Valle ende ka gjykime te montuara?

Skopje Nov 30, 2000

Kjo është pyetja që imponohet nga gjykimi i të akuzuarve për vrasjen e tre policëve në hyrje të Haraqinës në fillim të këtij viti. Pas kërkesave për rishqyrtimin e dënimeve nga rasti i “bombashëve kërçovarë” imponohet edhe një pyetje tjetër: pse vallë rastet e këtilla policoro- hetuese-gjyqësore thuaj sipas ndonjë rregulli u ndodhin vetëm Shqiptarëve?

AIM Shkup, 24.11.2000

Ajo që po ndodh në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e tre policëve të cilët bënin kontroll të rëndomtë në natën e 11 janarit të këtij viti ka kohë që është shndërruar në një “farsë” gjykimi, por edhe si hetim të cilin e kanë zhvilluar pjesëmarrësit e MPB, gjykatësi hetues dhe si akuzë mbi të cilën mbështetet gjykimi.

Para ndonjë dite njëri nga dëshmitarët me rrëfimin e vet para gjyqit siguroi alibi për dy të akuzuarit. Një shankist i një diskoteke të Shkupit vërtetoi se gjatë natës kur ndodhi vrasja e tre policëve, në kohën e vrasjes, Bashkim dhe Ramiz Asani kanë qenë mysafirë në diskotekë. Meqenëse këtë e tha nën betimin gjyqësor dhe meqë sipas ligjeve të fizikës një trup nuk ka mundësi që të jetë në dy vende në të njëjtën kohë, del fare e qartë se prokurori do ta ketë vështirë që ta çvlerësojë këtë dëshmi, e cila, nga ana tjetër, nuk është as e para e as e fundit që po përgënjeshtron pjesë të akuzës së luhatur.

Një ish funksionar i lartë i MPB, udhëheqës i Shërbimit për sigurim shtetror dhe njeriu i parë i Agjencisë për informim në kohën e themelimit të saj, Slobodan Bogoevski, në intervistën për javoren “Denes” për “ rastin e Haraqinës” thot: “ Nga informatat e procesit gjyqësor i tërë opinioni mund të shohë, kurse më të udhëzuarit mund të kuptojnë qartë, se sipas akuzës për vrasje, në bankën e të akuzuarve po qëndrojnë njerëz të pafajshëm, kurse vrasësit ndodhen në liri! Disa prej tyre në Kosovë, të tjerët në Maqedoni. Shpresoj se në të ardhmen e afërt do të zbulohen porositësit e këtij krimi të ndyrë, dhe se do të ndriçohet edhe prapavija e kësaj ngjarjeje”.

Disa ditë para kësaj, gjatë gjykimit, i akuzuari i tretë Muça Bajrami vërtetoi se vrasja ishte planifikuar në një takim të fshehtë të një njeriu nga lartë dhe të njeriut nën hije, kurse personalisht atë “ e ndjekin dy shërbime” duke identifikuar si njërin prej tyre atë të prokurorëve. I akuzuari në fjalë prej gjyqit do të kërkojë mbrojtje, sepse ka marrë kërcnime se do ta likuidojnë për shkak se nuk i përmbahet “skenarit” të gjykimit. Edhe prindërit e viktimave, sipas “Utrinski vesnik-ut” vlerësojnë se “procesi është i inskenuar”.

Javorja “Zum” në shkrimin për “rastin e Haraqinës” me titull “Vallë po zgjidhet vrasja në Haraqinë?” shënon: “Po vërtetohet se, krahas të inkriminuarve” për këtë vrasje egzistojnë edhe motive politike. Përsëri pyetja vallë policët janë vrarë në Haraqinë ka ngelë e hapur. Funksionari i lartë i përzjerë në këtë ngjarje, ai për të cilin mendonte Muça Bajrami, është ministri i drejtësisë Xhevdet Nasufi”.

Në këtë mënyrë vlerësimi se “ një gjykim, i cili praktikisht ndodhet kah mesi, tani është aq konfuz saqë nuk mund të jetë i sukseshëm, duket mjaft i besueshëm. Si do që të jetë fundi i tij do të zvarritet gjatë kohë nëpër nivelet e ndryshme të procedurës gjyqësore. Sepse në vend të përgjigjeve në pyetjet e caktuara po parashtrohen pyetje të reja”.

Kësaj jave në aeroportin Petrovec të Shkupit u burgos Hashim Limani, i cili u deportua nga Zvicra ku qëndronte pa leje. Hashimi është i biri i Beqir Limanit, i cili në vitin 1996 u vra nga policia gjatë kontrollit për gjetjen e armëve . Sipas verzionit zyrtar policia ka menduar se në çastin kur ai kishte vendosur të dorëzohet dhe kishte dalur prej shtëpie në dorë kishte patur bombë dhe prandaj e vrau. Fatmir Limani, vëllai dhe biri i tyre, pas gjykimit në rastin të cilin mediat e këtushme e quajnë “bombashët e Kërçovës”ndodhet në vuajtje të dënimit në burgun e Idrizovës. Në të vërtetë fjala është për njerëz të gjykuar për vendosje të një sërë bombash kryesisht para postbloqeve policore gjatë vitit

  1. Hashim Limani, ndërkaq, është paraburgosur edhe pse, sipas asaj që shkroi “Utrinski Vesnik-u” duke publikuar deklaratën e advokatit të tij Krste Karakamishev, “ kundër Hashim Limanit nuk egziston aktakuzë”.

“Dnevnik-u” i Shkupit informatën për burgosjen e Hashim Limanit (20) e titullon: “ U paraburgos “lidhja” midis bombashëve dhe Veliut”, duke aluduar kështu në lidhjen midis rastit “bombashët e Kërçovës” dhe “aferës Fazli Veliu”, rastin e ekstradimit të parealizuar të njeriut për të cilin vlerësohet se është “ babai ideor” i akcionit të vendosjes së bombave, aferë në të cilën është përzjerë edhe ministri i drejtësisë Xhevdet Nasufi.

Procesi i “ bombashëve kërçovarë” nga ana e mediave në gjuhën shqipe me kohë është quajtur si proces i montuar gjyqësor; është kërkuar revidimi i tij kurse nga kryetar Boris Trajkovski është kërkuar amnestim. Në mitingun e paradokohshëm në Tetovë, në shenjë të përkrahjes së lirimit të shqiptarëve të burgosur në burgjet serbe, për herë të parë në kohën më të afërt (prej kur PDSH-ja është pjesë e qeverisë) u përkujtuan shqiptarët e dënuar për politikë në burgjet maqedonase. “Vest-i” theksonte se Arben Xhaferi gojarisht kishte kërkuar nga kryetari Boris Trajkovski që t'i lironte “bombashët kërçovarë” nga shkaku se mendon se ata nuk janë fajtorë, gjë e cila pastaj u demantua. Vlerësimi i PDSH-s, sipas “Vest-it” është se procesi gjyqësor kundër tyre është “proces klasik politik dhe prandaj ata duhet të lirohen”.

Ankesat ndaj aktdënimeve dhe kërkesa për revidim të procesit në fjalë ndodhet në Gjyqin e apelit në Manastir. Duke u thirr në deklaratat e advoketëve të të gjykuarve “Dnevnik” shkruan se ata kanë deponuar ankesë pranë gjyqit të Manastirit për shkak të “ lëndimeve serioze në aktgjykim dhe gjatë procesit gjyqësor”. Gazeta citon edhe deklaratën e deputetit të PDSH-s Fadil Bajrami, sipas së cilës rasti do të rishqyrtohet edhe nga ana e institucioneve kompetente ndërkombëtare. “E ndoqa gjykimin në Kërçovë dhe jam i bindur se ky është një proces i montuar politik i pushtetit të mëparshëm. Nuk ishin siguruar kurrfarë faktesh se njerëzit kanë lidhje me terrorizëm, edhepse kishte tentime për deklarata të dhunshme. Është indikative ajo që para burgosjes së tyre, në rrethana ende të pasqaruara, është vrarë babai i të të akuzuarit të parë të këtij rasti , Fatmir Limani', deklaroi Bajrami.

Të gjitha këto ngjarje mund të shikohen edhe nga një kënd tjetër. Të gjitha epilogjet policore, hetuese dhe gjyqësore në njëfarë mënyre flasin për bashkëpunimin ndërmjet politikës dhe drejtësisë në kuptim negativ, por edhe në kuptim pozitiv në raport ndaj të akuzuarve dhe të gjykuarve. Në rastin “paraushtria shqiptare”, i cili sipas ministrit të atëhershëm të punëve të brendshme të Maqedonisë Lubomir Frçkovski ishte rast i lindur në kohën “kur Sali Berisha dhe Shqipëria u ndodhën pa brekë”, pjesa më e madhe e të gjykuarve “kryesorë” u amnestuan nga ana e kryetarit të atëhershëm Kiro Gligorov si rezultat i presionit politik, pasojë e të cilit ishte edhe krijimi i kësaj afere. Ose në rastin e dy prefektëve dhe kryetarëve të këshillave komunale të Gostivarit dhe të Tetovës, ku gjykimet ishin klasike politike, nën presionin e pushtetit të atëhershëm, kështuqë edhe epilogu kishte po atë shenjë - falje në bazë të Ligjit për amnisti, të cilin si ligj të parë e miratoi koalicioni “Për ndryshime” pas fitores parlamentare të vitit 1998. Simptomatike është ajo se Shqiptarët gjithmonë janë aktorë të të gjitha këtyre proceseve më pak ose më shumë të montuara.

AIM Shkup

ISO RUSI