Lojërat e luftës
AIM Beograd, 7.12.2000.
“E qetë, por e tensionuar, me gjuajtje të herëpashershme me projektile minahedhëse” – është thelbi i raporteve gazetareske nga Serbia jugore, gjegjësisht nga zona e sigurisë me Kosovën. Problemet në të ashtuquajturën "zonë e sigurimit për këmbësori", e gjërë pesë kilometra dhe e gjatë 25 kilometra filluan menjëherë pas definimit të marrëveshjes ushtarako-teknike në Kumanovë, të arritur pas ndërprerjes së luftës në Kosovë. Në Marrëveshje është e definuar që Ushtria Jugosllave të mos mund të hyjë në tampon-zonën, kurse policët aty mund të hyjnë në numër të kufizuar dhe të armatosur vetëm me pushkë automatike dhe pishtoleta. Në Marrëveshje nuk u përmend Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës (UÇPBM) pjesëtarët e së cilës, pra kësaj organizate ilegale të shqiptarëve, gati se lirisht sillen në zonën e sigurisë duke i sulmuar punktet policore serbe.
Nga 23 nëntori deri më 3 dhjetor të këtij viti, në përleshjet e armatosura, kanë humbur jetën 100 civilë dhe njëqind pjesëtarë të forcave serbe dhe UÇPBM.
Në incidentet e fundit, më 3 dhjetorë, pjesëtarët e UÇPBM shkrepën katër projektile nga minahedhësit duke gjuajtur patrullën policore në zonën e sigurisë, por fatmirësisht nuk arritën ta qëllojnë.
"Kjo është përgjigje ndaj krismave të fshehta nga snajperët me neutralizues zëri që plagosën tre pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar", sqaruan burimet shqiptare nga Kosova duke transmetuar fjalët e Muhamet Xhemailit, njërit nga komandantët e UÇPBM në fshatin Muhovac me të cilin bisedoi gazetari i Frans press-it.
"Ne asnjëherë nuk e kemi cenuar armëpushimin dhe nuk kemi gjuajtur në shqiptarë ", përgjigjen pjesëtarët e MPB-së në kumtesën dhënë agjencisë "Beta". Natyrisht, gënjejnë edhe njëra palë edhe tjetra. "Para ca kohësh, pa mos pritur shumë gjatë, edhe ne gjuajtëm ndaj shqiptarëve me tre projektile 120 milimetërshe. Ushtarët e KFOR-it neve na thirrën në telefon pas dhjetë minutash dhe na bënë me dije që të ndërpresim duke na paralajmëruar se ne jemi vendosur në pozicionin, prej ku duhej menjëherë të largoheshim ", pranuan pjesëtarët e Njësisë së Veçantë të Policisë (NJVP) në punktin afër fshatit Luçani përmes së cilit kalon vija ndarëse mes zonës dhe Serbisë jugore.
Një nga thyerjet më të mëdha të armëpushimit ndodhi mes 22 dhe 23 nëntorit kur ushtarët e UÇPMB befas sulmuan me projektile minahedhëse dhe armë zjarri pjesëtarët e MPB-së në punktin kontrollues në fshatin Koncull dhe kolegët e tyre në istikamet përmbi fshatit Dobrosin në zonën e askujt (tampon – zonë). Ishte natë dhe askush nuk pa se sa sulmues morrën pjesë. Sipas pohimeve të para, të marra nga organet kompetente dhe jokompetente, ishin ndërmjet 400 deri 4.000. Por kjo s'ka rëndësi: katër policë të NJVP-së nga Gornji Milanovci u vranë. Përforcimi nuk u arriti në kohë, nuk funksionoi diçka në sistemin e lidhjeve, prandaj u desh të iknin përmes hapësirës së pastruar. Ata që i ikën vdekjes dhe plagosjes nëntë orë e kaluan në mal dhe pasi nuk e njihnin terreni të nesërmen arritën në Bujanovc.
Policët në punktin kontrollues Koncull, fshat ku kalon rruga për në Kosovë, gjithashtu u detyruan të lëshonin bazën e tyre për të shpëtuar nga projektilet e minahedhësve. Prej atëherë gjërat filluan të jenë serioze: Shqiptarëve iu dha afat që brenda dy ditëve të tërhiqeshin nga zona e sigurisë, kurse në rast se nuk e bënin këtë, do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Se kush e mendoi këtë dhënie afati askush deri më sot nuk e di: Qeveria e Serbisë ose Ministria e Punëve të Brendshme. Duket se megjithatë ata ishin marrë vesh. Sido që të jetë pjesa tjetër e banorëve shqiptarë me shpejtësi u shpërngul në Kosovë, kurse serbët e paktë u nisën për në thellësi të Serbisë. Ushtria dhe policia u nis drejt Bujanovcit e udhëhequr nga gjeneralët që kanë përvojë të madhe në humbjen e luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Kolonat e tanksave, mjeteve të blinduara, kamionëve me ushtri dhe polici, me kuzhina improvizuese dhe me teknikë tjetër u nisën drejt tehut të zonës së sigurisë për të marrë pozicione, të gatshëm të sulmonin pas kalimit të afatit. Megjithatë, kolona e tankseve gjatë udhëtimit kishte disa probleme: në rrugën nga Vranja deri në Bujanovc (17 km) katër tankse T54, të prodhimit rus, mbetën skaj rrugës shkaku i motorave të dëmtuar.
Garnizoni ecte pupthi krahas tyre duke pritur të vinin maunet që t'i dërgonin këto mbeturina në riparim. Këta tankse dukej sikur kishin marrë pjesë në betejën e Kurskit në verën e vitit 1943. U shfaqën edhe forca të ndryshme speciale të policisë, në mesin e të cilave Njësia për Operacione Speciale (NJOS) dhe Njësia Speciale Antiterroriste (NJSA), të dyja të njohura deri tani për shpërndarjen e qytetarëve gjatë thyerjes brutale të demonstruesve në rrugët e Beogradit. Banorët e Bujanovcit, Preshevës, Medvegjës dhe rrethinës thuajse nuk u habitën fare: kafenetë ishin përplot njerëz, nëpër rrugë dhe shitore bisedohej për problemet e përditshme, duke përmendur rrallë luftën e mundshme, të paralajmëruar. Thjesh, nuk i "pranuan” trumbetimet e luftës në shumë TV stacione dhe raporte gazetareske që ngjan me atë mahnitje tashme të harruar dhe me ato bori lufte gjatë kalimit të ushtrisë sonë në Kroaci. Banorët eshikonin këtë ushtri dhe polici të fuqishme me gjakftohtësi dhe pa frikë. Sikur bëhej fjalë për disa manovra që thenin monotoninë provinciale. Politikanët e Opozitës Demokratike të Serbisë (ODS) mbajtën fjalime në Bujanovc para më shumë se njëqind qytetarëve, ku fjalët plot “efekt” u përshëndetën me duartrokitje, përndryshe, nuk është aspak çudi në të ardhmen në Bujanovc në zgjedhjet lokale të fitonte JUL i prirë nga duartrokitjet gjatë fjalimeve të krerëve të saj. "Jo, nuk u frikësohemi shiptarëve, por atyre njëzet serbëve, llomit të fundit në qytet, që vetveten e shpallën si pushtet. Ja atje, fare afër në Baticë i flet popullit, e nuk e din se në çfarë shoqërie është ", thotë Fidanka Dejkoviç nga Bujanovci duke miratuar zonjën plakë Stane Mladenoviç e cila shton: "Nëse ata e marrin pushtetin, mjerë për ne".
Të dielën më 27 tetor nënkryetari i qeverisë kalimtare Nebojsha Çoviç, pas bisedimeve disaorëshe me "punëtorët shoqërorë – politikë të Bujanovcit” doli nga stacioni i policisë dhe gazetarëve të mbledhur ua kumtoi se afati i dhënë nuk vlen dhe “kemi kërkesë nga vet KFOR-i që të mos flitet me gjuhën e afateve dhe ultimatumeve, por me gjuhën e diplomacisë dhe marrëveshjes”. Ky lajm menjëherë morri dhenë në qytet, por nuk kishte as hidhërim, as entuziazëm. Në kafenenë e vetme në qendrën e Bujanovcit u komentua gjithçka brenda kuadrit të një mendimi të përgjithshëm "se vetëm budallenjtë mund të mendojnë se Serbia sërish do të luftojë kundër NATO-s, që natyrisht, është në anën e shiptarëve (shiptari-term për shqiptarët)”. Banorët e Bujanovcit nuk u shqetësuan as kur në gazetën më të vjetër në Serbi u botua lajmi se kryetari i Amerikës ka dërguar terroristët e vet për ndihmë shqiptarëve ("Terroristët e Hashim Thaçit dhe Bil Klintonit as mbrëmë nuk shkrepën asnjë plumb ndaj forcave jugosllave”, "Politika", e diel 3 dhjetor).
Demonstrimi i fuqisë ushtarake vazhdoi krahas aktiviteteve diplomatike të RFJ që dhanë më shumë rezultate pozitive: gjithë shtetet perëndimore e akuzuan UÇPMB me premtimin se do të insistojnë në mbylljen hermetike të kufirit të Kosovës me zonën demilitarizuese me çka pjesëtarët e UÇPMB-së nuk do të mund të shkaktonin incidente. Megjithatë, në punktet kontrolluese pjesëtarët e MPB-së kishin edhe mëtej kujdes. I vizituan edhe gjeneralët e ushtrisë dhe policisë duke i trimëruar që të qëndronin në gatishmëri, ndërkaq që të mos ishin grumbulluar foto-reporterët nuk do të ishte përjetësuar ky takim në terren. Gjenerali i buzëqeshur i MPB-së republikane Obrad Stevanoviç, në përcjellje të eprorëve të lartë, ua uroi pjesëtarëve të NJVP-së gjendjen e gatishmërisë luftarake: "Çdo respekt , treguat se jeni trima ". Pas shkurjes së gjeneralit policët vunë re “Gjysma e kolegëve tanë nga Shabaci nuk guxuan të vinin këtu pikërisht shkaku Obradoviqit. Ai neve gjithmonë na ka mashtruar duke sforcuar të përkëdhelurit e vet të cilët më pas bëhen heronj të ashtuquajtur”
Vijës kufizuese i ka shkuar rrotull rregullisht edhe gjenerali i Sigurimit Shtetëror të Serbisë Radomir Markoviçi me njësinë e tij NJOS, që për herë të parë doli para opinionit publik, i cili deri dje ishte një nga mbrojtësit më të zjarrtë të regjimit të familjes nga Dedinja. Komandanti i saj gjatë tërë vitit fsheh emrin mu si të nënshtruarit e tij; që sipas disave vjen shkaku i Karla del Pontes e cila vëzhgon zgjuar dhe e pret në Hagë shkaku i krimeve ndaj civilëve dhe konfrontimeve në Kosovë. Mbështetet në disa krerë të ODS-së në pritje se do të vendosin policë legalë të cilët edhe kësaj rradhe do të mbrojnë kreun pushtetor.
Ekziston mendimi i përgjithshëm se situata në Serbinë Jugore po qetësohet përkundër incidenteve të herëpashershme të një intensiteti të vogël, kështu që këtyre ditëve personat e ikur nga këto vise filluan të ktheheshin nëpër shtëpi. Emisari i lartë për refugjatë Piter Dek kumtoi me 5 dhjetor se rreth 600 shqiptarë nga Serbia Jugore, që ikën në Kosovë, u kthyen në shtëpitë e tyre.
"Kthimi filloi në fshatrat Tërnovci i Madh, Koncull dhe Luzhanë. Njerëzit ndjehen të sigurtë shkaku i procesit politik", tha Dek dhe shtoi se megjithatë një numër i vogël shqiptarësh vijnë në Kosovë shkaku i pranisë së shtuar të forcave ushtarake dhe policore serbe. Ai, shtoi gjithashtu se në Kosovë momentalisht gjenden 4.300 shqiptarë nga Serbia Jugore.
Të hënën më 4 dhjetor sërish erdhi deri tek një incident i vogël kur pjesëtarët e UÇPMB shkrepën dy plumba nga snajperi. Askush nuk u vra, por kjo shtoi tensionet veçmas tek politikanën luftëdashës. Zoran Gjingjiç ua tërhoqi vërejtjen seriozisht shqiptarëve dhe u dha afat: "Do të presim deri më 23 dhjetor, kurse pas kësaj nuk do të presin asnjë ditë". Ai asgjë nuk tha se ç'do të ndodhë pas kësaj nëse nuk tërhiqen, por kjo mund të merret me mend.
E pakryer mbeti edhe fjalia e ministrit federal të Punëve të Brendshme, Zoran Zhivkoviçit thënë për agjencinë "Beta": "Ne mund të durojmë ende, për kohë të caktuar..." As ai nuk nuk zbuloi se çka do të ndodhte kur "do të humbim durimin". Kryetari i RFJ Vojisllav Koshtunica i hidhëruar shkruan letër të hapur për politikanët tanë "që të përmbahen nga deklaratat e pamatura dhe kushtrimet sepse kjo nuk është kohë për luftime, por për aktivitete të mençura diplomatike... Nuk kemi të drejtë për kushtrime në këtë shtet të varfëruar ", shkruan Koshtunica me shpresë se do të vetëdisojë ithtarët e luftës.
AIM, Beograd
JOVAN DULOVIÇ