Kushneri largohet

Pristina Dec 22, 2000

Prishtinë, 17.12.2000.

Në pranverën e vitit 1990, ministri francez i shëndetësisë, Bernard Kouchner, tha se "në Kosovë kanë ndodhur helmime të disa mijëra nxënësve shqiptarë". Kosovarët, atëbotë të shtypur nga regjimi i Beogradit, thanë se "ky doktor i panjohur ishte një mik i vërtetë". Vitet kaluan dhe emri i tij gati u harrua, ndërsa përmendej vetëm në "polemikat" shqiptaro-serbe nëse kishte pasur helmime apo rreth 7 mijë nxënës kishin aktruar...

Nëntë vjet më pas, doktori francez Bernard Kouchner hyri në Kosovë pak pas hyrjes së trupave të NATO-s dhe mori përsipër atë që shumëkush nga miqtë e kolegët e tij e kishin cilësuar si "mision të pamundshëm", drejtimin e administratës civile të Kombeve të Bashkuara. Me të arritur në Kosovë, ai tha se "bibla" e tij është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit që parasheh një autonomi substanciale për Kosovën, përkatësisht një shkallë të lartë të vetëqeverisjes... Humanist me profesion, entuziast i pashërueshëm për nga natyra, e madje në shumë raste edhe tepër i sinqertë, Bernard Kouchneri u shndërrua shpejt në njeriun më të kritikuar dhe më të dashur në Kosovë... I gjetur përballë sfidave të rënda të rindërtimit të një vendi të shkatërruar nga lufta, me armiqësi të thella etnike e politike, ai zuri t'i presë gjërat me "sëpatën e dardharit" dhe për këtë disa përfaqësues shqiptarë e akuzuan se "po pretendon të sillet si mbret", ndërsa përfaqësuesit serbë e akuzuan për "anim politik ndaj shqiptarëve". Ndërkaq ai vetëm qeshi me të dyja palët... Beogradi, që ende kontrollohej nga Sllobodan Millosheviqi, ngriti akuzë kundër tij për krime lufte. Serbët e Kosovës u ndanë. Liderët serbë të Graçanicës e gjetën gjuhën e përbashkët me Kouchnerin, ata që "sundonin" në pjesën veriore të Mitrovicës kërkonin gjithnjë "qime në vezë". Të parët e kuptuan se u duhet mbrojtja dhe ndihma që nuk mund ta prisnin nga Beogradi, ata të tjerët - nga veriu i Kosovës, nuk dëshironin asgjë nga bashkësia ndërkombëtare edhe më tej të orientuar fuqishëm drejt Beogradit dhe regjimit të Millosheviqit. Ndërsa, në Prishtinë nuk munguan zërat që deshën ta përkujtojnë opinionin se "Kouchneri ishte një francez dhe dihet se francezët tradicionalisht ishin aleatë të Serbisë..." Dhe ai prapë qeshi hidhur, i preokupuar me "misionin e tij të pamundshëm"... Pas shumë muajsh pune të rëndë ai shplli pakon e ligjeve me të cilat do të vendosej rendi në Kosovë dhe filloi procesin e gjatë e të mundimshëm të krijimit të strukturave administrative. E krijoi Këshillin Kalimtar të Kosovës, të cilin e quajti si një miniparlament dhe aty mblodhi krerët politikë shqiptarë e, më pastaj, edhe ata serbë. Njëkohësisht, bashkë me forcat paqeruajtëse, e përfundoi procesin e demilitarizimit dhe transformimit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Puna më e vështirë ishte krijimi i Këshillit të Përkohshëm Administrativ, që synonte ta luajë rolin e një qeverie të Kosovës. Pas shpalljes së përbërjes së këtij Këshilli, duke ju përgjigjur kritikave për vonesë në veprimet e tij, ai tha: "O zot, po mua m'u deshën tre muaj bisedime vetëm për t'i ulur rreth të njëjtës tryezë liderët shqiptarë...". Kouchner nuk la gur pa lëvizur për t'i hedhur bazat e një pajtimi ndëretnik në Kosovë dhe arriti që edhe përfaqësuesit e serbëve të futen në strukturat e përbashkëta administrative. Megjithatë, ai pranoi botërisht se "pajtimi do të jetë një proces i gjatë dhe për këtë duhet të kalojnë shumë gjenerata. Pas 40 vjet sundimi komunist, dhjetë vjet të aparteidit dhe posaçërisht pas vuajtjeve të luftës së fundit, pajtimi ndëretnik duhet të presë", tha Kouchner. Asnjëherë nuk kërkoi nga shqiptarët që të harrojnë, por kërkoi nga ata që të falin... Gjithnjë insistonte në tolerancë dhe hidhërohej kur ndodhnin vrasje ndëretnike. Shfrytëzonte çdo rast për të tërhequr vërejtjen se qytetarët nuk duhet t'u bëjnë gjyq fajtorëve, por për vërtetimin e fajësisë së kujtdoqoftë ekzistojnë gjykatat...

Me kalimin e kohës, Kouchner pati raste kur u ndie i "tradhtuar" nga ata që e kishin emëruar dhe trimëruar se "do ta ndihmojnë me të gjitha mjetet". Duke parë se Kosova po zbriste nga rendi i ditës, Kouchner do t'u drejtojë thirrje të fuqishme burrshtetasve evropianë që t'i mbajnë premtimet e tyre. "E keni lehtë të kritikoni nga larg, por të rindërtosh Kosovën nga e para është punë e tmerrshme", pati thënë Kouchner, të cilin në Kosovë e prisnin mijëra punëtorë pa paga, mbi 60 000 pensionistë pa pensione, 2 milionë banorë pa rrymë elektrike, ujë dhe ngrohje. Megjithatë, nuk la derë pa trokitur, nga Brukseli e deri në Tokio të Japonisë, për ta çuar në vend misionin e tij. Ngadalë, Kouchner u bë njeriu më i përkushtuar për Kosovën. Atë e shihje kudo, në fabrika, shkolla, tubime protestuese, në vendngjarjet e incidenteve, në konakun e manastirit ortodoks në Graçanicë për darkë ose drekë, ose madje në Drenicë, e cila ishte simbol i fillimit të rezistencës së armatosur të shqiptarëve. Gjithmonë energjik dhe ngapak teatral, ai nuk mërzitej shumë as për gafet e tij që ndonjëherë ngatërronin shifrat milionëshe, madje nuk përtonte që të ishte shumë i drejtpërdrejtë me burrështetas që vinin në Kosovë, i rrihnin shpatullat dhe jo rrallë e linin duarthatë. Ai nuk u shmang as nga përplasjet politike me përfaqësues të vendit të tij që e akuzuan për "qëndrim të njëanshëm". Por, gjithsesi, kurora e sukseseve të tij janë zgjedhjet vendore të 28 tetorit në Kosovë. Fushata zgjedhore u përcoll nga një varg takimesh të tij me qytetarët e Kosovës, në të cilat ai nuk ngurroi t'i lexojë fjalimet e veta edhe në gjuhën shqipe apo edhe në gjuhën serbe. Madje, gabimet e tij që i bënin sallat e mbushura përplot të tundeshin nga të qeshurit , nuk e zbehnin fare figurën e tij. Përkundrazi, ai tashmë po familjarizohej me "nënshtetasit" e tij. Zgjedhjet lokale e rrumbullakësuan fazën më të rëndë të misionit të zotit Kouchner, i cili pas tyre tha se Kosova po hyn në familjen e vendeve demokratike. Por, prapa tij mbetën edhe shumë ngjarje të pakëndshme për të. Qyteti verior i Mitrovicës vazhdon të mbetet i ndarë, ndërsa dhuna etnike dhe ajo politike nuk kanë pushuar. Shqiptarët ia numërojnë si "mëkat" lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve jugosllave në shtator, ndërsa presin me ankth se çfarë vendimi do të marrë ai për zgjedhjet serbe...

Rruga 18 muajshe e Bernard Kouchnerit në Kosovë është e stërmbushur me sfida, pengesa e madje edhe ndërskamca që iu prodhuan këtu dhe në qendrat ndërkombëtare të vendosjes, të cilat ai megjithatë i kaloi... Por, duket se u desh vendimi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, për ndërrimin e tij, që t'u përkujtojë kosovarëve se ata ishin "fatlumë" me Kouchnerin. Njerëzit që e njohin për së afërmi thonë se ai është një personalitet jo vetëm humanist, por edhe i njohur si intelektual francez i brezit që ka pasur mirëkuptim për procesin e dekolonizimit, ndërsa e drejta e popujve për vetëvendosje ka ushtruar ndikim në qasjen e tij ndaj Kosovës. Megjithëse "bibla" e tij, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën, administratori Kouchner i ka kuptuar proceset në Kosovë si dekolonizuese, thonë vëzhguesit. Ata numërojnë këtu, pos tjerash, ndërrimin e monedhës dhe krijimin e autoritetit bankar më vete, krijimin e ligjeve vendore, ndërtimin e strukturave administrative dhe të policisë e gjykatave. Gati në fund të mandatit të tij, që përfundon në mes të muajit janar të vitit 2001, Kouchner ia ktheu Kosovës Gjykatën Supreme, një nga atributet shtetërore që Kosova i kishte dikur dhe që ishte ndër institucionet e para të rrënuara nga Beogradi pas heqjes së autonomisë së Kosovës. Kouchner krijoi në Kosovë thjesht modelin e tij të protektoratit ndërkombëtar, të panjohur deri tash në botë.

Lajmi se Kouchner do të largohet sikur krijoi një zbraztësirë në Kosovë. Partitë politike shqiptare njëra pas tjetrës ia njohën atij "meritat e jashtëzakonshme", ndërsa të gjitha të arriturat e Kosovës ia atribuan punës së tij. Sipas tyre, Kouchneri e ka vënë gurthemelin e shoqërisë së re kosovare dhe njëkohësisht ai është përpjekur të jetë zëri i popullit të Kosovës. Madje, subjektet politike pranuan se do të dëshironin që Kouchner të mbetej në Kosovë të paktën deri në përfundim të zgjedhjev të përgjithshme në Kosovë. Për herë të parë dhe pa rezerva ata shprehën mirënjohjen për punën e tij të jashtëzakonshme. Pati edhe të atillë që pohuan se dhjetëra herë kanë synuar të përballen me të për t'i kritikuar qëndrimet e tij rreth disa çështjeve të caktuara, por që janë çarmatosur nga qasja e tij prej "politikani e humanisti pas excellence"...

Tani, kur misioni i tij po merr fund, në opinionin këtu po diskutohet nëse atë duhet shpallur qytetar nderi të Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shpesh mund të dëgjohet se "Kouchneri është njeriu, të cilit Kosova i ka një borxh të madh"...

Ngrohtësia dhe afërsia me të cilën njerëzit flasin për zotin Kouchner tkurret nga ftohtësia që shkakton emri i zëvendësit të tij. Sikur të sillte me vete ftohtësinë skandinave, ministri danez i mbrojtjes ka bërë që komentet rreth emërimit të tij të jenë shumë të rezervuara. Vetë periudha e shkuarjes së Kouchnerit dhe e ardhjes së administratorit të ri këtu vlerësohet si shumë delikate. Kosovarët e dinë se Hans Haeekkerup ishte "përkrahës i zjarrtë i fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë". Me përvojën e tij prej njeriu të ushtrisë ai do të jetë më i kufizuar nga pesha e dokumentave zyrtarë ndërkombëtarë dhe nuk do të mund ta ketë "sensin" e Kouchnerit për t'i tejkaluar caqet e Rezolutës 1244 në funksion të përshpejtimit të procesit politik. Administratori i ri e gjen Kosovën në pozitë shumë më të mirë se pararendësi i tij, por trashëgon edhe shumë probleme të pazgjidhura dhe serioze, mbi të cilat qëndron çështja e statusit politik të Kosovës.

Nga ana tjetër, serbët në Serbi janë të lumtur që Kouchner po largohet. Të lumtur janë edhe një pjesë e serbëve të Kosovës. Ata kanë konsideruar se Kouchner dhe administrata e tij nuk kanë bërë mjaft në mbrojtjen e tyre të përditshme dhe nuk dëshirojnë ta pranojnë faktin që ai shpesh e ka investuar edhe autoritetin e tij për t'ua lehtësuar jetën në të ashtuquajturat enklava. Qëllimisht ose jo, harrojnë që është një nga ata që konsiderojnë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në Kosovë dhe se ka krijuar një grup të posaçëm pune për këtë çështje. Se gjithnjë e ka bërë maksimumin për realizimin e të gjitha kërkesave të tyre, madje edhe kur kritikohej nga pala tjetër. Me sukses më të vogël a më të madh, por këtë e bënte nga zemra, jo për të fituar pikë politike. Me bojkotin e qëllimshëm të bashkëpunimit nga një pjesë e serbëve, kryesisht të atyre që e popullojnë veriun e Kosovës, ata janë përpjekur t'u tregojnë bashkëkombasve të tyre të shumtë pakënaqësinë për pozitën e tashme të Kosovës, e para së gjithash atyre në Serbi, se bashkësia ndërkombëtare kujdeset vetëm për shqiptarët, çfarë nuk ishte e vërtetë. Për këtë arsye ata janë kthyer drejt administratorit të ri Haeekkerup, duke u kapur për një "fije kashte", se gjoja gjatë një vizite trupave daneze në veri të Kosovës, ai nuk ishte takuar me shqiptarët...(!)

Por, një gjë është e sigurt: askush pas Kouchnerit nuk do të jetë Kouchner dhe nuk do të mund ta fitojë simpatinë dhe mirënjohjen që i dhurohej atij, si nga popullata shqiptare dhe një pjesë e asaj serbe, ashtu edhe nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët e tij.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA