Ashkalinjtë, njerëz pa atdhe
Prishtinë, 20.11.2000.
"Ne nuk jemi romë, s'kemi asgjë të përbashkët me ta, ne jemi ashkalinj", kështu po përsëriste me gjestikulime Naser Adiqi, në përpjekje për t'i bindur gazetarët, në kampin e ashkalinjve në fshatin Plemetin të komunës së Obiliqit, vetëm 6 kilometra larg Prishtinës. I njohur në kampin e tij si "lideri", ai u bënte thirrje mjeteve të informimit që të mos i ngatërrojnë banorët e këtij kampi me romët (apo ndonjë nacionalitet tjetër në Kosovë). Këtë lutje ai po ua drejtonte gazetarëve vetëm dy ditë pasiqë katër bashkëkombas të tij ishin gjetur të vrarë në fshatin Dashec të komunës së Skënderajt, në Kosovën Qendrore. Ata ishin vrarë vetëm tri ditë pasiqë me ndihmën e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara ishin kthyer në fshatin e tyre (prej nga kishin ikur më parë) për të rifilluar jetën. Autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy partive kryesore politike, pasi panë trupat e pajetë të katër ashkalinjve, në mesin e të cilëve edhe një 16 vjeç, e quajtën këtë një "vrasje barbare". E tëra kishte ndodhur shumë shpejt dhe dënimi që po i bënin kësaj vrasjeje autoritetet ndërkombëtare, më shumë u duk si një përpjekje për të shfajësuar vetveten. Shefi i Komisariatit për Refugjatë në Kosovë, Eric Morris, tha se pesë ashkalinj të strehuar në Fushë Kosovë kishin kërkuar që të kthehen në fshatin e tyre. Për këtë arsye autoritetet kishin biseduar me zyrtarë komunalë, si dhe me banorët e fshatit, të cilët "e kanë miratuar këtë kërkesë, madje u kanë dëshiruar mirëseardhje të kthyerve". Të trimëruar nga ky qëndrim i banorëve lokalë shqiptarë, ata madje nuk kishin pranuar as mbrojtje nga trupat paqeruajtëse, por kishin ngritur tendat në afërsi të gërmadhave të shtëpive të tyre të djegura gjatë luftës në Kosovë. Kthimi, siç u tha, kishte ndodhur ditën e hënë, ndërsa të enjten në mëngjes ata ishin gjetur të "copëtuar" nga të shtënat me rafale nga afërsia.
Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha shqiptare, Lidhjes Demokratike të Rugovës dhe Partisë Demokratike të Thaçit, e kanë dënuar ashpër këtë akt kriminal. Këta të dytët kanë theksuar se të gjithë ata që pohonin se zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë do të përcilleshin me dhunë u dëshpëruan dhe tash kanë vendosur të vrasin qytetarë të Kosovës", mirëpo nuk e thanë kush e kishte proklamuar një gjë të tillë dhe nuk qe e qartë nëse ata po ia drejtonin gishtin dikujt brenda në Kosovë apo "armiqve të jashtëm të Kosovës". Kouchner, Carlo Cabigiosu, përfasqësues të UNHCR-së dhe OSBE-së kanë mbajtur menjëherë, së bashku me përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së, një konferencë për gazetarë në të cilën kanë dënuar me termat më të ashpër këtë vrasje të shumëfishtë. Përfaqësuesi i policisë ndërkombëtare ka premtuar se fajtorët do të kapen, ndoshta "jo për një javë ose një muaj, sepse për këtë ndonjëherë duhen vite, por ata do të kapen", ka thënë ai. Madje, ai i ka lutur mjetet e informacionit që të mos e "vështirësojnë" procesin hetimor me shkrimet e tyre (!?)...
Vetëm dy ditë më vonë, në Ferizaj është vrarë edhe një ashkali 13 vjeç. Familja e tij ka filluar ta kërkojë meqenëse ai nuk është kthyer me kohë në shtëpi. I vëllai e ka gjetur trupin e tij të djegur në një shtëpi të braktisur. Rezultatet e para të hetimit të kryer nga policia ndërkombëtare kanë treguar se ai është vrarë, pastaj trupi i tij i pajetë "është hedhur në zjarr"... Analistë të këtushëm të paktë, të cilët kanë marrë guximin të thonë diçka rreth vrasjes së ashkalive kosovarë, janë të mendimit se kjo në të vërtetë ishte përgjigje drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe, siç duket, të gjithë atyre që janë të interesuar për fillimin e procesit të kthimit të pjesëtarëve të komuniteteve tjera në vendbanimet ku ata kanë jetuar edhe më parë, respektivisht se do të mund ta realizojnë një gjë të tillë vetëm nëse e lejojnë këtë ata të cilëve u pengon një Kosovë multietnike. Ishte interesant edhe një tekst i botuar në gazetën "Zëri", në të cilin një përfaqësues i pushtetit lokal në Skënderaj (ku janë vrarë katër ashkalinjtë) pohon se me ta nuk ka biseduar askush rreth kthimit të tyre dhe se për këtë "kanë mësuar vetëm pas kryerjes së vrasjes". Kjo, si duket, bie në kundërshtim me pohimet e përfaqësuesve të UNHCR-së dhe të vet ashkalinjve. Këtu shtrohet një pyetje e rëndësishme - mos kanë qenë të papërgjeshme si veprimet e UNHCR-së ashtu edhe të pushtetit lokal në Skënderaj kur bëhet fjalë për vrasjen e ashkalinjve, posaçërisht kur dihet që në Kosovë nuk ka shumë, mirëpo ende në numër të mjaftueshëm, të cilët Kosovën e shohin me një "përbërje" tjetër. Këtu nuk mund t'i ndalë as fakti që ashkalinjtë flasin vetëm shqip, se fëmijët e tyre kanë mësuar në gjuhën shqipe, kanë zakone të njëjta me shqiptarët... Posaçërisht kur dihet që disa qarqe ekstreme në Kosovë ata i "konsiderojnë romë, të cilët gjatë intervenimit të NATO-s kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale kundër shqiptarëve"...
Sidoqoftë, përfaqësuesit e ashkalinjve shtruan disa kushte, pa plotësimin e të cilave ata thanë se "nuk do t'i varrosin të vrarët". Në mesin e kushteve ishte edhe organizimi i në tryeze të partive politike, si dhe një emision njëorësh në TV publik të Kosovës, ku sipas tyre duhej të transmetoheshin edhe pamjet e trupave të sakatosur të bashkëkombasve të tyre. Ata kërkuan me këmbëngulje që të gjitha mjetet e informacionit të transmetonin doemos që të vrarët ishin ashkalinj, e jo romë...
Përpjekja e tillë për ndarje kombëtare duket se zanafillën e ka te pafuqishmëria e komunitetit rom për ta ndryshuar realitetin rreth vetes. Tashmë në Kosovë ekzistojnë komunitetet që identifikohen si egjiptas, romë dhe ashkalinj dhe kjo ka hyrë edhe në përdorimin "zyrtar" dhe në prononcimet politike. Kjo "modë" ka zënë fill, megjithatë, shumë më heret, që në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë në vitin 1981. Të "definuar" në dokumentet zyrtare të ish Jugosllavisë komuniste si "pakicë kombëtare me të drejta të barabarta", romët nuk i shijuan kurrë si duhet "frytet e revolucionit socialist të Titos". Një periudhë të marrjes frymë më "lirshëm" (megjithatë, më shumë në letër) ata e provuan në vitet '80, kur në Kosovë po provohej "barazia e kombeve dhe e kombësive". Romët atëbotë "fituan" disa emisione në radio, një në televizion dhe disa "privilegje" të tjera. Shteti ruajti të drejtën të diktojë çdo gjë, prej lajmeve telegrafike e deri te "përdorimi korrekt" i dialekteve të shumta, ku u gjetën fjalë që "fyenin personalitetet apo rregullimin shoqëror". Mirëpo, kjo nuk solli ndonjë ndryshim të madh të jetës së tyre. Edhe në fjalimet më të "zjarrta" të asaj kohe, romët kryesisht përmendeshin si "të tjerët". Ata edhe më tej i mbushnin trotuaret me "tezgat" e tyre, në të cilat shisnin çikërrima apo lustronin këpucët...
Në vitet '90, pas heqjes së autonomisë së Kosovës, romët u shndërruan në "monedhë për kusuritje". Pushteti që kontrollohej në tërësi nga Beogradi kujtohej për ta sa herë që i duheshin "dëshmi për barazinë dhe bashkëjetesën e kombeve dhe kombësive", dëshim për "dhunën e shqiptarëve ndaj pakicave të tjera", apo atëherë kur i duheshin votat për kutitë zakonisht të zbrazëta të votimit.
Të varfër, në të shumtën e herës deri në mjerim, ata mund t'i shihje në radhë për të marrë ndihma nga "shteti zemërgjerë" dhe me pako vaji, sheqeri e mielli në duar, ata mund t'i shihje e dëgjoje tek thurnin para kamerave kujdestare të televizionit shtetëror "lavde për shtetin serb që kujdeset për të gjithë pa dallim". Por, edhe në atë botë të të "barabartëve" dikush ishte "më i barabartë se të tjerët". Romët kishin në fakt vetëm disa figura pa pushtet në organet e pushtetit dhe asgjë më shumë. Megjithatë, ata jetonin njësoj me fqinjët e tyre shqiptarë në Kosovë. Jo rrallë ata solidarizoheshin me mjerimin e tyre apo edhe dilnin në votimet e fshehta për "Republikën e Kësovës". Por, lufta e ktheu pllakën përmbys. Regjimi i Millosheviqit i gjente disa përfaqësues të "romëve dhe egjiptasve" për të biseduar me ta për Kosovën, madje disa sish i "ftoi" edhe në tryezën e bisedimeve në Rambuje. Gjatë kohës së intervenimit të NATO-s, pjesëtarë të shumtë të këtij komuniteti mund t'i shihje në trenat që deportonin shqiptarët, ndërsa shumë të tjerë në "qendrat kolektive" në Serbi, ku ishin strehuar "nga frika e NATO-s dhe terroristëve shqiptarë". Një pjesë e tyre kishte mbetur edhe gjatë bombardimeve në Kosovë, duke e mbajtur gjallë "tregtinë e cigareve, por edhe të artikujve ushqimorë", duke luftuar thjesht për ekzistencë. Ka patur edhe të tillë që kanë ditur t'u thonë shqiptarëve të paktë duke pritur në radhë për bukë - "Le t'ua japë NATO!", ose bashkë me rojat e policisë t'i "zbrazin" dyqanet e shumta të shqiptarëve. Disa të tjerë, ndërkaq, kanë kryer edhe "punët" e ushtrisë dhe policisë jugosllave. Ata që gjatë luftës kanë mbetur në Kosovë i kanë takuar shpesh pjesëtarët e komunitetit rom të veshur në gjysmuniforma dhe me kallashnjikovë, duke "mbrojtur çështjen e askujt"...
Dhe "mbrojtja" e kësaj çështjeje bëri që në fund të luftës ata të ndodhen në një situatë gati pa shpresë. Shumë syresh morën rrugët e botës në sy. Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara thotë se rreth 30 mijë pjesëtarë të kombësisë rome e kanë braktisur Kosovën që nga 12 qershori i vitit të kaluar nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, të kthyer në shtëpitë e tyre pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s mbi caqet serbe, ndërsa vetëm disa mijëra kanë mbetur edhe më tej në pjesë të ndryshme të Kosovës. Një pjesë e tyre është strehuar në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni, ndërsa një pjesë tjetër ka kaluar nëpër kalvarin e klandestinëve për në vendet e Evropës Perëndimore. Vala më e madhe e të ikurve u shënua menjëherë pas hyrjes së KFOR-it. Shumë romë iu bashkuan kolonave të serbëve që po e braktisnin Kosovën bashkë me trupat 'gati të paprekura' të Millosheviqit. Nëpër shtëpitë e tyre u vendosën refugjatët e sapokthyer shqiptarë, të cilët i gjetën shtëpitë e veta të djegura e të plaçkitura. Shumë syresh i shfrytëzuan shtëpitë e romëve si 'shpëtim' nga kthimi nëpër zonat rurale. Shumë shtëpi dhe kasolla u dogjën në fushatën 'hakmarrëse' për shkak të 'pjesëmarrjes së romëve në dhunën sistematike të pushtetit serb'.
As përfaqësuesit e këtyre komuniteteve nuk e mohuan mundësinë se individë të caktuar romë ishin mobilizuar dhe përdorur në fushatën e spastrimit etnik të Kosovës gjatë bombardimeve. Por, ata kërkuan dhe morën premtimin e liderëve shqiptarë se nuk 'do të fajësohen si kolektiv'. Madje, këta të fundit iu përgjigjën edhe thirrjeve për pajtim, i cili, siç po shihet, ishte tepër i ngadalshëm dhe thuajse me efekte simbolike.
Megjithatë, përfaqësuesit e ashkalinjve dhe të një pjese të romëve morën pjesë edhe në zgjedhjet lokale, e diku edhe arritën të fitojnë ndonjë vend në kuvendet komunale.
Mirëpo, kjo nuk e ka ndryshuar shumë pozitën e tyre. Edhe më tej ata mbeten në "geto", ku bëjnë përpjekje të dëshpëruara për të mbetur gjallë, duke iu falënderuar vetëm ndihmave humanitare. Komuniteti i ashkalinjve vazhdon të bëjë përpjekje për t'u diferencuar posaçërisht nga romët. Ata madje, si duket nga frika për jetë, "dëshirojnë" të tregojnë afërsinë e madhe etnike të tyre me shqiptarët. Lideri i "getos" në Plemetin, Naser Adiqi, thotë se do të dëshironte që së bashku me "vëllezërit shqiptarë të protestonte në qendër të Prishtinës për lirimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet e Serbisë". Mirëpo, ai thekson se ata nuk e kanë as sigurinë më elementare për ta bërë këtë. "Përse të jem i rrezikuar - a vetëm për shkak të ngjyrës sime?!", pyet "lideri", siç e quajnë bashkëkombasit e tij... "A nuk e dinë shqiptarët se ne jemi të pafajshëm po aq sa edhe të burgosurit e tyre në Serbi?"... Derisa ai flet, fëmijë të veshur keq dhe të uritur bartin në duar transparente ku shkruan: "Nuk kemi atdhe rezervë"... Mirëpo, nëse gjërat nuk ndryshojnë radikalisht, ata duket se do të kenë trajtimin që e kanë patur gati gjithmonë, si njerëz pa atdhe...
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA