Samiti i Zagrebit ishte dhe shkoi
AIM Zagreb, 27.11.2000.
Nëse samiti i Zagrebit kaloi ashtu siç pritej si në peshojë farmacistësh dhe me fjalime të hekurosura me kujdes, ditët e para që pasuan sollën tek kthesa dhe polemikat që ndryshuan deri diku akcentin e asaj që u diskutua në Zagreb. Kryetari jugosllav Vojisllav Koshtunica, i cili në samitin e Zagrebit mbajti fjalim ku potencoi më së shumti "euroskepticizmin", menjëherë u transformua në një optimist të hallakatur dhe deklaroi se Jugosllavia është më afër Bashkësisë Evropiane nga të gjithë vendet e rajonit.
Menjëherë ndaj kësaj reagoi kryeministri kroat Ivica Raçan dhe komentoi ftohtë se deklarata e Koshtunicës të kujton "retorikën e vjetër serbe", dhe se RFJ-ja do të meritonte anëtarësimin në familjen e vendeve evropiane atëherë kur në mënyrë efikase do të flakte politikën e Millosheviqit, kurse garancë për këtë, pohoi ai, ende nuk ka. Nuk është shumë e qartë këtu se çfarë kuptohet me "retorikën serbe", sepse ajo, së paku dhjetë vjet ishte e "ndarë" nga çdo evropianizim, por mu për këtë matrica e një deklarate tjetër e Raçanit ishte shumë e njohur. Në të njëjtin rast deklaroi se Kroacia vitin e ardhshëm do të shtrojë kërkesë për inkuadrim në BE, që të kujton shpejtësinë e premtuar lehtësisht të Tugjmanit dhe diplomacisë kroate nga kohërat e tij.
Veç kësaj, deklarata e Raçanit ishte e zhveshur nga përmbajtja relevante, sepse kërkesa për anëtarësim në BE mund të sillet në çdo moment - madje kryetari i ndjerë kroat u kritikua nga opozita pse nuk e bëri këtë - por pa efekt real. Por, kjo vizaton pakënaqësinë e ngulfatur të njerëzve udhëheqës në Kroaci për rezultatet e samitit. Kolegu partiak i Raçanit, Zdravko Tomac deklaroi se nuk është i kënaqur që Kroacia pas nënshkrimit të marrëveshjes së Zagrebit për asocim në BE fitoi statusin e "kandidatit potencial", kurse, të themi, Bullgaria dhe Rumania tashme kanë statusin e "kandidatit".
Veç kësaj, heshtazi murmuritet se bashkëpunimi rajonal në hapësirën e ish-Jugosllavisë është rregulluar në bazë të një marrëveshje të rreptë, që ndryshon për rastin e vendeve të Evropës Qendrore ose të Hungarisë dhe Rumanisë. Me çka harrohet se gjërësia e konflikteve në rastin e parë ishte shumë më e shprehur se sa diku tjetër, kështu edhe zyrtarët e këtushëm pajtohen plotësisht me vlerësimet e BE-së, pra se në samitin e Zagrebit u është vënë pikë luftërave në këtë hapësirë. Edhe nëse do të ketë padurueshmëri të reja, ata, në të ardhmen, do të zgjidhen në tavolinën e bisedimeve, kështu Raçani, në takimin e iniciativës së vendeve të Evropës se Mesme në Budapestë, deklaroi se pjesëmarrja e delegacionit jugosllav në samitin e Zagrebit është një hap përpara.
Kjo, tha ai, "u ka dhënë dimension të ri raporteve mes vendeve të rajonit duke i dhënë fund ndarjes, jostabilitetit dhe krizës". Së këtejmi mund të nxjerrim përfundimin se së paku një pjesë të pakënaqësisë në Kroaci u shkaktua jo me vet realizimin e samitit, por për qërim të brendshëm hesapesh politike. Në rend të parë është fakti se idenë e shprehur në pranverë nga ana e Shirakut më shpirtërisht e përkrahu Stipe Mesiç, kurse Ivica Raçani në fillim as e komentoi, por lejoi që me të kryesisht të merrej shefi i ri i diplomacisë Tonino Picula. Mesiç përndryshe kishte nuhatje më të mirë, edhe pse Raçani në një rast kishte plotësisht të drejtë.
Samiti i Zagrebit ishte, në të vërtetë, i inspiruar për krijimin e korridorit sanitar të llojit të vet rreth Jugosllavisë së Millosheviqit, që do të thotë se pas rënies së tij nga pushteti duhej të ridefinohej baza e nisjes së këtij samiti dhe Paktit për Stabilitet. Jo shumë kohë para samitit të Zagrebit, Raçani foli për vizitën në Ankara, por në një mënyrë të pështjellë dhe pa konkretizuar atë që mendon. Dukej se ai u frenua nga fakti se ideja e Shirakut shkaktoi polarizim në skenën e brendshme politike në Kroaci që nuk i shkonin ndoresh as vet Raçanit. Krahas Mesiçit, që nga fillimi deri në fund, ishin Vesna Pushiç dhe partia e saj, Partia Popullore e Krocisë, që konsiderojnë se hyrja e Kroacisë në BE përfundimisht i vë pikë fobisë ndaj Ballkanit, pastaj Qendra Demokratike e Mate Graniçit, i cili ishte i rezervuar vetëm shkaku i potencimit të paktë të koncesioneve të ish-Jugosllavisë në samitin e Zagrebit.
Nga ana tjetër Bashkësia Demokratike Kroate dhe partitë e vogla djathtiste me muaj kanë krijuar klimë kundër samitit në Zagreb, e çka është më e rëndësishmja kundër ishin edhe social-liberalët e Budishës, partneri kryesor i Raçanit në Qeveri. Ata, me siguri edhe përkundër nxitjes së mëpastajme të tij, megjithatë hoqën dorë shkaku i kundërshtimeve, sepse Raçani nuk mund të rrezikonte që të gjendej së bashku me partitë djathtiste që në përfundimet e përgatitjeve të samitit paralajmëruan se do ta kundërshtonin me protesta masive nëpër rrugët e Zagrebit. Më vonë kjo do të dëshmohej se ishte vetëm një pengesë e zbrazur, sepse ditën e samitit në vend të dhjetëra mijërave protestuesve në Zagreb u mblodhën pesëqind kreatura politike, të cilët u shfaqën si të mjerë duke kënduar mes tjerash "Zonjë e bekuar nëse je në gjendje, merre Stipen dhe na kthe Franjon" - ku edhe BDK-istët e njohur ikën që të mos dukeshin në këtë shoqëri të pastrehësh.
Kjo, padyshim, është humbja më e madhe e së djathtës radikale që nga ndërrimi i pushtetit në Kroaci, kurse ky është një lehtësim i madh për vendin, sepse ajo më nuk do të mund të lejojë terrorizimin e shoqatave të shumta të veteranëve, që u zhvilluan në kastë selanikase që secilën javë e nënçmon pushtetin. Por, sado që kjo duket paradoksale, debakli i të djathtës në samitin e Zagrebit krijoi një zbrazëtirë e cila nuk është e mirë për vendin, sepse të djathtët janë të vetmit "euroskeptik" në Kroaci të organizuar relativisht mirë. Gjithë tjerët janë në margjina për të parashtruar me theks të veçantë çështjen e Hapur e cila përafërsisht ka arritur gjysmën e asaj që ka arritur Sllovenia në këtë drejtim.
Por edhe këto shifra vetëm pjesërisht pasqyrojnë rrethanat dramatike sociale në rajon, që madje edhe në pjesën e zhvilluar perëndimore shënojnë varfëri masovike, pa edhe mjerim. Qëllimet e larta të integrimit evropian nuk do të kenë kuptim nëse nuk përfshihet menjanimi i kësaj situate të zymtë sociale, kurse deri tani ka shumë pak shenja se në të vërtetë do të ndodh kështu.
AIM Zagreb
MARINKO ÇULIÇ