Skandal në parlament
Profesori dhe kryetari i parlamentit të Maqedonisë Savo Klimovski mbajti “ligjëratën” për pseudopluralizmin dhe parlamentarizmin formal në seancën solemne me rastin e dhjetëvjetorit të zgjedhjeve të para shumëpartiake. Kjo ndodhi vetëm 24 orë pas takimit të udhëheqësisë së tij të DA dhe VMRO-DPMNE-s në të cilën, siç dukej, ishin sqaruar mosmarrëveshjet apo të çarat ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe ishte shpëtuar qeveria.
AIM Shkup, 14.11.2000
Rrallëkush mund të priste që në çastin solemn, si është shënimi i dhjetëvjetorit të zgjedhjeve plurale në Maqedoni, të ndodhte një skandal i vërtetë. Në fjalën e tij të rastit pikërisht nikoqiri, kryetari i Parlamentit Savo Klimovski, nga foltorja përballë së cilës rrinin pothuaj të gjithë funksionarët shtetrorë dhe parlamentarët që nga viti 1990 dhe këtej, tha ndërmjet të tjerave se: “Jeta e fshehur, e padukshme politike mundëson kombinime prapaskenike politike, luftën e individëve për pushtet dhe pozitë në shoqëri, për privilegje dhe monopol, paraqitjen e autoriteteve dhe idoleve të rrejshëm, paraqitjen e oportunizmit, dyfytyrsisë, karierizmit dhe nepotizmit”. Sipas Klimovskit “institucionet e porsalindura demokratike ndodhen kyçur në mënyrë të rrezikshme ndërmjet dy krahëve të gërshërës : pushtetit autoritar dhe opozitës jolojale me prirje autoritare. Prandaj duhet të zvoglohet ambisi ndërmjet porosive të jetës dhe porosive të partive. Më drejtë - edhe partitë në pushtet por edhe ato në opozitë gabimisht i dëgjojnë porositë e jetës, kanë një perceptim të deformuar të jetës, duke theksuar vetëm atë anë të jetës e cila u konvenon, gjatë së cilës, mund të themi, jeta u hakmirret hidhur për shkak të leximit të saj jo të mirë”.
Para këtij pasqyrimi të prerë të demokracisë maqedonase, Klimovski do të thotë se në Maqedoni shikuar nga jashtë dhe bazuar në themelet e Kushtetutës egzistojnë të gjitha “nishanet” e demokracisë ( parlamenti, sistemi shumëpartiak, zgjedhjet plurale, shteti juridik), “ mirëpo ajo e vërteta, kultura autentike demokratike, ka munguar shpesh. Për këtë shkak format e parlamentarizmit, siç duket në disa momente i kanë shembëllyer më shumë fasadës së jetës politike, surogatit të jetës politike, se sa pulsimit prej tyre të jetës së vërtetë demokratike. Prandaj parlamentarizmi formal si shenjë e sistemit patjetër duhet të plotësohet me përmbajtje adekuate demokratike, për të cilën duhet të pajtohemi se është një proces i vazhdueshëm”.
Paraqitjen e Klimovskit premieri Lubço Georgievski e komentoi që në vazhdën e pranimit te ai pas mbledhjes solemne: “ Nga çdo pikëpamje fjala e zotit Savo Klimovski mund të karakterizohet si mohim kulminativ i demokracisë parlamentare të këtyre 10 vjetëve, të gjitha qëndrimet e tij në përgjithësi ishin nihiliste”. Premieri e karakterizoi edhe vetë Klimovskin, i cili u takon rradhëve të Alternativës Demokratike të koalicionit : “Këto 10 vjet kemi kremtuar jubile të ndryshëm në Republikën e Maqedonisë, mirëpo ky është një shembull shkollor i një kulture personale të mospasjes së edukatës politike, gjatë së cilës një jubile kaq i rëndësishëm keqpërdoret për qëllime personale, gjegjësisht partiake”.
Që çështja të jetë ende më komike, incidenti në parlament ndodhi vetëm 24 orë pas takimit të shumëpritur “të jesh apo mos jeshë” të koalicionit në pushtet, më saktë- pjesës maqedonase të tij, udhëheqjes së VMRO -DPMNE dhe DA, takim i cili vetëm për pak kohë u kuptua si tejkalim i mosmarrëveshjeve të ashpra të ndërsjella pas deklaratës së liderit të AD Vasil Tupurkovski se proceset apo rrjedhat demokratike si dhe reformat ekonomike në vend janë në vendnumrim, dhe se në Maqedoni pas këtyre zgjedhjeve vendore nuk duhet lejuar më një rrjedhë e tillë zgjedhore. Pas përfundimit të takimit në fjalë gazetarëve, të cilët me orë të tëra pritnin paraqitjen e dy liderëve, premieri Georgievski u deklaroi se bisedat kishin qenë konstruktive, se do të vazhdonin, se për partinë e tij ishte e pranueshme reforma e ligjit zgjedhor me pjesëmarrje të opozitës, dhe me porosinë: “Mbase dikë do të dëshprojmë, mirëpo koalicioni do të vazhdojë funksionin e tij”. Tupurkovski të njëjtën gjë e tha me njëfarë rezerve - “ do të shohim se si do të jenë bisedat tona nga aspekti i nivelit të demokracisë në vend”, duke ofruar nuansa në stilin “ reformat të cilat zhvillon ministri i financave në përputhje me marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare janë të pjesërishme, kurse reformat janë diç më të gjera “ me aluzion ndaj qëndrimeve të komisionit për reforma në të cilin qëndron edhe aduti i DA, premieri i fundit i RSFJ, Ante Markoviq. Tupurkovski vetëm në mënyrën siç di ai vetë deklaroi se DA do të bisedojë me të gjithë, madje edhe me LSDM-n opozitare, por jo edhe me ata që shtrojnë parakushte të llojit “ tërhiquni nga pushteti që pastaj të bisedojmë”, të cilën partisë së tij ia drejtoi qartë të njëjtën ditë kordinatori i grupit parlamentar të LSDM-s, Nikola Popovski!
Tani pra, pas skandalit në parlament, në lojë kthehen të gjitha opcionet e mëparshme, të plasuara dhe spekuluara ditë me rradhë në mediat maqedonase dhe në opinion. Distancimi i DA-s ,në të vërtetë, si edhe vlerësimet e saj kritike për “gjendjen e demokracisë” në Maqedoni nga ana e saj ishte kuptuar jo vetëm si “larje e duarve” nga ajo që koalicioni në të cilën merr pjesë edhe ajo vetë kishte punuar brenda dy viteve të qeverisjes së saj, por edhe si ofertë ndaj blokut opozitar të udhëhequr nga LSDM-ja për t'iu bashkangjitur përpjekjeve të tyre shumëmujore për të rrëzuar qeverinë e Georgievskit. LSDM-ja pothuaj se u shpenzua në betejën e deritashme për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe në përpjekjet që në parlament me ndihmën e të pakënaqurve të tjerë ndaj VMRO-DPMNE-s të formojë sëpaku shumicën e re parlamentare dhe të formojë qeverinë teknike, e cila, në të vërtete, të qëndronte deri në fund të mandatit (edhe dy vjet),duke përgaditur kështu ligjet për fer zgjedhje sa më të mira parlamentare. Janë bërë shumë “matematika”, mirëpo nuk është korr sukses i cili do të mundësonte diç të tillë. Janë bërë kalkulime edhe nga ana e LSDM-s dhe VMRO-DPMNE-s edhe me partinë opozitare shqiptare PPD, me grupet e vogla të deputetëve të partive të tjera, mirëpo fundi del i pasukseshëm. Me hyrjen e DA-s në kombinime të këtilla çeshtja bëhet e besueshme. Aq më tepër gjatë ditëve para takimit ndërpartiak derisa Tupurkovski dhe Georgievski këmbenin mes tyre “ shigjeta me helm” duke u akuzuar, madje edhe pas ngjarjeve në të cilat në mënyrë “idilike” qëndronin pranë njëri tjetrit duke mos treguar as shenjat më vogla të mosmarrëveshjeve të ndërsjella. Pas tubimit solemn të parlamentit e përditshmja “Dnevnik” e Shkupit do të shkruaj : “Tupurkovski do t'i sjellë blokut opozitar trembëdhjetë alternativistët me “betimin për besnikëri”?”.
Partia shqiptare në pushtet PDSH heshti gjatë kohë pas deklaratës së parë të liderit të vet Arben Xhaferi se nuk ishte në frymën e marrëveshjes së nënshkruar të koalicionit, të hartuar sipas insistimit të DA-së, që para se të dilej para opinionit me “rrobat e palara” problemet e partnerit të provohej të zgjidhen me marrëveshje të brendshme. DA këtë nuk erespektoi. Xhaferi para disa ditësh më në fund sërish doli para opinionit dhe tregoi se PDSH “refuzon të futet në agendat e huaja”, duke përmend në mënyrë prerë në konotacion negativ agendat DA dhe LSDM dhe duke i vënë në kontest me “pazarllëqet dhe përçmimet” lidhur me ngeljen ose hyrjen në pushtet. Ai “turbulencat” e këtilla në koalicion do t'i emrojë si “rrënim të dinjitetit të qytetarit”, kurse për PDSH-n do të thotë se “ nuk dëshirojmë rolin e arbitrit, por dëshirojmë që të diktojmë tempo”. Xhaferi duke përsëritur vlerësimin se DA nuk i është përmbajtur “procedurës së rregullt” dhe me daljen në opinion ka shkaktuar krizë në realitet ka qëndruar në anën e VMRO-DPMNEs.
Partia opozitare shqiptare PPD të martën, sipas asaj që lajmëruan mediat elektronike në bazë të deklaratës së liderit Imer Imeri, ka vendosur të shkojë “në pako”bashkë me LSDM-n ose me fjalë të tjera, meqenëse dëshiron të bashkëpunojë me të gjitha partitë tjera përveç se me VMRO-DPMNE-n, në realitet kërkon rënien e qeverisë aktuale Pas kësaj në opinion u përhapën spekulime se qeveria do të bjerë, se do të formohet shumicë e re parlamentare dhe se në krye të qeverisë së re do të gjendej ish ministri i financave dhe lideri i VMRO-s më të re, Boris Stojmenov.
Megjithatë, një rrjedhë e këtillë e ngjarjeve nuk do të thotë se patjetër dhe pikërisht këto ditë do të ndodh zgjidhja e skenës politike maqedone. Tupurkovski edhe më tutje po përfiton kohë deri në nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim dhe asocim të Maqedonisë me UE, e cila duhet të përfundojë gjatë kohës së Panairit të Zagrebit në të cilin në emër të Maqedonisë duhet të nëshkruaj pikërisht Tupurkovski. Në ndërkohë, ai, sipas informatave të fundit, përsëri ndodhet jasht shtetit
- flitet se ka shkuar në Paris që të precizojë detajet e shitjes së “Fenit”, kurse pas kësaj do të shkojë në kontroll të rregullt shëndetsor në Uashington.
AIM Shkup
ISO RUSI