Kisha, shteti dhe kufinjte

Beograd Dec 15, 2000

AIM Beograd, 13,12. 2000

Opozita Demokratike e Serbisë (DOS) - në pushtet në RF të Jugosllavisë, pjesëmarrëse në qeverinë kalimtare të Serbisë - ende gëzon statusin e simpatizuesit të opinionit dhe favoritit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. “Ende gëzon” mund të lexohet dhe komentohet në shumë mënyra. Një pjesë e opinionit është e pakënaqur me grindjet e vazhdueshme brenda koalicionit fitimtar të 18 partive, kurse pjesa tjetër mendon se mospajtimet publike në të vërtetë shprehin thellësinë dhe seriozitetin e ndryshimeve politike pas zgjedhjeve të shtatorit. Për grindjet në gjirin e strukturave të regjimit të Millosheviqit u kuptua, sipas traditës së njohur bollsheviko- inkvizatore, vetëm pas ekzekutimit të të padëgjueshmëve. Në këtë aspekt, një pjesë e liderëve politikë dhe një numër i caktuar i analitikëve të politikës serbe thuaj se memzi presin çastin e rënies së DOS -it, përkatësisht Opozitës Demokratike serbe. Sepse, sipas tyre, vetëm pas ndarjes së monarhistëve dhe republikanve, demokratëve qytetarë dhe nacional, centralistëve dhe regjionalistëve - më shkurtë të gjithë atyreve të cilët i ka tubuar vetëm qëllimi për rrëzimin e Millosheviqit - do të fillohet me detyrat serioze të rindërtimit të vendit sipas standardeve të njohura në botë.

Motivi kryesor për formimin e një koalicioni të tillë të larmishëm, Sllobodan Millosheviq-i, është gjallë dhe, mbase shëndoshë. Për vendbanim ka zgjedhur “Shtëpinë e bardhë” në rrugën Uzhiçka nr.15, jo larg rezidencës të cilën gjatë vitit të kaluar e raketoi NATO. Nuk dihet shkaku pse vallë nuk e shfrytëzon ndërtesën në Tolstoje 33, përveç nëse merren parasysh adaptimet e mëdha ndërtimore të asaj “shtëpie familjare”. Sipas fjalëve të disave, Millosheviqin e mbron një sigurim mjaft serioz dhe, sipas vlerësimit të javores beogradase “Vreme” shkak për këtë mund të jetë edhe mbrojtja e familjes nga klientët dhe organizatat me të cilat “bashkëpunoi me sukses” i biri i Millosheviqit, Marko, gjatë disa viteve të kaluara.

Pritjet se menjëherë pas 5 tetorit fituesit do të ngriheshin në “pastrim rrënjësor të shtetit” nuk u realizuan, madje as në nivelin e simbolit të regjimit të Millosheviqit. Udhëheqësit e ushtrisë dhe të sigurimit shtetror, gjeneralët Nebojsha Pavkoviq dhe Rade Markoviq, jo vetëm që mbetën në vendet e tyre, por, përkundrazi, u angazhuan dukshëm në krizën në jugun e Serbisë. Disa sisteme kryesore për mbajtjen e jetës normale - furnizimi me rrymë dhe ngrohje, në këtë kohë më të rëndësishmit- po funksionojnë diç më dobët se në kohën e bombardimeve të NATOs. Lufta për ndryshimet kadrovike në vendet e rëndësishme nga të cilat varej pranimi i ndihmës së jashtme prioritare, pa të cilat vihet në pyetje pothuaj edhe ekzistenca, është e qartë se po bëhen më shumë për shkaqe të interesave parciale të antarëve të koalicionit fitimtar.

Atmosfera e nxehur me rastin e sulmit të një numri të pacaktuar të të ashtuquajturve anëtarë të Ushtrisë çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (UÇPBM) nga Kosova në teritorin e Serbisë po qetësohet vetëm në bazë të deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit të ri jugosllav. Nuk ka më kërcnime me krisje armësh nga njësitë e shumta të specialcave të llojllojshëm të policisë dhe ushtrisë, si edhe ultimatume të NATOs drejtuar forcave të cilat sigurojnë kufirin e Kosovës me Serbinë. Njësitet amerikane, të autorizuara për atë pjesë të teritorit të Kosovës, detyrën nuk e kanë bërë ashtu si kërkohet: pyetja mbetet hapur vallë do ta bëjnë ashtu si duhet edhe në të ardhme - duke mbajtur llogari për jetën dhe sigurinë e ushtarëve të vet .

Deklaratat luftarake të disa liderëve të DOS-it kryetari i RFJ Vojisllav Koshtunica i qetësoi me hudhjen e përgjegjësisë për sigurimin e gjendjes në atë regjonin të zonës tokësore mbi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe NATOs, përkatësisht - me ftesën në biseda drejtua Ibrahim Rugovës - ndaj liderëve shqiptarë të Kosovës.

Përfaqësuesit kryesorë dhe organizatat e bashkësisë ndërkombëtare për incidentet në rrethinën e Bujanocit dënuan “ forcat ekstreme” të shqiptarëve të Kosovës, mirëpo Ibrahim Rugova refuzoi ftesën për bisedime me deklaratën se “ende nuk është koha”. Këshilli i Sigurimit dhe NATO iu bashkuan dënimit të shkaktuesve të incidenteve, por, njëkohësisht, iu larguan mundësisë së ndryshimit të atyre pjesëve të Rezolutës së KS 1244 dhe marrëveshjes së Kumanovës të cilat rregullojnë çështjen e kompetencës të sigurimit të zonës tokësore të gjerë pesë kilometër në teritorin e Serbisë në kufi me Kosovën.

Duke hudhur topin në duart e faktorit ndërkombëtar dhe te grindjet brendashqiptare në relacionin Rugova - Thaçi, Vojisllav Koshtunica i ftoi të gjithë politikanët në vend që të përmbahen nga “ deklaratat e pamatura dhe thirrjet luftarake”, duke theksuar se “nuk është koha për luftë, por për akcion të urtë diplomatik”, për domosdoshmëri të zgjidhjes paqësore të të gjitha problemeve. Disa nga mjedisi i “luftarakëve” të dëshmuar Zoran Xhinxhiqin e dalluan si atë që do të udhëheq qeverinë e Serbisë pas zgjedhjeve të 23 dhjetorit, kurse të tjerët për tërheqjen jo të sqaruar mirë të policisë nga pikat kontrolluese në rrethinën e Bujanocit dhe nxitjen e mëvonëshme të atmosferës luftarake akuzuan përkrahësit e regjimit dhe policinë e Millosheviqit të rrëzuar.

Për dallim nga gjendja në jugun e Sërbisë, problemi i marrëdhënieve të Malit të Zi dhe Serbisë ka kohë që tejkaloi nivelin e incidentit duke u shndërruar në garë politike të liderëve malazez lidhur me ndryshimet demokratike në Serbi. Për dallim, poashtu, nga incidenti në Bujanoc dhe Preshevë - i cili në një rast shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit në magjistralën rrugore dhe hekurudhore Beograd - Selanik, mosmarrëveshja serbo- malazeze nuk është vënë nën kontroll dhe nuk është e qartë se a do të vihet ndonjëherë.

Hulumtimet e opiniot publik të posttetorit, në një mënyrë, edhe më tutje vërtetojnë simpatinë e qytetarëve ndaj fituesve, mirëkuptim për gjendjen gjatë sëcilës zgjidhja e disa problemeve të rëndësishme as që mund të fillojë para konstituimit të Kuvendit të ri të Serbisë në janar të vitit 2001, por as edhe përkrahjen e qartë të opozitës së deridjeshme të bashkuar. Rejtingu i veçantë i antarëve të DOS-it u zmadhua pas fitores në zgjedhjet e shtatorit. Nga ato, siç duket, më së shumti përfitoi Partia Demokratike serbe e Koshtunicës. Është e pamundur, ndërkaq, të jepen të dhëna të sakta për numrin e antarëve të rinj, si edhe të dhëna për numrin e zvogluar të antartëve të SPS-it, qoftë edhe për shkak të formimit të dy partive të reja socialiste, qoftë për shkak të “kalimit” të tyre në rradhët e fituesit. Sa u përket sulmuesve të deridjeshëm të Millosheviqit, të majtës jugosllave, në ditën para skadimit të afatit për dorëzimin e fletëve të votimit, ata nuk mundën të tubojnë as gjysmën e 10 mijë nënshkrimeve të nevojshme.

Në një atmosferë të tillë Vojisllav Koshtunica ndau mendjen dhe në ditën e festës së Shfaqjes së Shën Mërisë, më 3 dhjetor, privatisht vizitoi manastirin Hilandar në Sveta Gorë. Besimtarët e vjetër ortodoks, por sidomos edhe të rinjtë, fituan një shkas më shumë për simpatinë ndaj kryetarit të ri jugosllav. Poashtu edhe ndaj Kishës ortodokse serbe (SPC), e cila haptas e përkrahte DOS-in në çastet e paqarta pas zgjedhjeve të tetorit. E keqja, ndërkaq, ishte në atë që në vizitë private bashkë me kryetarin e RFJ udhëtoi jo vetëm kryetari i qeverisë federale Zoran Zhizhiq, por edhe 17 ministrat federativ!

Kjo sasi e “privates kolektive” shkaktoi reagime të ndryshme si tallje me pyetjen mos vallë “Voja është ajatollah” deri te dyshimi se si RF Jugosllave e udhëheq “ qeveria fundamentale orthodokse”. Kjo vizitë edhe një herë dhe me seriozitet të madh ndezi diskutimet lidhur me statusin e SPC ( Kishës Ortodokse serbe) në Jugosllavinë demokratike. Qarqet kishtare, mbase duke pritur diç si “ ndihmë për ndihmë” shpesh dhe zëshëm insistojnë për futjen e religjionit në shkollat fillore dhe të mesme, përkatësisht përfshirjen e Fakultetit teologjik në gjirin e Univerzitetit të Beogradit. Pas takimit me ministrin federal të feve më 5 dhjetor, peshkopi mbrojtës Ignjatije në konferencën për shtyp kumtoi qëndrimin e kishës se mësimi fetar duhet të jetë lëndë e obligueshme, duke plotësuar se kjo nuk do të thotë që mësimi fetar do t'u imponohet të gjithëve. Mirëpo, sipas fjalëve të tij, në fillim të vitit shkollor prindët do të përcaktohen vetëm me zgjedhje negative - vetëm në rast se nuk e dëshirojnë mësimin fetar për fëmijët e vet. Ministri kompetent vlerësoi se si ishte “ e tepërt të flitej për atë se vallë duhet të futet mësimi fetar në shkolla sepse kjo i takon domenit të të drejtave njerëzore”, duke shtuar se ishte kryesore që të gjendej modeli i përshtatshëm, “ nga shkaku se shteti ynë është ambient multikonfesional”.

Kundërshtarët më të zjarrtë të nisjativës së sipërpërmendur kishtare janë organizatat joqeveritare të cilat veprojnë në lëmin e të drejtave njerëzore dhe një numër jo i vogël i personave publikë të cilët theksojnë faktin se çështja e fesë është punë private e qytetarëve, kurse shteti laik ka kohë që është bërë standard i fituar demokratik. Përmbajtja apo frenimi postkomunist në gjykimin e sjelljes së kishës gjatë dekadave të kaluara ose në ngjarjet më të reja përkufizon dhe mjegullon qartësinë e palëve në konflikt. Në plan të parë theksohen problemet multikonfesionale dhe të barazisë së feve, madje edhe mësimit fetar eventual.

Lidhur me këtë, një përgjigje mjaft e qartë erdhi nga qarqet universitare: teologjia në univerzitet - mundet, mirëpo me kusht që Fakulteti teologjik, programi i tij dhe studentët të plotësojnë standardet univerzitare. Nga ana e teologjisë ortodokse ende nuk ka përgjegjje lidhur me atë se çfarë mendon për zgjedhjet dhe rizgjedhjet në shkallët profesionale arsimore, bazën shkencore, vlerësimin dhe kritikën e punës hulumtuese arsimore.

AIM Beograd

ALEKSANDAR QIRIQ