Kontraverzat rreth komercializimit dhe privatizimit

Pristina Nov 25, 2000

Prishtinë, 24.11.2000.

Me Rezolutën 1244, UNMIK-u dhe OKB-ja janë obliguar t'i marrin të gjitha masat për normalizimin e jetës, për krijimin e kushteve të zhvillimit mbi parimet e ekonomisë moderne të tregut dhe për ndërtimin e institucioneve demokratike kosovare. Megjithatë, fitohet përshtypja se strukturat e këtushme ndërkombëtare më shumë e preferojnë politikën e anashkalimit ose të rrugëve të lehta se sa kacafytjen me problemet e vërteta të Kosovës. Nga ky këndvështrim mund të shpjegohet ngecja e UNMIK-ut në fushë të krijimit të mbështetjeve juridike dhe ekonomike për hapjen e perspektivave zhvillimore të Kosovës. Zvarritet miratimi i disa ligjeve të rëndësishme nga fushat e jurisprudencës dhe të ekonomisë, pa të cilët nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë të sistemit gjyqësor dhe nuk mund të hapen perspektiva të zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik të Kosovës. Nuk zbulohet ndonjë fshehtësi e madhe po të thuhet se shkaktarë kryesorë të qasjes së këtillë praktike janë statusi i përkohëshëm i Kosovës dhe sovraniteti kontestues mbi Kosovën.

Për këto arsye UNMIK-u ka hequr dorë nga ushtrimi i detyrës elementare të çdo pushteti në tranzicion: të vendosë rend në pronësi, si parakusht për nisma të mbara në fushë të zhvillimit. Më konkretisht, pengesat që mund t'i bëjnë Serbia dhe disa pretendentë të jashtëm mbi pjesë të pasurive të Kosovës, e kanë detyruar UNMIK-un që në vend të privatizimit, ta zgjedhë komercializimin si rrugë për ringjalljen eventuale të 300 deri 400 objekteve ekonomike në pronësi kontestuese (shoqërore, publike, shtetërore, private). Komercializimi nuk është gjë tjetër veçse dhënie me qira e objekteve të tilla. Duket shumë qartë se logjika nuk është ekonomike, por politike dhe diplomatike.

Deri tash, publikisht, pasqyrën më të plotë të këtij modeli e ka paraqitur, Tim O'Neill, bashkëkryesues i përkohshëm i Departamentit të Tregëtisë dhe të Industrisë. Ai këtë e ka bërë në artikullin: "Komeracializimi, e jo vendimi gjyqësor, për ta rimëkëmbur industrinë e Kosovës", të botuar në shtojcën e UNMIK-ut në shtypin ditor të 10 nëntorit të vitit 2000. Pasi është botuar në atë shtojcë, mund të konsiderohet edhe si qëndrim zyrtar i UNMIK-ut. Për rëndësinë e zgjidhjes të problemit të pronësisë ai thotë se ".Qartësimi mbi këto të drejta pronësore 'jo-rezidenciale' është thelbësor nëse Kosova duhet të zhvillohet në ekonomi funksionale të tregut.", pastaj se ".Kosova ka nevojë, sa më shpejt që të jetë e mundshme, për një mekanizëm që i qartëson të drejtat pronësore." dhe se ".Mijëra vende pune varen nga përcaktimi i fatit të ndërmarrjeve industriale shtetërore, republikane ose kuazi shoqërore të Kosovës. Mijëra vende tjera pune do të krijoheshin në mënyrë indirekte sikur ato ndërmarrje të fillonin të punonin". Por, sipas tij, në Kosovë nuk ka kushte për qartësimin e pronësisë. Z. O'Neill thotë se ekzistojnë vetëm tri mënyra për zgjidhjen e problemit të pronësisë. Së pari përmend ". gjykatat ekonomike të konstituuara si duhet.". Mundësi të dytë e konsideron ". një marrëveshje shumë-shtetërore mbi rregullimin e pasurive të ish Jugosllavisë". Ai konsideron se për të dy këto mënyra do të nevojitej shumë kohë. Rrugë e tretë mund të jenë ".Qasjet tjera, si një Komision për Shpalljen e Pronarit, ofrojnë përparësitë e aftësisë për të punuar më shpejt. Por, vendimet nga ato sisteme joligjore gjithmonë do të jenë të hapura për t'u sfduar jashtë Kosovës." , pra nga Beogradi dhe pretendë të tjerë ndaj pronësisë mbi pasuritë e Kosovës. Kohë më parë në Beograd u formua një bord i këtyre pretendentëve për mbrojtjen e interesave pronësore në Kosovë.

Zyrtari i UNMIK-ut nuk i merr parasysh përvojat e vendeve të tjera në tranzicion. Agjensitë ose komisionet që kanë qenë format e vetme nëpërmjet të cilave pushteti në vendet tjera ka zbatuar privatizimin ai i konsideron të paligjshme. Pastaj, edhe pse deklarohet për qartësim, z. O'Neill qysh në këtë artikull përcakton se ". Varësisht nga historia e tyre ligjore, ato (objektet) mund të jenë jo vetëm pronë shtetërore (për shembull e ish Jugosllavisë), shoqërore (e punëtorëve) ose private, por ato, gjithashtu, mund të jenë pronë e republikës (për shembull të Serbisë)". Kështu konkludon ai duke u bazuar në ligjin serb të vitit 1997 për transformimin e pronës që tash, sipas tij, është pjesë e ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Duke e vlerësuar këtë ligj, ai thotë: "Ky ligj ishte zbatuar në Kosovë dhe duket as të ketë qenë diskriminues, e as të jetë zbatuar në mënyrë diskriminuese". Askush nuk do ta jepte një vlerësim të tillë po të kishte njohuri elementare për gjendjen në Kosovë gjatë gjithë kësaj dekade. Në Kosovë nuk respektohej ligji, kurse shqiptarët ishin të përjashtuar jo vetëm nga puna, por edhe nga shoqëria. Megjithëse ligji i vitit 1997 nuk pati ndonjë rol praktik, pasi transformimin e pronës shoqërore në Kosovë Beogradi e bëri me ligje të tjera gjatë periudhës 1991-93, në procedurën e zbatimit edhe ai ishte, madje shumë diskriminues.

Mostër për komercializim merret procedura e zbatuar me rastin e dhënies me qira për 10 vjet të çimentores në Han të Elezit. Praktikisht, ofrohet dhënia me qira për 10 vjet e objekteve të tilla. Kjo automatikisht do të thotë se për 10 vjet shtyhet çështja e privatizimit. Gjatë kohës së shfrytëzimit me qira objektet do të aftësoheshin për funksionim sipas parimeve të tregut dhe, pas kalimit të afatit të qirasë, do t'i jepeshin pronarit të vëretetë, të gatshme për të vazhduar prodhimin. Pronarit do t'i jepet edhe pjesa e profitit që i takon në bazë të pronësisë për kohën e shfrytëzimit me qira, kurse pjesën që i takon do ta merrte edhe buxheti i Kosovës.

Është interesant të theksohet se nuk janë marrë parasysh përvojat e vendeve tjera në tranzicion. Në asnjë vend dhënia me qira nuk është miratuar si drejtim kryesor i zgjidhjes të problemeve të pronësisë. Vërtet, ka pasur raste kur ndonjë ndërmarrje është ofruar dhe është dhënë me qira, por përvojat janë kryesisht negative. Prandaj, komercializimi është zgjedhur si rrugë më e lehtë, e jo më e mirë për t'u ballafaquar me problemet e vërteta politike dhe ekonomike të privatizimit. Në të vërtetë, është zgjedhur rruga e shtyrjes së zgjidhjes së problemeve kyçe të çdo shoqërie në tranzicion.

