Rezultatet definitive dhe dilemat rreth tyre

Pristina Nov 14, 2000

Prishtinë, 13.11.2000

Dhjetë ditë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, administratori i Kombeve të Bashkuara Bernard Kouchner e hodhi firmën në dokumentin përfundimtar me të cilin u "bekuan" rezultatet e zgjedhjeve apo, siç thuhet zyrtarisht, ato u "certifikuan". Ceremonia e certifikimit të tyre u zhvillua vetëm një orë pasiqë forcat paqeruajtëse (KFOR) kishte evakuuar tërë ndërtesën e misionit të Kombeve të Bashkuara për shkak të një "kërcënimi për sulm me bomba". Alarmi doli i rrejshëm, por hija e tij sikur dëshironte të përkujtojë autoritetet ndërkombëtare se "zbatimi i rezultateve të zgjedhjeve nuk është punë e kollajshme". Ndoshta për këtë arsye shefi i Misionit Civil, Bernard Kouhner, sikur u ngut të shprehë bindjen se "nuk pret trazira gjatë procesit të transferimit të pushtetit lokal", për të shtuar se "megjithatë, forcat paqeruajtëse dhe policia janë të gatshme të përballen me çdo problem dhe për këtë kanë marrë të gjitha masat"...

Duket se në këto masa kanë hyrë edhe vlerësimet e jashtëzakonshme të autoriteteve ndërkombëtare për rrjedhën e zgjedhjeve. Këto vlerësime duket se e topitën edhe "dëshirën" e atyre forcave politike që humbën zgjedhjet për të bërë çfarëdo hapi në drejtim të kontestimit të tyre eventual. Madje, këto vlerësime sikur topitën edhe dëshirën e fituesve për të "festuar". As njëra dhe as pala tjetër nuk "rrezikuan" të provokojnë "kënaqësinë" e votuesve të tyre që tashmë ishin bindur nga fjalët e "miqve ndërkombëtarë" se "ka fituar Kosova"...

Përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë tërhoqën vërejtjen se vlerësimi i këtyre zgjedhjeve megjithatë duhet të bëhet në kontekstin e zhvillimit të tyre. "Një vit e gjysmë pas lufte, në një shoqëri pa kurrfarë institucionesh, pa regjistrim të vlefshëm, pa një traditë të zgjedhjeve të hapura e transparente", tha Daan Everts, shef i OSBE-së, organizatër i zgjedhjeve. Duke e radhitur vargun e gjatë të vlerësimeve ai tha se "më 28 tetor u pa që u plotësuan tri kriteret themelore për zgjedhje të lira: pamundësia për mashtrim, mungesa e dhunës dhe pjesëmarrja masive". Me këtë rast ai tha se vetëm 3.4 për qind e vitave ishin të pavlefshme, që është një shkallë shumë e ulët për votimet e para postkonfliktuale. Përgjithësisht, për ambasadorin Everts, zgjedhjet ishin në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në zgjedhjet vendore të 28 tetorit, sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, kanë marrë pjesë 79 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Kjo, sipas tyre, paraqet një sukses të jashtëzakonshëm krahasuar edhe me shumë vende demokratike perëndimore. Numrin më të madh të votave e ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëheqësit të "moderuar" shqiptar, Ibrahim Rugova, respektivisht 58 për qind; Partia Demokratike e Kosovës e ish udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, ka fituar 27.3 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ish komandantit të UÇK-së për Kosovën perëndimore, Ramush Haradinajt, 7.7 për qind dhe Partia Shqiptare Demokristiane e Mark Krasniqit (aleate e vjetër e Rugovës) ka fituar 1.40 për qind të votave. Të gjitha forcat e tjera politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur kanë fituar më pak se nga një për qind të votave. Në bazë të këtyre rezultateve, partia fituese ka 504 vende në asambletë komunale, Partia Demokratike 267, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 71 dhe Partia Shqiptare Demokristiane 8 vende, ndërkaq disa parti të tjera, midis të cilave edhe disa parti minoritare, kanë fituar nga 4 e më pak vende.

Autoritetet ndërkombëtare pohuan se ishte shumë i rëndësishëm fakti se në këto zgjedhje është zbatuar sistemi elektoral proporcional dhe se kjo ka shmangur mundësinë e krijimit të kuvendeve komunale njëpartiake, ç'gjë sipas tyre do të ndodhte poqese do të zbatohej sistemi mazhoritar.

Sidoqoftë, 27 komuna të Kosovës tashmë kanë fituar këshilltarët e tyre, të cilët duhet ta marrin pushtetin nga strukturat e përbashkëta administrative që ishin themeluar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Ndërsa në tri komunat më veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, udhëheqjet komunale do të zgjidhen me emërime politike. Ky sistem do të ndiqet edhe në zonat e tjera të banuara me serbë (po edhe me minoritete të tjera ku nuk kanë arritur të përfaqësohen), meqë serbët e kanë bojkotuar procesin e zgjedhjeve. Në të vërtetë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në procesin e konstituimit të kuvendeve komunale, sepse ende po zhvillohet një polemikë midis përfaqësuesve të Këshillit Nacional Serb në Mitrovicë dhe atij të Graçanicës. Këta të parët nuk pajtohen me emërimin e përfaqësuesve serbë, ndërsa të dytët tanimë janë marrë vesh rreth kësaj çështjeje me z. Kouchner. Të parët angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve në enklavat serbe dhe për krijimin, për shembull në Mitrovicë, të dy kuvendeve komunale të ndara, ide të cilën e kundërshtojnë përfaqësuesit e shqiptarëve. Megjithatë, konsultat vazhdojnë dhe pritet epilogu i tyre.

Mirëpo, jo të gjithë janë të kënaqur me "rezultatet". Pas publikimit të rezultateve preliminare ishte e qartë se zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo gjithsesi nuk i "entuziazmoi" partitë politike të dala nga ai që tashmë quhet "krahu i luftës", ku përfshihen ish udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shtypi i Prishtinës e citoi dendur një grafit të shkruar në rrugën qendrore të kryeqytetit, të cilin e kisht shkruar ndonjë "ish luftëtar" i pakënaqur: "Prishtinë, zemra ime, haram të qoftë gjaku i vallait tim. Zgjedhjet 2000 turp". Disa pohuan se ishte kjo "shprehje e revoltës së drejtë të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, ndërsa kosovarët votuan për ata që e 'sabotuan luftën'". Për t'i vërtetuar shpjegimet e tyre ata nxituan të "përmendin" takimet e dr. Rugovës me Milosheviqin, deklaratat e tij të dikurshme se "nuk e dinte çka është UÇK-ja dhe a është ajo krijesë e shërbimeve sekrete serbe." Mbrojtësit e këtij të fundit pohuan ndërkaq se ky ishte një grafit i shkruar me paramendim nga ata "që synuan të ushtrojnë pushtet në bazë të së 'drejtës revolucionare', karakteristike për sistemet e shkuara totalitare të Evropës Juglindore". Duket se një shpjegim i tillë kishte për qëllim edhe t'ua përkujtonte njerëzve "të kaluarën politike" të disa krerëve të ish UÇK-së, që kishin vepruar në organizata ilegale të afërta me forcat ekstreme të majta.

Megjithatë, gjuha e përdorur gjatë këtyre diskutimeve nuk e kishte mprehtësinë që do të rrezikonte me ndonjë "shpërthim" emocionesh apo edhe trazirash. Partitë politike "nxituan" t'i pranojnë menjëherë rezultatet. Vëzhguesit më cinikë pohuan se ato s'kishin si ia bënin ndryshe, meqë tashmë ishin "betuar" me një deklaratë të posaçme para ambasadorit amerikan në KB, Riçard Hollbruk, se këtë vërtet edhe do ta bëjnë. Sidoqoftë, ato thanë se "do të bashkëpunojnë në krijimin e strukturave të reja të pushtetit dhe do të fillojnë punën për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme". Megjithatë, gati i gjithë shtypi i këtushëm është përqendruar në "analizat" se kush ia solli fitoren Lidhjes Demokratike dhe a janë vërtet humbëse forcat që dolën nga ish UÇK-ja?

Ende nuk është e qartë nëse ishte vetëm një përpjekje për t'i ngushëlluar ithtarët e tyre, por partitë e "ish-luftëtarëve" thanë se "së bashku kanë fituar afro 40 për qind të votave dhe kjo nuk është pak". Menjëherë pas zgjedhjeve ato u ngutën të bëjnë bilancet e punës së tyre politike, duke përkujtuar se "s'kanë më shumë se nga gjashtë muaj jetë, ndërsa procesi i transformimit të UÇK-së ishte një proces i rëndë që mori shumë kohë dhe energji". Sipas tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kishte punë tjetër pos të përgatitej për zgjedhjet.

Këta të fundit, ndërkaq, ndonëse më të rezervuar (si fitues edhe nuk kishin arsye për të qenë të zhurmshëm), thanë se partitë e reja e paguan "haraçin e gabimeve të tyre". Shumë veprimtari të paligjshme të pasluftës janë lidhur me emrin e pjesëtarëve të ish UÇK-së dhe kjo gjithsesi ka ndikuar në votuesit që megjithatë kanë zgjedhur një forcë më të "butë" dhe më pak "arrogante"...

Analistët vendorë thonë se "shqiptarët, sikurse edhe popujt tjerë të rajonit, karakterizohen nga një shkallë e lartë e konservatorizmit dhe vështirë u nënshtrohen ndryshimeve. A nuk ishin serbët ata që mbajtën në pushtet për 13 vjet me radhë Milosheviqin, po kroatët, boshnjakët... Kosova nuk është në Mars", pohojnë ata.

Të tjerë, ndërkaq, përgjigjen: ky është një krahasim tepër i gabuar, sepse është përgjithësisht e ditur (dhe kjo sipas tyre s'duhet harruar) se Rugova nuk është një Milosheviq, as një Tugjman, dhe as që mund të krahasohet me ta.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA