Suksesioni, pa Kosovën
Prishtinë, 22.12.2000.
Ndonëse pa ndonjë efekt konkret, takimet më të fundit flasin se Jugosllavia e tashme ka hequr dorë nga kontinuiteti i asaj të mëparshmes. Guvernatorët e bankave qendrore të shteteve të reja të krijuara pas vitit 1990 do ta ndajnë pasurinë që dikur e kishte shteti i tyre i përbashkët. Por, si? Është çështje kjo, e cila është në tavolinat e bisedimeve.
Kosovarët mund të shfaqin mospajtime pse ndarja e pasurisë bëhet pa praninë e tyre, përderisa ata kanë marrë pjesë në krijimin e saj.
Përgjigjen më të mirë për këtë e jep ndërmjetësi në negociatat për suksesionin e ish-Jugosllavisë, sir Arthur Watts. Ai, në një deklaratë për agjencinë SENSE, thotë se "në procesin e suksesionit bisedohet për shtetet e dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë". Sipas kësaj, Kosova ende nuk është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, prandaj edhe nuk e ka vendin në këto bisedime.
"Është handikap që Komisioni i Badenterit e ka lënë Kosovën jashtë ligës. Mirëpo, kosovarët duhet të organizohen dhe të bëjnë me dije se si një element konstitutiv i ish-RSFJ-së, u takon e drejta e pjesëmarrjes në suksesion", thotë prof.dr.Muhamet Mustafa, drejtor i institutit për hulumtime zhvillimore "Riinvest".
Mendim të njëjtë ka edhe mr. Nazmi Mustafa, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë dhe ministër i dikurshëm në qeverinë e ish-Jugosllavisë. Rreth mospranisë së Kosovës në procesin e suksesiont vlerëson se "një elementi konstitutiv të themeluar me kushtetutë nuk mund t' i merret e drejta në mënyrë jokushtetuese, siç është bërë nga Komisioni i Badenterit".
Sipas vlerësimit të tyre, duhet kërkuar rastin e volitshëm te fakti se qeveria malaziase së fundi ka kërkuar ndërprerjen e bisedave për suksesionin, duke mohuar autoritetin e qeverisë federale për të bërë negociata. Prandaj, të njëjtën kërkesë duhet ta shtrojnë edhe kosovarët, është mendimi i ekspertëve kosovarë.
Çështjen e pjesëmarrjes në suksesion kosovarët e shtrojnë vetëm si dëshirë, meqenëse ata nuk kanë kërkesa të formuluara qartë. Ndoshta, kjo duhet të ndërlidhet edhe me metodologjinë që do të përfillet në këtë rast. Megjithatë, shumë shënime dhe të dhëna janë të qarta.
Sipas z.Nazmi Mustafa, pjesëmarrja e Kosovës në produktin shoqëror të ish-RSFJ-së ishte rreth 2 për qind. Me këtë përqindje Kosova ka "investuar" për krijimin e pasurisë së përbashkët në shtetin e dikurshëm të "vëllazërim-bashkimit".
Poqese, krahas pasurisë, ndahen edhe borxhet, atëherë Kosova do të dilte me një saldo të "pranueshme", diku rreth zeros.
Sipas të dhënave të vitit 1990, përkatësisht në kohën kur u suprimuan organet e autonomisë së atëhershme, Kosova u kishte borxh financuesve ndërkombëtarë rreth 660 milionë dollarë, përkatësisht: Bankës Botërore - 133,8 milionë dollarë, kurse institucioneve të tjera financiare, si FMN, Klubi i Parisit, Klubi i Londrës, 499,8 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, ajo ka edhe kërkesa pikërisht ndaj institucioneve të ndryshme financiare. Bankat nga ish Jugosllavia i kanë borxh Bankës së atëhershme të Kosovës 3.4 milionë dollarë, bankat e jashtme - afro 2.1, Banka Popullore e Jugosllavisë për kursimet devizore të qytetarëve duhet të paguajë 130 milionë dollarë, ndërkaq si depozite në banka dhe në institucione të ndryshme financiare kanë mbetur 54,9 mijë dollarë. Marrë në përgjithësi, kërkesat e saj janë 136 milionë dollarë.
"Kur të merren në shqyrtim të gjitha elementet që hyjnë brenda kornizave të bisedave për suksesionin, atëherë del se bilanci i Kosovës duhet të jetë përafërsisht i barabartë me shumën e borxheve", thotë z.Nazmi Mustafa.
Mirëpo, edhe çështja e obligimeve dhe kërkesave të bankave është një problem që duhet të zgjidhet në bazë të një metodologjie të definuar qartë, përkatësisht të arrihet marrëveshja se a do të jenë ato pjesë e suksesionit apo e spastrimit të llogarive midis vetë institucioneve bankare.
Sipas një propozimi të mëhershëm të FMN-së, Jugosllavia do të merrte 36 për qind të rezervave, Kroacia 28.49 për qind, Sllovenia 16.39 për qind, Bosnja 13.2 për qind dhe Maqedonia 5.4 për qind të rezervave devizore dhe të arit që ruhen te Banka Ndërkombëtare për Suksesion me seli në Bazel. Në këto rezerva hyjnë edhe 46 tonë ar.
Sa u përket rezervave të arit, duhet thënë se vlera e tyre tani është dy herë më e vogël se para dhjetë vjetësh, për shkak të rënies së vlerës së arit në tregun ndërkombëtar, prandaj ato rezerva tani vlerësohen në rreth 400 milionë dollarë.
Për momentin aktual është shumë e paqartë dhe e "komplikuar" mënyra se si do të mund të inkuadrohej Kosova në procesin e ndarjes së trashëgimisë së RSFJ-së. Sipas z.Nazmi Mustafa, organet udhëheqëse do të duhej të gjenin momentin e përshtatshëm për të kërkuar pjesëmarrje në bilancin e ndarjes së pronës së ish RFJ-së. Ai është i mendimit se bisedimet midis shteteve të dala nga ajo nuk do të kenë sukses, kështuqë, në fund të fundit, suksesioni do të kryhet me një arbitrazh ndërkombëtar. Pikërisht këtu z.Mustafa dëshiron ta shohë një rast të volitshëm për inkuadrimin e Kosovës në këtë proces.
Edhe ekspertë të tjerë ekonomikë e juridikë vlerësojnë se poqese ndodh që Kosova të mos inkuadrohet tani në procesin e suksesionit, atëherë sipas tyre ajo do të duhej ta kërkojë "hisen" e saj nga pasuria e ish-RSFJ-së nga Serbia, pjesë të së cilës e konsideron Komisioni i Badenterit. Bilanci i pjesëmarrjes së Kosovës në suksesion, sipas tyre, do ta detyronte RFJ-në të paguajë edhe disa obligime shtesë, të krijuara gjatë dhjetë vjetëve të sundimit të dhunshëm në Kosovë.
"Bilanci i suksesionit duhet të ballafaqohet edhe me reparacionet, përkatësisht me kompensimin e dëmeve të luftës", thonë ekspertët pranë Institutit "Riinvest". Megjithatë, z.Mustafa është i mendimit se në tërë këtë lëmsh të ngatërruar, një kërkesë e tillë do të mund ta ndërlikonte situatën edhe më shumë. Herën e fundit kjo kërkesë ishte shtruar nga delegacioni kosovar në Konferencën e Rambujesë, por kjo kërkesë nuk kishte zënë vend në dokumentin final të kësaj Konference. Më heret, ndërkaq, nga Kosova kanë shkuar 174 ankesa tek institucionet ndërkombëtare lidhur me mospjesëmarrjen e saj në tërë këtë proces.
"Sidoqoftë në çdo takim me të huajt ne duhet të kërkojmë që ne ta marrim hisen tonë nga shpërbërja e ish-RSFJ-së, edhe po qe fjala vetëm për një ndërtesë të vogël në Beograd", është qëndrim gati i njëzëshëm i ekspertëve kosovarë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI