Thirrja ne Hagë e gjeneralit Stipetiq përçau qeverinë
AIM, Zagreb, 26.12.2000.
Pas vërtetimit zyrtar të Ministrisë së drejtësisë tani më është e sigurtë se gjenerali Petar Stipetiq, kryekomandant i Ushtrisë kroate, me të vërtetë është thirrë para Gjyqit të Hagës në rolin e të akuzuarit. Përveç Drazhen Budishës, i cili përsëri ngriti dallgë duke dalur në opinion me këtë informatë të fshehtë, atë e vërtetuan edhe disa krerë të tjerë të koalicionit qeveritar, mirëpo njëkohësisht duke akuzuar Budishen se në këtë mënyrë ai qëllimisht kishte shkaktuar këtë aferë që të ngushtojë rrethin e manevrimit për zgjidhjen e problemit në lidhje me Gjyqin e Hagës.
Në ndërkohë, ndërkaq, filloi të zgjidhet lëmshi i “rastit” të nxehtë Stipetiq i cili tregon se faji është më i gjerë dhe se nuk mund të kufizohet vetëm me Budishen. Në storien mjaft të gjatë të cilën e publikoi Jutarnji list i Zagrebit, vërtetohet se Stipetiqit i janë dërguar dy thirrje. Në të parën, e cila i arriti në ditën e fundit të nëntorit atë e trajtojnë si dëshmitar të ngjarjeve të luftës nga viti 1991 deri në v. 1995. Mirëpo, meqënëse Qeveria kroate nuk lejoi dëshmim deri sa të sqarohej qëllimi i tij, kurse në ndërkohë u sollën qëndrime të cilat kërkojnë rishqyrtimin e marrëdhënieve me Gjyqin penal Ndërkombëtar, erdhi deri te një kthesë e madhe. Nga Haga në adresë të Stipetiqit erdh edhe letra e dytë, me të cilën ai tani thirret si i akuzuar.
Nëse ky rikonstruim i Jutarnji list-it është i saktë atëherë është lehtë të nxirret përfundimi se edhe në Gjyqin e Hagës nuk rrijnë vetëm ata me koka të kthjellta. Ka në atë mes, si shihet qartë, edhe idhnakë të cilët do të kacafyten me palët sidomos kur këta nuk kanë qëndrim të denjë ose më thjeshtë kur këta ua shqetësojnë nervat. Nëse është e papranueshme që Kroacia, e cila edhe vetë është njera nga themelueset e Gjyqit të Hagës, të kërkojë që sërish të shqyrtohen rregullat sipas të cilave ai gjyq po funkcionon, poaq është e papranueshme që ai Gjyq për këtë të dënojë Stipetiqin, dhe jo Qeverinë kroate, e cila do t'ia paraqesë - gjë që nuk do të ishte hera e parë- “urdhërdhënësit” të vet, Këshillit të Sigurimit të KB.
Mirëpo përshtypja që ka lënë ana kroate është sëpaku dyfish më e keqe. Ajo jo vetëm se është ngatrruar me rivalin me të cilin nuk ia del dot, por që edhe vetvetes i ka sjellë dëme të dukshme të cilat ende nuk mund të parashikohen. E para dhe më kryesorja, konflikti me Hagën sërish çeli të çarat në koalicionin e gjashtë partive në pushtet, sepse në bazën e grindjeve të panevojshme të Gjyqit të Hagës, kurse ende më shumë në vetë qeverinë kroate, përsëri u çfaq Drazhen Budisha me alarmimin e opinionit se si Haga duke vënë në proces njërin sipas mendimit të përgjithshëm nga gjeneralët e ndershëm, po përgadit fletëakuzat edhe për shumë të tjerë dhe krahas me të edhe për kriminalizimin e akcioneve ushtarake Bljesak dhe Olluja.
Sasinë e mjegullës në këtë rikonstruim të stolisur më së miri e tregoi vetë Stipetiqi, i cili u distancua nga shërbimet e Budishës, duke i cilësuar ato si vepër të lojrave ndërpartiake në të cilat ai nuk do të marrë pjesë. Në vend se kah Budisha, Stipetiqi preferoi të drejtohet kah shefi i shtetit Stipe Mesiq, edhe pse kjo në shikim të parë duket si diç fatale dhe pothuaj vrastare. Mesiq, ndërkohë, u shpreh prerë se Stipetiq duhet t'i përgjigjet thirrjes së Hagës, pavarësisht nga ajo se në cilin rol, në atë të dëshmitarit apo të të akuzuarit. Për më tepër, në intervistat të cilat i dha ditëve të fundit ai nuk sheh asgjë paradoksale në atë që Stipetiq-i, të cilin e emron si “ njeriun e vet” të pranojë procesin, me sqarime lapidare se ligji është i njëjtë për të gjithë dhe askush nuk ka të drejtë që të jetë përjashtim.
Është e qartë se Mesiqi ndaj tribunalit të Hagës është përcaktuar për politikën strikte të “ duarve të pastra”, me bindje se kjo është më e dobishme për inkuadrimin e Kroacisë në Evropë, por edhe i bindur se kjo nuk mund të dëmtojë edhe Stipetiqin dhe në favor të kësaj deklaroi se në kuadrin e mundësive të tij do të bënte çmos që të mos përsëritej rasti Bllashkiq, gjatë të cilit pushteti i kaluar aq shumë “i ndihmoi” këtij gjenerali sa që në atë mënyrë ia vulosi fatin për në Hagë. Të kujtohemi se atëherë u ngrit valae shqetësuar, kurse në disa vende e egër dhe e tërbuar proustashe si ishte “ gjykimi i Bashkiq-it - gjykim i luftës atdhetare”, dhe prej saj vetëm u çelën indiciet e reja se si për atë luftë kishte se çfarë dhe kush të procesohet dhe të dënohet.
Mirëpo nëse petardat e Budishës kundër Hagës nuk jehuan te Stipetiq-i, ato jehuan në një anë tjetër. Shihet qartë se ngjarjet e fundit më së shumti i konvenojnë të djathës kroate, e cila gjatë ditëve të fundit bën hapat e parë të come backut potencial, me suksesin shumë pak të pritur të HDZ-es në zgjedhjet e kuarteve në Zagreb ( në të cilat ish pushtetarët u gjetën menjëherë pas të tanishmëve, të SDP-s). Ajo që është akoma më e rëndësishme, zhurma rreth Hagës është ajo më e mira që mund t'i ndodhte HDZ-es dhe partive dhe grupacioneve të tjera të djathta, sepse ato aq fortë janë barikaduar në këto tema sa që vegjetojnë ekskluzivisht si roje të së kaluarës së lavdishme të luftës, të cilën e mbrojnë ditë e natë edhe nga hija më e vogël që rastësisht mund të bjerë mbi të.
Mirëpo një e djathtë e tillë veterane, shpirtngushtë dhe retrograde, e cila është ndarë në dhjetra frakcione të cilat nuk mund të mirren vesh as edhe rreth platformës së krasitur politike, megjithatë po fiton njëfarë favori me atë që erërat e djathta fillojnë të pahisin edhe disa lobe të partive në pushtet. Ky në të vërtetë është njëkohësisht edhe paradoksi i situatës aktuale. E djathta kurrnjëherë nuk ka qenë kaq e mjerë dhe e deklasuar, mirëpo disponimet e djathta sërish po ringjallen, sepse shihet qartë se po gjenerohen jo vetëm nga partitë dhe grupacionet e njohura të djathta, por në një sasi më të madhe vijnë edhe nga vendet tjera.
Këto janë shkaqet që tani në koalicionin qeveritar është i pranishëm një disponim që sërish të bëhet “përzierja e kartave”, gjegjësisht të shpallen zgjedhjet e parakohëshme, në të cilat vetë zgjedhësit do të gjykonin dhe zgjidhnin nga frakcionet e përçara të gjashtëses. Kjo prej në fillim do të shënonte fundin e koalicionit, i cili në zgjedhjet e ardhshme sigurisht nuk do të paraqitej në këtë përbërje, gjë që në nëntekst shënon kërcnimin më të madh ndaj partisë social- liberale kroate të Budishës. Ajo në zgjedhjet e sipërpërmendura zagrebase përjetoi humbje të thellë, ashtu siç e kishte përjetuar edhe në të gjitha zgjedhjet tjera lokale dhe plotësuese të 3 janarit, kur koalicioni mori pushtetin. E tërë kjo tregon se zgjedhësit nuk japin aq lehtë honorare për sulmet periodike patriotike të Budishës, të cilat kurrnjëherë nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje pozitive, por përkundrazi e kanë dramatizuar ende më shumë gjendjen edhe ashtu të keqe në vend.
Nga më sipër del se Budisha është i njohur si lajmëtar i “lajmeve të këqia”, dhe kjo mbase edhe më shumë nga sa është në të vërtetë, gjë që paraqet një rast të volitshëm për partnerët tjerë të koalicionit që ta nënçmojnë me thirrjen që i bëjnë që edhe njëherë të paraqitet në vendet zgjedhore, të cilat për të janë bërë të kobshme. Megjithatë, duke gjykuar sipas disa deklaratave të partisë së Budishës, ai beson se ato humbje zgjedhore ishin si pasojë e qëndrimeve të pamjaftueshme kritike të HSLS-s ndaj koalicionit qeveritar. Kjo fare lehtë mund të kuptohet edhe si pranim i fiksidesë se ai është i thirrur, ose madje se e ka për “mision” që të luftojë për zgjidhjet të cilat “do të shpëtonin kombin”. Dhe në rast të këtillë, nuk do të jetë befasi ajo nëse ai pranon dorën e afruar të partnerëve të koalicionit.
Sidoqoftë, një epilog i tillë nuk është aq i besueshëm deri sa Raçan-i në njeriun e parë të HSLS-s shikon partnerin strategjik, i cili për të është i rëndësishëm jo vetëm në arithmetikën e formimit të shumicës parlamentare, por edhe në krijimin e opcionit tjetër kroat apo “ rrugës së tretë”, në të cilën egzaltimi nacional i llojit të Budishës vlerësohet si diçka me vlerë, madje të pazëvendësueshme. Për këtë shkak Raçani mbase do të përpiqet që të qetësojë Budishën, madje edhe me çmimin e lëshimeve të rëndësishme, gjë që në fund të fundit ka ndodhur edhe në rrjedhën e ngjarjeve të mëparëshme.
AIM Zagreb
MARINKO ÇULIÇ