Të burgosurit, protestat, manipulimet

Pristina Nov 19, 2000

Prishtinë, 15.11.2000.

Teatri Kombëtar i Kosovës, që gjendet në qendër të Prishtinës, mund të "lavdërohet" se në shkallët dhe foajeun e tij për një kohë ka patur më së shumti njerëz nga të gjithë teatrot në rajon. Kushedi, mbase edhe më gjerë. Veçse, njerëzit e mbledhur aty për ditë me radhë nuk ishin vetëm spektatorë të devotshëm, apo spektatorë "mode" që ndjekin shfaqjet e reja për t'u rrëfyer të tjerëve se "të parët e panë shfaqjen"... Kësaj radhe numri më i madh i të tubuarve ishin edhe vetë "aktorë" të një drame, skenat e së cilës prishin të gjitha rregullat e tetraove... Gra, pleq e fëmijë nga pjesë të ndryshme të Kosovës kanë qëndruar për ditë me radhë në pritje të ndonjë lajmi për disa qindra të afërm të tyre që mbahen në burgjet e Serbisë. Pjesa më e madhe e tyre janë transferuar në këto burgje me mbarimin e luftës në Kosovë. Që në fillim u tha se ata ishin pengje të regjimit të Milosheviqit, që i mbante ata "për pazarllëqe"... Dhe, nëse shqiptarët e Kosovës kishin ndonjë arsye që t'u gëzoheshin ndryshimeve në Serbi, atëherë ishte shpresa se "demokratët" e rinj serbë (kështu i quajti bota) do ta hedhnin hapin e parë të madh për "pajtim" - lirimin e të burgosurve. Ndërsa për komunitetin ndërkombëtar nuk mund të qëndronte më arsyetimi se "sa është Milosheviqi në pushtet, nuk mund të bëhet asgjë"...

Por, bashkësia ndërkombëtare, e cila i kishte "harruar" të burgosurit shqiptarë në marrëveshjen tekniko-ushtarake të nënshkruar në qershor të vitit 1999, duket se "i harroi" sërish në nxitimin për ta ripranuar "në oborrin e saj vogëlushin plangprishës nga Beogradi". Mirëpo, shpërthimi i trazirave në disa nga burgjet më të mëdha të Serbisë i tmerroi të afërmit e të burgosurve shqiptarë. Të frikësuar tej mase se armiqësitë e trashëguara nga lufta mund t'i bëjnë të afërmit e tyre pre të sulmeve të të burgosurve serbë, ata u hodhën në protesta, me shpresë se ato do të ndikojnë në shtimin e trysnisë mbi Beogradin për t'i liruar të burgosurit. Shpërthimi i trazirave pikërisht në kohën kur flitej shumë për "amnistinë" e shumëpritur, i bindi ata se të afërmit e tyre ishin po ata që kishin qenë më parë - "pengje politike". Qindra njerëz kërkuan fillimisht që t'u garantohet siguria të afërmëve të tyre, pastaj kërkuan lirimin e menjëhershëm e të pakusht të të gjithëve. Shumë syresh u ngulitën në qendër të Prishtinës apo edhe të qyteteve të tjera për të pritur lajmin më të ëndërruar në jetën e tyre. Të tjerë filluan greva urie, ndërsa të tretët, duket ata që më së paku kishin të bënin me dhembjen e vërtetë, thanë se "mund të ndërmarrin edhe aksione radikale - rrëmbimin e serbëve dhe këmbimin e tyre me të burgosurit" . Ndaj këtij kërcënimi të një grupi radikal nga Podujeva u përgjigj zëdhënësi i policisë ndërkombëtare Derek Chappel, i cili porositi që akte të tilla do të konsiderohen si akte kriminale, pa marrë parasysh arsyet e një veprimi të tillë.

