Zgjedhjet lokale në Kosovë: reflekse në Tiranë

Tirana Nov 7, 2000

AIM TIRANA, 07.11. 2000

Zgjedhjet lokale në Kosovë u ndoqën me një interes të pazakontë në Shqipëri. Pas perfundimit te zgjedhjeve lokale ne Shqiperi ethet e duelit Rugova- Thaçi zoteruan faqet e gazetave dhe diskutimet e atyre qe interesohen per politiken. Nuk munguan as ata që vinin edhe baste për rezultatin final të ndeshjes mes Lidhjes Demokratike te Kosoves dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Gjithë ky interesim, veç faktit se shqiptarët e kanë pasion të madh të merren me politikë, shpjegohet edhe nga disa arsye të tjera.

Së pari, Lufta e Kosoves nje vit me pare dhe valet e refugjateve qe erdhen ne Shqiperi i afruan me shumë shqiptarët e dy anëve të kufirit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipëri, ku vërshuen rreth 500 mijë refugjatë kosovarë, jo vetëm vendosi kontakte me ta, por u përfshi edhe në diskutimet politike të kosovarëve mbi të ardhmen e Kosovës. Diskutime që në atë kohë e më pas rrotulloheshin në dy emra: Thaçi dhe Rugova, lufta apo rezistenca paqësore, çmimi i shtrenjtë për t'u paguar apo tradhëtia.

Por ka dhe një arsye tjetër, ndoshta më kryesorja, që i mbërtheu shqiptarët në ekranet e televizioneve për të pritur rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, gati si në një finale kampionati botëror. Më shumë se sa marrëdhëniet njerëzore dhe më shumë se sa ato ekonomike, zgjedhjet në Kosovë ngjallën interesin e publikut sidomos për shkak të ndikimit që ato do të kishin në politikën e Tiranës zyrtare.

Për shumë rrethana, aleanca, deklarata, ngjarje te dhjete viteve te tranzicionit ne Tirane ishte krijuar bindja se Rugova është një aleat i fortë dhe mbështetës i Berishës dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, aleanca dhe mbështetja e madhe që qeveria e majtë shqiptare ofroi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe marrëdhëniet e ftohta të kësaj të fundit me Berishën, nuk linin asnjë dyshim se fitorja e partisë së Hashim Thaçit do të kishte qenë e mirëpritur për Tiranën zyrtare. Megjithate, ne deklarimet zyrtare pas njoftimit te rezultatit te zgjedhjeve te dy kampet politike ne Shqiperi bene kujdes qe te ishin te kujdesshem. Në një konferencë për shtyp, Berisha pershendeti fitoren e aleatit te tij Rugova, por shtoi se në Kosovë nuk ka të humbur, pasi të fituar janë të gjithë shqiptarët.

Ndërsa për kampin e majtë në pushtet, formula e perdorur ishte se "pavarësisht nga rezultati, zgjedhjet e qeta ishin një fitore e të gjithë shqiptarëve". Ish kryeministri Majko, i cili drejtoi qeverinë shqiptare gjatë krizës së Kosovës, ishte i vetmi nga socialistët që deklaroi se fitorja e Rugovës ishte e pritshme dhe duhej përshëndetur. Ndërsa në qëndrimin zyrtar të partisë në pushtet u evitua emri i Rugovës dhe zgjedhjet u vlerësuan vetëm si "fitorja e dytë e madhe që arrin populli i Kosovës pas fitores së luftës një vit më parë". Partia Socialiste "uroi zgjedhësit kosovarë për fitoren e arritur, subjektet politike për vlerat që demostruan" dhe në fund "fituesit e këtyre zgjedhjeve si dhe organizmat ndërkombëtare".

Edhe Komisioni i Jashtëm i Parlamentit dhe Qeveria shqiptare ne deklaratat e tyre i meshuan me shume menyres paqesore te zhvillimit te zgjedhjeve duke evituar permendjen e Rugovës me emer.

Ndryshe nga opinioni në Kosovë, në Shqipëri duket se ishin me të paktë ata që besonin në fitoren e Rugovës. Triumfi i këtij të fundit, me 58 për qind të votave kundrejt 27 për qind të Thaçit, ishte i papritur dhe gati i pabesueshëm në Tiranë. Shqiptarët këtej nuk mund dhe nuk arrinin ta besonin se si kosovarët nuk kishin votuar për ata që iu sollën lirinë, por për njeriun me shall që i shtërngoi dorën Milosheviçit atëherë kur gjithë bota ishte kundër tij, nga ajri dhe nga toka.

Por pa i hyrë argumentimeve se si Rugova mundi të rikuperojë dhe të triumfojë bujshëm fakti është që "ish presidenti" i moderuar shpreh tashmë vullnetin e gati 60 për qind të kosovarëve që mbështesin politikën e tij të moderuar. Në këtë aspekt fitorja e Rugovës përcjell në Perëndim një imazh që sa vjen e po konsolidohet për shqiptarët: se ata duan stabilitet dhe paqe, bashkëjetesë dhe jo konflikt. Për një mijë e një arsye, të vërteta, të rreme apo të pamerituara, kjo nuk kanë rëndësi, në këto 10 vjet Rugova ka mishëruar politikën e moderuar dhe paqen. Në këtë këndvështrim, fitorja e Rugovës eshte nje dukuri pozitive.

Megjithatë tani behet me i mprehte problemi i moskomunikimit mes Tiranes zyrtare dhe Rugoves. Prej vitesh urat e komunikimit mes liderit te moderuar kosovar dhe koalicionit te majte ne pushtet ne Tirane jane prere pothuajse krejtesisht.

Por, nje riparim i marredhenieve, qofte edhe i pjesshem, nuk do të jetë i pamundur. Rugova me shume ka heshtur, edhe kur nga Tirana jane adresuar kritika ndaj tij. Tiranës i takon tani të hedhë hapin e para drejt "pajtimit" me liderin kosovar. Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë ishte dhe një leksion mjaft i vlefshëm për politikanët e rinj të Tiranës: se në politikë është mirë të mos jepesh pas emocioneve dhe simpative të çastit, por të shohësh shumë më larg. Dhe, se nuk ke përse bëhesh palë, kur i ke të gjitha mundësitë të jesh arbitër mes tyre. Këtë rol, sot për sot Tirana zyrtare e ka humbur në Kosovë. Të shohim si dhe ku do të jetë nesër kur në Kosovë do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

ARMAND SHKULLAKU