Zagrebi nën hijen e zënkave të koalicionit
Negociatori qeveritar për marrëveshjen për stabilizim dhe asocim me Bashkësinë Evropiane, Vasil Tupurkovski, premierit Lubço Georgievski ia prishi disponimin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë në Samitin e Zagrebit, i cili pikërisht për këtë shkak këtu edhe para mbajtjes u quajt historik.
AIM Shkup, 28.11.2000
“Mund të them se kjo punë vërtet mund të priste edhe dy ditë!” deklaroi në intervistën e së djelës për MTV premieri Lubço Georgievski duke menduar për daljen e Alternativës Demokratike nga koalicioni qeveritar. Shkas për këtë intervistë ishte Samiti i Zagrebit dhe nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim dhe asocim ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkësisë Evropiane, por edhe situata midis dy partnerëve të deridjeshëm të koalicionit qeveritar. Deklarata e Georgievskit në të vërtetë është vërtetim se Samiti i Zagrebit, i cili nga ana e mediave të këtushme proqeveritare ishte shpallur si historik edhe para se të mbahej, kishte rënë nën hijen e zënkave në koalicionin qeveritar.
Vetëm një ditë para mbajtjes së samitit zagrebas, samit ky i rëndësishëm për Maqedoninë për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes me BE, negociatori kryesor i qeverisë maqedonase dhe lider i DA-s Vasil Tupurkovski vendosi që, në vend që të shkojë në Zagreb, të dalë prej qeverisë. Ai atë çast deklaroi se puna ishte e kryer, kurse për detajet teknike dhe këmbimin e instrumenteve të marrëveshjes mund të kujdesej ndonjë tjetër, me aludim ndaj vetë premierit. Kurse Georgievski, i befasuar nga vendimi i DA-s, në Zagreb deklaroi “ Një ditë të këtillë nuk mund të ma prish askush”, duke përdorë një parafrazë të deklaratës së Tupurkovskit lidhur me shkarkimin e këshilltarit qeveritar Ante Markoviq, pikërisht në ditën e mbarimit të bisedave politike lidhur me marrëveshjen me BE në Shkup.
Ngjarjet e mëvonshme u zhvilluan sipas logjikës së atrakcionit në rritje. Samiti në Zagreb, sukses i padyshimtë dhe kulm i përpjekjeve dyvjeçare të Maqedonisë që të çelë dyert e pranimit eventual në Bashkësi pas ngeljes jasht “Agjendës 2000”-ngeli nën hijen e kombinimeve rreth (mos)rënies së qeverisë së Lubço Georgievskit, (mos)formimit të shumicës së re parlamentare dhe mundësive që të fitohet qeveri e re me parti të tjera si partnerë koalicioni, matematikave partiake, blerjeve dhe shitjeve lidhur me të.
Në opinionin maqedonas bisedat e ekspertëve dhe të politikanve për marrëveshjen vazhdonin edhe deri në ditën e fundit. Edhe një ditë para mbajtjes së samitit në Zagreb qarkullonin plot informata lidhur me atë se në përgjithësi sa e (pa)dobishme ishte marrëveshja me BE, se çfarë fitonte ose humbte Maqedonija prej saj e tj. Gjatë kësaj mbisunduan vlerësimet negative dhe dyshimet se vallë do të nënshkruhej marrëveshja në Zagreb. U veçua sidomos klauzula evolutive dhe vendimet për ripatriim. Me pikëpamjet e këtilla në njëfarë mënyre u bashkua edhe kryetari i Maqedonisë Boris Trajkovski, i cili vlerësoi se nuk ishte e nevojshme të shpejtohej nënshkrimi i marrëveshjes në qoftë se mund të fitohej ndonjë klauzolë më e kënaqshme evolutive për Maqedoninë. Propozimi për sjelljen e rezolutës në shenjë të përkrahjes së marrëveshjes me BE, të inicuar nga grupet parlamentare të VMRO -DPMNE-s dhe Partisë Demokratike Shqiptare, në Kuvendin e Maqedonisë sëpari u prolongua deri në përfundimin e bisedave politike me BE, kurse pastaj u aprovua me konsensus nga ana e të gjitha partive të pranishme në parlament pas informatave të cilat në foltoren parlamentare i ofroi negociatori qeveritar maqedonas Vasil Tupurkovski dhe shqyrtimit të marrëveshjes e cila iu shpërnda parlamentarëve për shkak të reagimit të tyre se duhej të përkrahnin një dokument përmbajtjen e të cilit nuk e njihnin. Në këtë rast fare pak përfilleshin sqarimet se BE këtu nuk bënte marrëveshje lidhur me klauzolën evolutive dhe se detajet e marrëveshjes madje edhe tërë marrëveshjen, parlamentarët,nëse mendonin se ishte e nevojshme, kishin mundësi që t'i diskutonin ose refuzonin edhe më vonë, gjatë procedurës ose ratifikimit, e cila do të pasonte pas nënshkrimit të saj edhe në parlamentin e Maqedonisë.
Në këtë drejtim dyjavorja “Forum” në numrin e saj të fundit për top temë ka ngritur pikërisht marrëveshjen me BE. Vetë titulli flet në mënyrë ilustrative: “ Ju lutem, nuk ka nevojë për euforizëm!” Dhe teza është e prerë: “Maqedonija ka nevojë për nisiativë të re më vendimtare në qëndrimet ndaj BE. Kjo nisiativë patjetër duhet të jetë e bazuar dhe e përpunuar në skenën politike të vendit, por të jetë e pranueshme dhe ,eventualisht e përkrahur në tërë regjionin. Vetëm kjo mund të na shpjerë deri te integrimi funkcional dhe politik me Evropën”. Në njëfarë mënyre motiv kryesor i tekstit është sjellja në pikëpyetje e “rolit historik” të samitit zagrebas.
Në Zagreb, pas nënshkrimit të marrëveshjes, premieri deklaroi diçka fare të kundërt: “Ky nuk është një akt historik vetëm për vendin tonë, i cili këtë e ka mbi dhjetë vjet si prioritet të politikës së vet të jashtme. Besoj se ky është një akt historik edhe për vendet tjera të Evropës Juglindore, të cilat poashtu synojnë drejt asocimit më të shpejtë, ky poashtu është një akt historik edhe për vetë BE, e cila, për herë të parë gjatë historisë së vet në mënyrë të qartë dhe konkrete hapet ndaj shteteve të Ballkanit”.
Në një tollovi të këtillë u harrua edhe parahistoriku i kësaj marrëveshjeje. Ardhja në pushtet e koalicionit “Për ndryshime”, në zgjedhjet parlamentare të nëntorit të vitit 1998, u ballafaqua me situatën në të cilën Maqedonija u gjend ndaj BE. Asokohe Maqedonija nuk përmendej fare në “Agjendën 2000” dhe realisht dyert e saj ndaj Evropës ishin të mbyllura. Hapi i parë i politikës së jashtme të qeverisë së re ishte vizita Brukselit në suazat e përpjekjes që në BE të merret përgjegje e saktë në pyetjen se kur Maqedonija mund të shpresojë të gjendet në rrugën kah Evropa. Ajo që premieri Lubço Georgievski dhe ministri i punëve të jashtme Aleksandar Dimitrov dëgjuan në Bryksel nuk ishte aspak inkurajuese. Pastaj filloi edhe kriza kosovare nga e cila Maqedonija fitoi disa pikë në bazë të të cilave fitoi premtimin për fillimin e bisedave për marrëveshjen për stabilizim dhe asocim. Dihet fakti se bisedat filluan në pranverë të këtij viti dhe shpejt u kurorëzuan me sukses.
Një nga rezultatet e marrëveshjes është edhe heqja e barierave evropiane për prodhimet maqedonase (përveç peshkut, mishit të kafshëve dhe verës) nga 1 dhjetori i këtij viti. Mirëpo këtë, përveç qeverisë, të tjerët as që e përmendin. “Llogarinë” do ta paguaj Georgievski, në qoftë se e fiton këtë krizë të koalicionit dhe të qeverisë, edhe në raport me marrëveshjet me institucionet finaciare ndërkombëtare. Finalja e marrëveshjeve me Fondin ndërkombëtar monetar dhe Bankën botrore është planifikuar për gjysmën e dhjetorit. Premieri Georgievski u ankua se mediat nuk “u lodhën” për këto lajme të kënaqshme, por njëkohësisht deklaroi se vetëm qeveria e tij e garanton nënshkrimin e marrëveshjeve me FNM dhe Bankën botrore. Në të kundërtën, sipas Georgievskit, marrëveshjet nuk do të nënshkruhen dhe qeveria e re do të vendnumrojë një ose dy vite deri sa të arrijë në pozitën që e ka qeveria e tij.
AIM Shkup
ISO RUSI