Cili eshte ketu fituesi i vertete?

Sarajevo Dec 6, 2000

AIM Sarajeve, 03.12.2000

Në qoftë se rezultatet e fundit zgjedhore në Bosnjë do të kishin ndodhur vetëm një vit më parë, nëse jo në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në v. 1998, atëherë me plot eufori do të flitej për thyerjen e konceptit nacionalist të qeverisë dhe për ndryshimet demokratike në vend. Mirëpo në atmosferën parazgjedhore të këtyre zgjedhjeve parlamentare - gjatë së cilës madje edhe parashikimet e instituteve të pavarura të jashtme paralajmëronin fitoren e bindshme të partive alternative, sidomos të socialdemokratëve të këtushëm - “rezultati i tanishëm baras” po përjetohet pothuaj si humbje e alternativës ose si fitore e sërishme e forcave të djathta.

Megjithkëtë, ndryshimet e dëshiruara të mëdhaja ende janë të mundshme, gjë që bazohet në atë se- për herë të parë pas vitit 1990- dukshëm më pak se gjysma e qytetarëve të BeH dolën në zgjedhje dhe votën ia dhanë koalicionit të fortë nacionalist të partive SDS-HDS-SDA. Dhe derisa në shtetet tjera laramania , përkatësisht mospasja në parlament e fituesit apsolut i cili do të fitonte pushtetin do të vlerësohej si bazë e demokracisë, në Bosnjë një përbërje e tillë politike vlerësohet si problem i ri për formimin e institucioneve të ardhshme të pushtetit. Në të vërtetë si pyetje mbi pyetjet tjera del ajo për të cilën nuk kanë përgjegje as autoritetet e vendit dhe as ato të jashtmet në BeH: vallë pas këtyre zgjedhjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë ka ardhë në shprehje ndryshimi i konceptit për qeverisjen, ose se strukturat nacionaliste përgjegjëse për luftën do të vazhdojnë edhe më tej të qeverisin me shtetin. Për opcionin e ndryshimit të konceptit të qeverisjes - përkatësisht rënien e koalicionit qeveritar SDS-SDA-HDZ dhe për marrjen në duar të drejtimit të vendit nga ana e koalicionit të gjerë antinacionalist- flet bindshëm edhe fakti se SDP e BeH fitoi numrin më të madh të vendeve përfaqësuese në parlamentin BeH, gjegjësisht se për një rrjedhë të tillë të ngjarjeve është e interesuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Në favor të opcionit të vazhdimit të qeverisjes së pushtetmbajtësve aktual, krahas të a.q. demokratizim i tyre, flet edhe fakti se SDA dhe SDS janë partitë më të fuqishme në parlamentin e etniteteve, kurse HDZ-ja në ato kantone ku kryesisht jetojnë kroatët bh., por që edhe për atë se për një rrjedhë të këtillë të ngjarjeve përsëri është e interesuar vetë bashkësia ndërkombëtare!

Përgjegjen në pyetjen se cili do të jetë fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të sapopërfunduara parlamentare në BeH do ta kemi të qartë krahas asaj se me cilin fituesi do të formojë Këshillin e ministrave të BeH, përkatësisht qeverinë e etniteteve. Favoritët, në njërën anë socialdemokratët kurse koalicioni i treshit nacionalist nga ana tjetër - që të dy pa përkrahje të mjaftueshme për të formuar qeverinë - me ngutje po propagojnë bashkimin ndaj opcionit të tyre te partitë e paprofilizuara për BeH të Haris Silajxhiqit dhe Partia e Progresit Demokratik e Mladen Livaniqit, por edhe te bashkësia e përçarë ndërkombëtare. Është e vërtetë se partia e Silajxhiqit dhe ajo e Ivaniqit janë bërë si treguese të peshores e cila mund të rëndojë dhe përcaktojë njërin nga proceset, mirëpo, meqë bëhet fjalë për parti të cilat herë paraqesin koncept qeveritar nacionalist e herë antinacionalist - varësisht prej asaj kush ofron më shumë- përgjegja e tyre është e paparashikueshme. Aq më tepër ajo ndërlidhet me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht me përkrahjen e pritur të njërit nga proceset nga ana e vendeve të Grupit të Kontaktit për implementimin e paqës në BeH. Edhepse me vite flasin për ndryshime dhe verbalisht deklarohen se sa e dëshirojnë konceptin e ri të pushtetit në BeH, anëtarët e Grupit të Kontaktit edhe sot nuk kanë qëndrim të njëjtë rreth përkrahjes së paralajmëruar të Aleancës për ndryshime, e cila SDS-HDZ-SDA do t'i përjashtonte nga pushteti. Me fjalë të tjera, nuk është e pamundshme që bashkësia e pakordinuar ndërkombëtare të refuzojë shfrytëzimin e rastit për të cilin edhe ajo kinse ka “ëndërruar”, kështu që shansi për ndryshimin e konceptit të pushtetit në BeH të shkojë në pakthim. Sipas informatave me të cilat disponon AIMi, përfaqësuesi i lartë Wolfgang Petrisch përkrah fuqishëm idenë e formimit të qeverisë antinacionaliste si në nivel të BeH poashtu edhe në nivel të të dy etniteteve, kurse pas ka përkrahjen e përfaqësuesve amerikanë dhe gjermanë të Grupit të Kontaktit për BeH. Nga ana tjetër, ambasadori francez në Sarajevë përkrah qëndrimin e administratës së vet se formimi i qeverisë së ardhshme pa SDS-in për ta është i papranueshëm , duke e arësyetuar këtë me fjalët se SDS është realitet për të cilin ka votuar shumë serb në RS, gjegjësisht se bëhet fjalë për parti të demokratizuar nacionale, ashtu si kinse qenka sot SDS-i për dallim nga kohët totalitare nacionaliste të sundimit të Karaxhiqit. Qëndrimi i tillë francez duhet vështruar në kontestin e gjerë të ngjarjeve në Ballkan, përkatësisht në lidhje me tentimin për marrjen e nisiativës politike të Francës në Evropë, gjë e cila sot zhvillohet paralelisht edhe në rrjedhat dhe qëndrimet në parlamentin evropian. Në të vërtetë, sipas eksponimit të tanishëm të politikës franceze në Kosovë (Bernard Koushneri), pra të afërsisë me strukturat e reja të pushtetit në Serbi, duket se francezët kurrë nuk kanë qenë më afër marrjes së nisiativës në Ballkan, përkatësisht ngushtimit të ndikesës amerikane në këtë regjion të Evropës. Nuk duhet harruar gjatë kësaj se ky nuk është tentimi i parë i këtillë dhe se “betejë politike” e ngjashme është zhvilluar edhe gjatë viteve të kaluara : edhe emri zyrtar i Qarkores së marrëveshjes Paqësore për BeH është realisht Marrëveshja e Parisit (e përgaditur në Dayton, por e zyrtarizuar dhe nënshkruar në Paris) mirëpo që gjatë depërtimit të atëhershëm të nisiativës amerikane në BeH Franca e humbi atë betejë dhe Marrëveshja e Paqës në Dayton u pranua nga të gjithë si një proekt ekskluziv amerikan.

Çfarë mund të pritet tani në Bosnjë dhe Hercegovinë? Egzistojnë katër skenarë të mundshëm të zhvillimit të ngjarjeve dhe ajo se cili prej tyre do të realizohet varet drejtpërdrejtë nga bisedat me vendet perëndimore të involvuara në proceset politike në Ballkan.

SKENARI IDEAL: Do të formohet Aleansa Demokratike për ndryshime, gjegjësisht koalicioni i gjerë antinacionalist, të cilin do ta udhëheqë SDP-ja dhe në të cilin do të gjenden edhe partitë tjera të të dy etniteteve ( Nisiativa e re kroate e Kreshimir Zubak-ut, Socialdemokratët e pavarur të Milorad Dodikut, Partia për BeH e Haris Silajxhiqit, Partia e Progresit Demokratik e Mladen Ivaniqi-it dhe disa parti të vogla në nivel të etniteteve dhe të kantoneve). Një koalicion i këtillë do të kishte numër të mjaftueshëm vendesh në të gjitha nivelet në parlament që të formojë qeveri shtetrore dhe etnike pa pjesëmarrje të asnjërës nga partitë nacionaliste ose të satelitëve të tyre. Kjo faktikisht do të shënonte ndërrimin e vërtetë të konceptit të pushtetit në BeH, gjë që do të mund të garantonte tranzicionin dhe përmirësimin e shpejtë të gjendjes në vend. Mirëpo, ky është një koncept që nuk realizohet lehtë jo vetëm për shkak të politikës së paprofilizuar të Silajxhiqit dhe Ivaniq-it, respektivisht të përçarjes së bashkësisë ndërkombëtare.

SKENARI REAL: Koalicion antinacional në nivel të shtetit BeH, kurse nacional në nivel etnik. Një zbërthim i këtillë i situatës do të thoshte se do të mund të formohej Këshilli ministror i BeH me pjesëmarrjen e SDP-s dhe të NHI-s së Zubakut dhe Partisë së Silajxhiqit për BeH, madje pa përmbajtjen e dy përfaqësuesve të PDP- së Ivaniqit, që do të thotë edhe dëbimin e SDA-SDS-HDZ nga pushteti qendror. Mirëpo partia e Ivaniqit do të bënte koalicion në nivel etnik me SDS-in për formimin e qeverisë së RS, (mundësi tani më e paralajmëruar) sipas sëcilës dhe ngjashëm me të do të kishte vepruar edhe partia e Silajxhiqit në nivele të ulta të Federatës, përkatësisht nëpër kantone. Koncepti antinacionalist i pushtetit në nivel shtetror, kurse nacionalist në nivel etnik në fazën e parë do të prodhonte njëfarë interregnumi qeveritar në të cilin përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare përsëri do të ishte vendimtare. Si më e rëndësishme në forcimin e ingerencave të institucioneve të pushtetit qendror, por krahas kësaj edhe si e bazuar në konceptin antinacional të pushtetit në BeH, kjo zgjidhje do të ishte një kompromis edhe ndërmjet vetë antarëve të Grupit të Kontaktit, mirëpo për hapa kualitativ drejt tranzicionit të vendit do të nevojitej më tepër kohë se sa për zgjidhjen e përmendur. Kuptohet ndërkaq se edhe më tutje do të ishin të pranishme proceset dezintegruese dhe homogjenizimi nacional në nivele etnike, gjë që mund të ndikonte në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme të cilat do të mbahen pas dy vitesh.

