Zgjedhje të qeta në Kosovë
Prishtinë, 30.10.2000.
"Kosova iu bashkua botës së demokracisë", thanë të entuziazmuar përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë fill pas përfundimit zyrtar të procesit të votimit, ndonëse konfuzioni para vendoviteme do të zgjaste edhe për disa orë të tjera. Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Daan Everts, tha se kjo ishte një ditë historike, ndërsa qëndrimi i qytetarëve të Kosovës ishte shumë dinjitoz dhe se ata e kanë kaluar sprovën e demokracisë. "Parashikimet e mia se këto zgjedhje do të jenë nga më të mirat, nëse jo më të mirat në Ballkan, janë realizuar", tha zoti Everts, përgjegjësi kryesor për organizimin e zgjedhjeve vendore. I skuqur në fytyrë nga entuziazmi, administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, e quajti 28 tetorin një ditë fantastike, ndërsa duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës tha se ndjehet krenar për ta.
"Pjesëmarrja ishte masive, pa akte të dhunës, pa provokime dhe vetëm me disa incidente. Kjo ka dëshmuar një frymë të mrekullueshme", tha zoti Kouchner. Sipas tij, janë gabuar të gjithë ata që kanë menduar se ndërtimi i demokracisë në Kosovë është një mision i pamundshëm. Populli i Kosovës mori mbi vete përgjegjësinë për të ndërtuar shoqërinë e tij të lirë, tha zoti Kouchner, për të shtuar se hapi i ardhshëm i natyrshëm është organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Edhe komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali Karlo Kabixhiozu, i përgëzoi qytetarët e Kosovës për procesin e civilizuar të zgjedhjeve. Ai shprehu bindjen se të gjithë ushtarët e tij nga 39 vende të botës do të marrin me vete imazhin e qytetarëve të Kosovës që kanë pritur në radhë për të votuar. Ai tha se veprimi i kosovarëve ishte një mirënjohje për ushtarët e tij që kanë ardhur në Kosovë për të vendosur paqen dhe sigurinë...
Autoritetet ndërkombëtare thanë se 28 tetori ishte dita më e rëndësishme për Kosovën dhe njëkohësisht dita më e qetë që nga hyrja e forcave paqeruajtëse. Përfundimisht, sipas tyre, kjo ishte dita kur para të gjithëve më së shumti fitoi vetë Kosova.
Nëse është për të besuar në sinqeritetin e tyre, atëherë Kosova ka fituar vërtet epitetin e vendit me elektoratin më të durueshëm në botë. Shumë qytetarë thanë se kanë zënë vendin në radhë para se të hapeshin vendvotimet, ndërsa të tjerë kishin pritur me orë të tëra, madje edhe me fëmijë të vegjël, të cilët nuk mund ta kuptonin se ishin vënë në radhë me prindërit e tyre që besonin se me votën e tyre do të "vendosin që Kosova të bëhet e pavarur". Duket se vërtet kanë besuar në një gjë të tillë, ndryshe ishte e vështirë të shpjegohej se shumë syresh ishin veshur "si për dasmë". Para mikorofonave e objektivave të kamerave ata deklaronin se janë "të lumtur që po votonin për herë të parë të lirë, në Kosovën e lirë". Ishte ky refreni më i përsëritur në radhët e gjata të njerëzve që besonin në atë që kishin dëgjuar për 45 ditë me radhë në fushatën parazgjedhore, se jeta e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa Kosova do të jetë shtet më vete, pavarësisht që një kryetar komune, për çka edhe votohej, zor se mund të bënte "aq diplomaci" sa ta bëjë Kosovën të pavarur... Mbrëmja i zuri edhe nga disa qindra njerëz para qendrave të votimit, por OSBE tha se procesi do të vazhdonte derisa edhe votuesi i fundit të jepte votën e tij...
Sidoqoftë, mbrëmja e 28 tetorit i zuri partitë politike në ethe për rezultatet e votimit, ndërsa qytetarët të kënaqur me vlerësimet e ndërkombëtarëve se "Kosova fitoi"... Në kryeqytetin e Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, jeta zhvillohej tepër e qetë, ndërsa një numër i madh dyqanesh ishin të mbyllura. Në një numër sosh ishin vendosur flamuj kombëtarë. Një atmosferë festive... Flamujt ishin vendosur edhe jashtë objekteve ku zhvillohej votimi. Brenda në to, vetëm shenjat dalluese të OSBE-së dhe OKB-së...
Ndërkohë, administratori Kouchner, si për ta plotësuar mozaikun e asaj dite, shprehu keqardhjen e tij për mospjesëmarrjen e serbëve në procesin e zgjedhjeve, por nënvizoi se kjo ishte një zgjedhje e tyre. Sidoqoftë, ai tha se do të emërojë përfaqësuesit e serbëve në kuvendet komunale, ndërsa vitin e ardhshëm edhe do të mund të organizoheshin zgjedhje në zonat e banuara me shumicë serbe. Duket se vrulli që kishte kapërthyer liderët shqiptarë bëri që ata të mos e vënë re një premtim të tillë, ndryshe nuk mund të shpjegohej fakti që ai as që u komentua fare...
