Çka qëndron pas bojkotit
Prishtinë, 7.11.2000.
Marrëdhëniet shqiptaro-serbe aktualisht zhvillohen në frymën e konfrontimeve rreth zgjedhjeve të kësaj vjeshte. Vetëm temat janë të reja. Problemet reale janë po ato që kanë qenë edhe para hyrjes së KFOR-it dhe vendosjes së pushtetit të UNMIK-ut në Kosovë, si dhe para zgjedhjes së Vojislav Koshtunicës për president të RFJ-së. Mirëpo, gjendja në terren ka ndryshuar në masë të madhe dhe akterët janë të detyruar t'i respektojnë realitetet e reja. Shqiptarëve më nuk u rri mbi kokë arma serbe dhe kjo në opinionin e gjerë shpjegohet si liri e fituar. Por, nëse liria lidhet me pavarësinë, atëherë rezulton edhe formalisht edhe faktikisht se mashtrohen të gjithë ata që mendojnë kështu, pohojnë analistë të këtushëm.
Nga ana tjetër, nëse merren parasysh synimet politike, ekziston një identitet i plotë midis Vojislav Koshtunicës dhe Slobodan Millosheviqit. Madje, shumë nga ata theksojnë se Koshtunica është nacionalist me bindje, ndërsa Millosheviq ishte nacionalist për shkak të ambicjeve për të mbetur në pushtet. Këtë, sipas tyre, e dëshmojnë edhe deklaratat më të fundit të Koshtunicës mbi luftën, krimet e luftës, zgjedhjet, statusin definitiv të Kosovës... Përkundër kësaj, ekziston një ndryshim i madh në pozicionet e tyre praktike. Në rrethanat e reja, Koshtunica nuk mund të sillet si Milosheviqi, nuk mund të veprojë ashtu siç ndoshta do të dëshironte ose siç është sjellë në kohën e Milosheviqit.
Serbët e Kosovës e përjetojnë largimin i forcave serbe si një robërim të ri, ndërsa lrinë e shohin në vendosjen e pushtetit serb në Kosovë. Për shqiptarët kjo do të ishte rënie e sërishme në robëri dhe nuk ka kurrfarë dyshimi se një numër i konsiderueshëm i tyre, si edhe gjatë viteve '98-'99, do t'i kundërvihej me armë. Ky është thelbi i problemit shqiptaro-serb në Kosovë. Argumentet që i ofrojnë serbët lidhur me pozitën e tyre në Kosovë që nga hyrja e KFOR-it dhe tani lidhur me zgjedhjet, duket se në thelb përfaqësojnë vetëm një mbulesë për synimet thelbësore. Aspekti tjetër i argumenteve të tilla është pengimi i largimit dhe shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Në këtë funksion serbët e Kosovës edhe i kanë bojkotuar regjistrimin e popullatës dhe zgjedhjet komunale të 28 tetorit. Që në pranverë të këtij viti, me fillimin e regjistrimit, përfaqësuesit e serbëve kanë dalë me qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë OSBE dhe UNMIK-u. Këto kanë qenë argumentet e vërteta të kundërshtimit të tyre, edhe pse ato janë paraqitur në forma të tjera. Në grupin e parë të argumenteve hyjnë mungesa e sigurisë, kufizimi i të drejtave për lëvizje ë lirë dhe mbyllja në enklava. Në grupin e dytë hyn plotësimi i kërkesave për kthimin e serbëve. Për të gjithë serbët që tani jetojnë jashtë Kosovës pohohet se kanë qenë të dëbuar me forcë, edhe pse opinioni i gjerë e ka të njohur që rreth 100 mijë serbë kanë vendosur të largohen bashkë me forcat e armatosura serbe, në përqindjen më të madhe për shkak të pjesëmarrjes në kryerjen e krimeve në Kosovë, respektivisht nga frika e hakmarrjes. Megjithatë, përfaqësuesit serbë në Kosovë gjithnjë kur u jepet rasti thonë se nga Kosova "janë dëbuar 200 mijë serbë", ndërkaq "pa ngurrim" përmendet edhe numri 300 mijë serbë, megjithëse është fare e qartë se edhe sipas statistikave zyrtare të Beogradit në Kosovë kanë jetuar në fund të këtij dhjetëvjetëshi rreth 200 mijë serbë. Pra, fare nuk përmenden as statistikat e UNMIK-ut, KFOR-it dhe UNHCR, të cilat thonë se në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 90 deri në 100 mijë serbë.
