Kroacia acaron marrëdhëniet me Hagën
AIM Zagreb, 13.12.2000.
Lajmi i cili në fillim të gushtit për pak sa nuk solli deri te prishja Qeverisë së koalicionit të Ivica Raçanit (se Gjyqi ndërkombëtar për krime lufte në Hagë do të ngris aktpadi kundër kryeshefit të Shtatmadhorisë së ushtrisë kroate Petre Stipetiçit) zyrtarisht, në një formë më të butë, u vërtetua në fillim të dhjetorit. Stipetiç u thirr në bisedë, si dëshmitar, që duhet të bëhet në Zagreb. Hetuesve të Hagës u interesojnë të gjitha informacionet e Stipetiçit për ngjarjet gjatë operacionit të quajtur “Stuhia”, në gushtit të vitin1995, kur Ushtria e Kroacisë çliroi rajonin e Kninit, vatrën më të rëndësishme të kryengritësve sërb nga Kroacia.
Qeveria kroate, para se ta zyrtarizonte këtë lajm, e dinte se Gjykata e Hagës merrej edhe me Stipetiçin. Duket se këtë e ka mësuar që në muajin gusht, kur kryeprokurorja e Gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Hagë (ICTY) Karla Del Ponte vizitoi Zagrebin me ç'rast bisedoi me kryeministrin Raçan dhe kryetarin Stipe Mesiq. Edhe pse Del Ponte interesohej për Stipetiçin informacioni që zgjoi shqetësim u fsheh, por ai megjithatë arriti të dalë në shesh, ndërkaq Drazhen Budisha, aleati më i fortë i Raçanit në qeverinë gjashtëanëtarëeshe të koalicionit, kur mësoi lajmin, acaroi seriozisht aleancën e vet me kryeministrin. Budisha përndryshe flet shpesh rreth bashkëpunimit me Hagën. Megjithatë partia e tij, rreth kësaj problematike, nuk ka qëndrime shumë të ndryshme nga këmbëngulësja Bashkësia Demokratike Kroate.
Vëzhguesit e kujdesshëm kurrsesi nuk shohin marrëdhënie idilike të autoriteteve kroate me Gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë. Këto marrëdhënie gjatë qeverisjes së Bashkësisë Demokratike Kroate (BDK) ishin aq shumë të acaruara sa Kroacia, në një moment, shkaku i bojkotimit të bashkëpunimit, ishte kërcënuar seriozisht me sanksione nga OKB-ja. Edhe këtë herë nuk kanë pushuar tonet gjithnjë më të ashpra kroate drejtuar Hagës. Në këtë drejtim shkoi përpara Dr. Goran Graniç, zëvendëskryeministër i Raçanit dhe kryetar i Këshillit për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës. Në një paraqitje mjaft të ashpër, kah fundi i nëntorit, Graniçi dha mjaft vlerësime të cilat kur është në pyetje bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës nuk ishin dëgjuar as në kohën e Tugjmanit. Në një intervistë ai tha: Nuk do të pranojmë të gjitha kërkesat e Hagës edhe sikur të paguajmë me çmimin e sanksioneve të OKB-së!
Vetëm atëherë u bë e qartë se rrjeta e Hagës ishte hudhur mbi një peshk të madh kroat dhe se Qeveria e Raçanit do të gjendej në situatë të palakmueshme. Pushteti i ri është i vetëdijshëm se ardhmëria e tij varet për shumëçka nga veprimet e Hagës – nëse lëshohet fletpadi e Tribunalit ë Hagës kundër gjeneralëve kroat, pushteti do të gjendet në situatë parrugëdaljeje. Tentimi i dorëzimit Mirko Norcit dhe Ante Gotovinës, për të cilët Tribunali i Hagës tashmë ka përgatitur fletpadi, do të krijonte një goditje të të djathtës sa koalicioni gjashtëanëtarësh qeveritar vështirë se do ta duronte. Sepse edhe në rradhët e pushtetit, rreth bashkëpunimit me Hagën, nuk ka pajtueshmëri të veçantë.
Njëkohësisht me botimin e informacionit rreth skadimit të kërkesës së Gjyqit të Hagës, që gjenerali Petar Stipetiç të dëshmonte para hetuesve u shpall edhe pikëpamja e Qeverisë kroate, që në formë të shkruar u dërgua në Gjykatën e Hagës. Fjala është për 13 pika të fuqishme, mund të thuhet edhe kushte, shumë të ngjashme me ato të letrës së zëvendësit të Raçanit, Graniçit, dërguar Tribunalit më 18 nëntor, që u pritën shumë keq në Hagë. Kroacia kërkon që Tribunali i Hagës të hetojë krimet konkrete, e jo aksionet ushtarake legjitime, siç ishin “Blesjak” (“Shkëlqimi”) dhe “Oluja” ( “Stuhia”). Mëtej kërkon respektimin e “kontinuitetit kohor” pra hetimin e krimeve që ndodhën më parë. Kjo do të thotë se Kroacia nuk pranon që më parë të hetohen krimet e mundshme të bëra gjatë “Stuhisë”, ndërkohë që më parë nuk hetohen dhe procesohen krimet e bëra nga APJ-ja gjatë vitit 1991 dhe më vonë gjatë luftës në Kroaci.
Në mesin e kushteve kroate është edhe ai se Tribunali të "udhëhiqet sipas kritereve të peshës së krimeve të bëra, pa marrë parasyshë pozitëne kryerësit në strukturën zyrtare të pushtetit dhe ta braktis qëndrimin e vet për të ndjekur vetëm përgjegjësit në “pozita udhëheqëse ". Ky qëndrim i Qeverisë kroate, siç duket, është përgjigje e drejtëpërdrejtë për thirrjen e Stipetiçit – ai, përndryshe, gjatë kohës së aksionit “Stuhia” , në gusht të 1995 komandoi formacionin e Ushtrisë kroate në sektorin e dikurshëm të OKB-së në veri, që përfshinte rajonin Banisë dhe Kordunit.
Siç është e ditur, (këto të dhëna në mënyrë shumë të dokumentuar i botoi Komiteti kroat i Helsinkut - KKH) në këto aksione, por edhe pas ndërprerjes së operacioneve ushtarake, u vranë 267 civilë kroatë. Në rajonin e sektorit të dikurshëm të OKB-së, në jug, situata ishte edhe më tragjike, sipas të dhënave të KKH, u vranë 410 civilë, që do të thotë se nga aksioni “Stuhia” gjithsejt u vranë 677 civilë.
Edhe pse nuk kishte vërejtje për mënyrën komandimit të operacionit ushtarak nga Stipetiçi (fitoren ushtarake ia uroi edhe komandanti i korparmatës 21 të Kordunit të Ushtrisë së Republikës së krahinës serbe, kolonel Çedomir Bulat) Gjyqi i Hagës mund që fajin e tij ta shohë te përgjegjësia e komandimit. Me fjalë tjera në nenin 7 të statusit të Gjykatës së Hagës (ICTY) thuhet se cenimi i të drejtës ndërkombëtare të luftës të bërë nga të nënrenditurit "nuk e liron nga përgjegjësia atë që qëndron mbi të, nëse ai e ka ditur ose ka pasur mundësi ta dijë se i nënrendituri do të kryejë kësi vepre ose e ka kryer dhe nuk ka marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për pengimin e këtyre veprave dhe dënimin e kryerësve ".
Nga Haga, përndryshe, jozyrtarisht, shumë shpejt arriti reagimi ndaj qëndrimeve të ashpra të Qeverisë të ndërlidhura me bashkëpunimin e mëtejshëm me gjyqin e atjeshëm. Zëvendës kryeprokurori, Graham Bleuit, i cili përndryshe është mjaft i eksponuar sa u përket raporteve Tribunali i Hagës - Kroaci, tha prokuroria “nuk merret me hetimin e legalitetit të operacioneve ushtarake, por me krimet e bëra ". Gjegjësisht, duke polemizuar me kryeministrin Ivica Raçan dhe qëndrimet e tij, të ndërlidhura me konkludimet e qeverisë kroate, Bleuit vlerësimet e tij i karakterizoi "si mospërputhmëri me gatishmërinë e mëparshme të autoriteteve kroate për të bashkëpunuar në këtë drejtim". Nuk e fshehu shqetësimin e vet se komunikimi i Qeverisë dhe Tribunalit të Hagës ka filluar të bëhet haptas, përmes mediumeve.
Në të vërtetë mediumet, duke u thirrur në burime të mirëinformuara, botuan informacionin, të cilin Bleuit e tha përmes aluzionit , se fletpaditë për krimet e bëra gjatë kohës së “Stuhisë” "gati tërësisht janë kryer". Kështu gazeta më e madhe kroate, “Vecernji list” spekulon me emrat e gjashtë gjeneralëve (Mirko Norac, Ante Gotovina, Ivan Korade, Damir Krstiçeviç, Rahim Ademi dhe Mladen Markac), dhe emrin e ish-ministrit të punëve të brendshme Ivan Jarnjakut. “Veçernji list” pohon se nuk është i njohur në tërësi as sfondi i thirrjes së gjeneralit Stipetiç, i cili mundet që nga dëshmitari i tanishëm të shndërrohet si i akuzuar i Hagës.
Qeveria kroate tani gjendet në një situatë të papërshtatshme dhe në të vërtetë paguan edhe një këst të mbetur nga pushteti i dikurshëm i Tugjmanit. Sikur krimet e luftës, pas operacionit “Stuhia”, t'i ishin nënshtruar procesit kurse fajtorët të ishin dënuar, tani situata nuk do të ishte kështu. Për Raçanin dhe Qeverinë e tij do të jetë shumë vështirë të kumtojë fletpadinë e Tribunalit të Hagës kundër gjeneralëve kroatë. Pa marrë parasyshë se çka bërë deri atëherë, do të gjendet në një gjendje parrugëdalje – refuzimi i dorëzimit të gjeneralëve të kërkuar do të thotë barazim i pozicionit të vet me atë të kohës së BDK-së, kurse kjo praktikisht nënkupton izolim të sërishëm të Kroacisë. Në rast se do të dorëzojë gjeneralët në Hagë e djathta këtë do ta interpretojë si akt të tradhëtisë kombëtare dhe me siguri do të gjejë përkrahje në opinionit e gjërë publik, të radikalizuar, i bindur me vite të tëra se kroatët, në luftën çlirimtare, nuk kanë mundur të bëjnë krime lufte.
Deklarata e Graham Bleuitit se Gjykata ndërkombëtare e Hagës këtë vit nuk do të bëjë asnjë aktakuzë është vetëm një ngushëllim i brishtë për Raçanin dhe Qeverinë e tij. Kjo paraqet një pushim të vogël dhe të shkurtë. Deri në fund të vitit kanë ngelur edhe tre javë jo të plota kurse fillimi i vitit 2001 për Raçanin dhe ministrat e tij do të paraqesë një ankth të vërtetë nate.
AIM Zagreb
DRAGO HEDL