Kontestet rreth pasurisë së paluajtshme
Prishtinë, 22.11.2000.
Një punëtore në Gjykatën Komunale të Prishtinës viziton çdo ditë lagje të ndryshme të këtij qyteti për të evidencuar apartamentet që janë pronë e serbëve apo malazezëve, të cilët e braktisën Kosovën menjëherë pas hyrjes së trupave të KFOR-it. Ndonëse është serbe, ajo nuk ka frikë ta bëjë këtë "shetitje" meqenëse e flet mirë gjuhën shqipe dhe është atraktive për sytë e qytetarëve.
Qëllimi i saj nuk është ruajtja e kësaj prone apo krijimi i regjistrave, të cilët do t'i shërbenin më vonë UNMIK-ut ose dikujt tjetër qoftë për t'i ruajtur ato, qoftë për lirimin e atyre banesave që aktualisht janë të uzurpuara, respektivisht që nuk shfrytëzohen nga pronarët realë të tyre. Ajo, ndër të tjera, këtë e ka një biznes të mirë dhe profitabël. Përparësia e saj qëndron në faktin që ajo është e punësuar në gjykatë, është serbe që ka mbetur në Kosovë, por që ka edhe mundësi të shkojë shpesh në qytete të ndryshme të Serbisë dhe ashtu të bjerë në kontakt të drejtpërdrejtë me pronarët serbë, përkatësisht të ndërmjetësojë në shitblerjen e pronave të paluajtshme.
Një punë të tillë e bën edhe avokatja shqiptare (që dëshiron të mbetet anonime, po ashtu për shkaqe sigurie), e cila e ka "kolegen" e saj në një qytet të Serbisë, me të cilën komunikon çdo ditë, përmes faksit këmbehen lista dhe dokumente, por ndodh edhe të takohen në ndonjërën nga pikat kufitare për të nënshkruar 'letrat' dhe për ta realizuar pranim-dorëzimin e parave dhe pagave për punët ndërmjetësuese.
Në Prishtinë, situata në sferën e shitblerjes së banesave ndryshon gati çdo ditë. Aktualisht, pas një hovi të madh që kishte shënuar kjo tregti para një periudhe, posaçërisht gjatë vitit të kaluar, ajo ka rënë dukshëm. Problemi qëndron te fakti se oferta është shumë më e vogël se kërkesat. Sipas disa agjencive që merren me punët rreth shitblerjes së pronave të patundshme, edhe shitblerja e banesave në pronësi të serbëve thuajse është në përfundim e sipër, sepse ato që ishin pjesë e ofertës për shitje tashmë janë shitur, ndërsa një numër i konsiderueshëm sosh janë të zëna nga "njerëz nga zona të shkatërruara nga lufta" ose nga "familje dëshmorësh", të cilët qytetarët tjerë i quajnë "partizanë" ose "parashutistë".
Mirëpo, sa më e vogël që paraqitet oferta, çmimet janë në rritje e sipër, madje kanë arritur deri në lartësi "marramendëse". Derisa për ndërtimin e një metri katror të lokalit për banim në qytetin e Prishtinës, ndërmarrjet e ndërtimit kërkojnë 500 DM, çmimi i shitjes për 1 metër katror është dy herë e gjysmë më i lartë. Që absurdi të jetë edhe më i madh, varësisht nga pozita e banesave, ka raste kur ky çmim arrin mbi dy mijë DM.
Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Shitblerja e banesave në pronësi serbe ndërlidhet edhe me ca probleme të tjera po aq të ngatërruara. Në qoftë se një blerës potencialë bie në kontakt me pronarin serb, ai është i detyruar në anën tjetër të hyjë "në negociata" edhe me "parashutistin" a "partizanin" (të zonës urbane ose rurale) të cilët, varësisht prej pozitës ku ndodhet banesa (qendra e ngushtë ose periferia), kërkojnë shuma prej 3.000 DM deri në 25.000. DM. Përndryshe, pa marrë parasysh dokumentat dhe kontratën legale për shitblerje, ata nuk do ta lirojnë banesën.
Meqenëse kërkesat janë shumë të mëdha, një numër i shqiptarëve, të cilët kanë gjetur metoda për t'u marrë vesh me "partizanët" për ta blerë banesën prej serbëve, i kanë ofruar të njëjtat banesa në shitje, por me çmime astronomike. Çmimet rriten nga fakti se tani pronari i banesës është shqiptar, si dhe fakti se blerësit e interesuar (dhe që kanë para) më parë vendosin të blejnë një banesë të tillë se një banesë në pronësi serbe. Kështu, për shembull, një banesë prej 60 metrash katrorë shitet gjer në 100.000 DM.
