Terrorist apo i burgosur politik?
Hashim Limani, i dyshuar nga policia maqedonase se mund të jetë i involvuar në disa akte terroriste, kur në vitet 1997/98, para objekteve të disa institucioneve shtetërore në Maqedoni shpërthyen disa bomba, këto ditë ra në duart e policisë maqedonase. Kthimi" i tij në vendlindje, ishte i rastësishëm dhe një befasi e këndshme për policinë maqedonase. Këto dit ai ka arritur në aeroportin "Petrovec" në Shkup me një aeroplan që vinte nga Cyrihu i Zvicrës. Në një potez të këtillë, Hashim Limani ka qenë i detyruar nga autoritetet zvicërane, të cilët e kishin zënë atë duke qëndruar ilegalisht në shtetin zvicëran. Duke mos ditur se në Maqedoni ai është dyshuar të ketë marë pjesë në aksione terroriste, zvicëranët deportojnë atë në Shkup.
AIM Shkup, 25.11.2000
Burime të policisë maqedonase thonë se para ca ditëve në aeroportin Petrovec në Shkup, organet kufitare kanë realizuar kontrollin rutinor, deri tani më produktiv në këtë aeroport. Pas futjes në kompjuter të të dhënave personale të një "personi të panjohur", pjesëtarët e policisë nuk kanë mundur të besojnë se pranë tyre gjendet Hashim Limani, i dyshuari për vendosjen e bombave nëpër qytetet të ndryshme të Maqedonisë në vitet 1997/98. Me një sigurim të shtuar të policisë, ai në fillim është dërguar në stacionin policor në Kërçovë, në qytetin ku kishte kishte kaluar 18 vitet e rinisë së tij. Një ditë pas, ai është dërguar në burgun hetues në Manastir, në vuajtje të paraburgimit prej 30 ditëve, të cilin ia kishte caktuar gjykatësi hetues nga Gjykata themelore në Kërçovë në vitin 1998.
Tre vjet më parë, Maqedonionë e kishte kapluar një seri sulmesh me bomba para ndërtesave të policisë dhe atyre të gjyqësisë, në të cilat për fat të mirë nuk kishte pasur të lënduar. Pas hetimeve intensive të policisë maqedonase, një ditë vere të vitit 1998, u ndërmor një aksion i organizuar i policisë, me çrast njëkohëisht u bastisën disa shtëpi në qytete të ndryshme të Maqedonisë. Policia arrestoi 8 persona, për të cilët mendonte se janë ërgjegjës për shpërthimet e bombave para stacioneve policore në disa qytete të Maqedonisë. E përbashkëta e të gjithë personave të arrestuar, ishte se ata studionin në Universitetin e Tetovës, dhe sipas informative që atë kohë qarkullonin në opinion maqedonas, të gjithë ishin të rinjë që kishin treguar sukses në studimet e tyre. Çfarëdo lidhshmërie e këtyre të rinjve me aktet terroriste që kishin shkaktuar frikë në vend, ishte e pakuptueshme për secilin, mirëpo jo edhe për policinë maqedonase, e cila ishte e vendosur t'i akuzoj ata për terrorizëm.
Në një rast, bastisja policore e tetë shtëpive të studentëve të Universitetit të Tetovës, mori për viktimë një njeri të pafajshëm, Beqir Limanin, të cilin policia maqedonase e vrau në shtëpinë e tij. I ndjeri ishte babai i Hashim Limanit, i cili ishte habitur nga vizita e paparlajmëruar e policëve maqedonas në shtëpinë e tij, të cilët aty kishin ardhur për ta arrestuar djalin tjetër të tij Fatmir Limanin, gjithashtu student i Universitetit të Tetovës. Sipas policisë, ai është vrarë në momentin kur ka dashur të hedhë një bombë në drejtim të policëve. Një arsyetim i tillë i policisë ka mbetur deri sot I papranueshëm për familjen e të ndjerit. Qarqe të caktuara policore thonë se familja e të ndjerit ka të drejtë, sepse Beqir Limani është vrarë qëllimisht për shkak të frikës që kanë pasur policët e angazhuar në këtë operacion nga ndonjë rezistencë eventuale e tij.
Hashim Limani ka arritur të ikë jashtë vendit, ndërsa këtë fat nuk e kishte vëllau i tij Fatmir Limani, I cili bie në duart e policisë maqedonase. Në vjeshtën e vitit 1998, fillon procesi gjyqësor, i cili në opinion u cilësua si kontravers dhe i montuar. Kjo për shkak të fakteve të pamjaftueshme me të cilat dispononte Prokuroria themelore në Kër;ovë, që ishte një përshtypje e përgjithshme e shprehur publikisht nga të pranishmit në sallën e gjykimit. Përkundër kësaj, vëllau i Hashimit, Fatmiri merr dënimin më të rëndë me 10 vjet burg. Edhe të akuzuarit tjerë nuk kalojnë më mirë. Granit Osmani dënohet me 5 vjet burg, Hasan Limani me 5, Demir Qazimovski me 4, Adem Karaga me dy vjet e gjysëm etj. Vetëm njëri prej 9 të akuzuarve përfundoi në liri, e ai është Musa Ferati, i cili u lirua për shkak të çregullimeve psiqike, të cilat sipas familjes së tij, ishin pasojë e maltretimit brutal të tij në hetuesi. Dënimet e shqiptuara në opinionin e vendit u cilësuan si drakonike dhe ato u korigjuan pastaj me vendimin e Gjykatës së Apelit në Manastir.
Në këtë aferë, që në opinion njihet me emrin "afera e Kërçovës" , policia nuk arriti të arrestojë kërçovarin Fazli Veliu, për të cilin thuhej se ishte truri I këtij "grupi terrorist" me qëllime të panjohura. Maqedonia pas tij kishte shpallur fletëarrest ndërkombëtar deri në selinë e Inerpolit. Para do kohe ai është arrestuar nga policia gjermane, e cila për këtë kishte njohtuar organet maqedonse, të cilët nuk arritën të kërkojnë ekstradimin e tij. Fajtori për këtë gjendej në luftën mes gjykatësit hetues dhe Prokurorit publik në Kërçovë, të cilët ndërkohë kishin sjellur vendime kontradiktore për nevojën e sjelljes së tij para organeve të pushtetit maqedonas. Pasoi një invazion i shtypit maqedonas në adresë të ministrit të Drejtësisë Xhevdet Nasufit, të cilin e akuzonin për siç thonin "amnestimin e terroristit Veliu". Ndërkohë u prononcua edhe vetë Fazli Veliu, i cili demantoi shkrimet tendecioze të gazetarëve opozitar që artficialisht krijonin një urë lidhëse mes tij dhe ministrit Nasufi. Ai me këtë rast hodhi poshtë si të pabazë aktpadinë e pregaditur për të nga nga e Prokurorisë themelore në Kërçovë, të cilën e cilësoi si një proces të montuar gjyqësor me prapavijë politike. Të njëtin mendim e ndanë edhe kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar në Maqedoni, Xhevat Ademi, i cili këto ditë për të përditshmen në gjuhën shqipe "Fakti" deklaroi se të burgosurit në "aferën e Kërçovës" janë të burgosur politik. Edhe i arrestuari i "freskët" Hashim Limani, sipas Xhevat Ademit është i burgosur politik, i cili ditën kur ka lëshuar vendin ka qenë i mitur. Ai në këtë moment gjendet në burgun e Manastirit, ku është duke pritur caktimin e procesit gyqësor ndaj tij. Ndërkohë, të burgosurit tjerë në "aferën e Kër;ovës" kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e shqiptuar para dy viteve, i cili këto ditë do të shqyrtohet nga instancat më të larta gjyqësore të vendit.
AIM Junior SHkup
LIRIM DULLOVI