Dita e nesërme nxori në pah tërë atë që e kishte fshehur nata... Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata vendorë thanë se zgjedhjet lokale të 28 tetorit ishin të qeta dhe paqësore, por të ngarkuara me probleme teknike. Shefi i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropër, Viktor Ruffy, madje tërhoqi vërejtjen se procesi i votimit nuk ishte në nivelin e përgatitjeve që ishin bërë për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Rrëmuja përreth qendrave të votimit shkaktoi konfuzion dhe ngathtësi. Madje, ka pasur raste kur nga një qendër votimi disa qindra qytetarë kanë humbur durimin dhe janë larguar pa votuar. Që në fillim të procesit të votimeve ishte e qartë se llogaritë e OSBE-së ishin të gabuara. 1464 vendvotime ishin të pamjaftueshme për interesimin e treguar të qytetarëve. Procesi i identifikimit dhe votimit zgjaste edhe nga 10-15 minuta, ndërsa organizatorët kishin paraparë një minutë për një votues...
Edhe vëzhguesit e organizatave joqeveritare lokale thanë se ka pasur mjaft parregullsi. Pohonin se stafi lokal i OSBE-së ishte i patrajnuar sa duhet dhe ndonjëherë edhe politikisht i orientuar. Gazetarët lokalë shënuan momente kur vetë ky staf ka brohoritur emrin e akëcilit kandidat apo partie. Ka patur pohime se të njëjtit u kanë sugjeruar njerëzve të moshuar apo analfabetë se "ku (dhe për kënd) duhet votuar". Një "sistem të tillë ndihme" e kanë shfrytëzuar në ca raste edhe vetë anëtarët e komisioneve zgjedhore. Partitë politike (kryesisht ato që tashmë e kishin të qartë humbjen) thanë se anëtarët e tyre në ndonjë rast janë "keqtrajtuar, frikësuar e madje edhe detyruar të votojnë kundër dëshirës së tyre" (?). Në rreth 30 për qind të raporteve të vëzhguesve është njoftuar se në vendvotime të caktuara nuk është mundësuar fshehtësia e votimit...
Por, pavarësisht nga këto vërejtje, nuk ka pasur raporte për incidente të dhunshme, ndërsa sjellja e elektoratit ishte për admirim...
Megjithatë, zhvillimet e 28 tetorit ishin një befasi për shumëkënd, por më së shumti për përfaqësuesit ndërkombëtarë. Të ardhur nga vende ku elektorati i përgjigjet "obligimit qytetar për të votuar" vetëm në masën prej 25 apo 30 për qind, ata nuk po zinin besë që "lumenj" votuesish ishin nisur drejt kutive të tejdukshme të votimit. Një skenë politike e ndarë dhe e përçarë tej mase nuk ndikoi me asgjë në sjelljen e elektoratit, i cili me gjithë numrin shumë të madh të partive politike, iniciativave qytetare, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur, nuk u hamend shumë për marrjen e vendimit para kutive të votimit.
Sipas rezultateve preliminare të shpallura të martën në bazë të 90 për qond të votave të numëruara, fitues në këto zgjedhje është partia më e vjetër në Kosovë, Lidhja Dmokratike e Kosovës e dr. Ibrahim Rugovës, me 58,13 për qind të votave të fituara (respektivisht, ajo ka arritur fitore në 21 komuna kosovare prej gjithsejt 30 sosht), ndërsa pas saj është Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, parti e dalë nga ish-UÇK-ja, e cila ka fituar 26,95 për qind të votave, respektivisht ajo ka arritur fitore në gjithsejt 6 komuna. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në krye të së cilës është ish komandanti lokal i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka arritur të fitojë 7,72 për qind të votave, që analistët e këtushëm e kosiderojnë si sukses të kësaj force politike, duke patur parasysh se si parti ajo është themeluar tek para disa muajsh. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës e akademik Mark Krasniqit ka fituar diç më shumë se 1 për qind të votave. Ndërkaq, të gjitha partitë e tjera, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur "kanë arritur" që të gjithë së bashku të fitojnë mbështetjen e rreth 3 për qind të votuesve kosovarë.
Duket se para se të zgjedhte udhëheqësit e komunave, elektorati kishte zgjedhur rrugën e legjitimimit të dy-tri forcave politike kryesore, të cilat që më parë ishin zotuar, me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët para ambasadorit amerikan në KB, Riçard Hollbruk, se do t'i njohin rezultatet e zgjedhjeve pavarësisht se kush do t'i fitonte ato. Në ditët e ardhshme, derisa të vazhdojë procesi i rrumbullakësimit të rezultateve, duket se refreni më i përsëritur do të jetë "fitoi Kosova"...
Mirëpo, analistët me qëndrime më kritike nuk janë të prirur që këto zgjedhje t'i konsiderojnë si një "fitore të madhe historike", duke theksuar se votuesit kryesisht janë përcaktuar midis Lidhjes Demokratike "populliste" të Rugovës dhe Partisë Demokratike "revolucionare" të Thaçit, duke i konsideruar si humbës më të mëdhenj "partitë e vogla" dhe posaçërisht të ashtuquajturin sektor civil, për shkak të të cilëve, siç presupozohet, edhe është këmbëngulur në zbatimin e sistemit elektoral proporcional.
AIM Prishtinë, Besnik BALA