28 Nëntori, ndarje të sërishme
Prishtinë, 29.11.2000.
Shqiptarët duket se janë njerëzit që më së paku i përmbahen himnit të tyre, ndërkaq e këndojnë me devotshmëri kudo e sa herë t'u teket, por më së shumti më 28 nëntor. Historia thotë se me këtë datë 5 shekuj më parë, u ngrit flamuri në qytetin e Krujës, në Shqipërinë Qendrore, nga ana e proncit shqiptar Gjergj Kastrioti, deri në atë kohë jeniçer në Turqi, ku edhe kishte marrë emrin Skënderbej. Për 25 vjet ai mbretëroi me atë flamur, i cili pastaj u desh të presë 500 vjet të tjera deri më 28 nëntor të vitit 1912 për t'u ringritur nga Ismail Qemali, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin jugor të Vlorës. Kështu thotë historia, pos as ajo as mitet nuk japin shumë shpjegime nëse shqiponja e zezë në flamurin e shqiptarëve ishte kumti i së ardhmes së tyre të ndarë e të copëtuar. Popull, siç pohojnë politikanët këtu, me çështje kombëtare të pazgjidhur edhe sot e kësaj dite, shqiptarët kërkonin simbolikën e bashkimit të tyre (të paktën para armiqve). Të ndarë në pesë njësi të veçanta territoriale, posaçërisht ata që paradoksalisht kufijtë e Shqipërisë, shqiptarët thurën një himn me vargun themeltar "rreth flamurit të përbashkuar...". Për më shumë se 80 vjet shqiptarët që mbetën jashtë asaj që ata e quajtën "Shqipëri londineze" (meqë kufijtë e Shqipërisë së sotme u caktuan në konferencën e paqes në Londër më 1913), dhanë e morën për të legjitimuar 28 nëntorin si festë të flamurit dhe të pavarësisë së tyre. E ndaluar nga pushteti komunist, kjo festë kishte dikur kuptimin e vënies së flamujve në vendet ku nuk mund të merreshin nga policia, në vizitat që njerëzit i bënin njëri-tjetrit, apo edhe në shkrimin e ndonjë parulle që pasohej nga dënimi me burg shumëvjeçar i akëcilit, pavarësisht nëse ai ishte autor i "veprës" së tillë që në atë kohë vlerësohej si "armiqësore"... Flamuri kombëtar shqiptar, përdorimi i të cilit u lejua në Kosovë me autonominë që asaj ia dha ish udhëheqësi jugosllav Tito, në vitet '80 u shndërrua përsëri në një objekt gjahu. Atij iu ndërrua pamja, ndërsa edhe si i tillë ai nuk durohej nga autoritetet serbe që tashmë e kishin vendosur dominimin e tyre në Kosovë...
Bombardimet e NATO-s dhe "çlirimi" i Kosovës, u dhanë mundësi shqiptarëve të Kosovës që ta kremtojnë "lirshëm" për dy vjet radhazi festën e flamurit. Një ditë pas 28 nëntorit, autoritetet ndërkombëtare thanë se ishin të kënaqura me mënyrën e kremtimit. Ata i përgëzuan shqiptarët "për manifestime paqësore, me çka botës iu demonstrua gatishmëria e tyre për të përparuar drejt stabilitetit të Kosovës"... Një vit më parë kremtimet kishin qenë të përgjakshme. Një turmë prej disa qindra njerëzish, që po kremtonin pa kontroll, në qendër të Prishtinës vrau një pjesëtar të pakicës serbe dhe plagosi rëndë dy gra që ishin me të dhe që ishin nisur për të kërkuar ndihmë mjekësore. "Çuditërisht", e tëra kishte ndodhur në praninë e qindra dëshmitarëve e, megjithatë, rasti mbeti i pandriçuar edhe sot e kësaj dite... Ngjarja kishte tmerruar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, por edhe shqiptarët që aty nuk shihnin ndonjë shenjë të mirë as për veten. Arsyetohej se ajo qe natë e shpërthimit të frustrimeve të mbledhura të turmave që synonin hakmarrjen për çdo gjë që e kishin përjetuar në dhjetëvjeçarët e shkuar. Për vrasësit nuk kishte shumë rëndësi as mosha e shkuar, as pafuqia e tre serbëve të linçuar në mes të qytetit.
Një vit më pas festa ishte shumë e qetë. Nuk kishte pasur asnjë incident të rëndë, pavarësisht nga krismat shurdhuese të fishekzjarreve të panumërta, me çka qytetarët sikur nuk i përfillnin ultimatumet e policisë "se nuk do të lejonte përdorimin e tyre". Duket se festën e mbajti të ndezur edhe debati i rreptë lidhur me flamurin që u bë ndërmjet partive politike dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë gjatë zgjedhjeve lokale të 28 tetorit dhe posaçërisht gjatë konstituimit të kuvendeve komunale. Shumë këshilltarë komunalë nuk pranuan të betohen pa flamurin kombëtar dhe në fund "fituan me opcionin e tyre atdhetar". Madje, këto debate nxitën edhe diskutimet se i ku jt është ky flamur dhe a duhet që Kosova ta ketë flamurin e saj... Diskutimet u mbyllën megjithatë shpejt nga "mbrojtësit e devotshëm të identitetit kombëtar", të cilët përkujtuan se "flamuri shqiptar është një dhe i paprekshëm dhe i tillë duhet të mbetet!"...
Një ditë para festës së 28 nëntorit, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (organizatë që ka trashëguar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pas transformimit të saj) organizuan një paradë në kazermën e Prishtinës, që dikur mbante emrin e liderit komunist Tito, ndërsa tani quhet "Kazerma Adem Jashari", për nder të udhëheqësit të parë të guerilëve që luftonin për shkëputje nga Serbia. Krahas entuziazmit të pjesëtarëve të këtyre trupave, që veten e shohin si ushtri e ardhshme e Kosovës, dhe ovacionet e atyre që besojnë "verbërisht" në këtë, krerët e tyre por edhe përfaqësues të forcave politike që kanë dalë nga ish UÇK-ja premtuan pavarësi të plotë, rend paqe e siguri, por njëkohësisht paralajmëruan se nuk mund të ketë shumë paqe për ata që nuk e kishin njohur kurrë UÇK-në... Të gjithë, ndërkaq, bënë thirrje "kundër dhunës dhe për vendosjen e paqes e tolerancës njerëzore e politike". Në akademitë solemne përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës shkuan jo vetëm me truprojat e zakonshme, por edhe nën përcjelljen e policisë. Pak ditë më parë sulmues të panjohur qëlluan dhe vranë një nga udhëheqësit e kësaj partie, këshilltarin e z. Rugova, Xhemajl Mustafën.
Ndonëse manifestimet ishin organizuar së bashku nga partitë politike dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ato para kremtes manifestuan ndarjet e thella midis forcave politike. Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike dhe Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike, kishin dërguar mesazhet e tyre të urimit nëpërmjet ekraneve duke luajtur secili në mënyrën e tij rolin e "liderit popullor". Kësisoji ata u kishin dhënë fund ceremonive, ndërsa manifestimet ua kishin lënë pasuesve të tyre më të "vegjël". Këta të fundit edhe në paraqitjet e tyre numëruan shkaqe nga më të ndryshmet për kremtim.Ish luftëtarët thanë thanë se kjo ditë ishte festë e pavarësisë, ditëlindja e ish komandantit të tyre Adem Jashari dhe trevjetori i daljes pa maska të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga foltoret ata ngritën në të njëjtin nivel këto tri arsye historike për të festuar, duke u përkujtuar rivalëve politikë se dy të fundit ishin vetëm të tyret...
Por, "kulmi" i manifestimeve u shënua me zbulimin e një shtatoreje në qendër të Prishtinës. Që nga 28 nëntori qytetarët dhe vizitorët mund ta shohin shtatoren e Zahir Pajazitit, njërit nga udhëheqësit e parë lokalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vrarë në janar të vitit 1997 nga forcat serbe të sigurimit. Një nga komandantët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që gjatë luftës ishte njeriu i parë i UÇK-së për zonën e Llapit, që shtrihet në verilindje të Prishtinës, Rrustem Mustafa, tha se "ishte kjo dhurata më e mirë për Prishtinën..." Mirëpo, zbulimi i kësaj shtatoreje, pohuan vëzhguesit lokalë, nxori në shesh një ndarje tjetër, akoma më të rrezikshme se sa ndarjet kronike politike. Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, i veshur me uniformë solemne (cinikët thanë me uniformë mareshali) përcolli mesazhin e tij për fitore në luftën e egër për "vënien e kontrollit mbi kryeqytetin e Kosovës". Kjo "luftë" që zhvillohet (që nga fundi i luftës) ndërmjet tri regjioneve, Drenicës, Dukagjinit dhe Llapit, duket se mori një kthesë me ngritjen e shtatores së ish studentit, që nga llapjanët konsiderohet si komandanti i parë i ish UÇK-së... Procesi i vënies së kontrollit mbi Prishtinën, megjithatë, nuk duket të ketë marrë fund, përkundrazi, ai duket se tash mund të marrë hov akoma më shumë para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme...
Megjithëse të gjithë bënë thirrje për unitet kombëtar, për bashkim në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së qytetit të ndarë të Mitrovicës, të çështjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe për realizimin e pavarësisë së Kosovës, liderët shqiptarë dolën nga festa edhe më të ndare e, mbase, edhe më të përbetuar në luftën politike. Cinikët thanë se gjendja e tyre duket e njëjtë me atë të vitit 1912, kur edhe u përcaktua kjo festë. "Nëse nuk besoni, shikojeni historinë dhe Shqipërinë e këtyre ditëve", thanë ata që janë më të prirur për të rikujtuar se shqiponja e zezë dykrerëshe duket se përfundimisht ishte lajmëtari i parë i ardhmërisë së shqiptarëve...
AIM Prishtinë, Besnik BALA