Si një nga kushtet për pjesëmarrje në regjistrim dhe në zgjedhje ata kanë shtruar nevojën që kjo t'u mundësohet edhe serbëve të ikur ose të garantohet edhe kthimi i tyre. Tani theksohet një argument krejt tjetër. Që serbët në Kosovë kanë mundur të regjistrohen pa kurrfarë problemesh, por që regjimi i Milosheviqit i ka penguar të regjistrohen serbët e Kosovës që janë strehuar në Serbi, duke shpresuar se kjo çështje, me pushtetin e ri në Beograd, do të zgjidhet. Grupi i tretë i argumenteve është më i papërcaktuari. Thuhet se regjistrimi i popullatës serbe dhe pjesëmarrja në zgjedhjet kosovare, kuptohet edhe në strukturat e përbashkëta të pushtetit me UNMIK-un, duhet të bëhet në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presupozimi më i bindshëm do duhej të ishte që serbët e Kosovës do të mund të kërkonin, ose një gjë të tillë edhe do ta bëjnë, që vendime të tilla dhe të ngjashme lidhur me Kosovën UNMIK-u t'i marrë vetëm pasi të ketë siguruar pajtimin e organeve shtetërore serbe në Beograd. Në këtë grup bën pjesë edhe kërkesa e shtruar ngs Këshilli Nacional Serb në Graçanicë, që shqiptarët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të parapara për 23 dhjetor të këtij viti dhe t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në federatën serbo-malaziase. Në të kundërtën, serbët do të tërhiqen nga të gjitha organet e përbashkëta që i ka themeluar Misioni Civil i OKB-së. Duhet thënë se pjesëmarrja e deritashme serbe në këto organe ka qenë simbolike, në nivel vëzhguesish dhe e kushtëzuar me shumë kërkesa. Administratori i KB për Kosovën, Bernard Kouchner, ka zhvilluar biseda intensive gjatë këtyre ditëve me përfaqësuesit serbë rreth këtyre çështjeve dhe tanimë po flitet se është bërë lista e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që do t'i emërojë ai përkohësisht në organet lokale, deri te një mbajtje e mundshme e zgjedhjeve të veçanta për komunat me shumicën serbe. Megjithatë, të gjithë këto çështje edhe më tej mbeten mjaft të ngatërruara, sepse midis tjerash rreth këtyre detajeve nuk kanë arritur të pajtohen as përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb në Graçanicë dhe ata të pjesës veriore të Mitrovicës.
Vendimin e UNMIK-ut për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve jugosllave të shtatorit edhe në Kosovë e patën përshëndetur të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës si vendim të vetëm të mundshëm dhe logjik. Edhe në ato rrethana, kur presupozohej se do të fitonte Milosheviqi dhe suita e tij, ata pohonin se në ato zgjedhje duhej të merrnin pjesë edhe shqiptarët, meqenëse "Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe e Jugosllavisë". Për pasojë, ata do të duhej të votonin për presidentin e "tyre". Në ato zgjedhje kanë votuar rreth 45 mijë serbë që jetojnë në Kosovë. Kjo do të duhej të përfaqësonte diku rreth 80 deri në 90 për qind të qytetarëve më të drejtë vote. Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 35 mijë kanë votuar për Milosheviqin. Dhe tashti, po ata i ftojnë ose kushtëzojnë me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare serbe, në të cilat do të zgjedhet parlamenti dhe qeveria të cilat duhet t'i inaugurojë kryetari i Republikës së Serbisë, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.
Dhe, derisa Koshtunica, siç theksohet shpesh këtu, "po përpiqet të krijojë një barazpeshë të krimit", duke deklrauar se krime kanë bërë të dyja palët, për serbët e Kosovës është e vështirë ta pranojnë edhe një gjë të tillë, ndoshta edhe për arsyen segjatë dhjetë vjetëve të fundit ata janë mësuar të paraqiten si viktima të shqiptarëve, madje edhe atëherë kur shumë nga ata kanë marrë pjesë në krimet e kryera në Kosovë.
Nëse përfaqësuesit e serbëve e kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve jugosllave edhe në Kosovë, në shtator të këtij viti, tani ata i kanë hedhur poshtë ose i kanë vlerësuar negativisht zgjedhjet vendore në Kosovë. Kryetari jugosllav, Koshtunica, ka deklaruar se ato as që është dashur të mbahen, sepse nuk është mundësuar që të votojnë të gjithë, duke përfshirë pra serbët para së gjithash. Duke i konsideruar si tendencë për konstituimin e një Kosove të mëvetësishme, Koshtunica këto zgjedhje i ka quajtur të rrezikshme për tërë Ballkanin, ndërsa në Serbi është i përhapur mendimi, ndoshta edhe për shkak të informacioneve të tilla të plasuara, se në Kosovë janë mbajtur zgjedhje njënacionale, si të mos kishin marrë pjesë në to komuniteti turk, boshnjak, rom, goran, hashkali... Ndërsa ati Sava Janjiq, zëdhënës i Këshillit Nacional Serb, deklaronte para mbajtjes së zgjedhjeve se serbët e Kosovës do t'i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ato i njeh edhe bashkësia ndërkombëtare, peshkopi Artemije, nga ana tjetër, zgjedhjet vendore kosovare (pas zhvillimit të tyre) i ka quajtur një farsë politike. Koordinatori i Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS) për Kosovën, Momçillo Trajkoviq, i afërt me Këshillin Nacional serb në Mitrovicë, ku Koshtunica ka patur dhe aktualisht ka një ndikim të jashtëzakonshëm, e ka dënuar mbajtjen e zgjedhjeve kosovare, mirëpo edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në organet e pushtetit të UNMIK-ut. Politikanja serbe Rada Trajkoviq, kryetare e Partisë Radikale Serbe të Sheshelit për Kosovën deri në prag të intervenimit të NATO-s, ndërsa tani përfaqësuese e serbëve të Kosovës në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës, tani "kërkon" që serbë e shqiptarë të jetojnë së bashku. Ajo ka deklaruar këto ditë se Serbia, edhe pse e bombarduar nga Perëndimi, përpiqet të gjejë rrugë bashkëpunimi me Perëndimin, mirëpo edhe një pyetjeje të gazetarëve i është përgjigjur se nuk pendohet për politikën e udhëhequr ndaj Kosovës gjatë viteve të shkuara.
Serbët e Kosovës kanë dalë masivisht në zgjedhjet federale të shtatorit dhe kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe në zgjedhjet serbe të dhjetorit, natyrisht nëse Kouchner do të vendosë t'i lejojë ato edhe në Kosovë. Ai ende është duke u konsultuar rreth kësaj çështjeje dhe duket se ai do të mund të lëshonte pe nëse edhe pala tjetër lëshon pe ndaj kërkesave të administratorit civil. Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, edhe nëse nuk kanë reaguar zhurmshëm ndaj organizimit të zgjedhjeve jugosllave në Kosovë, sepse edhe UNMIK edhe OSBE theksonin se nuk do t'i mbështesnin as pengonin ato, rreth organizimit eventual të zgjedhjeve serbe me siguri që do të shprehnin një pakënaqësi të madhe. Një mundësi të tillë, d.m.th. të mbajtjes së zgjedhjeve sere (siç pohojnë së paku ekspertët e këtushëm juridikë), nuk e parashikon as Rezoluta 1244.
Edhe kur është fjala te siguria e serbëve të Kosovës dhe argumenti se nuk kanë patur mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet kosovare për shkak të pasigurisë, edhe pse ata ballafaqohen me vështirësi vërtet të mëdha lidhur me këtë, janë jo të paktë ata që pohojnë se kjo nuk është arsye e vërtetë për një qëndrim të tillë. Zëdhënësi i OSBE-së, Roland Bles, e ka përcjellë qëndrimin e kësaj organizate ndërkombëtare se ky ishte para së gjithash një vendim politik i serbëve të Kosovës, sepse, siç e ka shpjeguar ai, kurrfarë problemesh lidhur me sigurinë nuk kanë patur gjatë zgjedhjeve në nivelin federal të mbajtura jozyrtarisht edhe në Kosovë. Analistët kosovarë, që një kohë të gjatë, gjatë shqyrtimit të argumenteve që i shtron komuniteti serb në Kosovë rreth mospjesëmarrjes në zgjedhjet vendore, konstatojnë se tek elita politike e serbëve të Kosovës ekziston një "antikosovarizëm e thadruar thellë" dhe se ata e shohin veten edhe fizikisht edhe territorialisht si pjesë ekskluzive të territorit serb, respektivisht si pjesë të viktimizuar të Serbisë që i meriton të gjitha privilegjet e mundshme që "duhet siguruar madje edhe me forcën e armës".
Mirëpo, pjesa më e madhe e vëzhguesve këtu qëndrimet e përfaqësuesve serbë rreth çështjeve politike të caktuara, pra edhe rreth çështjes së zgjedhjeve, prapëseprapë i shohin në një varshmëri të ngushtë me qëndrimet e Beogradit zyrtar rreth po atyre çështjeve. Dhe, për këtë arsye, vështrimi si zakonisht drejtohet shpesh në drejtim të Beogradit dhe indicjeve të mundshme atje.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI