Pengimi i gjakderdhjes
Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe Amfilohije paralajmëron se në janar mund të ketë gjakderdhje në Mal të Zi, shkaku i konfliktit mes kishës serbe dhe malazeze!
AIM Podgoricë, 23.12.2000
Kontesti disavjeçar mes Kishës Ortodokse Serbe dhe malazeze në Malin e Zi, rreth të drejtës mbi pronësinë e tempujve dhe pronës tjetër kishtare, këtyre ditëve hyri në fazën e vet më të rrezikshme. Kryepari i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi mitropoliti Amfilohije nuk përjashton madje as “gjakderdhjen për festat e Kërshëndellave, gjatë muajit janar në Cetinjë"!
Në Cetinjë, vatër e malazezëve dhe selinë e të dy kishave ortodokse, ka filluar edhe konflikti më i ri. Në fillim të dhjetorit në Kishën e Vllashkës, e njohur dikur si vend ku zunë pritë rreth 1500 tyta pushkësh që ua kishin zënë malazezët turqëve gjatë shekullit të kaluar, u ngujua kleriku i Kishës serbe Radomir Nikçeviq duke protestuar për shkak të tentimit të marrjes së këtij tempulli nga ana e Kishës malazeze. Ishte ky një shkas i ri për polemikat e vjetra, në të cilat, kësaj rradhe, përveç pjesëtarëve të të dyja kishave u inkuadrua edhe parlamenti malazez, kreu shtetëror malazez, partitë politike, Ministria e Fesë, Ministria e Punëve të Brendshme, Komiteti malazez i Helsinkut, mediumet
Në këtë mënyrë ky akt, në shikim të parë i padjallëzuar, u politizua maksimalisht me tendencë të shndërrohej në një përleshje përmasash të paparashikuara. Kryeministri malazez Filip Vujanoviç dhe ministri i policisë Vukashin Marash tentuan përmes bisedimeve me mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe Amfilohijem ta bindnin priftin Nikqeviç të hiqte dorë nga greva e mëtejme dhe ta ndërpriste përhapjen e tensioneve në masë të gjërë. Misioni i tyre nuk pati sukses edhe pse u dhanë garancione se nuk do të uzurpohet prona e Kishës Serbe, gjegjësisht mitropolia malazeze -bregdetare në krye të së cilës gjendet Amfilohije.
Prifti Nikqeviç, përndryshe kryemurg i Kishës së Vllashkës, kërkon garancion në formë të shkruar nga ana e autoriteteve malazeze se Kisha Ortodokse Malazeze nuk do ta uzurpojë kishën e Vllashkës. Pasi këtë garanci nuk e morri ende vazhdoi, siç u deklaroi gazetarëve, “punën ungjillore” duke premtuar se do të qëndronte i ngujuar në kishë, derisa nuk plotësohej kërkesa e tij, madje edhe nëse e paguante këtë me jetë.
Sipas klerit të Kishës Serbe, me Nikqeviçin menjëherë u solidarituan Vëllazëria Rinore Ortodokse nga disa qytete të Malit të Zi. Pjesëtarët e saj, të përforcuar me disa dhjetëra murgj dhe murgesha, filluan më 21 dhjetor një protestë para ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi, në kohën kur brenda kishte seancë ku diskutonin deputetët. Nga protesta ata dolën me një peticion drejtuar autoriteteve malazeze që të "siguronte mbrojtjen e tërësishme të pronës dhe të drejtat e mitropolisë malazeze-bregdetare”.
Deputetët proserb të partive parlamentare Partia Popullore Socialiste dhe Partia Popullore këtë mezi e pritën. Ata, e detyruan parlamentin malazez, i cili në rend dite kishte temë krejt tjetër të kësaj bote, që të caktohej tema e bazuar edhe në këtë ngjarje. Kërkesa u pranua dhe në orët e vona të 20 dhjetorit Kuvendi republikan doli me qëndrimin se “do të pengonte çdo tentim të marrjes me dhunë të tempujve si e drejtë në të cilën thirret Mitropolia malazeze-bregdetare, kurse gjitha kontestet pronësore në lidhje me këtë do të zgjidhen me mjete juridike”.
"Të gjithë ne ishim të një mendimi se kishat nuk guxojnë të krijojë ndasi, ata duhet që të na bashkojnë drejt paqës dhe mirësisë e jo të na konfrontojnë me argumente të së kaluarës”, deklaroi për këtë rast kryetari i Parlamentit Svetozar Maroviq, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe besimtarëve, kishave dhe organizatave fetare, peshkopëve, priftërinjve dhe partive politike që së bashku të ruanin paqën në Mal të Zi.
As kjo nuk i kënaqi pjesëtarët e Kishës Serbe, kryeparin e saj Amfilohijen dhe priftin Nikqeviç. Përkundrazi. Vazhduan me protesta dhe greva, kurse mitropoliti Amfilohije shkoi në Beograd ku në konferencën për gazetarë, nën patronatin e Televizionit YU Info, akuzoi pushtetin në Mal të Zi se “përkrah uzurpimin e pronës së Kishës Serbe dhe me sulme fizike pengon priftërinjtë e saj”. Duke shprehur haptas dyshim në jurispondencën malazeze dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, Amfilohije akuzoi kryetarin Gjukanoviç për dyftyrësi, kurse në adresë të të Kishës malazeze dhe pjesëtarëve të saj u shpreh, ashtu siç shprehet me vite të tëra, me fjalë të ashpra. “Në Mal të Zi satanizohet lufta qytetare e vitit 1945”, deklaroi mitropoliti Amfilohije, duke paralajmëruar si zezonë mundësinë “e gjakderdhjes për Kërsëndella”. Për këtë rast u shprehën edhe përfaqësuesit e dhjetë fshatrave të përzier të Cetinjes me pohimet se Kisha Serbe dhe kryepari i saj Amfilohije në mënyrë të paligjshme rekonstruojnë kishën e Vllashkës, që e kanë ndërtuar të parët e tyre para pesë shekujsh. Ata gjithashtu paralajmëruan se kishën e Vllashkës do ta kthenin nën protektoratin e Kishës Ortodokse Malazeze që i ka takuar që nga viti 1920, kur 650 kisha dhe manastire tjera me dhunë i okupoi Kisha Serbe.
Komisioni i ekspertëve i Entit republikan për mbrojtjen e monumenteve kulturore, nga Cetinja, tentoi para disa ditësh të hynte në kishën e Vllashkës, për t'ia paraqitur opinionin publik gjendjen e brendshme në të cilën gjendet kjo kishë. Por prifti Nikqeviç nuk dëshiroi ta hapte derën, kurse Komisioni arriti vetëm ta njoftonte Ministrinë e Kulturës se "institucionit republikan që është i autorizuar të merrej me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, iu pamundësua kryerja e një prej funksioneve themelore – shqyrtimin e gjendjes së monumenteve”. Enti tashmë një vjet ka raste të ngjashme me Kishën Serbe.
Reagoi edhe Kisha Ortodokse Malazeze. Mitropoliti i saj Mihailo thotë: "Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, këtyre ditëve, përmes intrigave të çuditshme fut gjakun e keq në popullin malazez dhe inskenon në prag të Festës së Krishtlindjes konflikte qytetare dhe fetare. Pa asnjë shkak Kisha Ortodokse Serbe, e njohur si përhapëse e urrejtjes fetare dhe nacionale dhe bekuese e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, tani dëshiron të ndez Malin e Zi, duke imagjinuar rrezikun e paqenë për priftërinë dhe tempujt”.
Kisha malazeze në një nga komunikatat tërhjek vërejtjen se mitropoliti Amfilohije është "përfaqësuesi militant i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi që mohon popullin malazez, kombin, kulturën, gjuhën, kishën dhe gjithçka që është malazeze”. Megjithatë, në komunikatë shton se këtë: "Apelojmë që nëse në vendet ku kishat na takojnë neve qoftë vetëm një ithtarë i Kishës Ortodokse Serbe, të mund të thirrë priftërinj të asaj kishe dhe të kryejë ceremoninë që dëshiron ta bëjë në objektet tona”. Deri tani vendasit - pronarë të kishave, me plebishçit ia kanë kthyer Kishës Ortodokse të Malit të Zi 26 tempuj, me çka seriozisht u lëkundën pozicionet e monopolit të Kishës Serbe në Mal të Zi dhe të mitropolitit të saj Amfilohiju. Kthimi i Kishës së Vllashkës, që ka rëndësi të shumëfishtë simbolike, me siguri do të motivonte fetarë të shumtë, të kalonin tek kisha malazeze, kurse fshatrat në gjithë Malin e Zi do t'ia dorëzonin me shpejtësi kësaj kishe tempujt që janë pronë e tyre e pakontestueshme.Vlerësohet se mu për këtë shkak ndodh protesta e priftit Nikqeviç dhe gjithçka që e shoqëron këtë skenar të Kishës Ortodokse Serbe, i paramenduar ta pengojë këtë proces. Ithtarët e këtij qëndrimi, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, e ftuan kryetarin e ri të RFJ Voisllav Koshtunicën, për tu takuar me mitropolitin Amfilohije në Cetinjë. Koshtunica atëherë deklaroi se nuk e pranon Kishën Ortodokse të Malit të Zi, që shkaktoi valë të fuqishme indinjate në mesin e fetarëve dhe ithtarëve të saj.
"Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë, është dhe do të jetë, pavarësisht nga dëshira e Voisllav Koshtunicës dhe Amfilohije Radoviçit", reagoi atëherë Kisha Ortodokse e Malit të Zi, duke vlerësuar se Koshtunica është në një vijë me politikën serbomadhe që duke mohuar Kishën Ortodokse Malazeze vazhdon ta mohojë kombin dhe shtetin malazez.
Për malazezët kontestimi i njërës nga të drejtat themelore të njeriut – të drejtës së kishës së pavarur, kur edhe si popull është shumicë në shtetin e vet, me siguri është fenomeni i vetëm në botë. Që absurdi të jetë më i madh këtë e kundërshton edhe pushteti aktual malazez. Madje në “rastin e kishës së Vllashkës”, kryeministri Filip Vujanoviç deklaroi se Kisha Serbe është kisha e vetme legjitime në Mal të Zi. Këtë qëndrim e përkrah edhe minsitri i (të gjithë) feve Budimir Dubak.
- Kjo është e papranueshme, thotë Slobodan Franoviç, kryetar i Komitetit malazez të Helsinkut. Kushtetuta e Malit të Zi niset nga parimi i ndarjes së kishës nga shteti, në mosdiskriminim, në parimin e të drejtave njerëzore individuale, kurse pushteti është larguar nga këto principe. Nuk duhet të ekzistojë ministria fesë në shtetet e ndërtuara sipas parimet të ndarjes së shtetit nga kisha, kurse me ekzistimin e kësaj ministrie do të thotë se shteti dëshiron të ndërtojë një sistem me kishën ekzistuese shtetërore ose fenë, e kjo nuk është e mundshme sipas Kushtetutës sonë. Në Mal të Zi cenohet e drejta qytetare që qytetarët të kenë identitetin e tyre shtetëror dhe fetar, që paraqet cenim klasik të të drejtave të njeriut.
AIM Podgorice
VESELJKO KOPRIVICA