Shumica për referendum dhe pranim ndërkombëtar

Beograd Nov 5, 2000

Sipas hulumtimeve të tetorit, që janë zhvilluar në kuadër të projektit "Mendimi publik në Mal të Zi 2000", referendumin e pëlqejnë tre të katërtat, kurse dy të tretat e qytetarëve të Malit të Zi dëshirojnë ndonjë formë të sovranitetit shtetëror.

AIM Podgoricë, 01.11.2000

Kur do të respektohej vendimi i shumicës në Mal të Zi, referendumi për statusin shtetëror - juridik do të shpallej në një kohë të shkurtër. Sepse nga rezultatet preliminare të hulumtimeve nga 15 deri 23 tetori, për nevojat e Qendrës për demokraci dhe të drejta njerëzore (CEDEM) të botuara nga agjencioni "Damar", rezulton se dy të tretat e qytetarëve të Malit të Zi dëshirojnë që çështja e statusit të ardhshëm të shtetit të tyre të zgjidhet përmes referendumit.

Gati gjysma nga 1453 të të anketuarve, nga tetë komuna më të mëdha malazeze: Beran, Bijelo Pole, Tivar, Pljevël, Herceg Novi, Nikshiq, Podgoricë dhe Cetinjë, ose në mënyrë precize 43,7 përqind, konsiderojnë se referendumi është "veprimi i vetëm logjik", kurse 31,2 përqind të tjerë besojnë në referendumin, por mendojnë se për të duhet pritur deri në përfundim të negociatave të paralajmëruara serbo-malazeze. Nga ana tjetër, mbajtjen e referendumit e kundërshtojnë 17,8 përqind të të anketuarve, që konsiderojnë se "përkundër gjithçkaje Mali i Zi duhet të ngel në bashkësi me Serbinë pa alternativë tjetër dhe kushtëzime".

Kur është në pyetje statusi shtetëror i Malit të Zi, edhe të dhënat më të reja flasin se ka më shumë që e dëshirojnë pavarësinë e plotë (36,8 përqind). Pasojnë përkrahësit e idesë për shtetin federal mes Serbisë dhe Malit të Zi në bazë të platformës së Qeverisë malazeze (26,1 përqind). Në vendin e tretë janë qytetarët e Malit të Zi që të ardhmen e shohin në RFJ-në e tanishme (19 përqind). Në mesin e të anketuarve kishte edhe dhjetë përqind të të anketuarve të cilët, përmes sistemit "një kryetar, një parlament", favorizojnë unitarizimin e bashkësisë federale.

Një befasi relative paraqet fakti se rezultatet e këtij hulumtimi të opinionit publik, kur është në pyetje statusi shtetëror - juridik i Malit të Zi, janë gati identike me hulumtimet e të bëra në muajin prill të këtij viti - me ndryshim më së shumti për një përqind. Kështu, ndryshimet rrënjësore politike në Beograd dhe largimi i Sllobodan Millosheviqit për skenën (publike) politike nuk kanë ndikuar në ndryshimin e disponimit të opinionit publik malazez për të cilët shteti i përbashkët me Serbinë nuk është as i afërt as i largët për dallim nga periudha e Millosheviqit. Megjithatë, janë bërë ndryshime të dukshme që mund të shpiejnë deri tek rigrupimet e reja në skenën politike malazeze.

Rezultatet e hulumtimit të CEDEM-it japin, përafërsisht, profilin dhe favorizimin e qartë të pavarësisë malazeze dhe mbrojtësve të shtetit të përbashkët. Më interesant është fakti se veç anëtarëve dhe simpatizuesve të Partisë Liberale të Malit të Zi dhe Partisë Demokratike Socialiste, mbrojtësve tradicional të pavarësisë malazeze, "iu mbush mendja" edhe përkrahësve të PSD. Më shumë se gjysma e të të anketuarve, të cilët kanë votuar apo do të votojnë për PDS, përkrahin referendumin (tani - 57,3 përqind përballë atyre që janë për këtë pas bisedimeve me Serbinë që përbëjnë numrin 36,4 përqind) dhe për pavarësi të Malit të Zi (54,3 përqind). Vetëm pas pavarësisë si opcion i statusit të ardhshëm shtetëror

  • juridik të Malit të Zi vjen në shhprehje platforma e Qeverisë së Malit të Zi. Ky projekt, mes ithtarëve të PDS ka përkrahje për 36,8 përqind të të anketuarve. Se përkrahësit e PDS-së shtetin e përbashkët mes Serbisë dhe Malit të Zi e shohin gjithnjë e më rrallë flet edhe fakti se gati dy e treta e ithtarëve të partisë më të fuqishme në Mal të Zi nuk shohin në Serbi grupacion të afërm politik. 48,3 përqind e të anketuarve votues të PDS zgjodhën opcionin "nuk më është i afërt asnjëri", kurse 11,3 përqind "nuk e dijnë" opcionin më të afërt politik në Serbi.

Nga ana tjetër ithtarët e PPS (Partia Popullore Socialiste) edhe mëtej si më të afërt e konsiderojnë PSS (Partinë Socialiste Serbe) (51,9 përqind),madje është shtuar edhe rritja e madhe e popullaritetit të Partisë Demokratike të Serbisë (PDS) të Vojisllav Koshtunicës (25,1 përqind e simpatizuesve të PPS konsiderojnë se kjo është partia më e afërt politike nga Serbia). Dallime të mëdha janë të shprehuar edhe në çështje tjera të rëndësishme. RFJ-në e tanishme e përkrahin 54,8 përqind të ithtarëve të PPS. Pasojnë favorizuesit e unitarizmit. Prej tyre 28 përqind brenda PPS-së. Njëkohësisht, mbajtjen e referendumit e kundërshtuan afër gjysma e ithtarëve të kësaj partie, ose në mënyrë precize - 49 përqind. Pas tyre janë PPS-istët që mendojnë se për referendumin duhet pritur (23,4 përqind),gjegjësisht, se duhet të mbahet si "veprim i vetëm logjik" - 20,1 përqind.

Dallimet janë të mëdha edhe kur janë në shprehje përcaktimet nacionale të të anketuarve. Përderisa shumica e malazezëve favorizojnë referendumin dhe pavarësinë (49,7 përqind gjegjësisht 53 përqind), serbët që jetojnë në Mal të Zi dëshirojnë ruajtjen e RFJ-së (38,1 përqind) dhe e kundërshtojnë referendumin (42,6 përqind). Njëkohësisht, një e katërta e serbëve të anketuar si model më të mirë të bashkësisë së ardhshme e shohin shtetin unitar!

Ballafaqimi me ndarjet pro dhe kundër referendumit, gjegjësisht pavarësisë dhe përcaktimit politik të favorizuesve të këtij opcioni hap mundësinë e krijimit të bllokut "promalazez", gjegjësisht "projugosllav" ("proserb") në skenën politike të Malit të Zi. Në të parët do të mund të hynin pjesëtarët e PDS, PL të Malit të Zi dhe PSD-së (rejtingu momental tregon se këtyre partive tani u takojnë 30,2; 8,5; gjegjësisht 6,3 përqind) kurse tjerëve PPS dhe PP (23,9 dhe 3,3 përqind).

Kur janë në pyetje proceset politike në Mal të Zi është interesant të konstatohet se për herë të parë në këtë vit, Svetozar Maroviç nuk është politikani më i popullarizuar malazez. Primatin në listën e më të popullarizuesve e ka marrë Milo Gjukanoviç, kurse rezultatet e hulumtimit të opinionit publik tregojnë se deri tek ky ndryshim erdhi nga rënia e popullaritetit të Maroviqit në partitë në pushtet. Shembull për këtë është fakti se derisa në prill 61,1 përqind të ithtarëve të PSD Maroviqin e notuan me pesëshe, tani këtë e bënë 46 përqind të votuesve të kësaj partie. Shumë analistë janë të gatshëm që ketë ndryshim në qëndrimin e përcaktimeve rreth statusit të ardhshëm shtetëror të Malit të Zi, ta sqarojnë me të dhënën e fuqishme për rritjen e numrit të ithtarëve të PSD që përkrahin opcionin e pavarësisë, si dhe me faktin se në të vërtetë Svetozar Maroviçi, i cili njihet si lider i krahut politik që kundërshtoin këtë përcaktim, ka rënie rejtingu.

Rezultatet e hulumtimit të opinionit publik për popullaritetin e politikanëve të veçantë në Mal të Zi, njëkohësisht, tregojnë se ithtarët e opcionit "projugosllav" simpatizojnë liderët që sërish gjenden jashtë Malit të Zi. Veç Sllobodan Millosheviçit, tani është edhe Vojislav Koshtunica, që në Mal të Zi janë të popullarizuar nga krerët e PPS dhe PP, të cilët angazhohen për ruajtjen e federatës serbo-malazeze. Duket se në një pjesë të opinionit publik malazez edhe mëtej çmohet kulti i "udhëheqësve nga Beogradi", pa marrë parasyshë se si quhen ata, gjegjësisht, se çfarë përcaktimi politik kanë.

s. AIM, Podgoricë

Zoran RADULOVIC (AIM)