Marrëdhënie të reja midis Tiranës e Prishtinës
Prishtinë, 14.12.2000.
Tetëdhjetë e tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë një kryeministër i këtij vendi shkeli tokën e Kosovës. Në kohë të tjera të shkuara ky do të ishte lajmi më "sensacional", ndërsa rrugët e sheshet e Kosovës, me siguri, do të mbusheshin me mijëra njerëz që do të dilnin për ta pritur njeriun e parë të qeverisë së "shtetit amë", siç e kanë quajtur gjithmonë Shqipërinë shqiptarët e Kosovës. Por, njerëzit që dikur ishin ngrirë nga të ftohtët majë kulmeve të shtëpive të tyre për të kurdisur antenat televizive, që të mund të vidhnin një sinjal ku do të mund të shihnin vendin amë, e pritën vizitën e kryeministrit shqiptar, Ilir Meta, sikurse edhe çdo vizitë tjetër të zakonshme të ndonjë burrështeti evropian. Duket se këtyre njerëzve u ka mbetur entuziazëm vetëm kur Kosovën e vizitojnë përfaqësues të fuqive të mëdha, posaçërisht ata amerikanë.
Zoti Meta nuk hyri në Kosovë nga dyert e mëdha e, megjithatë, ai ishte i pari që në Kosovë hyri në rrugë institucionale. Ai u prit zyrtarisht nga autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe nga udhëheqësit kryesorë politikë shqiptarë, derisa pararendësit e tij nha pozita e opozita e Shqipërisë ose kishin vizituar Kosovën privatisht, ose edhe ishin ndaluar të hynin, siç ndodhi me ish presidentin e saj, Sali Berishën...
Sidoqoftë, vëzhguesit thanë se vizita e Metës shkriu akullin midis Tiranës e Prishtinës. Ky akull ishte shtresuar gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Paradoksi i kësaj ngrirjeje qëndronte në faktin se Shqipëria, siç është thënë dhjetëra herë edhe nga zyrtarët ndërkombëtarë, ka bartur një peshë të rëndë të luftës së Kosovës. Mbi gjysëm milioni shqiptarë të Kosovës "provuan dashurinë vëllazërore" gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. Pranvera e vitit 1999 i afroi mes vetes më shumë se kurrë shqiptarët e ndarë në disa shtete. Shqipëria ishte mbështetje logjistike për NATO-n dhe gjithsesi baza kryesore e furnizimit me armë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, e tërë dashuria e madhe e vëllezërve i kishte edhe pazarllëqet politike në mes. Aleancat ndërmjet të djathtëve në Tiranë dhe atyre në Prishtinë, në njërën anë, dhe aleanca ndërmjet të majtëve në Tiranë dhe bashkëmendimtarëve të tyre në Kosovë, nuk u shkrinë as para e as gjatë luftës në Kosovë. Ushtria Çlirimtare i kishte bazat e saj të stërvitjeve dhe armatimit në Shqipëri, por ato baza i kishin edhe "fraksionet" e armatosura që udhëhiqeshin nga njerëzit e afërt me kryeministrin në mërgim të Kosovës, Bujar Bukoshi. Pushtetet në Tiranë kanë vepruar shpesh kundër njërit e pro tjetrit varësisht nga interesat e tyre të ditës, sikurse që edhe këto të fundit vepronin varësisht nga interesat dhe përkrahja që mund të përfitonin.
Por, aleancat ishin kristalizuar më heret, menjëherë pas shthurjes së shtetit shqiptar në pranverën e vitit 1997, kur u rrëzua Sali Berisha, ndërsa pushtetin e morën socialistët e Fatos Nanos. Ibrahim Rugova, që atëbotë njihej nga shqiptarët si president i Kosovës, si dhe partitë politike të afërta me Lidhjen Demokratike mbajtën qëndrim të "ftohtë" ndaj pasardhësve të Partisë së Punës, që dikur udhëhiqej nga diktatori komunist, Enver Hoxha. Për shumë parti politike në Kosovë, socialistët, sado të moderuar, s'ishin veçse politikanë të dalë nga partia që për 45 vjet me radhë e kishte shndërruar Shqipërinë në vendin më të izoluar në botë. Ibrahim Rugova nuk e kishte më Tiranën pikë të fillimit dhe të përfundimit të vizitave të tij nëpër botë. Nuk vonoi shumë dhe në fillim të nëntorit të vitit 1997, Fatos Nano i shtrëngoi duart me presidentin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në samitin e vendeve të Evropës juglindore në Kretë të Greqisë. Ndonëse njerëzit e afërt me të thanë se "ky ishte një takim i detyrueshëm për zotin Nano", kosovarët asnjëherë nuk ia falën atij "mëkatin" e këtij takimi... Edhe krahu rival i zotit Rugova, madje, nuk ia falte dot mëkatin z.Nano, prandaj një pjesë e këtij krahu u nda në qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare. Veprimtari i njohur, Adem Demaçi, atëbotë kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, i përjashtoi nga partia disa miq të tij vetëm për shkak se ata ishin takuar me socialistët në Tiranë...
Viti 1999 dhe kulmi i luftës në Kosovë përkoi me periudhën e qeverisjes së Pandeli Majkos, i cili mbase është socialisti i vetëm që gëzon respekt të madh te shqiptarët e Kosovës. Por, Ibrahim Rugova as gjatë kësaj periudhe nuk u afrua me Tiranën. Ai sapo kishte dalë nga Kosova, ku për dy muaj ishte, siç ka thënë ai vetë, "peng i Millosheviqit", i vizitoi refugjatët në Maqedoni, por nuk e bëri një gjë të tillë në Shqipëri. I akuzuar në disa deklarata edhe për "tradhti", për shkak të takimeve me Millosheviqin gjatë fushatës së bombardimeve, ai iu shmang si duket Shqipërisë në rend të parë nga droja e reagimeve, posaçërisht te krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që Shqipërinë e kishin bazë të veprimit, por edhe për shkak të raporteve me qeveritarët socialistë...
As pas përfundimit të konfliktit raportet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës nuk pësuan ndonjë ndryshim dhe aleancat politike mbetën pothuajse të pandryshuara, madje deri te vizita e kryeministrit Meta. Z. Meta u takua me të gjithë dhe në të gjitha takimet pohoi se "duhet shtuar bashkëpunimin ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës". Meta pohoi se "Shqipëria nuk dëshiron ta shikojë Kosovën nga pozicioni paternalist", ndërsa nuk u prononcua qartas për statusin e saj politik. Ai vetëm ua tërhoqi vërejtjen kosovarëve se "një Kosovë demokratike nuk do të thotë një Kosovë e pavarur, sikurse që një Kosovë e pavarur nuk do të thotë edhe demokratike"...
Por, gjithsesi, takimi i tij më interesant ishte ai me z.Ibrahim Rugova. Zoti Meta ia dorëzoi këtij të fundit ftesën zyrtare për ta vizituar Tiranën, meqë siç tha ai "qytetarët e Shqipërisë presin t'i dëgjojnë nga zoti Rugova mesazhet e tij drejtuar atyre". Ai tha se zoti Rugova është i mirëpritur nga të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe qytetarët e saj, ndërsa në fjalën e tij ia njohu Rugovës dhe Lidhjes Demokratike "meritat gjatë periudhës dhjetëvjeçare në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare". Zoti Rugova, nga ana e tij, tha se "nuk ka dhe nuk ka pasur ngrirje të raporteve të tij me Shqipërinë, por atëherë ka qenë luftë..." Takimi Rugova-Meta ishte takimi i dytë i tij me krerët socialistë të Shqipërisë vetëm brenda një jave. Disa ditë më heret ai ishte takuar në Athinë me kryesocialistin Fatos Nano, në kuadër të konferencës "Shqiptarët si shumicë dhe pakicë..." Këto takime u vlerësuan këtu si një dimension i ri politik, i cili është hapur me fitoren e Partisë Socialiste dhe Lidhjes Demokratike në zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe në Kosovë.
Vëzhguesit lokalë kanë pohuar se "ky dimension i ri nënkupton një porosi të qartë për krahun rival të zotit Rugova". Qëndrimet e reja socialiste, shtojnë ata, shënojnë shkrirjen e raporteve me zotin Rugova dhe "ftohjen" e tyre me Partinë Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj, Hashim Thaçin... Megjithatë, askush nuk ishte në gjendje të shpjegojë se cilat ishin arsyet e një ftohjeje të tillë. Ndoshta, thjesht, në raportet Tiranë-Prishtinë vazhdon të ketë akull... Ndoshta ftesa që zoti Meta u ka bërë krerëve politikë që të bashkohen në Tiranë për të biseduar lidhur me çështjet "më të rëndësishme kombëtare" ishte edhe formula e "fshehjes" së akullit, apo riafirmimi i Tiranës në rolin e "vëllait të madh", që e di kur duhet hequr veshin e kur duhet përkëdhelur vëllain e vogël "plangprishës"...
AIM Prishtinë, Besnik BALA