Ekonomia shqiptare tenton të ringrihet
Dosje për ekonominë
Gjatë vitit 2000 rritja ekonomike ishte 7,8 %, ndërsa inflacioni 2 %. Por, vendi vazhdon të jetë i zhytur në errësirë
Tiranë, 24.12.2000
Ecuria e ekonomise shqiptare gjatë vitit 2000 vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mjaft pozitive dhe në përputhje me parashikimet e fillimit të vitit. Rritja ekonomike (rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto) për këtë vit parashikohet që të arrijë në 7,8 % dhe inflacioni brenda parametrave të programuar, rreth 2 %.
Eksportet shënuan rritje dhe parashikohet të shtohen akoma me rifillimin e aktivitetit në industrinë e kromit dhe të çelikut. Rezervat zyrtare valutore janë në nivelin 4,5 muaj importe.
Sipas specialistëve, ulja e deficitit të financuar nga burime të brendshme (nga sistemi bankar) është një nga faktorët kryesorë të stabilitetit makroekonomik të vendosur gjatë 3 viteve të fundit. Gjatë këtij viti është regjistruar një rritje sistematike dhe e qëndrueshme e burimeve financiare të shtetit, kryesisht nëpërmjet të rritjes së të ardhurave tatimore. Ndërkohë, administrata tatimore dhe doganore në fundin e 11 muajve të vitit 2000 ka mbledhur në total rreth 75 miliardë lekë ose rreth 100 % të planit.
Niveli i shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në fund të muajit shtator arriti në 116 miliardë lekë, duke realizuar rreth 94 % të fondeve të parashikuara për këtë periudhë. Mosrealizimi plotësisht i nivelit të programuar të shpenzimeve lidhet kryesisht me nivelin ende të ulët të realizimit të investimeve me financim të huaj, si dhe me mosrealizimin e fondeve të alokuara për shpenzime operative dhe mirëmbajtje. Por, specialistët parashikojnë, që deri në fund vitit të ketë nje rritje sistematike të përdorimit të fondeve, duke arritur në shumën totale të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore mbi 170 miliardë lekë.
Rezultatet e privatizimit të disa kompanive të mëdha e të fuqishme reflektojnë njëkohësisht edhe interesimin në rritje të investitorëve të huaj . Privatizimi i Kompanisë së Telefonëve Celularë AMC, është cilësuar i suksesshëm edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare si nga pikëpamja e zbatimit të procedurave, kredibilitetit të blerësit dhe përfitimeve të shtetit.
Gjithashtu, gjatë vitit 2000 u privatizua edhe banka e dytë më e madhe në vend, ajo Kombëtare Tregtare, me aksioner kryesor bankën turke "Kent Bank", e cila zotëron 60 % plus dy aksione dhe me aksionerë të tjerë Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që zotërojnë secila nga 20 % minus një aksion.
Parlamenti shqiptar miratoi javën e tretë të dhjetorit buxhetin e shtetit për vitin 2001, i cili bazohet mbi një rritje ekonomike prej 7,3 % dhe inflacion në kufijtë 2-4 %. Treguesit kryesorë fiskalë që synohet të arrihen me këtë buxhet, janë:
Së pari, ndërsa rritja e të ardhurave të përgjithshme buxhetore parashikohet rreth 8%, të ardhurat tatimore e doganore, projektohen me një rritje rreth 13 % kundrejt vitit 2000. Kjo synohet të sigurohet nëpërmjet të thellimit të përmirësimit të administrimit fiskal, ndërkohë që parashikohet të ndermerren një sërë politikash të reja fiskale, që përfshijnë ulje tarifash dhe disa lehtësira të tjera fiskale. Këto politika synojnë të krijojnë kushte më të favorshme për biznesin dhe nxitjen e investimeve.
Kështu, në fushën e taksave doganore do të vazhdojë politika e reduktimit të nivelit maksimal të taksës doganore. Më 1 Janar 2001, niveli maksimal i tarifës doganore do të jetë 15 % nga 18 % që është sot. Kjo ulje vjen pas uljeve të vazhdueshme nga niveli maksimal prej 30 % që ishte në fillim të vitit 1998. Do të thellohen politikat stimuluese për nxitjen e investimeve, nëpërmjet reduktimit të nivelit më të ulët tarifor doganor nga 5 % në 2 % për të gjithë artikujt, ku përfshihen kryesisht makineri, pajisje, si dhe lëndë të para. Në fushën e tatimeve dhe taksave të brendshme do të ulet niveli i tatimit mbi fitimin nga 30 në 25 %.
Në fushën e akcizave, parashikohen ndryshime në nivelin akcizës për pijet alkoolike dhe alkoolin dhe përkatësisht edhe në mënyrën e aplikimit të tyre. Sipas specialistëve, politikat e shpenzimeve publike në kuadër të projekt buxhetit të vitit 2001, mbështeten në Programin Afatmesëm të Buxhetit 2001-2003, në të cilin janë përcaktuar si prioritete infrastruktura, arsimi, shëndetësia e mbrojtja sociale.
Më tej, për vitin 2001 një rritje e konsiderueshme rreth 16% parashikohet për shpenzimet e përgjithshme, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me krijimin e hapësirave të reja për investimet për infrastrukturën, pa prekur prioritetet për sektorët arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Gjithashtu, nëpërmjet këtij buxheti do të mbështetet më mirë reforma në administratën publike, duke kombinuar reduktimin e numrit të punonjësve me rritjen e motivimit për punë nëpërmjet të rritjes së diferencuar të pagave.
Gjatë vitit 2001, do të aplikohet edhe rritja e pagave për punonjësit buxhetorë, si dhe rritja e pensioneve. Rritja mesatare e pagave për të gjithë punonjësit buxhetorë do të jetë 8 %, duke filluar nga 1 Korriku 2001. Për punonjësit e rendit dhe mbrojtjes do të aplikohet një rritje prej 10 % duke filluar nga 1 Janari 2001 dhe në vazhdim si edhe të gjithë punonjësit buxhetorë një rritje nga 1 korriku me 8 %. Po kështu pensionet do të rriten në masën 8% duke filluar nga 1 korriku i vitit 2001.
Investimet parashikohen të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2001 në krahasim me këtë vit. Në projekt buxhet, parashikohet që investimet të financuara nga burime të brendshme të arrijnë në 19,5 miliardë lekë nga 15,2 miliardë lekë që ishin parashikuar në planin e vitit 2000. Kjo shifër përfshin gjithashtu burime të mjaftueshme financiare për përballimin e kontributit të qeverisë në investimet që do të financohen nga burime të huaja, të cilat janë parashikuar në shifrën prej 23,5 miliardë lekë.
Ndërkohë, në pikëpamje të sektorëve të ekonomisë, projekt buxheti 2001 parashikon një rritje të konsiderueshme ndaj vitit 2000, të shpenzimeve për infrastrukturën e punët publike, arsimin e shëndetësinë, që variojnë nga 18 deri në 30 %. Me këtë rritje, niveli i shpenzimeve për infrastrukturën e punët publike parashikohet të arrijë në 4 % te PBB nga 3,3 % që është plani i vitit 2000; për arsimin parashikohet të arrijë në 3,2% të PBB nga rreth 3%; dhe, për shëndetësinë parashikohet të arrijë në 2,7 % nga 2,3 % të PBB. Ndërsa, për sektorët e tjerë së bashku shpenzimet parashikohet të rriten rreth 13 % ndaj vitit 2000.
Përsa u përket privatizimeve në sektorin publik, pritet që në fundin e 6-mujorit të parë të vitit 2001, Banka e Kursimeve të jetë gati për të hyrë në procesin e tenderimit dhe në fillim të po këtij viti do të shpallet edhe operatori i dytë i shërbimit GSM në Shqipëri. Gjithashtu, brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2001 do të jetë gati për procesin e tenderit edhe kompania e vetme shtetërore në telefoninë fikse "Albtelekom".
Parashikimet për ringritjen e ekonomisë shqiptare duken optimiste, megjithëse shqiptarët po kalojnë dimrin më të rëndë gjatë tridhjetë vjetëve të fundit. Qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë zhytur në një errësirë të thellë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Sidoqoftë, ekonomistët thonë se vitin tjetër do të jetë më mirë.
AIM Tiranë, Dorian KOCA