Në pritje të amnistisë
Prishtinë, 4.11.2000.
"Nuk e di su duket Kosova dhe më vjen keq që tani është terr", ka thënë mjekja Flora Brovina në pikëkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë, pas lirimit nga burgu i Pozharevcit ku është mbajtur që nga prilli i vitit të kaluar, kur është burgosur nga policia serbe, pikërisht në kulmin e fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe.
Flora Brovina, grua 55 vjeçe, gjatë luftës midis shqiptarëve etnikë dhe forcave policore e ushtarake të regjimit të Milosheviqit, ka hapur në Prishtinë Qendrën për strehimin e fëmijëve dhe nënave të mbetura pa shtëpi dhe kryesisht nga zonat e përfshira nga lufta. Në këtë Qendër u ofrohej ndihmë mjekësore grave shtatzëna dhe fëmijëve të rraskapitur gjatë ikjes dhe bredhjes nëpër male, meqenëse ishin të detyruar t'i braktisnin fshatrat e tyre të kapluara nga flakët e luftës. Aktivitetin e saj zonja Brovina e ka vazhduar edhe gjatë fushatës së bombardimeve, deri në ditën e arrestimit në prill të vitit 1999, kur është transferuar në burgun e Pozharevcit bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, kryesisht civilë.
Pasi kishte përqafuar djalin e saj, Uranikun, dhe burrin, Ajri Begun, një ekonomist i njohur i sistemeve bankare, zonja Brovina kishte rënë në gjunj dhe kishte puthur tokën duke thirrur për Kosovën e lirë. "Nuk mund të ndihem e lumtur pasi në burgjet e Serbisë kanë mbetur shumë shqiptarë të tjerë, shumë shokë e shoqe të miat", u tha gazetarëve zonja Brovina, e cila është bërë kohët e fundit e burgosura më e njohur shqiptare në burgjet e Serbisë. Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në burgjet serbe mbahen ende më shumë se 800 shqiptarë, ndërsa më shumë se 1200 janë liruar që nga hyrja e trupave paqeruajtëse në Kosovë e deri tani.
Ndryshimet e fundit në kreun shtetëror të Beogradit patën shtuar shpresat e të afërmëve të të burgosurve se ata do të liroheshin. Mirëpo, deri me lirimin e zonjës Brovina, nuk është treguar asnjë shenjë e tillë e vullnetit të mirë nga kryetari i ri jugosllav, Koshtunica. Njëkohësisht me shpresën e familjarëve, ndryshimet në Beograd patën ndikuar edhe në rritjen e presionit ndërkombëtar mbi autoritetet e atjeshme për të shqyrtuar lirimin e shqiptarëve të burgosur që këtu konsiderohen si pengje të luftës.
Madje, edhe përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, si këshilltari i presidentit Klinton për Ballkanin, zoti Xhim O'Brajën dhe ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Riçard Hollbruk, gjatë vizitave të tyre në Prishtinë kanë thënë se ndër çështjet më të rëndësishme në bisedimet me kryetarin e ri jugosllav kishin qenë apo do të ishin çështjet e lirimit të shqiptarëve të burgosur dhe ndriçimi i fatit të të zhdukurve.
Para dy ditësh, bashkë me zonjën Flora Brovina janë liruar edhe tre shqiptarë të tjerë, po edhe pse familjet e tyre kishin dalë për t'i pritur, ata thuajse nuk vëreheshin fare, sepse në qendër të vëmendjes ishte pikërisht zonja Brovina. Në mesin e të liruarve ishte edhe Xhevat Ajvazi. Djali i tij dhjetëvjeçar, i cili ishte sulur drejt të jatit që nuk e kishte parë tash e gati dy vjet, u përcoll me thirrjet e gazetarëve të shumtë që të largohej, sepse ai po i pengonte për ta fotografuar zonjën Brovina derisa po e puthte tokën e Kosovës.
Një ditë pas lirimit të zonjës Brovina, dhjetëra gra nga Krusha e Madhe, një fshat në afërsi të Prizrenit, ku nuk ka mbetur pothuajse asnjë mashkull, pasi disa janë vrarë e të tjerë janë burgosur dhe zhdukur, kërkonin të liroheshin të afërmit e tyre dhe të gjendeshin të zhdukurit. Protesta e tyre kishte mbetur nën hijen e lirimit të së burgosurës më të njohur të pasluftës, zonjës Flora Brovina, e cila atë ditë kishte vizituar disa institucione të ndryshme në Kosovë.
Dita e lirimit të mjekes dhe poetes Flora Brovina ka koinciduar me vizitën e të dërguarët special të Kombeve të Bashkuara për çështjet e të zhdukurve, zotit Amneus, i cili atë ditë ka vizituar Gjakovën dhe është takuar me anëtarët e familjeve të të zhdukurve dhe të burgosurve. Qyteti i Gjakovës, në skajin perëndimor të Kosovës, është rajoni që më së shumti ka pësuar sa u përket të burgosurve dhe të zhdukurve. Vetëm në fshatin Mejë, fshat në rrethinë të Gjakovës, 500 burra e djem të rinj janë vrarë apo janë burgosur e zhdukur. Gratë gjakovare kanë organizuar protesta të vazhdueshme, jo vetëm në qytetin e tyre, por edhe në Prishtinë, duke akuzuar praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe liderët vendorë se nuk po bënin sa duhej për lirimin e të afërmve të tyre.
Zoti Amneus u ka premtuar grave nga Gjakova se do të bëjë gjithë çka është e mundur për lirimin e të burgosurve dhe sqarimin e fatit të të zhdukurve. Çështja e të burgosurve dhe të zhdukurve e ka shqetësuar në prag të zgjedhjeve edhe administratën ndërkombëtare të prirë nga Bernard Kouchner, i cili ka patur takime mjaft emocionuese dhe biseda me të afërmit e të burgosurve. Ai ka pranuar të hapë një zyrë për të burgosurit dhe të zhdukurit në kuadër të administratës së tij.
Për të kënaqur edhe serbët e Kosovës, gjithnjë të revoltuar dhe pa gatishmëri për bashkëpunim korrekt me strukturat e përbashkëta administrative, Kushner ka shkuar në Graçanicë dhe në Mitrovicë dhe ka hapur atje zyra për serbët e zhdukur gjatë dhe kryesisht pas luftës.
Përfaqësues të komunitetit serb vazhdojnë të pohojnë se në Kosovë ka burgje ilegale ku mbahen dhjetëra serbë. Këto pohime i kanë demantuar disa herë forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë, duke theksuar se "KFOR-i kontrollon çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës dhe gjer më tani nuk është gjetur asnjë shenjë që bën për të dyshuar se ekzistojnë burgje ilegale".
Çështja e serbëve të zhdukur gjatë luftës është shtruar edhe nga liderë të serbëve të Kosovës, ndër të cilët zëdhënësi i Këshillit Nacional Serb të Graçanicës, kleriku Sava Janjiq, kishte kërkuar disa herë sqarimin e fatit të serbëve të zhdukur. Janjiq, pas ndryshimeve në Serbi, kishte theksuar se shqiptarët që mbaheshin në burgjet e Serbisë duhej dorëzuar tek autoritetet gjyqësore të UNMIK-ut për të përcaktuar fajësinë eventuale të tyre, pasi "nuk janë ata të gjithë të pafajshëm, meqenëse disa nga ata kanë kryer krime dhe vrasje", ka thënë Janjiq. Ky prononcim erdhi mbas deklaratës së Koshtunicës se lirimi i të burgosurve shqiptarë është i lidhur me sqarimin e fatit të serbëve të zhdukur, që në Kosovë u interpretua menjëherë si vazhdim i politikave të regjimit të Milosheviqit, gjatë të cilit shumë persona dergjeshin në burgje pa kurrfarë faji. Posaçërisht duke patur parasysh faktin që Koshtunica e ka liruar menjëherë gazetarin Miroslav Filipoviq, të dënuar për gjoja spiunazh, e më pastaj edhe gazetarin e dytë, Zoran Lukoviq. Në kohën kur zonja Brovina ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të institucioneve ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe të atyre në Serbi, Koshtunica heshtte...
Megjithatë, duket se presioni ndërkombëtar, por edhe nga vetë Serbia, ndaj presidentit të ri, bëri që ai më në fund ta marrë vendimin për amnistimin e Flora Brovinës. Kanë mbetur nëpër burgjet serbe edhe disa qindra shqiptarë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk ka qenë e përfshirë në strukturat e gerilës shqiptare që luftoi forcat serbe dhe, siç pohohet këtu, nuk janë njerëz me bindje të theksuara politike. Ata, kryesisht janë civilë të pafajshëm, shumica të kapur gjatë dyndjeve të refugjatëve që iknin nga lufta, por që edhe më tej po trajtohen si robër lufte.
"Atje kam lënë shumë miq të mi, por kam informacione se të gjithë do të lirohen brenda dhjetë ditësh me një amnisti të përgjithshme", tha e sapoliruara nga burgu, Flora Brovina, para se të përshëndetej me jetimët e shumtë nga qendra e themeluar prej saj, të cilit kishin dalë për ta pritur.
Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që ka fituar shumicën në zgjedhjet komunale të Kosovës, ka përshëndetur lirimin e zonjës Brovina dhe ka kërkuar lirimin edhe të të burgosurve të tjerë. "Ata duhen liruar dhe nuk duhen amnistuar, pasi nuk janë të burgosur, por civilë që janë marrë si pengje të luftës", theksohet në kumtesën e kësaj partie.
Nga ana tjetër, familjet e të burgosurve dhe të zhdukurve ushqejnë vetëm shpresa për lirimin në të ashtuquajturën vijë institucionale dhe asnjëherë nuk pushojnë së kërkuari të afërmit e tyre edhe me rrugë të tjera. Gati secila familje deri tani ka ndjekur avokatë të ndryshëm dhe ka dhënë mijëra marka gjermane në përpjekje për gjetjen dhe lirimin e të dashurve të tyre. Shumat e mëdha të parave me të cilat mund të blihet liria, për ta janë më shpresëdhënëse se premtimet për amnisti të përgjithshme. Ndoshta edhe këtu diç mund të ndryshojë, duke patur parasysh se tanimë janë ngritur aktpadi kundër disa rojeve të burgut në Serbi, të cilët kanë marrë nga të burgosurit shuma të mëdha parash duke u premtuar shqiptarëve të burgosur dënime simbolike ose madje lirim nga burgu.
Nëse zonja Flora Brovina është liruar edhe për shkak të presionit ndërkombëtar, një familje fshatare nga Meja e Gjakovës, për shembull, nuk ushqen iluzione se Hollbruk apo ndonjë diplomat tjetër perëndimor do ta ngrisë edhe çështjen e babait apo birit të tyre që ndodhet në burg. Ata, madje, janë të dëshpëruar me lavdatat e shumta që i janë bërë kryetarit jugosllav Koshtunica pas amnistimit të mjekes Flora Brovina.
AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI