruante: "Këtu është Kosovë - ç'kërkon Serbia", ndërsa nga UNMIK-u kërkohej që të mos jetë 'servil', por të ketë qëndrim të prerë. Oratorët thanë se organizimi i zgjedhjeve serbe "është fyerje për mijëra familje shqiptare që me dhunë u deportuan nga ata që do të zgjedhen". Për të gjithë përfasqësuesit politikë shqiptarë dhe pjesën më të madhe të opinionit publik kjo s'ishte asgjë tjetër veçse një "përpjekje e Beogradit për destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e integrimit të minoritetit serb në jetën politike në Kosovë". Serbët, sipas tyre, duhet t'i pranojnë realitetet e reja nëse duan të jetojnë në Kosovë. Pati edhe të atillë që thanë se këto zgjedhje nuk kanë rëndësi për Kosovën, por rivalët e tyre i kundërshtuan duke vlerësuar se një pohim i tillë është një cinizëm i pashembullt. Në qëndrimet e shumta kritike dhe autokritike partitë politike shqiptare pohuan se nuk është bërë presion sa duhet mbi bashkësinë ndërkombëtare që ajo ta pengojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. "Mbajtja e këtyre zgjedhjeve përfasqëson shkelje të tërësisë territoriale të Kosovës, por edhe shkelje të parimeve bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", vlerësuan drejtuesit politikë të Kosovës në kulmin e 'dëshpërimit' për shkak të pafuqisë për ta ndryshuar njëmendësinë...

Mirëpo, autorët e Rezolutës qëndruan të ftohtë përballë këtyre pohimeve. Ata toleruan madje edhe tërë trazirat që shpërthyen në veriun e Kosovës mu në prag të zgjedhjeve, pranuan ta tërheqin policinë ndërkombëtare dhe t'ia ndalojnë policisë së Kosovës (të cilën në ato mjedise e përbëjnë pjesëtarë të nacionalitetit serb) patrullimin derisa të përfundojnë këto zgjedhje. Një zëdhënëse e UNMIk-ut tha se "trazirat ishin pjesë e përplasjeve brendaserbe" , ndërsa komandanti i KFOR-it paralajmëroi se atje mund të merren masa pas zgjedhjeve, meqenëse "forcat ndërkombëtare nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në këto fërkime". "pritni edhe ndonjë ditë dhe do të shihni", ka porositur ai në konferencën e fundit për gazetarë në këtë vit.

Por, vëzhguesit vlerësuan se kjo përfaqëson një vazhdimësi të përpjekjeve për ta ndihmuar presidentin e ri jugosllav, Vojisllav Koshtunica. Sipas tyre, forcat ndërkombëtare i luftojnë me devotshmëri nacionalizmat, por e dinë se "nacionalizmi vazhdon të mbetet karta themelore e luftës politike në Serbi", ku edhe më tej mbretëron logjika se "kush e 'fiton' Kosovën, fiton zgjedhjet". Prandaj, në deklaratat e para të liderëve serbë të Kosovës u tha se me këtë "u rikonfirmua sovraniteti serb".

Sidoqoftë, pas euforisë së të dyja palëve, rezultatet e zgjedhjeve do ta ngrisin çështjen se kush dhe çfarë fitoi. Socialistët e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë edhe kësaj here fituan më së shumti vota, 36 për qind, ndërsa DOS fitoi 31 për qind. Votat e tjera i ndanë partitë më të vogla serbe. Vërtet, socialistët kësaj here morën më pak vota në Kosovë se në zgjedhjet jugosllave, mirëpo analistët këtu janë të mendimit se kjo nuk tregon për ndonjë ndryshim të madh, sepse Koshtunica, Gjingjiq dhe "demokratët" e tjerë konsiderohen si "surrogat" i Millosheviqit dhe politikës së tij. Serbët e Kosovës do të dërgojnë në parlamentin serb disa deputetë nga një vend që administrohet nga të huajt, ndërsa atje do të mund të paraqesin 'pakënaqësitë' para një administrate që nuk ka hapësirë veprimi në Kosovë.

Nga ana tjetër, shqiptarët e shohin shumë të rrezikuar veriun e Kosovës, ku serbët tashmë kanë fituar administratën komunale, madje duke i bojkotuar zgjedhjet për pushtetin lokal. "Ata bëjnë trazira, ushtrojnë pushtetin, ndërsa lidhjet me Serbinë i forcojnë për çdo ditë para syve të forcave ndërkombëtare", është ky thelbi i komenteve në Kosovë. E vetmja shpresë e tyre mbetet fakti se para se të ikte nga Kosova, këshilltari special i presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe i sekretares së shtetit, Madeleine Albright, ambasadori James Pardew 'i qetësoi' ata duke thënë se "në Kosovë do të votojë diaspora serbe"...

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA