Marrëdhëniet janë diplomatike
Lubjana dhe Beogradi deri më sot kanë patur lloje të ndryshme marrëdhëniesh, edhe pse ato kurrë nuk kanë qenë diplomatike. Duket se nga 9 dhjetori i këtij viti ( e tutje) ato do të jenë pikërisht të këtilla.
Lubjanë, 18.12.2000
Pothuaj pas një dekade të marrëdhënieve jo të mira dhe mohimit të hapur, nga 9 dhjetori i këtij viti nënshkrimet e Dimitri Rupel-it dhe Goran Svilanoviq-it do të duhej të garantonin epokën e re në marrëdhëniet midis Sllovenisë dhe RF Jugosllave. Atë dite në Lubjanë ministri jugollav i punëve të jashtme bashkë me kolegun Rupel nënshkruan deklaratën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Shumë komentatorë të vendit nuk nguruan që aktit të nënshkrimit t'ia shtojnë “ rëndësinë historike”. Kështu kolumnistët e gazetave të përditshme konstatuan se si vetëm prej tani për herë të parë gjatë historisë “marrëdhëniet midis Lublanës dhe Beogradit ishin vendosur në baza të plota të barabarsisë”. Në favor të një konstatimi të këtillë është theksuar se të gjitha marrëveshjet e deritanishme - gjatë njëqind viteve të kaluara - ishin “ të ngarkuara ose me epërsinë ushtarake serbe, nga marrëdhëniet politike ndërkombëtare ose përcaktimet ideologjike”. Nënshkrimi i marrëveshjes në Lubjanë, me pajtim të Beogradit zyrtar për kërkesën kryesore të Lubjanës që të gjithë trashgimtarët e ish RSFJ-ës të trajtohen si të barabartë - për botën shërben si fakt se Sllovenija ka dalë si “ fitues moral” në konfliktin politik i cili po zgjat pothuaj dhjetë vjet. Nëse në këtë rast lëmë anësh tezën për ndonjëfarë “ superioriteti moral” slloven në fushën e politikës ndërkombëtare (?!) atëherë do të mund të themi se normalizimi i marrëdhënieve midis Sllovenisë dhe RFJ-s është një hap drejt marrëdhënieve solide ndërmjet dy republikave dikur të afërme, gjë që në plan të parë vlen për relacionet ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, meqë lidhjet midis Sllovenisë dhe Malit të Zi ka tre vjet që janë “në vijë normale”.
Ftohja e marrëdhënieve midis Sllovenisë dhe Serbisë ka parahistori të gjatë; gjatë periudhës së kaluar këto marrëdhëniet në të vërtetë ishin më të këqia se sa marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Kroacisë, të cilat faktikisht ishin në gjendje luftarake. Shkaqet e një paradoksi të këtillë janë të shumta; opinioni në Slloveni dhe më vonë edhe udhëheqësia politike vendore që në kohën e Jugosllavisë së dikurshme ishte ndër të parat që iu kundërvua politikës së Sllobodan Millosheviqit. Pas kritikës drejtuar zgjidhjes së krizës në partinë serbe (Mbledhja e Tetë) dhe gjendjes në Kosovë, Sllovenija u bë problem numër një për udhëheqësinë politike të Serbisë. Për më tepër, idhtarët e Millosheviqit theksonin se Sllovenija me shembullin e saj ishte ajo që nxiste separatizmin në Kosovë dhe bënte thirrje për shkatërrimin e shtetit. Prandaj kundër Sllovenisë u ndërmuar embargoja për shitjen e “prodhimeve sllovene”, eksporti i “mitingut të së vërtetës” dhe fushata mediale. Po në këtë kohë në Slloveni forcohej nacionalizmi, i cili si zgjidhje të vetme shihte formimin e shtetit të pavarur. Me një fjalë- derisa Sllovenija në Serbi shihte lëmshin e ngatrruar të problemeve - politika e Millosheviqit kërcnohej se Slloveninë do ta fuste në humbellën e konflikteve, e cila do të pengonte zhvillimin e saj të shpejtë dhe bashkimin me Evropën bashkohore. Konflikti u zgjidh me anë të luftës, me pavarësimin, ndarjen ose “shkëputjen” (varësisht kush si e kupton) e Sllovenisë nga shteti i përbashkët. Ndarja dhe faza pas saj do të ngel e shënuar si periudhë e fyerjeve dhe sharjeve mediale (dhe llojeve të tjera), gjatë sëcilës nga të dy anët janë shkruar qindra komente fyese, të cilët kryesisht janë përsëritur si dy stereotipe. Njëri stereotip bënte fjalë për ballkanasit primitiv dhe gënjeshtarë, kurse tjetri për Janezët dinakë dhe tradhëtarë.
Nënshkrimi i deklaratës për vendosjen e marrëdhëieve diplomatike duhet të shënojë fundin e përvojës së lartpërmendur politike dhe informative. Ironia e fatit diktoi që nga pala sllovene marrëveshjen e ndërsjellë ta nënshkruajë ministri i ri i punëve të jashtme Dimitri Rupel, i cili poashtu ishte autori i disa akuzave në llogari të Serbve. (Për shembull: “ Me Serbet nuk vlen të bisedohet. Ata duhet të mbikqyren dhe të edukohen - Unprofori.”) Më të rejat ishin ato me të cilat, gjatë fushatës parazgjedhore të para dy muajve, zgjedhësit përkujtoheshin se cilët dhe çfaret janë Serbet dhe pse nuk duhej t'i besonin Koshtunicës
Shikuar nga këndi i marrëdhënieve të reja dhe më të mira, si një ngarkesë dhe një nga problemet e mëdha me të cilin ballafaqohet Sllovenija (lidhur me RFJ) është në të vërtetë barra e kuadrit të vjetër, të kalitur në konfliktet e vazhdueshme, kuadrat të cilët e kanë vështirë që brenda natës të tejkalojnë mbi vrragët e disa dekadave dhe të korrigjojnë qëndrimet e veta. Është interesante se sot në RFJ, por edhe në Kroaci, problemet lidhur me trashgiminë i zgjidhin kuadrat e reja, kurse Sllovenija këto probleme ia ka lënë tandemit Dimitrij Rupel
- Miran Mejak ( kryetari i grupit për sukcesionin i zgjedhur nga ana e qeverisë). Miran Mejak-u, sipas vlerësimit të disa komentatorëve, për argumentet dhe ashpërsinë e qëndrimeve është ekuivalent i një Koste Mihailloviq-i, ndaj të cilit janë drejtuar qortime të shumta
Pyetje e veçantë është ajo pse vallë marrëdhëniet diplomatike midis Sllovenisë dhe RFJ-s nuk janë vendosur më heret. Nisiativat nuk kanë munguar, por shkaku qëndron në mënyrën e ashtuquajtur të bisedave dhe pazarimeve “beduine”. Kjo shprehje diplomatike nënkupton përvojën në të cilën të dy palët (sikurse tregtarët në pazar) parashtrojnë kërkesa tepër të mëdha, ashtu që më në fund të nxjerrin “sëpaku diçka”. Fundi i bisedave të tilla ka qenë i tillë që nuk ka fituar asgjë asnjëra palë. Kështu, për shembull, kur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike angazhohej Sllovenija, diplomatët e Beogradit do t'i shmangeshin konkretizimit të marrëveshjes duke u paraqitur partnerëve të Lubjanës një shportë të re kushtesh të papranueshme. Herë tjetër Lubjana do të ishte ajo që do të refuzonte nisjativën e Beogradit. Kështu deri më 20 nëntor të këtij viti kur Jugosllavija në mbledhjen e qeverisë miratoi vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike , mirëpo pas kësaj u paraqit Dimitrij Rupel-i dhe u kërcnua se marrëveshja nuk do të nënshkruhej nëse Beogradi nuk pranon çelësin e përpunuar të përqindjes për ndarjen e pasurisë së ish qeverisë. Këtë presion komentatorët e pavarur e vlerësuan si shantazh dhe një ditë më vonë kërkesa e Rupelit nuk u përmend fare. Jugosllavija dhe Sllovenija nënshkruan deklaratën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe synimin për hapjen e përfaqësive diplomatike. Deri tani është saktësuar hapja e përfaqësisë konzulare në Podgoricë, kurse sa i përket çelësit për ndarjen e pasurisë së ish RFSJ ka ngelur të pritet deklarata e ministrit jugosllav të punëve të jashtme, Svilanoviq.
Me këtë përfundoi periudha e “marrëveshjeve”- të premierit të dikurshëm jugosllav Millan Paniq, i cili që në vitin 1992 donte të rregullojë marrëdhëniet duke miratuar aktin e njohjes së Sllovenisë; për të cilin MIP -( Ministria e punëve të jashtme) i Sllovenisë brenda tre vjetësh nuk dha ndonjë përgjigje, në rast se nuk marrim parasysh deklaratën e kryetarit të Sllovenisë Millan Kuçan se nuk pranon njohjen e Paniq-it. Tre vjet më vonë erdhi deri në ndërrimin e roleve - Lubjana zyrtare para nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit e aktualizoi njohjen e Paniqit duke iu përgjegjur asaj me - njohjen e RFJ-s. Nga Beogradi gjatë pesë vjetëve vijuese nuk arriti kurrfarë përgjegjeje. Edhe takimet e para zyrtare midis përfaqësuesve të RFJs dhe Republikës së Sllovenisë në vitin 1998 përfunduan pa ndonjë përgjegje konkrete.
Përfaqësuesi slloven Shtefan Cigoj dhe zëvendësministri i punëve të jashtme Radisllav Bullajiq biseduan për mundësitë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatiko- konzulare. Ky lajm i shkurtër pa dritën në faqen e parë të Dellos së Lubjanës një ditë pas kthimit nga Beogradi të nënsekretarit për Evropën juglindore Shtefan Cigoj.Ajo se ky nuk ishte “suksesi i vetëm i mundshëm” i takimit të parë zyrtar të përfaqësuesve të RFJ dhe Sllovenisë, mund të kuptohej edhe nga fakti se Shtefan Cigoj ende para se të udhëtonte për Beograd në MIP-in e Sllovenisë kishte paralajmëruar idenë për organizimin e një mbledhje të madhe me gazetarë pas kthimit të vet në Lubjanë. U bë si u bë, mbledhja, post festum- nuk u mbajt. Sepse, përballë asaj që pritej nga ana e përfaqësuesve slloven se në Beograd do të bisedohej për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, pala jugosllave nxorri diçka krejt tjetër - temën e dhembshme të sukcesionit.
Në këtë mënyre disi, përfunduan bisedimet. Diplomatët slloven pastaj, në vend të sagës për suksesin, në shtëpi gazetarëve të vendit u jepnin spiegime të hollësishme se çfarë kishte kërkuar diplomacia sllovene në Beograd, madje me nisjativën e vet. “Në rast se në diplomaci kërkoni suksese, në rast se doni të hapni ndonjë treg, në rast se dëshironi t'u ndihmoni qytetarëve, atëherë duhet të ngritni nisiativa. Ne këtë edhe e bëmë. Mirëpo duhet të kuptojmë se shihet se në këtë kohë ne nuk jemi në krye të listës së prioriteteve të Beogradit,” jepte spiegime me ton qetësues para kamerave të programit të parë të programit të televizionit shtetror sekretari shtetror i MIP-it slloven dhe ambasadori i dikurshëm jugosllav në OKB Ignjac Golob. Edhe delegati i pafat Shtefan Cigoj foli me fjalë të zgjedhura për udhëtimin e vet duke vërtetuar se bisedat në Beograd ishin “korrekte” dhe “të suksesshme” dhe se “ në të ardhmen” do të vazhdonin në Lubjanë. Kjo ishte hera e parë që ndonjëri nga përfaqësusesit slloven kërkonte fjalë aqë të matura në adresë të Beogradit. Shfrytëzimi i fjalorit qetësues (të cilin “patriotët e kuptuan si akt të tolerimit të armikut) deri në atë çast do të kishte qenë i barabartë me fundin e karierës politike dhe çdo kariere tjetër.
Sllovenija, edhepse me pak vonesë, ishte njera nga shtetet e para të formuara në teritorin e ex- Yu e cila më 30 nëntor të vitit 1995 e njohu RFJ-n. Pak para kësaj Sllovenija e suspendoi ndalimin e hyrjes së automjeteve me targat e RFJ-s dhe i prishi të gjitha masat lidhur me sanksionet e OKB, kurse shtypi nga RFJ në bazë të një vendimi të veçantë të Ministrisë së atëhershme të informimit, madje edhe në kohën e sanksioneve, në Slloveni shitej lirisht. Dhe jo vetëm kaq - në thirrjet e kohëpaskohëshme të Beogradit se Sllovenija “ më parë duhet të kërkojë falje” (siç u shpreh me gjuhë poetike ministri i dikurshëm jugosllav i punëve të jashtme Vlladisllav Jovanoviq), premieri slloven Janez Drnovshek vazhdimisht përgjiegjej me fraza diplomatike për nevojën e vendosjes së marrëdhënieve të mira me RFJ-n, derisa ministri i punëve të jashtme Zoran Thaler po aq me vendosmëri Beogradit i dërgonte vibracione pozitive nëpërmjet të ambasadës sllovene në Budimpeshtë.
E tërë kjo tani më është pjesë e historisë. Duhet shpresuar se përcaktimi i fundit se marrëdhëniet prej tani do të jenë “diplomatike” është i dyanëshëm dhe se do të ketë afat të pacaktuar zgjatjeje. Fundi i një konflikti politik duhet të shënojë edhe përfundimin e halleve të qytetarëve të të dy shteteve të cilët janë jetësisht të lidhur si me RFJ- ashtu edhe me Slloveninë: në afat të gjatë duhet pritur edhe rrugën më të lehtë deri te (mbase edhe ndërpreja) e vizave, fundin e taksave, pagesës rrugore, sigurimeve plotësuese, kontrollit të organeve kufitare për shtetësinë e dyfishtë dhe shumë probleme të tjera administrative Pa këto që përmendëm, nënshkrimi i “letrës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike” nuk do të sillte diç të mirë për qytetarët e të dy shteteve .
AIM Ljubljana
IGOR MEKINA