Kthimi i Jugosllavisë në OKB dhe OSBE

Pristina Nov 19, 2000

Prishtinë, 14.11.2000.

Jugosllavia e Vojisllav Koshtunicës u shpërblye me 'pranimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara', tetë vjet pasiqë Jugosllavia e Slobodan Milosheviqit ishte dënuar për t'u nxjerrë jashtë saj. Dhe, nëse tetë vjet më parë në listën e gabimeve të dënueshme të Milosheviqit ishin radhitur shumë 'të bëra e të pabëra', në listën e Koshtunicës ishte vetëm një e 'arritur': Sllobodan Millosheviqi nuk udhëheq më me Jugosllavinë (cinikët thonë: të paktën jo nga 'Beli Dvor').

Sidoqoftë, ish flamuri jugosllav me yllin e kuq komunist zbriti nga Ist River, ndërsa u ngrit flamuri pa këtë yll. Komentet e para në Kosovë qenë se "u ul flamuri i një shteti të vdekur për t'u ngritur ai i një shteti që nuk ekziston". Por, pavarësisht nga ironizimi e tallja, pranimi i Jugosllavisë (shqiptarët duan ta quajnë 'ajo çfarë ka mbetur nga ish-Jugosllavia') në OKB ishte një hap që nuk mund t'i 'entuziazmonte' shumë shqiptarët. Ata thanë fillimisht se ky ishte së paku 'një hap i nxituar'. Sipas shumë vëzhguesve lokalë, ky ishte shpërblimi më i madh që po i jepej udhëheqësit të ri nacionalist të Beogradit. Të tjerë, shumë më pesimistë, në vlerësimet e tyre vunë në pah se një pjesë e faktorit ndërkombëtar po i 'lan gjynahet' ndaj Jugosllavisë për shkak të fushatës së bombardimeve. Pavarësisht se njeriu i parë i NATO-s, lordi Xhorxh Robertson, tha se 'nuk do t'i paguhen Jugosllavisë kurrfarë riparimesh të luftës', për të shumtët në Kosovë ishte kjo pagesa më e madhe.

Partitë politike shqiptare, në deklaratat e para që ishin pothuajse identike, thani se 'Koshtunica do të duhej të plotësonte disa parakushte themelore, siç është lirimi i të burgosurve shqiptarë që mbahen në burgjet e Serbisë, ndriçimi i fatit të të zhdukurve, pagimi i dëmeve të luftës dhe, në veçanti, bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës për krime të luftës'. Asnjë nga këto kushte, megjithatë, nuk është plotësuar. Koshtunica fitoi vetëm me një 'lutje' me shkrim...

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndoshta më shumë për ta qetësuar opinionin publik, tha nëpërmjet gojës së nënkryetarit të saj, Kolë Berisha, se 'kjo megjithatë është një kredi e bashkësisë ndërkombëtare, kamatën e së cilës Koshtunica do ta paguajë shtrenjtë". Sipas tij, kjo 'është një karrotë në dukje të parë, por e cila shumë shpejt mund të shndërrohet në një shkop mbi kurrizin e Koshtunicës'. Ai madje siguroi simpatizantët e partisë së tij (në zgjedhjet lokale ajo fitoi 58 për qind të votave) se nuk duhet të kenë frikë nga ndryshimet në Beograd e as nga proceset që po zhvillohen përreth tij.

Partia rivale e Lidhjes Demokratike, Partia Demokratike e Kosovës e ish udhëheqësit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, e quajti të ngutshëm pranimin e Jugosllavisë në OKB. Bardhyl Mahmuti, përfaqësues për politikë të jashtme në këtë parti, tha se 'ndryshimet në Serbi u mjaftuan disa faktorëve ndërkombëtarë që të përqendrohen në angazhimin e energjive politike drejt Beogradit'. Sipas tij, në krye të këtyre përpjekjeve 'qëndrojnë ata faktorë që kanë gjithnjë aleatë të Serbisë'. Kjo parti tha se do të angazhohet në gjetjen e aleatëve, të cilët do të angazhohen për pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të saj, Kosova, sipas kësaj partie, duhet të ketë status të veçantë në të gjitha strukturat ndërkombëtare.

Sido që të jetë, pranimi i Jugosllavisë në OKB i 'aktivizoi' subjektet politike e apolitike, analistët e vëzhguesit e pavarur në Kosovë për t'u lëshuar në radhën e gjatë të spekulimeve, vlerësimeve, cilësimeve e ironizimeve të këtij veprimi. Disa thanë se 'bota u tregua e papërgjegjshme' , të tjerë thanë se kjo 'nuk ka të bëjë shumë me Kosovën, sepse ajo është një entitet i veçantë', të tretët mendojnë se kjo gjithsesi do ta vështirësojë procesin e negocimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Rastësi apo jo, në ditën kur Jugosllavia hyri në OKB 'nëpër dyer të mëdha', në Prishtinë Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën po shpjegonte hollësitë e propozimit të tij për 'pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën'. Ishte ky propozimi i parë i një komisioni ndërkombëtar që kishte bërë që 'pavarësia e Kosovës' të mos ishte më një temë tabu. Por, disa përfaqësues politikë shqiptarë thanë se 'diskutimet e hapura për mundësinë e pavarësimit të Kosovës duket sikur luajtën rolin e një perdeje tymi, prapa së cilës u luajtën lojëra të tjera që synojnë sanksionimin e gjendjes aktuale'. Dihet mirëfilli se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përcakton statusin e përkohshëm të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave. Qoftë edhe formalisht, kjo rezolutë e njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën dhe kjo është më tepër se e papranueshme për shgqiptarët.

Posaçërisht ata u dukën të frikësuar për shkak të rolit amerikan në pranimin e Jugosllavisë në OKB. Çështja kishte marrë shtysë nga 'bulldozheri i Ballkanit', Riçard Hollbruk, i cili vetëm dy muaj më parë, kur në Beograd ende sundonte Millosheviqi, kishte kërkuar heqjen edhe të flamurit të tij nga OKB-ja. Tani, ai e kishte shtyrë çështjen përpara dhe vetëm pak ditë pasi kishte zhvilluar një turne nëpër Evropën Juglindore.

Diplomatët Amerikanë pohuan "nuk do të ketë ndryshime në politikën e tyre ndaj Kosovës dhe se pavarësia mbetet opsion i hapur për të cilin duhet të vendosin popujt e rajonit". Por, këto deklarime bëhen nga një administratë, e cila mandatin e saj e përfundon brenda pak muajsh...

Përfaqësuesit politikë shqiptarë tanimë sikur e kanë ndryshuar tempon e kërkesave të tyre. Duke ju referuar vlerësimeve të larta për zgjedhjet e sapopërfunduara lokale, të cilat u cilësuan si shumë demokratike, ata ngulin këmbë në përshpejtimin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas tyre, këto zgjedhje do të krijonin strukturat udhëheqëse që do të kishin legjitimitetin e nevojshëm. Pas kësaj ata kërkojnë edhe një kushtetutë të përkohshme dhe Kosova të funksionojë si një entitet i veçantë. Atëherë, sipas tyre, do të hapeshin edhe mundësitë reale për negociimin e statusit përfundimtar të Kosovës, që sipas tyre doemos duhet të jetë e shkëputur nga Jugosllavia...

Megjithatë, ata presin dhe përcjellin me vëmendje zhvillimet në Republikën e Malit të Zi dhe definimin e marrëdhënieve të kësaj republike me Serbinë. Nëse Mali i Zi do të vendoste nëpërmjet referendumit për fatin e tij, atëherë kush do të mund t'ia ndalonte Kosovës një gjë të tillë, pyesin ata. Por, shqiptarët e kanë të qartë se 'aklamacioni në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për pranimin e Jugosllavisë, nuk mund të përsëritet edhe në rastin e Kosovës'.

Sidoqoftë, hyrja në agjenda e çështjeve të statusit final të Kosovës dhe përmendja gjithnjë e më e shpeshtë e pa dorëza e mundësisë së pavarësimit të saj, përfaqësuesve shqiptarë u jep shpresë se "çfarëdo përpjekjeje për ruajtjen e sovranitetit edhe simbolik të Jugosllavisë mbi Kosovën" do të jetë një 'aventurë për bashkësinë ndërkombëtare dhe investimet e saj të deritashme kolosale për paqen në Kosovë'. Shumë analistë të këtushëm duan të besojnë se po kalon koha e 'nostalgjisë evroperëndimore për Jugosllavinë e Titos', e cila më nuk mund të përsëritet...

AIM Prishtinë, Besnik BALA