Kush mbron kriminalitetin e organizuar?!

Skopje Dec 7, 2000

Lufta e pakompromis e partive politike në Maqedoni për pushtet, një kohë të gjatë ka larguar vëmendjen e opinionit nga një problem actual, siç është kriminaliteti i organizuar.

AIM Junior Shkup, 7.12.2000

Atmosfera e tensionuar në skenën politike, paraqet një ndër kushtet optimale për zhvillimin e kriminalitetit të organizuar, i cili gjatë 10 viteve të kaluara të pavarësisë së Maqedonisë, ka krijuar një infrastrukturë të përsosur të veprimit. Shpesh herë qytetarët kanë rastin të dëgjojnë për vjedhje të ndërmarrjeve nga drejtorë që kanë udhëhequr me firma të mëdha të vendit, keqpërdorime të mjeteve gjatë privatizimit të ndërmarrjeve me kapital shoqëror dhe përvtësimi i tyre nga qarqe apo individë të caktuar.

Ndonëse të pandriçuara deri në fund, këto raste në opinionin krijuan një përshtypje se në Maqedoni vepron një strukturë e kriminalitetit të organizuar që kontrollon bizneset me profitabile. Dyshohet se edhe partitë plitike në Maqedoni, e veçmas ata që kontrollojnë pushtetin, bashkëpunojnë ngushtë me organizata të ndryshme të kriminelëve. Deri tani kanë mbetur të pandriçuara shumë afera ekonomike, në të cilat është spekuluar me emrat e disa politikanëve dhe ministrave në qeveritë e Maqedonisë. Praninë e kriminalitetit të organizuar në Maqedoni, disa herë haptazi e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Kur Branko Crvenkovski ishte kryeministër i Maqedonisë, ai para deputetëve pranoi se në Maqedoni funksionon kriminaliteti i organizuar të cilin e quajti me emrin "oktopod". Pikërisht në kohën kur qeveria e tij udhëhiqte pushtetin, në Maqedoni lindi afera e kursimores piramidale "TAT", ku materialisht u lëhtësuan disa mijëra qytetarë. Supervizioni i librave afariste të kësaj kursimore nga ana e ekspertëve të Bankës Popullore të Maqedonisë, nxori në pah emrat e disa politikanëve dhe ministrave në Qeverinë e kryeministrit Crvenkovski, të cilët aty kishin deponuar të hollat e tyre.

Përpos deklaratës së tij se "oktopodi" ka kapluar edhe disa struktura udhëheqëse të shtetit, Crvenkovski nuk pati guxim të kalojë në fazën tjetër, kur pritej të kumtonte emrat e funksionarëve të tij që ishin pjesë e kriminalitetit të organizuar në Maqedoni. Organet kompetente që janë të autorizuara të luftojnë këtë dukuri të rrezikshme, që sipas disa raporteve të organizatave ndërkombëtare ka gjasa të kontrollojë qeveritë e shteteve të Ballkanit, deri tani në këtë drejtim nuk kanë shënuar kurfarë përparimi.

Kohëve të fundit janë shpeshtuar kontrollet e policisë së kriminalitetit dhe inspektorëve të Drejtorisë së të hyrave publike, në disa ndërmarrje të vendit, të cilat nuk kanë dhënë efektet e duhura. Qarqet që kontrollojnë kriminalitetin e organizuar kanë fshehur në mënyrë të përsosur të gjitha gjurmët dhe dëshmitë që mund të sjellin deri te zbulmi eventual i tyre. Me metodat që ka në disponim, shteti nuk ka gjasa të mbledhë fakte të nevojshme për të vërtetuar rastet kur mafia shkelë ligjet e shtetit.

Krijimi i infrastrukturës së përsorur për veprimin e lirë të kriminlëve, ka shtuar nevojën e nxjerrjes së një ligji me të cilin sektorëve të ndryshëm në MPB-së do t'iu lejohet përgjimi i personave që dyshohet të jenë pjesë e kriminalitetit të organizuar në vendin tonë.

Kur Parlamenti i Maqedonisë në vitin 1991 miratoi kushtetutën aktuale, ajo u cilësua si një kushtetutë që përmbushë kërkesat dhe standadet e shteteve me demokraci të zhvilluar. Një vlerësim i tillë mes tjerash dilte edhe nga garantimi kushtetues i fshehtësisë së patjetërsueshme të komunikimit të qytetarëve, me çka ndalohej çfarëdo përgjimi dhe përcjellje e tyre nga ana e Shërbimit sekret të shtetit. Atëherë me këtë formulim të këtillë të kushtetutës së Maqedonisë, përpiluesit e saj dëshiruan të krijojnë përshtypje për kinse zhdukjen e përgjimit që në vitet e sundimit komunist, pushteti përcillte aktivitetet e oponentëve të saj politik. Ekspertët që punuan në përpilimin e kushtetutës së Maqedonisë, me ose pa qëllim bënë një lëshim të madh, duke u dhënë hapësirë të gjërë për funskionim të lire organizatave të ndryshme kriminale në vendin tonë. Me metodat që kishte në disponim, MPB-ja mbeti disa hapa pas kriminalitetit të organizuar, për të cilin dihet se shfrytëzon mjetet dhe teknikat më bashkëkohore të veprimit.Përkundër kësaj, shteti vazhdoi të përcjellë kundërshtarët e saj politik deri në fund të shekullit të kaluar, ndërsa metoda e përgjimit për të luftuar kriminaitetin e organizuar nuk u zbatua asnjëherë.

Në MPB thonë se veç ekziston një projekt-ligj që rregullon këtë çështje, qysh nga koha kur ministër i MPB-së ishte Pavle Trajanov. Përpilues i saj është Zvonimir Jankullovski, i cili me projektin e tij kishte fitur në tenderin e hapur të MPB-së. Nëse Qeveria e Maqedonisë pranon këtë projekt-ligj, është e natyrshme të priten rezultate konkrete në këtë drejtim. Paralelisht me miratimin e Ligjit për përcjelljn e komunikimit të personave të dyshuar për lidhje me kriminalitetin, Qeveria duhet të shpejtojë me përgaditjet e ligjeve tjera përcjellëse, siç janë ndryshimet në Ligjin penal dhe atë për procedurë penale, Ligji për luftë kundër korupsionit, Ligji për larjen e parave etj, të cilët do të kompletonin kornizën e nevojshme ligjore për një luftë sa më efikase kundër llojeve të ndryshme të kriminalitetit.

Pengesë më të madhe paraqet nevoja për ndryshimin e kushtetutës aktuale të Maqedonisë, e cila ndalon përgjimin e qytetarëve. Lëshimet dhe pasojat negative të kësaj kushtetute janë evidente për të gjithë, ndërsa tani në radhë janë partitë politike në Parlamentin e Maqedonisë, të cilët në vepër duhet treguar gatishmërinë e tyre për të luftuar kriminalitetin organizuar në vend.

AIM Junior SHkup

LIRIM DULLOVI