Prostitucioni dhe mungesa e ligjit

Pristina Dec 24, 2000

Prishtinë, 19.12.2000.

"Në Kosovë ka prostitucion dhe ka edhe klientelë", u tha me plot gojën nga aktivistë ndërkombëtarë e vendorë për të drejtat e njeriut. Qindra e ndoshta me mijëra vajza të reja po kalojnë në Kosovë kalvarin e "zanatit më të vjetër në botë". Mosha mesatare e tyre, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), është 23 vjet, ndërsa rrugëtimi i pjesës dërmuese të tyre është i ngjashëm me të gjitha rrugëtimet e shoqeve të tyre nëpër botë, vetëm se në Ballkan duket që shkalla e "egërsisë" së bossëve e makrove është më e madhe. Policia e Kosovës, që drejtohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ka zbuluar disa shtëpi publike nëpër qendra të ndryshme të Kosovës. Janë arrestuar, vetëm gjatë dy-tre muajve të fundit, disa dhjetëra persona, ndërsa mbi 100 femra janë riatdhesuar me ndihmën e IOM-it.

Pjesa më e madhe e tyre vjen nga vendet e varfëra të ish bllokut socialist, ndërsa rrëfimet janë të ngjashme. Shumë prej tyre që janë kontrabanduar në Kosovë nuk kanë pasur as idenë më të përafërt se do të detyrohen ta ushtrojnë prostitucionin. Ato janë nisur pas premtimeve se do të gjejnë punë në Kosovë, sigurisht të mashtruara nga prania e madhe ndërkombëtare. Migrimi, që shënon edhe fillimin e ferrit të jetës së tyre, sipas studimeve të IOM-it, nxitet nga luftërat dhe shkatërrimet ekologjike, por më së shumti nga kushtet e rënda ekonomike. Femrat që arrijnë në Kosovë më së shumti "rekrutohen" nga Moldavia, Ukraina, Rumania e Bullgaria. Disa syresh prapa vetes lënë edhe familjet dhe fëmijët e tyre.

Statistikat thonë se 70 për qind e këtyre femrave në vendet e tyre kanë marrë paga më të vogla se 40 DM në muaj, prandaj ato bëhen lehtë pre e agjensive të ndryshme edhe "turistike". Shumë nga ato besojnë se shkojnë madje edhe në Gjermani, Francë apo Itali, për të punuar si kujdestare fëmijësh apo si kameriere, ndërsa përfundojnë në Kosovë. Ndërkaq, 48 për qind e prostitutave të ardhshme rekrutohen nga vetë femrat, të cilat pastaj ua dorëzojnë ato "kodoshëve" që vazhdojnë rrjetin nërkombëtar. Rreth 71 për qind e femrave që punojnë në Kosovë pohojnë se u janë nënshtruar abuzimeve seksuale të "bossëve" dhe miqve të tyre menjëherë pasi janë futur në këtë rrjet. Atyre zakonisht u merren dokumentat e identifikimit dhe mbahen në vende të mbyllura. Gjashtëdhjetë për qind e tyre pohojnë se kushtet në të cilat jetojnë e punojnë në Kosovë janë tepër të rënda dhe të dhunshme. Shumë prej tyre kanë pohuar se janë ushqyer shumë keq (shpeshherë vetëm një hamburger në ditë), janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale me shumë persona brenda një dite, ndërsa paratë u janë marrë (dhe u merren) nga bossët. Një e re nga Moldavia, para se të riatdhesohen, ka pohuar se "është rrahur pamëshirshëm nga bossët, të cilët e kanë shitur e stërshitur nga disa herë me radhë"... Rrëfimet janë të ngjashme, ndërsa të rralla janë ato që pohojnë se vullnetarisht kanë filluar me zejen e tyre.

Fakti se kontrabandimi i "mishit të bardhë" ka shënuar një shtim enorm brenda vitit në Kosovë, dëshmon se ky është një 'biznes' shumë fitimprurës. Shkalla e lartë e fitimeve ka bërë që ë shumë raste punët t'i udhëheqin pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike. Dhe bashkëpunimi midis tyre ishte i mahnitshëm për një vend që tregohet me gisht si vend armiqësish të mëdha etnike. Madje, pos rrugëve tashmë të zakonshme nëpërmjet Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, një korridor i rekrutimit është edhe vetë Serbia.

Në Kosovë ka ekzistuar vetëm ligji që ndalonte prostitucionin, ndërsa tani nuk ekziston asnjë rregullore që do ta legjitimonte apo ndalonte atë. Pa mbulesë ligjore, "bossët" e organizojnë rrjetin e prostitucionit nëpër të ashtuquajturat "klube nate" e "bare" të ndryshme, ku në skenë paraqiten "valltaret profesioniste", të cilat mund t'ju shoqërojnë gjatë mbrëmjes nëse për këtë jeni të gatshëm të paguani (natyrisht, paratë i shkojnë bossit). Ushtrimi i "fshehtë" i këtij zanati krijon kushte "ideale" për shfrytëzimin maksimal të femrave të pambrojtura nga ligji. Torturat dhe rrahjet sistematike, si dhe përdhunimet, janë format e egra të "trajtimit" të femrave, të cilat nuk guxojnë as të mendojnë për ikjen apo denoncimin e "pronarëve" të tyre. Thjesht, ato janë skllave që shiten herë te njëri e herë te pronari tjetër, prej 1 mijë deri në 5 mijë marka gjermane, varësisht nga mosha dhe gjendja e tyre fizike. Njëkohësisht, ato janë pa kurrfarë mbrojtjeje e përkujdesi mjekësor, ashtu si edhe klientët e tyre.

Në një shoqëri tradicionale dhe kryesisht patriarkale, çfarë është kjo në Kosovë, lajmet e para që flisnin për ekzistencën e shtëpive publike patën efektin e një "bombe". Opinioni kosovar ushqente bindjen se kjo e "keqe" u takon të tjerëve dhe nuk ka të bëjë me të. Edhe pse shumë zëra në opinionin publik lidhur me këtë problem i karakterizon një moralizim provincialist, ai kryesisht është përvijuar në dy drejtime. Njëra palë kërkon ndalimin me ligj dhe dënimin e pamëshirshëm të të gjothë atyre që merren me këtë 'profesion', ndërsa pala tjetër pohon se zgjidhja më e mirë është legalizimi i prostitucionit, por duket se nga droja e 'njollosjes morale' ata pohojnë se kjo do të duhej të nënkuptonte 'izolimin e atyre që merren me këtë profesion dhe mbajtjen sa më larg nga vajzat shqiptare'. Pjesëtarë të një shoqërie të 'mbyllur', ku dukuritë si prostitucioni, incesti apo homoseksualizmi janë 'zgjidhur' nëse jo me ligj atëherë 'me pushkë', ata sikur duan të besojnë se "mishi i bardhë", që mbase paguhet nga djemtë e tyre, s'është veçse "mish i huaj". "Kodi i heshtjes" që vazhdon të ekzistojë në Kosovë ka bërë që të mos flitet fare apo vetëm të 'pëshpëritet' për trafikimin e vajzave shqiptare në vendet e tjera. Rrëmbimet e vajzave të reja nuk janë dukuri e panjohur në Kosovë. Kufiri i paruajtur mirë me Shqipërinë ka bërë që kontrabanda të lulëzojë, ndërsa kushtet për trafikimin e "mishit të bardhë" të jenë shumë të volitshme. Autoritetet ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen se rrjeti i kriminelëve që merret me trafikimin e femrave do të përpiqet të shfrytëzojë praninë e një numri të madh të trupave të huaja për ta organizuar rrjetin e prostitucionit, por edhe të trafikimit të femrave. Madje, ata kanë vepruar edhe në kampet e refugjatëve gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë dhe disa vajza janë zhdukur pa gjurmë nga këto kampe në Maqedoni dhe në Shqipëri.

"Ju paguani për një natë - ajo paguan me jetën e saj", është slogani i fushatës informative që ka filluar në Kosovë në mars të vitit 2000, për të tërhequr vëmendjen për ekzistimin e skllavërisë seksuale këtu. Gjithandej janë organizuar seminare e tubime informative. Policia (për këtë qëllim janë formuar edhe forca speciale në kuadër të policisë ndërkombëtare në Kosovë) thotë se po zbulon rrjete prostitucioni, ndërsa veprimt të saj nuk i shpëtojnë tani as klientët. Mirëpo, ajo që e pengon edhe vetë policinë është mungesa e ligjit në Kosovë...

AIM Prishtinë, Besnik BALA