Përballë kaosit që po krijohej me tubime të paorganizuara, u dukën të zbehta deklaratat e autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë se "po bënin gjithë ç' është e mundur për të siguruar të burgosurit dhe për të përshpejtuar procesin e lirimit të tyre". Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, arriti të nxjerrë një deklaratë (dorën në zemër, joobliguese) edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan. Ai tha se po ushtronte tërë ndikimin e tij për "të nxitur qeveritë perëndimore të ushtrojnë trysni mbi Beogradin që t'i lirojë shqiptarët e burgosur"... Por, Beogradi tashmë kishte siguruar shumë "alibi" për ta ngadalësuar procesin. Trazirat e të burgosurve, që sipas autoriteteve serbe ishin kujdesur "vëllazërisht" për kolegët e tyre shqiptarë, u pasuan nga "rebelimet" e punëtorëve të burgjeve. Ati Sava Janjiq nga Këshilli Nacional Serb, i cili po ashtu angazhohet për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë, ka shfaqur mendimin se ata siç duket nuk do të mund të lirohen deri pas përfundimit të zgjedhjeve serbe. "Unë nuk e di se në ç'mënyrë Koshtunica do të mund ta zgjidhte këtë çështje, marrë edhe nga aspekti juridik, pa konsultime paraprake me qeverinë serbe", ka thënë ati Sava Janjiq. Këtu, megjithatë, mendohet se presidenti 'i ri' "ende nuk e di deri ku shtrihet pushteti i tij dhe ku fillon ai i paraardhësit të tij", prandaj edhe nuk mund të ngutet... Vëzhguesit e këtushëm thanë se "kur nuk ngutet ai, nguten të tjerët". OSBE ia ofroi karrigen Beogradit mu në mes të dramës së të burgosurve, madje edhe me bekimin e Shqipërisë. Shqiptarëve u ra kjo si një "bombë", por nuk arritën as të kthjellen prej saj kur Bodo Hombach, njeriu i parë i Paktit të Stabilitetit, hyri në Beograd dhe hapi "qesen" e Evropës...

Qindra protestues në Kosovë vazhduan të thërrasin që "Jugosllavisë t'i kushtëzohet çdo kthim në strukturat ndërkombëtare me lirimin e të burgosurve".

Dhe, siç ndodh zakonisht në raste të tilla, përballë frikës dhe zemërimit të të afërmëve të të burgosurve, në skenë dolën menjëherë ata që janë të prirur të "materializojnë" çdo gjë, pse jo edhe dhembjet e njerëzve. Në radhë të gjata në shkallët e teatrit prisnin "poetët" pa libra, "aktorët" pa role, "regjisorët dhe skenaristët" që për herë të parë mund të ushtronin "zanatin" e tyre të "pafat". Rrëfimeve të atyre që kanë të afërm të burgosur apo të zhdukur në luftën e fundit u hidheshin "mëlmesat" e atyre që kishin shkruar hartime shkollore për fëmijët e tyre. Në këtë shfaqje të madhe që herë herë merrte pamje tragjikomike, duket se e humbën fillin edhe shumë mjete të informacionit. Me storiet e gjata, pa kurrfarë seleksionimi as më elementar profesional, sto u shndërruan në "bartës të frymës folklorike që tashmë kishte pushtuar protestat"...

Rrugët hyrëse të Prishtinës u shndërruan në "lumenj" militantësh që vinin nga Gjakova, Drenica, Peja, Kaçaniku e pjesë të tjera të Kosovës, për të zgjuar kryeqytetasit që "po flinin para çështjeve madhore". Shumë syresh nuk përtonin t'ua "përkujtonin" prishtinasve "se kishin fjetur edhe kur gjaku derdhej në Kosovë", por më nuk mund të flinin sepse "po ndodhte populli". Të tillët nuk përtuan që ndokujt që kishte guxuar të hapte dyqanin apo punëtorinë e tij t'i përkujtonin se "tradhtia shpaguhet"...

Një skenë e ngritur në shkallët e teatrit që në periudhën e "ditëve kundër dhunës", e shfrytëzuar maksimalisht gjatë fushatës së zgjedhjeve, tash u shndërrua në "tribunë" ttirrjesh për 'veprim të koordinuar' dhe për 'qëndresë heroike' deri në realizimin e 'qëllimeve'. Një vëzhgues i rëndomtë do të dukej i 'mahnitur' nga 'solidariteti' i shprehur që nga 'fjalët e mira e deri te bataniet' me të cilat pleq, gra e fëmijë po përpiqeshin ta mundnin të ftohtët që po e rriste numrin e atyre që kërkonin ndihmën e mjekut. Një gazetari që do të priste të marrë intervistë nga ndonjëri prej organizatorëve të protestës, të cilët ishin vendosur në foajeun e teatrit kombëtar, mund t'i binte në sy një grup njerëzish me gypat eushqimit artificial në damarë që përcillnin me sytë e lodhur 'dinamikën' e veprimit të kokave të protestës që vraponin qoshe më qoshe me letra, telegrame e apele në duar. Përreth ushqime të stivuara, mu përballë grevistëve të urisë!...

Në skenë, ndonëse si nga larg, përfaqësuesit e partive shkonin e vinin duke i siguruar protestuesit se 'janë me ta dhe se po bëjnë të pamundurën për lirimin e njerëzve të tyre'. Ndonjëri, madje, 'vinte drejt nga zyra të rëndësishme ku kishte marrë garanci se çështja po ecën përpara, vetëm ju qëndroni'... Vëzhguesit (ata më të prirurit për t'i parë gjërat me dyshim) thanë se ata po i testonin votuesit e ardhshëm, por pse jo edhe 'militantët e ardhshëm të çështjeve të tyre'...

Sidoqoftë, protestat bllokuan pothuajse në tërësi jetën në Kosovë. Pak ditë më parë Kosova, siç thanë diplomatët e huaj, 'iu bashkua botës së demokracisë' me zgjedhjet lokale, ndërsa ideja e pavarësisë së saj e hoqi vellon e 'tabusë'. Të mësuar për vite me radhë të trajtohen si viktima, shqiptarët bënë që Kosova sërish të kthehet në një çështje 'humanitare'... Tërë kjo, thonë analistët e këtushëm, ndodh kur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të diskutohet edhe për të ardhmen e saj. Në Deyton, ku pesë vjet më parë ishte vendosur paqja në Bosnjë, ndërsa Kosova atëbotë ishte përmendur vetëm në gazeta, janë ftuar edhe përfaqësuesit e shqiptarëve. Atjemund të bisedohet edhe për statusin e saj politik. Në Samitin e Zagrebit po ashtu thuhet se mund të ngritet madje edhe çështja e kufijve. Shqiptarët (nëse administratori Kouchner vendos t'i marrë me vete) shkojnë me kërkesa për të burgosurit dhe të zhdukurit, ndërsa kundërshtarët e tyre këtë do ta përdorin si 'mall të mirë', për të cilin ata do të kërkojnë 'kundërvlerë'.

Mirëpo, ajo që në njëfarë mënyre ka befasuar, është ardhja pikërisht në ditën e nëntë të protestave në Prishtinë (më 15 nëntor, pasdite) e përfaqësuesve të qeverisë së Beogradit, si dhe informacionet se janë zhvilluar biseda të tërthorta me anëtarët e Këshillit Organizativ të Protestave. Ndërmjetësues në ato biseda ishte zëvendësi i Kouchnerit, Xhok Kovi. Edhe pse detajet e bisedave nuk dihen, mësohet se mysafirët kanë porositur që të burgosurit shqiptarë nuk mund të lirohen menjëherë dhe pa kushte, respektivisht tani për tani mund të sigurohen kushte më të mira. Vetëm mund të presupozohet se delegacioni treanëtarësh nga Beogradi ka arritur me ftesën e UNMIK-ut. Nga ana tjetër, edhe pse nuk bëhej fjalë për biseda të drejtpërdrejta, mund të thuhet se ky është dialogu i parë gjer më tani i vendosur midis Beogradit dhe Prishtinës që nga përfundimi i luftës.

Megjithatë, çështja e të burgosurve dhe të zhdukurve vërtet është një nga çështjet më të mprehta në Kosovën e pasluftës. Tani për tani është marrë vendimi që protestat të "pezullohen", ndërsa të fillojë mbajtja e tyre në vendet perëndimore... Dhe, të shihet...

AIM Prishtinë, Besnik BALA