Ivaniçi mandator: Kthimi i pajtuesit

Sarajevo Dec 28, 2000

Banjallukë, 26 dhjetor 2000

Paqartësia rreth propozimit të mandatorit i cili duhet ta caktojë përbërjen e qeverisë së Republikës Serbe (RS) u zgjidh më shpejt seç ishte pritur. Kryetari i Republikës Mirko Sharoviç, menjëherë pas rrethit të parë të konsultimeve me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe jashtëparlamentare, e emëroi mandatorin e ri, i shprehu besim Mladen Ivaniçit, kryetar i partisë së dytë në Parlament për nga madhësia – Partisë së Progresit Demokratik (PPD).

Zgjedhja e Ivaniçit nuk e befasoi opinionin publik edhe pse kryetari kishte paralajmëruar më parë se ka parasyshë më shumë kandidatë për këtë post. Kjo zgjedhje ishte e pritur veçmas pas përkrahjes në Parlament për PPD-në e Ivaniçit të ofruar nga PSD, kurse nga ana tjetër Ivaniç aktualisht është i vetmi person politik që ka autoritet në opinionin e jashtëm dhe të brendshëm. Për njohësit e rrethanave politike në RS, Ivaniçi ishte rasti i vetëm për PSD dhe politikani i vetëm që PSD-në mund ta mbajë në jetën politike.

Se pse kësaj rradhe nuk kishte grindje dhe djallëzi në procedurën e propozimit, shkaqet duhet kërkuar te fakti se PSD dhe Ivaniçi kishin një përvojë të keqe që më parë, kishin një situatë të ngjashme përpara tre vitesh, kur Ivaniçi ishte mandator i kryetares së atëhershme në RS Biljana Plavçiç. Të përkujtojmë se PSD-ja atëherë refuzoi çdo bisedim rreth konceptit për qeveri të unitetit kombëtar, të propozuar nga Ivaniçi i cili nuk dëshiroi të bënte asfarë lëshimi. Në vend të Ivaniçit, që e ktheu mandatin, erdhi Milorad Dodik, kurse PSD edhe pse ishte parti më e madhe parlamentare duhej të shpërngulej në opozitë.

Për ironi në skenën politike, në të njëjtat role, sërish u kthyen edhe PSD-ja edhe Ivaniçi. Ivaniçi ka pas vetes një bazë të fuqishme partiake, kurse PSD-ja ka një strukturë kadrovike në kreun e saj, për të cilën shumica mendon se është e prirë drejt reformave.

Në aspektin përmbajtësor koncepti i Ivaniçit mbi qeverinë nuk ka ndryshuar shumë, kurse PSD shkaku i qëndrimit rigjid të bashkësisë ndërkombëtare më nuk është në situatë që publikisht të shpreh dhe vendos kushte për mandatorin. Përndryshe, Ivaniçi para emërimit bëri me dije se partia e tij mbetet në qëndrimin se në qeverinë e re nuk dëshiron të shohë ministra nga qeveritë e dikurshme të luftës e pasluftës, se i jep vetes të drejtë që vet ta zgjedh ministrin e finansave, policisë dhe drejtësisë, kurse ministrat doemos duhet t'i japin atij llogari e jo partive politike. “Partitë mund të propozojnë kandidatë, por ministrat do t'i zgjedh unë dhe ato doemos duhet të kryejnë profesionalisht punët e tyre”, tha Ivaniçi duke paraqitur kështu shkurt principet e veta themelore.

Ivaniçi që nga fillimi ishte nën presion e fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare, që i dërgoi një kërkesë gati me përmbajtje ultimative se PSD-ja, si parti nacionaliste dhe parti lufte nuk mund të jetë pjesëmarrëse në pushtet. Amerikanët shkuan mëtej duke pohuar në ultimatum se në të kundërtën qeveria amerikane do t'i ndërpriste të gjitha llojet e ndihmave për RS-në. Ivaniçi në kontaktet e tij diplomatike, që i kishte gati me gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, arriti t'i bind bashkëbiseduesit se një injorim i këtillë i rezultateve zgjedhore cenon principet e demokracisë, e cila duhet të ndërtohet sipas vullnetit të popullit. Ideja e tij politike niset nga qëndrimi se PSD-ja nuk mund të injorohet, por është e mundshme që të reformohet. Në këtë drejtim ai arriti të bind edhe liderët e PSD-së, duke shprehur gatishmëri për kompromis, njëherit duke treguar kështu shkallë të lartë pjekurie politike.

Natyrisht, Ivaniçi në qërimin e hesapeve me PSD-në ka përkrahjen e rëndësishme të Zyrës së përfaqësuesve të lartë (OHR) dhe zyrtarëve ndërkombëtarë, që liderëve të PSD-së Sharoviçit dhe Caviçit para konstituimit të parlamentit u ofruan listën e obligimeve të Dejtonit që dëshirojnë t'i shohin të përmbushur, si kushte për mbetjen e tyre në pushtet. Aty përfshihen kthimi i të dëbuarve, zhvillimi i reformave ekonomike, ndërtimi i objekteve të shkatërruara fetare dhe dorëzimi i të dyshuarve për krime lufte. Nënshkrimi i tyre në këtë dokument e liron mandatorin e ardhshëm nga akuza se ka tejkaluar kufinjtë e “interesave nacionale” pa pëlqim të kryetarit dhe parlamentit.

Gjithë detyrimet që i morrën liderët e PSD-së nga OHR-ja, vlejnë edhe për Ivaniçin, i cili në paraqitjet publike të deritanishme është i kufizuar sa i përket prezentimit të strategjisë për dalje nga situata e rëndë ekonomike, njëherit premton vazhdimin e reformave ekonomike dhe luftën kundër korupsionit. Gjithnjë me një dozë të vogël optimizmi: "Qeveria e re doemos duhet ta njoftojë popullin se në çfarë situate gjendet. Ajo është jashtëzakonisht e vështirë. Qeveria nuk ka në dorë shkopin magjik, por me siguri mund të jetë më mirë se sa është tani”.

Për shpalljen e përbërjes së kabinetit Ivaniçi ka caktuar datën deri më 12 janar. Gjykuar sipas principeve të paraqitura, që i konsideron si të vetat, në qeverinë e re do të ketë edhe kandidatë të PSD-së. Në pyetjen se a do të ketë në këtë kabinet bosnjakë dhe kroatë, Ivaniçi dha përgjigje pozitive. Mbetet si çështje e hapur se a do të jenë këta njerëz partiakë ose vetëm boshnjakë dhe kroatë që jetojnë në RS. Mandatorit të ardhshëm i arriti paralajmërimi edhe nga lobi i grave të Bijelinës se do të ketë qeveri të grave në hije nëse në mesin e ministrave nuk ka ndonjë femër. Ai u përgjigj pro prezencës së femrës në kabinetin e tij.

Qeveri në hije për Ivaniçin paralajmëroi edhe partia e Dodikut, Partia e Socialdemokratëve të Pavarur. "Është e mirëseardhur çdo qeveri në hije dhe çdo kritikë për punën e qeverisë. Ne këtë e përshëndesim dhe është dëm që një qeveri të këtillë nuk e kishte edhe kryeministri Dodik”, u përgjigj Ivaniçi. Shkëndijat e para në relacionet kryeministër i vjetër dhe i ri paralajmërojnë një betejë interesante në arenën politike.

AIM, Banja Lukë

BRANKO PERIÇ