SKENAR I RREZIKSHËM : Formimi i qeverive proporcionale sipas numrit të vendeve të fituara përfaqësuese, në të gjitha nivelet. Edhepse qeveritë e këtilla në disa vende demokratike quhen qeveri të shpëtimit nacional, këtu është vështirë të paramendohet punë ose program i përbashkët i njerëzve të cilët janë përgjegjës për luftën, koncepti i të cilëve është i skajshëm , ose rreth angazhimit të të cilëve Haga ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, sëbashku me ata të cilët angazhimin e vet politik e kanë ndërtuar mbi dënimin e ashpër të veprimit të tillë politik. Një epilog të këtillë të ngjarjeve propagojnë, siç dihet, partitë nacionale në BeH (sidomos SDA) sepse paraqet rrugën më të përshtatshme për egzistimin dhe vazhdimin e mënyrës së qeverisjes së tyre në rrethanat e tanishme të humbjes së plotë të përkrahjes së zgjedhësve. Në rast të mos marrëveshjes rreth zgjidhjes më të mirë Socialdemokratët do të ishin të detyruar, për fat të keq, të participojnë në një pushtet mikst të këtillë, sepse në të kundërtën do të ishte pothuaj e pamundur të arrihej pajtimi në partinë më të fuqishme të shtetit sa i përket mospranimit të hyrjes në pushtet?! Sidomos në ato nivele kantoniale ku SDP-ja ka rezultate të shkëlqyera, sikurse në kantonin e Tuzlës, ose edhe nga pozita e 22 prefektëve komunalë të cilët në rast të mosparticipimit të SDP- në pushtet do të ishin lënë në mëshirë dhe pamëshirë të nacionalistëve. Nga ana tjetër, partitë e vogla si ajo e Silajxhiqit, pjesëmarrjen në pushtetin proporcional do ta kishin kundërshtuar me arësyetim se nuk do të bënin koalicion me nacionalistët, gjë që do të ishte bazë e fortë për zgjedhjet e ardhshme. Kurse SDP-ja si alternativë e nacionalizmit,me koalicionim do të kishte “humbur” imazhin e fituar me mund të madh , kurse si shpagim do të kishte hyrë “fytmëfyt” në luftë të mundimshme dyvjeçare me partnerët nacional në pushtet.

SKENARI SHKATRRIMTAR: Vetë koalicioni nacionalist SDS-SDA-HDZ formon pushtetin shtetror, dhe më vonë secila prej tyre, me satelitët e vet partiakë, formon pushtetin në pjesën e etnitetit të vet. Në rast se nuk arrihet kurrfarë marrëveshjeje e pranueshme për formimin e koalicionit antinacionalist, SDP në këtë rast mund të vendos - më në fund edhe në bazë të programit të vet politik- që të mos participojë në pushtetin në të cilin ndodhen edhe Karaxhiqët, respektivisht pasardhësit e Millosheviqit, Tugjmanit ose Izetbegoviqit. Një hap i këtillë i SDP-s do të ishte vërtetë plotësisht i moralshëm, mirëpo në politikë morali shpesh nuk ka lidhje me pragmatikën. Sepse, në rast të daljes vullnetare të SDP-s nga skena politike, pushteti do të kishte ngelë në duart e koalicionit SDA-SDS-HDZ pikërisht ashtu si në vitin 1990, gjë të cilën Alija Izetbegoviq-i, në të vërtetë e paralajmëroi para do kohe. Është e frikëshme të mendohet për tërë atë që është i gatshëm ky koalicion totalitar.

Për fat të keq, të gjitha opcionet janë të hapura! Rezultatet e marrëveshjeve, konsultimeve dhe, sipas disave ,pazarllëqeve politike që bëhen sot, si në Bosnjë ashtu edhe jasht saj, nuk do të priten gjatë kohë. Afatet që caktoi Përfaqësuesi i lartë për formimin e qeverive të reja kërkojnë që infrormatat për fituesin e vërtetë të zgjedhjeve boshnjakohercegovase t'i fitojmë në fundin e kësaj jave.

AIM Sarajevë

IVANA DRAZHIQ