Komercializimi as për së afërmi nuk mund të jetë zëvendësim për privatizimin dhe as është rrugë e mirë për joshjen e kapitalit të huaj privat. Vetë z. O' Neill konstaton se konfuzioni lidhur me zotërimin e biznesit në Kosovë e bën të pamundshme angazhimin e investimeve të huaja, në prodhim ose në teknologji. Z. O'Neill paralajmëron se njësoj do të veprohet edhe me Trepçën. Prandaj, ai konsorciumi aq shumë i përmendur edhe për 16 milionë dollarët e tij, nuk do të bëjë gjë tjetër pëveç përgatitjeve që edhe Trepça ose pjesë të saj të bëhen joshëse për t'u dhënë me qira. Këtu gjerësisht është premtuar dhe është folur se Trepça përgatitet për prodhim nën mexhanimin publik dhe se aty do të gjejnë punë mijëra punëtorë.

Nuk duhet të pritet që komercializimi të sjellë farë levërdish afatshkurtra dhe afatgjate për ekonominë dhe shoqërinë kosovare ose, së paku, jo aq sa propagandohet. Z. O'Neill vlerëson se për shumë objekte nuk do të ketë të interesuar për marrje me qira dhe ato do t'i shkatërrojë koha, gjoja për shkak se nuk kanë perspektivë zhvillimore në kushtet e reja. Por, logjika e qiramarrjes dhe e investimeve për t'u bërë pronar nuk është e njëjtë. Prandaj, interesimi për qiramarrje nuk mund të jetë kriter për vlerësimin e perspektivave të ndonjë objekti ose të potencialeve të tij. Kështu, ndoshta pa arsye mund të humben mijëra vende pune. Pastaj, afërsisht për 10 vjet u mbyllet rruga investimeve eventuale të kapitalit të huaj privat në ato objekte ose në potencialet e tyre. Nuk mund të ketë pronar të kapitalit financiar që do të investonte në pronësi kontestuese. Pastaj, për ndërkombëtarët mund të mos jetë e rëndësishme, por për Kosovën dhe për shqiptarët ka rëndësi të dorës së parë se çfarë mund të jetë kuptimi i shtyrjes së privatizimit për 10 vjet dhe çfarë problemesh lidhur me pronësinë mund të paraqiten pas asaj periudhe. Z. O'Neill në këtë artikull u deklarua, madje në mënyrë të prerë se pronë e kujt mund të jetë ky lloj i bizneseve kosovare.

Që nga idetë e para, ekspertët shqiptarë dhënien me qira e pritën në mënyrë kritike ose me dyshime. Disa nga ata qysh atëherë thanë se komercializimi nuk mund të jetë zëvendësim për privatizimin, se ai nuk ka mbështetje në logjikën ekonomike, se shtyrja e problemit kyç të privatizimit do të ketë pasoja të shumta dhe të rënda dhe se kështu mbyllen disa rrugë të rëndësishme për ardhjen e kapitalit të huaj privat. Këta propozonin që UNMIK-u menjëherë të fillojë përgatitjet dhe më pas të bëjë privatizimin, kurse çështjet kontestuese t'u lihen t'i zgjidhin gjyqet me procedurë të rregullt. Afërsisht këto ishin dhe mbeten qëndrime të kryetarit të Institutit Riinvest të Prishtinës, Muhamet Mustafa dhe të disa ekspertëve të tjerë të këtij institucioni me renome. Në njërën nga paraqitjet e fundit publike, z. Mustafa deklaroi se dhënia me qira ka logjikë ekonomike vetëm për afat prej 1 deri 3 vjet, si përgatitje për privatizim. Pati edhe ekspertë që për dhënien me qira u deklaruan pozitivisht, pa ndonjë anagazhim të theksuar në favor të saj (prof. Dr Musa Limani).

Marrë në tërësi, ndër ekspertë shqiptarë nuk ka përkrahës aktivë të kësaj ideje. Në një mbledhje që u mbajt para disa ditësh në Odën Ekonomike të Kosovës jehonë më të madhe bëri vlerësimi se komercializimi është shpëtim për ekonominë e Kosovës. Gjatë asaj bisede u paraqit edhe qëndrimi për komercializimin si një e keqe e paevitushme. Sipas këtij mendimi, privatizimi nuk mund të bëhet për mungesë të infrastrukturës juridike, se më mirë është të bëhet komercializimi se sa ato objekte dhe potenciale t'i shkatërrojë koha dhe se komercializimi i përgatit objektet e tilla ekonomike për privatizim.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI