Demagogjia si mënyrë jetese
AIM Beograd, 6. 12. 2000.
"Kur do të ndodhin te ne ndryshimet", është pyetje që gjithnjë më zëshëm dhe më hapur parashtrohet nga qytetarët e Serbisë. Për ata që për realitetin politik nuk flasin nga këndi i fituesit apo humbësit, të cilët zgjidhjen nuk e shohin në burgosjen e atyre që gjatë dhjetë viteve të fundit vendin e çuan në katandisje, njëkohësisht që nuk u besojnë verbërisht atyre që erdhën në pushtet, pra premtimeve të tyre se gjithçka do të jetë ndryshe nga paraardhësit e tyre, përgjigjen më të mirë ua dha një i huaj. Karl Lamers, anëtar i parlamentit federal të Gjermanisë dhe zëdhënës i politikës së jashtme të fraksionit CDU/CSU duke sqaruar se si i kupton ndryshimet në Serbi pas 5 tetorit, para disa ditësh, tha qartë se "qëllimi i demokracisë së lirë, prosperuese dhe e tregut të lirë, doemos duhet të jetë demokratizimi i institucioneve jo vetëm politike por edhe në ekonomi dhe shoqëri, një revolucion i njëmendtë në struktura dhe në kokë". I përkthyer në gjuhën e rëndomtë nënkupton se deri tek ndryshimet do të arrihet në të vërtetë atëherë kur do të vijnë ndryshimet në kokën e atyre që janë në skenën politike, por edhe te qytetarët.
Siç rrjedhin gjërat, ardhja deri tek ky qëllim është mjaft i pasigurtë, veçmas po ta marrim parasyshë faktin se sa demagogji ka zënë myshk në këtë shoqëri. Duke votuar për Opozitën Demokratike të Serbisë (ODS) në zgjedhjet federative dhe lokale dhe për Voisllav Koshtunicën si kandidat për kryetar, qytetarët, në të vërtetë, u mjaftuan me faktin se me "përpjekje të vogla" do të presin përparim. Sipas analizave të opinionit publik edhe pas dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve federative edhe mëtej kanë mirëkuptim për vështirësitë me të cilat sfidohet ODS në nivelin republikan dhe federativ. Megjithatë kjo nuk do të thotë se durimi i tyre ka kufi. Matja e këtillë në peshojë megjithatë nuk duhet të jetë kurfarë shkaku i rëndësishëm. Përkundrazi. Është shumë e rëndësishme, të themi, atë që analistët e mendimit publik e hetojnë që tani - "shtimin e ndjeshmërisë ndaj demagogjisë, pa marrë parasyshë se nga cila anë vjen". Kjo vërteton edhe anketat kalimtare të bëra në rrugë që e kumtojnë mediumet elekronike. Për shembull, menjëherë pas seancës së fundit të Dhomës së qytetarëve të Kuvendit federal u tregua se qytetarët, kryesisht, nuk e ndoqën seancën e transmetuar drejpërdrejtë. Nuk zgjoi aq shumë interesim as ajo se çfarë thanë atë ditë deputetët. Sqarimi përmblidhej në fjalinë "e dijmë mirë se cili nga ata çfarë do të thotë", ose "mjaft i kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve ". Megjithatë gjithë shikuesve ua tërhoqi vëmendjen detaji i dyfishimit të rrogave të deputetëve.
Këtë fakt e paraqiti Ivica Daçiç, deputet i Partisë Socialiste Serbe, i cili përmes një komenti cinik "falemnderoj zotin Dinkiç ose ndonjë tjetër që neve deputetëve këtyre ditëve na e dyfishuan rrogën. Por nga kjo kemi dobi vetëm ne të pushtetit apo të opozitës, por jo edhe populli". Nëse dikush pas kësaj paraqitje të Daçiçit mbase ka mundur të presë vrasje ndërgjegje, të themi se mohimi i rritjes së të ardhurave mujore në dobi të përmirësimit të kushteve për fëmijët e retarduar, për të cilët një natë më parë televizioni shtetëror tregoi fotografi të tmerrshme, është mashtruar shumë. Njeriu nga vet kreu i pushtetit të dikurshëm haptas nuk mundi të ik nga sjelljet e tij. Për atë nuk ishte më e rëndësishme se kush do të jetë guvernator i Bankës Popullore të Jugosllavisë, kur nuk është më njeri i tyre, nuk u ndie aspak fajtor se të ardhurat e deputetëve deri atëherë ishin 150-200 DM.
Qëllimi i tij i vetëm ishte që deri tek qytetarët, të cilët ndiqnin xhirimin televiziv, të zgjohej pakënaqësi për veprimin e pushtetit të ri që u angazhua për dyfishimin e rrogave të deputetëve.
"Një paraqitje e këtillë është krejtësisht demagogjike", vlerësoi kryetari i Këshillit të qytetarëve Dragoljub Miçunoviç, i cili gjatë gjithë këtyre ditëve u ballafaqua ashpër me deputetët socialist dhe radikal që "në përputhje me rregulloren ta mbajnë rendin e ditës ". Në këtë drejtim nuk pati shumë sukses, shkaku se foltorja parlamentare, tashmë kaherë, saherë që ka xhirim të drejtpërdrejtë, shfrytëzohet për fushatë partiake parazgjedhore, pa asnjë druajtje për asgjë.
Kështu të njëjtit që vendin e çuan në luftë, kurse populli iu nënshtrua sulmeve të NATO-s, ndërkohë që asnjëherë në parlament nuk e diskutuan çështjen e Kosovës, bëhen menjëherë luftëtarë "të zjarrtë" që sa më parë të bisedohet rreth zhvillimeve në jug të Serbisë dhe veprimtarisë së terroristëve shqiptarë në luginën e Preshevës, sepse "interesi nacional është në atë gjendje që të mos pritet asnjë informatë komplete të qeverisë federale për këtë". Për të njëjtat forca diskutimet rreth formimit të qeverisë së re federative për “pikëpamjet nacionale" ishin shumë më të parëndësishme se diskutimet rreth "barbarisë dhe egërsisë së Opozitës Demokratike Serbe ose turmës në puçin e 5 tetorit, me djegiet e ndërtesës së Kuvendit dhe Televizionit, për të ashtuquajturit shtabet e krizës ose komiteteve revolucionare që me armë dogjën ndërmarrje dhe banesa dhe ndërruan udhëheqësinë e zgjedhur legalisht".
Ata për të cilët rendi juridik, kushtetuta dhe ligjet me vite u shfrytëzuan si mburojë për të bërë çfarë të dëshironin, për çka populli votoi ashtu siç votoi, paraqiten tani si "mbrojtës të rendit", pohojnë se gjithçka duhet bërë ashtu siç e parasheh ligji.
Ky veprim i tyre, natyrisht, për një pjesë të popullit është shumë i dukshëm. Qytetarët kanë vënë re se "atë që e flasin socialistët dhe të JUL-it menjëherë e marrin radikalët dhe anasjelltas, e pas tyre edhe Vuk Drashkoviqi". Kështu si kusht për formimin e qeverisë kalimtare të sociaalistëve shtruan shqyrtimin e vendimit për shtabet e krizës, ku radikalët kërkuan që "për komitetet revolucionare të formohej këshill anketues", kurse Vuk u kënaq me këto dhe përherë paraqitet se si "trishtohet nga partizanizmi që e hasi pas kthimit nga Mali i Zi në Beograd".
Pas kësaj ai pyeti, në disa paraqitje televizive, se "pse Opozita Demokratike e Serbisë (ODS) bën kontrolle vetëm në ato ndërmarrje ku ka para që nuk ndodh me ndonjë fabrikë tekstile për të ndihmuar punëtorët që marrin rroga nga 200 denarë". Radikalja Maja Gojkoviq ndërlidhet me këtë pyetje të Drashkoviqit dhe kritikon "ndërhyrjen e Dinkiqit në Bankën Popullore të Jugosllavisë me persona të armatosur dhe me shtetas të huaj detaje këto për të cilat do të informojë parlamentin" dhe pyet "përse ODS dhe Dinkiqi nuk hyrën në ndonjë lokal argëtimi e pikërisht në Bankën Popullore të Jugosllavisë". Natyrisht, Maja Gojkoviq ashtu sic tha edhe vet "nuk ka të drejtë të mos besojë në kuadrin e JUL-it Zhivko Shokolovackin, kur thuhet se mik i ngushtë i tij është Dushko Vlatkoviç mund ta marrim me mend se si është dukur ajo ndërhyrje me armë". Demantet e ish-guveratorit të Bankës Popullore të Jugosllavisë, Dushan Vllatkoviç, para dhe pas këtyre deklarave, se Mlladen Dinkiq ka ndërhyrë me persona të armatosur në BPJ, askush nuk i merr në konsideratë. Gënjeshtrat për personalitetin e guvernatorit të ri nuk mundën ta pengonin zgjedhjen e tij, por, sipas vlerësimeve të tyre, arritën që të fitonin ndonjë poen politikë për zgjedhjet.
Politikajtë e ish-regjimit konsiderojnë se në Serbi asgjë nuk ka ndryshuar në raport me shtatorin e këtij viti, përveç se "kushtet zgjedhore asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija tani në prag të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Serbi", e kjo matet eksluzivisht sipas pjesëmarrjes së tyre në ditarin e TV Serbisë. Sipas fjalëve të Drashkoviqit TV Serbia deri tani është "ODS-Bastila" ku edhe në bllokun partiak të “Kronikës zgjedhore” shkurtohen raportet e Partisë Serbe të Ripërtrirjes që nuk janë sipas vullnetit të pushtetit. Partia Socialiste Serbe dhe Partia Radikale Serbe konsiderojnë se nuk mund të paraqiten në ekrane edhe pse nuk tregojnë se kush ua ndalon këtë, kurse JUL ankohet se askush nuk e ka ftuar që të nënshkruajë marrëveshjen për prezentim të barabartë të partive. "TV Serbia është më e keqe se sa kur ishim ne në pushtet, që neve na konvenon, sepse kështu do të fitojmë shumë lehtë kur populli do ta shohë se si janë ata që na zëvendësuan" pohon Ivica Daçiç në një paraqitje në TV Serbinë, në të njëjtën kohë kur Shoqata e Gazetarëve të Serbisë nga rradhët e veta e përjashtoi kryeredaktorin e deridjeshëm të TV Serbisë Milorad Komrakovin sepse "është përgjegjës objektiv për dezinformimin disavjeçar dhe mashtrimin e opinionit publik si dhe cenimin e profesionit për interesa të ngushta të partive dhe kreut politik, që është në kundërshtim me principet themelore të profesionit të gazetarit".
Atë që nuk e shohin pjesëtarët e regjimit të dikurshëm ose partitë e opozitës që dështuan në zgjedhje e shohim megjithatë qytetarët të cilët qartë dëshmojnë se as liderët e ODS nuk janë imun nga deklaratat dhe veprimet demagogjike. Kështu, të themi, konsiderojnë se ata që me gisht tregonin se si në këshillin drejtues qëndronin ministra të regjimit të vjetër dhe krerë të partisë pushtetore, i lejojnë vetes që ministri i ri federal i telekomunikacionit të ulet në Këshillin drejtues të "Politikës", sepse ky potez forcave humbëse në zgjedhjet e shtatorit mund tu shërbejë si argument para qytetarëve se "edhe ato janë të njëjtë", dhe paraqesin mosrespektim të drejtëpërdrejtë të premtimeve për reforma.
Mospajtimet që u paraqitën brenda ODS rreth ndërrimit të krerëve udhëheqës të Ushtrisë Jugosllave dhe Shërbimit Shtetëror të Serbisë, pastaj rreth zgjedhjes së Zoran Gjingjiqit si mandator i ardhshëm i qeverisë së ardhshme republikane, si dhe ato të fundit rreth emërimit të Mlladen Dinkiqit për guvernator dhe refuzimin e tij që për zëvendës të pranonte Vuk Ognjenoviqin, krijuan kështu rrëfime se as krerët e ODS nuk dallojnë kushedi sa kur janë në pyetje interesat e partive të tyre. Përkundër popullaritetit të kryetarit Koshtunica, ose mbase nga shkaku se ekziston ndjeshmëri e veçantë kur është në pyetje për veprimet e partisë së tij PDS.
Kjo parti kumton se “Nuk është e domosdoshme që të hapen gjithë biografitë”, në të vërtetë, rreth kandidaturës së Vuk Ognjetoviqit për vendin e zëvendës guvernatorit të Bankës Popullore Jugosllave (BPJ) në vend se të qëndronte në mbrojtje të principeve se sovraniteti i BPJ dhe guvernatorit të saj është një nga pikënisjet e politikës për të cilën ODS u angazhua dhe angazhohet, dhe kur e gjithë kjo vendoset në kontekst të problemeve të mosshkarkimit të nëpunësve tjerë të Shërbimit të sigurimit shtetëror pas deklaratës së Koshtunicës se "ai nuk ka kërkuar ndërrimin e Markoviqit", nuk mbetet asgjë tjetër, vetëm se një pjesë e qytetarëve të pyetet se athua inkuadrimi i PDS në kuadër të ODS kishte për qëllim vetëm të vendosnin Vojisllav Koshtunicën në vendin e kryetarit ose si qëllim ishin ndryshimet në Serbi. Ose kur një nga liderët e ODS Zoran Gjingjiqi, duke u thirrur në principin se marrëveshja koalicionuese me Partinë Popullore Socialiste nuk mund të cenohet me asnjë çmim madje sipas saj u ndërrua guvernatori i posaemëruar i Bankës Popullore të Jugosllavisë kurse e gjithë kjo sillet rreth pohimeve se "askush, as G-17 Plus nuk mund ta nënçmojë ODS ", gjegjësisht "se ekspertët nuk guxojnë të nënçmojnë askënd", kështu nuk mund të mos mbetet i pahetueshëm fakti se pikërisht i njëjti njeri me shumë ngulmim insistoi në qeverinë e ekspertëve në nivel federal, që haptas foli për programin G-17 Plus ta konsiderojë si program të shpëtimit të Serbisë dhe haptas përkrahu Mladen Dinkiçin si guvernator i ardhshëm që para fitores së ODS në zgjedhje.
Nëse nuk ekziston konsekuenca në këtë qëndrim, hapet çështja se athua rastësisht ato ndërrohen mu tani kur duhet të vendoset si kryeministër i qeverisë republikane ndërkohë që Dinkiçit si guvernator me dinjitetin e plotë nuk i ofron “përkrahje” të parezervë mu kur gjendet më ngushtë?
Që t'i bindin qytetarët se demagogjia nuk është qëllimi i tyre kryesor, siç ishte tek paraardhësit e tyre, liderët e ODS assesi nuk do të guxonin të kënaqeshin me rezultatet e zgjedhjeve të afërme parlamentare. Sepse demagogjia është bërë mënyrë jetese e një pjese të qytetarëve të cilët me vite e sublimuan floskulën "se të gjithë luftojnë për pushtet" prandaj shumë shpejt mund të konkludojnë se "ata të cilëve populli u besoi se premtuan ndryshime nuk janë hiç më të mirë se sa Millosheviqi dhe regjimi i tij". Ajo që është nën shenjën e ngjarjeve të pesë tetorit nuk do të thotë se Karl Lameris nuk është plotësisht në të drejtë kur pohon se "revolucioni në kokë" është parakusht i demokratizimit të shoqërisë. Vetëm një pjesë e opinionit publik është i vetëdijshëm, kurse pjesa më e madhe edhe mëtej jo. Sa janë të vetëdijshëm politikajtë kishte rastin ta tregonte përditshmëria. Nga kjo do të varet me çka do të dilet para zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme, që mund të pasojnë shumë më shpejt se sa mendojnë shumë aktorë të skenës politike.
AIM Beograd
TATJANA STANKOVIÇ