Vrasje politike misterioze

Pristina Dec 8, 2000

Prishtinë, 25.11.2000.

Entuziazmi i matur, i shprehur herë-herë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, u davarit më shpejt se ç'mund ta imagjinonin edhe skeptikët më të mëdhenj. U zhduk si një flluskë sapuni nën barrën e rëndë të lajmeve dhe kronikave të zeza mbi vrasje (gjithsesi) enigmatike, sulmet me bomba dhe akteve të tjera të dhunës. Pesë pjesëtarë të komunitetit të ashkalinjve janë vrarë në mënyrën më mizore në dy incidente të ndara. Katër sish janë "gdhirë" të copëtuar nga plumbat nga sulmues të panjohur, ndërsa i pesti (gjithsejt 13 vjeç) është gjetur i djegur. Disa ditë më vonë, një shpërthim i fuqishëm e ka tronditur Prishtinën, njëkohësisht ka shkatërruar edhe selinë e banesën e përfaqësuesit jugosllav në Kosovë, Stanimir Vukiqeviq, në të cilin ka gjetur vdekjen shoferi i tij, ndërsa kanë marrë plagë të rënda dhe të lehta edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët në ato çaste ndodheshin në atë shtëpi. Dy ditë më vonë, në hyrje të pallatit të tij të banimit është vrarë Xhemajl Mustafa, bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar për informim i kryetarit të LDK-së, dr.Ibrahim Rugovës. Kjo vrasje ka shkaktuar indinjatë si në opinionin e vendit, ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe ka bërë me dije në mënyrë të veçantë se dhunë do të ketë gjithnjë përderisa "dikujt" do t'i shkojë për shtati. Në të njëjtën kohë, KFOR-i e ka mbyllur kufirin lindor të Kosovës me Serbinë, për shkak të përleshjeve në Luginën e Preshevës, në të cilat janë vrarë katër policë serbë...

"Ditë të zeza kthehen në Kosovë", ishte koment dëshpërues i kreadministratorit të Kosovës, Bernard Kouchner, vetëm disa orë pas shndërrimit në gërmadhë të rezidencës së përfaqësuesit jugosllav... "Kriza në Kosovë po vazhdon dhe konflikti midis komunitetesh ende nuk ka përfunduar", ka thënë z.Kouchner. Ai me këtë rast ka tërhequr një paralele edhe me, siç i ka kualifikuar ai, sulmet kundër policisë serbe te fshatrat Dobrosin dhe Konçul (të cilët gjenden në zonën e sigurisë të gjerë pesë kilometra) në luginën e Preshevës. Sipas tij, kjo valë dhune është një paralajmërim për Misionin e OKB-së dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare se "ekstremistët tani janë të gatshëm t'i shtojnë sulmet e tyre ndaj komunitetit serb"... Të gjithë në Kosovë i fajësuan ekstremistët!? Edhe për vrasjen e ashkalinjve dhe të Xhemajl Mustafës - fajtorë qenë ekstremistët. Askush, ndërkaq, nuk ka marrë guximin të thotë se kush janë ata pikërisht. Kush qëndron pas tyre? A ekziston ndonjë qendër nga i cili planfikohen vrasjet e individëve, para së gjithash të personave me renome, siç është Mustafa dhe, më parë, të arkitektit Rexhep Luci dhe gazetarit Shefki Popova? Pyetjet që përsëriten gjithnjë e më shpesh, por përgjigje gjer tani nuk janë dhënë. Më optimistët janë të mendimit se kjo megjithatë do përfundojë një ditë, duke e argumentuar këtë jo aq me forcat ndërkombëtare të sigurisë jo aq të shumta në numër, sa para së gjithash me "numrin e madh të shërbimeve sekrete ndërkombëtare dhe ekipe të specializuara që për detyrë e kanë zbulimin dhe kapjen e grupeve kriminale". Ndoshta vërtet presin që, nëse qendra të tilla të planifikimit në Kosovë ekzistojnë, atyre t'u jepen goditje "vdekjeprurëse". Mirëpo, gjer më tani të gjithë si papagallë përsërisin se pas formave të ndryshme të dhunës qëndrojnë "ata ekstremistë që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj". Fraza e përsëritur më shpesh në opinionin e këtushëm ështe se "kriminelët nuk kanë as komb, as atdhe, as fe"... Por, kjo tashmë tingëllon si një frazë e dalë boje për realitetin kosovar, ashtu siç tingëllojnë të tilla edhe reagimet e zyrtarëve ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët e dënojnë ashpër çdo akt dhune dhe ua bëjnë me dije qytetarëve të "traumatizuar" të Kosovës se kjo "është në dëm të demokracisë, shoqërisë civile, përparimit", etj.,etj. Policia, nga ana tjetër, i përsërit frazat për "hetimet intenzive që vazhdojnë"...

Mirëpo, gjërat duken ndryshe nga përshkrimet dhe vlerësimet e politikanëve. Vrasjet dhe sulmet me bomba, është e qartë se janë, dhe këtë e kanë thënë edhe zyrtarë ushtarakë e policorë ndërkombëtarë, të përgatitura dhe ekzekutuara në mënyrë profesionale. KFOR ka pohuar se sulmi mbi selinë e përfaqësuesit jugosllav, Vukiqeviq, ishte një operacion i menduar dhe i kryer shumë mirë nga njerëz që kanë vënë në rrezik shumëçka për të realizuar qëllimin e vet, duke arritur që t'u shmangen madje edhe forcave të sigurisë që ditë e natë e ruajnë atë zonë urbane. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, por edhe ata shqiptarë, kanë theksuar se rastet më të rënda të dhunës ndodhin pikërisht në prag të ndonjë ngjarjeje të madhe që do të mund të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovën dhe ardhmërinë e saj, kësaj radhe mu në prag të Samitit të Zagrebit. Sipas administratorit Kouchner "duket se e gjithë kjo është pjesë e një strategjie të caktuar". Sulmi mbi rezidencën jugosllave dhe vrasja e zyrtarit të lartë të LDK-së kanë ndodhur në një interval të shkurtër kohor dhe kanë lënë mbas vetes shumë dilema të hapura. A është rastësi ose një sistem i koordinuar që e gjithë kjo të dukej si një seri aktesh hakmarrëse dhe në të cilën do të mund të ishin të përfshira ekipe lojtarësh të shumtë, ose madje një ekip i vetëm që luan në disa terrene?...

Gjëja e parë që zyrtarët e bënë ishte shtimi i numrit të ushtarëve në rrugë dhe në zonat e banuara me serbë, si dhe rritja e masave të sigurisë për udhëheqësinë e LDK-së dhe për figurat e tjera politike që do të kërkonin mbrojtje. Mirëpo, ata njëkohësisht kanë shpallur edhe qëndrimin se është e pamundur të mbrohet çdo njeri dhe çdo politikan. Ekstremistët, ende të panjohur, e kanë përsosur sistemin e tyre të veprimit. Pjesa më e madhe e vrasjeve të rënda në Kosovën e pasluftës ka ndodhur sipas një skeme të njëjtë. Viktima sulmohet në vende publike dhe shumë frekuentuese, madje edhe në mes të ditës. Ose, nga ana tjetër, viktima sulmohet në derë të shtëpisë, sipas mundësisë edhe në prani të ndonjërit nga anëtarët e familjes, ndërsa vrasësit zhduken nga vendi i ngjarjes duke vrapuar ose me makinë, të cilën "askush nuk ka arritur ta identifikojë". Në këtë mënyrë, ata me një goditje arrijnë dy qëllime. E likuidojnë,p.sh. kundërshtarin politik, konkurrentin afarist ose ndoshta edhe personat që i kanë antipatikë, ndërsa pas vetes lënë një ndjenjë terrori dhe pasigurie të përgjithshme. As 50 mijë trupa ushtarake dhe policore, as gjykatat, as Ombudsmani që posa i ka hapur zyrat e tij, nuk mund të ofrojnë një ndjenjë më të madhe sigurie . Njerëzit gjithnjë e më shpesh pyesin "çfarë ka bërë viktima, me kënd është grindur, kujt ia ka zënë rrugën, cilës parti i përket...", dhe në mungesë përgjigjeje ata mbyllen në guaskën e vet dhe presin kush do të jetë viktima e radhës... Zyrtarët thonë se burgjet janë plot me të arrestuar, se midis tyre ka edhe sish që janë të dyshuar për kryerje vrasjesh, mirëpo ende nuk kanë arritur që të sigurojnë dëshmi valide për procese gjyqësore sipas standardeve të shoqërive demokratike. Fajin e hedhin më së shumti ë atë që ata e quajnë "kod të heshtjes". Njerëzit vriten ditën për diell, ndërsa dëshmitarët nuk flasin fare ose, mbretëron një mendim i gjerë, dëshmojnë rrejshëm. Ndonjëherë kjo duket si një solidarizim absurd me krimin. Mirëpo, duket se në të shumtën e rasteve fjala është për frikën nga hakmarrja dhe që pikërisht ajo e përcakton një qëndrim të tillë të tyre. Njerëzit ende nuk e kanë parë një proces gjyqësor (shpesh për shkak të kërcënimeve që u janë drejtuar, gjykatësit kanë dhënë dorëheqje) ku të jetë dënuar një vrasës, ndërsa kanë parë shumë viktima... Ende nuk e kanë parë as edhe një "ekstremist" të identifikuar, që të mund të dinin si duken ata, si flasin dhe kujt i përkasin. Edhe zëdhënësi i policisë ndërkombëtare, Derek Chapell, ka vlerësuar tani së voni se "Kosova është e vogël, se njerëzit njihen mes vetes dhe se dihen të gjithat"...

Derisa Millosheviqi sundonte në skenën politike serbe edhe shqiptarët edhe perfaqësuesit ndërkombëtarë e kishin fare të lehtë që "të gjejnë lidhjet midis ekstremistëve në Kosovë dhe atyre në Beograd". Mirëpo, "muaji i mjaltit i sapofilluar" me kryetarin e ri Vojisllav Koshtunica, përfaqësueve ndërkombëtarë ua ka hequr të drejtën e përdorimit të "fajtorit kujdestar"... Tani ata janë dhënë në hetimet e grupeve që do të mund të përfitonin nga dhuna, mirëpo ende nuk ka kurrfarë gjurmësh...

Këtu shpesh pohohet se gati 100 për qind e shqiptarëve do të votonin për pavarësinë e Kosovës në një referendum të mundshëm, mirëpo, thuhet më tej, nëse aktet e dhunës e pengojnë një proces të tillë, atëherë nuk është e gjasshme që ata, janë të mendimit këta analistë, të jenë të interesuar ta minojnë pavarësinë e tyre. Disa qarqe politike plasojnë, ndërkaq, teza se "është për të besuar se Beogradi është ai që është së tepërmi i interesuar për destabilizimin e Kosovës dhe që shqiptarët të prezentohen para bashkësisë ndërkombëtare si ekstremistë që nuk vrasin vetëm serbë, por edhe bashkëkombasit e tyre. Si mund t'u jipet pavarësia ekstremistëve të tillë, do të thshin në Beograd, duke e zënë në 'pat pozicion' bashkësinë ndërkombëtare", përpiqen të shpjegojnë jo edhe aq bindshëm tezat e tyre...

Të tjerët, ndërkaq, burimet e vrasjeve (kuptohet, vetëm nëpër kuluare, sepse mungon edhe guximi më elementar që të flitet hapur) i gjejnë tek armiqësitë politike të brendshme. Fërkimet e brendshme kanë bërë që skena politike shqiptare të jetë e ndarë në "radikalë" dhe "të moderuar" dhe duket se dhuna ka për qëllim që të sanksionojë plotësisht këtë ndarje. Mirëpo, askush nuk mund ose nuk dëshiron të thotë kush qëndron pas gjithë kësaj. Në një Kosovë me qindra mijëra të papunë, ku mungesa e dritave, ujit dhe nxehjes është bërë përditshmëri, nuk është e vështirë të gjenden individë që do të punojnë për "çështjen tënde". Mijëra njerëz të zhgënjyer, për shkak të "fryteve të pakta" të luftës së tyre dhe të "lirisë" së Kosovës, nuk është edhe aq e vështirë të rekrutohen nga ata që dëshirojnë ta ndryshojnë realitetin e Kosovës me dhunë dhe vrasje.

Në Kosovë ka përfunduar represioni i organizuar shtetëror, mirëpo nuk është zgjidhur asnjë problem tjetër. Në lojë kanë mbetur të gjitha opcionet e mundshme të zgjidhjes së statusit përfundimtar dhe kjo i fut në lojë dhjetëra grupe që synojnë zgjidhje nga më të ndryshmet... Vrasjet e rënda dhe të pandriçuara, ndjenja e pasigurisë dhe frikës, duket se do të mbeten pjesë e kësaj loje... Megjithatë, në opinionin këtu gjithnjë e më shpesh po flitet për krimin e organizuar politik, dhe jo vetëm përfaqësuesit e LDK-së, anëtarët dhe funksionarët e të cilës kanë qenë kryesisht në shënjestër. Adem Demaçi, në fjalimin e mbajtur në varrimin e z.Xhemail Mustafa, ndër të tjera ka thënë: "Jemi marrë vesh t'i pranojmë rregullat e lojës, ndërsa pjesë e asaj loje është edhe pranimi i vendimit të popullit në zgjedhje", duke aluduar ashtu se kryesit e kësaj dhe vrasjeve të ngjashme gjenden midis atyre që nuk mund të pajtohen me rezultatin e zgjedhjeve.

AIM Prishtinë, Besnik BALA