Ombudsmani, edhe në Kosovë
Prishtinë, 25.12.2000.
200 vjet nga themelimi i institucionit të ombudsmanit në një vend të botës, me Rregulloren 2000/38 të 30 qershorit të këtij viti, të cilën e miratoi i dërguari special i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, është themeluar institucioni i Ombudsmanit edhe në Kosovë, i cili duhet ta mbikëqyrë edhe në mënyrë praktike institucionalizimin e rrjedhave demokratike. Ndryshimi kohor prej dy shekujsh që nga themelimi i Ombudsmanit të parë në Suedi dhe këtij të Kosovës, pa dyshim që e pasqyron realitetin në të cilin gjendet Kosova, por edhe kjo pjesë e Ballkanit. Fitohet përshtypja se bashkësia ndërkombëtare po bën gjithë çka është e mundur për të dhënë dritën jeshile për themelimin e të gjitha atyre institucioneve që janë treguar të domosdoshme në vende të tjera për krijimin e një klime demokratike të mirëfilltë, duke i mbikëqyrur dhe tërhequr vërejtjen ndaj parregullsive të mundshme, të cilat në procesin e zhvillimit të demokracisë në një mjedis mund t'i kufizojnë ose nëpërkëmbin të drejtat dhe liritë e personave fizikë dhe juridikë. Në Kosovë, një organ i këtillë është më se i domosdoshëm, aq më parë që në këtë mjedis gati të gjithat janë në fillimet e tyre. Bashkësia ndërkombëtare e monitoron dhe e orienton zhvillimin e demokracisë, duke filluar që nga segmentet më themelore të nevojshme për një shoqëri në përpjekjet e saj për ndërtimin e infrastrukturës demokratike, çfarë kërkon përpjekje të mëdha jo vetëm të autoriteteve ndërkombëtare, por edhe të akterëve vendorë.
Me themelimin e institucionit të Ombudsmanit, administratori civil për Kosovën, Bernard Kouchner, edhe organet e veta të pushtetit, si dhe të gjitha të tjerat, deri te organet e pushtetit lokal, ia ka ekspozuar mbikëqyrjes dhe ndikimit të mundshëm të institucionit të Ombudsmanit. Kjo praktikisht do të thotë, sipas fjalëve të zëvendësit të parë të ombudspersonit ndërkombëtar për Kosovën, z. Nikë Lumezit, që ky organ duhet të përcjellë, të sugjerojë, po edhe t'ua tërheqë vërejtjen organeve të pushtetit në të gjitha nivelet gjatë aprovimit dhe zbatimit të akteve juridike dhe në rastet kur ato nuk janë në pajtim me parimet e të drejtave dhe obligimeve demokratike në demokracitë më të zhvilluara të botës dhe standardet e përcaktuara me aktet ndërkombëtare në këtë fushë. Ky organ ka për qëllim të sigurojë dhe të çojë përpara shkallën e zbatimit të të drejtave të njeriut për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, harmonizimin e tyre me normat ndërkombëtare të përcaktuara me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Që nga qershori gjer në nëntor të këtij viti, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare rreth këtij institucioni kanë bërë aq sa kanë patur ndoshta mundësi reale, e kanë emëruar një përfaqësues ndërkombëtar, ashtu siç është paraparë edhe me Rregulloren për themelimin e kancelarisë së ombudsmanit, në rastin konkret juristin polak, z. Marek Antoni Novicki, veprimtarin shumëvjeçar për të drejtat e njeriut në Strazburg, në krye të këtij institucioni, si dhe tre zëvendës të tij. Zhvillimi i mëtejmë i këtij institucioni do të rrjedhë në pajtim me rrethanat këtu. Që nga qershori gjer në nëntor, kur ka filluar zyrtarisht ta ushtrojë detyrën e tij, janë angazhuar vetëm pesë juristë, nga gjisejt 50 sa janë paraparë për këtë institucion. Arsyet, sipas zëvendësit të z. Novicki, janë të natyrës materiale. Juristët me përvojë, përvoja dhe vërejtjet e të cilëve do të ushtronin ndikim të madh mbi të gjitha organet e pushtetit, prej administratës së UNMIK-ut e gjer tek organet lokale dhe qendrore të pushtetit, nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga fitimet e mëdha, të cilat i realizojnë duke kryer punë nga lëmi i avokatisë në praktikën private. Në vende të tjera, institucioni i Ombudsmanit përfaqëson një kategori kushtetuese ose juridike dhe atë e zgjedh kuvendi. Në Kosovë, nën protektoratin ndërkombëtar, ku ende nuk ka as kushtetutë e as kuvend, pra as status definitiv, ky institucion ka më tepër rëndësi, sepse sipas z.Lumezi, ofron mundësi për të përcjellë të gjitha orientimet demokratike, të cilat në Kosovë duhet të shënojnë një drejtim krejtësisht tjetër të zhvillimit të të drejtave njerëzore, qytetare, politike, ekonomike dhe kulturore. Z. Lumezi thekson shkallën e pakufizuar të ndikimit të mundshëm që ky organ mund të ketë te të gjitha rrjedhat e zhvillimit demokratik.
Megjithatë, deri tani nuk janë vendosur marrëdhënie midis KFOR-it dhe Ombudsmanit, edhe pse një gjë e tillë është paraparë me rregulloren e këtij institucioni. Ndërkaq, që nga nëntori, kur institucioni i Ombudsmanit edhe ka filluar të funksionojë zyrtarisht, ka arritur një numër i konsiderueshëm ankesash, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me marrëdhëniet dhe kontestet pronësore midis admoinistratës së UNMIK-ut, KFOR-it dhe grupeve të qytetarëve.
"Vetëm për një muaj kanë arritur 110 ankesa të indivdëve dhe grupeve të qytetarëve. Po zhvillohet procedura e vërtetimit se a është i mbështetur juridikisht vendimi i Ministrisë për shërbimet publike, e cila ia ka ndërprerë lidhjen me rrejtin e elektrodistribucionit një grupi të qytetarëve", thotë z.Lumezi.
Në gati të gjitha vendet e botës ekziston institucioni i Ombudsmanit dhe askund nuk është shënuar ndonjë rast ku nuk është marrë në konsideratë mendimi i tij, thotë bashkëbiseduesi ynë, thellësisht i bindur se në Kosovë ky organ do ta luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e demokracisë. Efekti pa dyshim do të varet nga mbështetja materiale, e cila tani për tani bazohet te donacionet. Përfaqësimi i domosdoshëm i grupeve etnike, puna në përcjelljen, mbikëqyrjen dhe vërtetimin e fakteve në rast të ankesave brenda territorit të Kosovës dhe jashtë tij, kur bëhet fjalë për shtetasit e Kosovës, kërkon një përgjegjësi që duhet të shpërblehet. Burimi i financimit të këtij institucioni, sipas shembullit të vendeve të tjera, do të duhej të ishte buxheti, megjithëse mjetet që janë paraparë për vitin e ardhshëm nuk premtojnë edhe angazhimin e atyre njerëzve që do të mund t'i kontribuonin efikasitetit më të madh të këtij organi, aq më parë që përvoja juridike shpërblehet shumëfish më tepër në praktikën private. Si avokat me përvojë, z. Lumezi shpreson se me ardhjen e znj. Donna Gomien, juristes amerikane, e cila do duhej ta zëvendësonte z. Novicki dhe zëvendësen e tij, znj. Christiane Hintzen, të cilët KB i kanë caktuar për mandatin e ardhshëm gjashtëmujor në këtë funksion, do të përmirësohet dukshëm aspekti material po edhe rëndësia formale e këtij institucioni në Kosovë. Numri i ankesave që kanë arritur vetëm për një muaj, nxit konkluzionin se as këtu pushteti nuk do të mbetet i paprekshëm.
Mirëpo, përkundër këtyre parashikimeve optimiste, ka edhe analistë të tillë që janë të mendimit e ndikimi i këtij institucioni do të jetë shumë më i vogël nga ai që presupozohet. Si arsye për këtë përmendin "pandjeshmërinë" e pushtetit këtu dhe strukturave pushtetore në raport me opinionin publik përgjithësisht, prandaj edhe në raport me këtë institucion, pastaj traditën dhe natyrën kryesisht autoritare të institucioneve politike dhe sjelljes politike këtu, si dhe situatën tepër të rëndë që mbretëron në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve përgjithësisht.
AIM Prishtinë, Tahire GOVORI