Shitjen e këtyre banesave e ndihmojnë edhe disa agjenci që merren me shitblerjen e pronave të patundshme, ku çmimi për një metër katror sillet prej 1.200 DM për katet e larta dhe më larg qendrës së qytetit, e deri në 2.300 - 2.500 DM për banesat në qendër dhe në katet e ulëta.
Mirëpo, ka edhe të atillë (kryesisht avoketër) që i sigurojnë klientët e tyre se uzurpatorët mund të largohen nga prona e uzurpuar dhe se për këtë mjafton vetëm dokumentacioni adekuat për pronësinë mbi banesën që KFOR-i dhe policia ndërkombëtare t'i përzënë ata nga prona e huaj. Por, kjo punë ka rezultuar tepër e rrezikshme, kështu që mund të dëgjohen zëra se disa avokatë janë kërcënuar dhe rrahur, qoftë nga klientët e tyre të pakënaqur, qoftë nga uzurpatorët që me çdo kusht dëshirojnë ta mbajnë për vete pronën e huaj.
Që në fillim të mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, organizata e specializuar për çështje të pronës së patundshme dhe banim - "Habitat" ka dalë me një deklaratë mjaft shqetësuese për opinionin e këtushëm. "Ka rreth 100 mijë konteste rreth pronësisë së banesave në Kosovë", kanë deklaruar atëbotë përgjegjësit e "Habitat"-it.
Një vit më vonë, në "Habitat" sërish flasin për kontestet, madje edhe për përgatitjet që po bëjnë rreth shqyrtimit të këtyre kontesteve pronësore, mirëpo ata ende nuk kanë përfunduar as zgjidhur asnjë rast konkret, ndonëse kjo organizatë mburret për punën e bërë posaçërisht në Bosnjë, po edhe në vende të tjera të botës në periudha pas konfliktit.
Ndërkaq, në anën tjetër, UNMIK-u ka bërë të ditur përmes një deklarate të posaçme se do ta hulumtojë secilin rast të shitblerjes së banesave me qëllim që të korrigjohen padrejtësitë e mundshme, përkatësisht që në raste të tilla të kthehet gjendja pronësore çfarë ishte para ardhjes së tij në Kosovë. Ndonëse kjo deklaratë i befasoi kosovarët, ata megjithatë nuk besojnë se mund të bëhet një gjë e tillë.
Gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, jo vetëm për shkak të mospranisë së serbëve në shumë qendra urbane të Kosovës, por edhe për faktin se kontestet e mëhershme janë zgjidhur sipas logjikës së më të fortit. Nxjerrja e shqiptarëve me dhunë nga banesat (posaçërisht në vitet pas zhbërjes së autonomisë së Kosovës) dhe dhënia e tyre serbëve, pastaj anulimi i vendimeve për ndarjen e banesave nga ndërmarrjet dhe institucionet e ndryshme (po në atë periudhë), tashmë janë çështje gati plotësisht të harruara. Edhe nëse serbët i kanë privatizuar ato banesa në ndërkohë, shqiptarët që dikur ishin në to si shfrytëzues të "banesave shoqërore", tani konsiderojnë se janë kthyer në banesën, respektivisht pronën e vet.
Midis tjerash, ka patur paralajmërime se të gjitha kontratat e shitblerjes së pronave të patundshme të realizuara që nga viti 1989 do të mund t'i nënshtroheshin rishqyrtimit, për t'i zgjidhur ashtu me themel çështjet e marrëdhënieve pronësore midis qytetarëve të tashëm dhe të dikurshëm të Kosovës. Ka paralajmërime se do të mund të fillohej me punën për zgjidhjen e rasteve më urgjente, mirëpo, së paku opinionit nuk i është bërë e ditur ndonjë gjë konkrete në këtë drejtim. Sytë dhe veshët, megjithatë, janë të kthyer në drejtim të UNMIK-ut. Në të vërtetë, është qëndrim i përgjithshëm se UNMIK-u do të bënte një mrekulli të vërtetë vetëm nëse do të arrinte t'i qartësonte rastet më kontestuese rreth pronësisë mbi benesat në Kosovë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI