Fuqia e mediumeve kundër arogancës politike
AIM Sofje, 10.11.2000.
Një ministër kundër mediumeve të pavarura, kështu dukej gjatë ditëve të fundit dyluftimi politik aktual në Bullgari. Kush do të fitojë? Nëse ministri i drejtësisë Teodosij Simeonov jeton në shtetin ku principet demokratike kaherë kanë lëshuar rrënjë, me siguri do të jepte dorëheqje ditën e njëjtë. Por pasi ky proces në Ballkan edhe mëtej është në zhvillim e sipër kjo, me siguri, nuk do të ndodhë.
Gjithë mediat e pavarura bullgare kërkuan që ministri i drejtësisë, në kabinetin e Ivan Kostovit, të ndërrohet, sepse e goditi një fotograf gjatë kohës së një seminari të Lidhjes së Forcave Demokratike (LFD), parti pushtetore, në vendin Borovec. Teodosij Simeonov u turr ndaj fotoaparatit të gazetarit, por në vend të tij i ra me me dorë në fytyrë Aleksandër Mihajllovit nga gazeta "Sega". Nuk ishte ndonjë lëndim aq serioz, por ky rast i bashkoi gazetarët kundër ministrit arrogant. Madje edhe Federata ndërkombëtare e gazetarëve me seli në Bruksel doli me deklaratë rreth këtij rasti.
Me siguri efekti i asaj që ndodhi në hotel "Samokov" nuk do të ishte aq i madh të mos ishin edhe disa rrethana tjera shoqëruese. Më e rëndësishmja mes tyre është paraqitja gjithnjë më nervoze, ndonjëherë joadekuate, e elitës politike bullgare, e cila ndonjëherë krijojnë situata skandaloze.
Veprimi i ministrit erdhi në momentin më të papërshtatshëm për partinë qeveritare. Lideri Kostov mblodhi elitën blu që të portretonte fytyrën e partisë dhe të vizatonte vijat e veprimit prej këtij muaji deri tek zgjedhjet e pranverës, më 2001. Ai i mblodhi politikologët, sociologët dhe ekspertët nga jashtë të diskutonin se si duhet të jetë portreti i ri i LFD-së. Në të vërtetë, në një moment të këtillë, Simeonov me një ngritje dore rrëzoi bazat e konceptit të ardhshëm.
Si rëndom, në raste të këtilla, partia blu mbetet përtej ushtarëve të saj më të besueshëm, por kësaj rradhe duket se penjtë e udhëheqësisë kanë lëshuar. "Mjaft më! Le ta bart secili përgjegjësinë e vet politike", deklaroi Ekaterina Mihajlova, dora e djathtë e kryeministrit Kostov në LFD.
Në televizionin nacional bullgar u emitua një reportazh i pacensuruar rreth skandalit në Borovce, që në rrethana tjera me siguri se nuk do të ndodhte. Disa ditë më pas Akademia politike e të kaltërve, organizator i seminarit famëkeq, kërkoi dorëheqjen e ministrit. Drejtori i akademisë, Orfej Duevski, është deputet i LFD-së. "Sipas principeve demokratike politikajtë kanë hapësirë të ngushtuar të paprekshmërisë. Anëtari i qeverisë, shkaku i mospranimit të këtyre rregullave, shkaktoi valë të kritikave mediale kundër qeverisjes, prandaj duhet ta marrë përgjegjësinë e vet që të ndihmojë të shmang këto pasoja", thuhet në deklaratën e Akademisë.
Vet kryeministri Ivan Kostov, tani për tani, nuk ndërmerr aksion për ndërrimin e Simeonovit, i cili për një vit morri shumë poena negativ në kabinetin e LFD-së.
Me siguri sulmi medial nuk do të ishte aq shumë i ashpër sikur të mos ishin vargu i skandaleve rreth familjes Simeonov. Djali i ministrit në dy raste hyri në kronikat e zeza të gazetave, por jo edhe të shërbimeve policore në vendin e tij të lindjes në Pleven. Drejtoria lokale e policisë zbuloi të dhënën se djali i Simeonovit me plumb pistolete e qëlloi bodiguardin (truprojen) para diskotekës, kurse në rastin e dytë ishte i përzier në një demolim masiv të një lokali, të bërë me shkopinj.
Gazeta më e madhe bullgare "Trud" e shfrytëzoi këtë rast për ta botuar karikaturën ku Simeonov dhe djali i tij rrinin nën "ombrellën e drejtësisë". Kjo karikaturë ishte shkaku i nervozës së ministrit gjatë kohës së seminarit në Borovc, siç deklaroi më vonë. Shkaku i dytë, siç thotë ai, është "cenimi i të drejtës së tij kushtetuese". Sipas ligjit në Bullgari askush nuk ka të drejtë të fotografojë dikënd pa leje. Për këtë shkak Simeonovi e goditi fotografin në fytyrë, siç theksoi, për t'i mbrojtur të drejtat e veta kushtetuese.
"Së bashku me një fotograf tjetër filluan të na shkrepnin blicet në fytyrë - në fillim nga njëra anë, pastaj nga ana tjetër. Bënë shumë fotografi. Unë disa herë ua tërhoqa vërejtjen. Dëshiroja ta vendoja dorën në objektivin e fotografistit, që t'ia tregoja se nuk dëshiroja të fotografohesha", deklaroi ministri gjatë mbrojtjes së tij.
"Unë jam gazetar i akredituar, kjo është puna ime. A nuk mundët ju të më thoni që të mos ju inçizoja? Përse silleni ashtu ndaj sinjalit të parë të sistemit komunikativ", pyeti fotoreporteri pas goditjes. Në përgjigjen e tij ministri shtroi kundërpyetje: "E ti, sipas cilit sinjal veprove, sinjalit të tretë?".
Avokatët e pavarur dhe ekspertët rreth përcaktimeve kushtetuese shfaqën interpretimet e tyre, krejtësisht të ndryshme nga ato të ministrit. Ministri nuk mund të fotografohet pa pëlqimin e tij vetëm nëse në këtë mënyrë preket jeta e tij private. Megjithatë, në seminarin e LFD, në Borovc, ministri ishte në situatë tjetër - ai ishte në vend publik ku gazetarët u thirrën që të marrin pjesë.
Gjyqi Kushtetues i Bullgarisë që nga viti 1996 ka shprehur qëndrimet e veta rreth këtij neni të ligjit themelor. Sipas tij e drejta e kërkimit, marrjes dhe shpërndarjes së informatës me zë, fotografi ose në forma tjera mund të kufizohet për tu mbrojtur jeta private e qytetarëve. Kufizimet nuk kanë të bëjnë me faktet dhe informatët që mund të merren në vende publike dhe ku marrin pjesë persona publik, siç janë politikajtë.
Vet Simeonov pohon për veten se nuk është njeri agresiv, se dëshiron të punojë, nuk është adhurues i takimeve publike dhe rrallë shkon në kokteje. Për këtë shkak është e mundshme se thjesht bëhet fjalë për një njeri i cili nuk e ka vendin e merituar. Kjo duket se është një temë e dhembshme e demokracive të reja të instaluara në Evropën Lindore ku pas dekadave të regjimit komunist nuk ekziston klasë stabile politike madje edhe në qarqet më elitare mund të gjesh njerëz të rastësishëm.
Për Bullgarinë edhe mëtej është emblematike fraza e një ish-nënkryetari të qeverisë i cili në një rast deklaroi: "Ta q... shtetin kur unë kam mundur të jem nënkryetar".
Teodosij Simeonov është nga këta njerëz që në paraqitjet publike krijojnë probleme pa marrë parasyshë pozicionin e tyre.
Në Gjyqin e Plevlit edhe mëtej është në procedurë lënda e gazetarit të atjeshëm i cili e quajti ish- ministrin "top - idiot".
Simeonov ka ngritur akpadi penale shkaku i dëmit moral. Duke pasur parasyshë gjendjen që mbretëron në kierarkinë gjyqësore nuk është e vështirë të paramendohet se si do të përfundojë e gjithë kjo.
AIM, Sofje
GEORGI FILIPOV