Mbulimi i zgjedhjeve komunale, sprova më serioze për mediat
Prishtinë, 25.10.2000.
Një numër i madh i mediave kosovare, si nga ato të shtypura ashtu edhe elektronike, kanë fituar nga OSBE të drejtën e përcjelljes së fushatës elektorale në Kosovë apo, thënë ndryshe, këtë të drejtë e kanë fituar të gjitha mediat që kanë përaqitur kërkesën. Gazetaria në Kosovë ndodhet para një testi mjaft të rëndësishëm të mbijetesës në kushtet e tranzicionit të shoqërisë. Mbulimi i zgjedhjeve komunale në Kosovë i ka vënë mediat kosovare para sprovës më serioze. Gjithsejt 7 gazeta të përditshme, 3 stacione televizive dhe 5 radiostacione do t'i përcjellin zgjedhjet. OSBE ka përcaktuar përmes rregullores obligimet për mediat, respektivisht mënyrën e përcjelljes së zgjedhjeve. Nga mediat, me këto rregullore është kërkuar të sigurojnë kohë, respektivisht hapësirë të barabartë për fushatën parazgjedhore të partive politike. Por, një prezentim i tillë nuk po ndodh e as që pritet të ndodhë. Ndonëse, në fakt, subjektet politike nuk injorohen tërësisht, është e pamundshme që partitë e vogla të zënë hapësirën e partive më të mëdha. Gjersa në Evropë e gjetiu kemi një profilizim të mediave pro-djathtiste, të majta apo të atyre të qendrës, në Kosovë deri më sot vetëm gazeta "Bota Sot", e cila shtypet në Zvicër, por shitet edhe në Kosovë, është përcaktuar, së paku deklarativisht, kah e djathta. Mediat e tjera si edhe shumica e partive politike deklarohen për të pavarura, respektivisht të qendrës, por pa e theksuar këtë. Mediat elektronike janë në formim e sipër, andaj edhe ato në programet e veta informative nuk komentojnë asgjë, vetëm publikojnë informacionet që arrijnë t'i mledhin brenda ditës. Në këtë aspekt dallojnë gazetat, të cilat nuk u shmangen komenteve.
Ka dy lloje donacionesh që marrin mediat kosovare edhe pse mungon një transparencë rreth tyre. Një pjesë e mediave shfrytëzon padyshim donacionet partiake, kurse të tjerat varen nga donatorët e jashtëm. Mediat e llojit të parë mbrojnë qëllimet kryesore të partive të tyre, kurse të dytat nuk mërziten fort për interesat e partive politike, andaj edhe kanë liri më të madhe në të shkruar. Përgjithësisht, pozicionin e mediave duhet shikuar krahas me atë të partive politike në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës e dr.Rugovës, e cila llogaritet ende të jetë partia më e madhe në vend, ka mbështetjen e gazetës "Bota Sot", e cila prin me tirazh në treg. Kjo gazetë thua se çdo javë konfrontohet me politikanë e figura publike për shkrimet e saj, të cilat shpesh demantohen më vonë si botime të pavërteta. Rivalja kryesore e LDK-së, partia e ish-liderit të UÇK-së Partia Demokratike e Kosovës, ka mbështetjen e së paku tri gazetave të përditshme. Ato janë të përditshmet "Dita", "Rilindja" dhe "Epoka e Re". Me këtë përkrahje, partia trashëgimtare e UÇK-së sikur mundohet të barazojë influencën e saj përmes informimit, edhe pse të tri këto gazeta ndoshta nuk e mbërrijnë tirazhin e gazetës "Bota sot". Shkrimet në këto gazeta shkojnë nga një ekstrem në tjetrin. Gazeta "Bota Sot" i akuzon rivalët e LDK-së, pikërisht PDK-në e z.Thaçi, si forca të majta politike që bazohen në marksizëm-leninizëm, edhe pse në programin e kësaj partie nuk ka elemente të tilla. Tri gazetat rivale të LDK-së, të cilat nuk pajtohen se janë të majta, ndërkaq e akuzojnë liderin e kësaj partie, dr.Rugovën, për tradhti kombëtare gjatë luftës, sidomos opinionit ia përkujtojnë takimet e tij me liderin serb Milosheviq, në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve ushtarake serbe. Gazetat e tjera, të cilat parimisht janë të pavarura, por varen nga donacionet e jashtme, si "Koha Ditore" e Veton Surroit, gazeta e dytë në vend me tirazh, "Kosova Sot" e botuesit Ruzhdi Kadriu dhe ajo "Zëri" e botuar nga Blerim Shala me tirazh afërsisht të barabartë, përpiqen të jenë në qendër dhe të mos favorizojnë shumë subjektet politike. Por, në bazë të analizave dhe këto gazeta kanë përkrahjen e tyre "të fshehtë" për disa subjekte, kryesisht parti të reja të dala nga segmente të ndryshme të ish-UÇK-së.
Pos, LDK-së dhe PDK-së, në Kosovë llogariten si forca reale për të arritur suksese në zgjedhje edhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e udhëhequr nga një ish-komandant lokal i UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe Partia Qendra Liberale e Kosovës (PQLK), parti kjo e udhëhequr po ashtu nga një ish-epror i lartë i UÇK-së, Naim Maloku. Në raportet e gazetës "Koha Ditore", PQLK, shpesh vendoset më lart në faqe se partitë më të mëdha si, LDK e PDK, kurse po kjo ndodh me gazetën "Zëri", e cila e favorizon koalicionin AAK. Gazeta "Kosova Sot" ndërkaq ka oshilime. Ajo gjatë fushatës ndodhet në defanzivë, kurse më parë njihet si gazetë që i kushton hapësirë shumë të madhe e pozicion favorizues një subjekti, ndoshta krejt të vogël, tjetrën ditë një subjekti të madh apo anon ndaj një partie të mesme. Ndoshta kjo gazetë përpiqet të mbetet ekuilibruese, andaj shpesh kjo e bën atë të kuptohet si gazetë pa politikë të mirëfilltë redaktuese. Gazetat më me ndikim momentalisht në Kosovë, si "Bota Sot" dhe "Koha Ditore", jo vetëm që kanë një antipati deri në ekstrem ndaj njëra tjetrës, por edhe ndaj partive që i përkrahin. "Koha Ditore" nuk do ta përkrahë kurrë liderin e LDK-së, dr.Rugova, kurse "Bota Sot" do ta "mbrojë" atë deri në ekstrem, madje edhe atëherë kur konsiderohet nga të gjitha mediat e tjera ta ketë pasur gabim rreth ndonjë çështjeje. Rivaliteti i tyre përcillet edhe me grindje të pakulturuara në llogari të njëra-tjetrës. Këtyre grindjeve tani u është bashkuar edhe gazeta "Zëri", e cila i sulmon të dyjat dhe sulmohet nga të dyjat. Të gjitha këto shpesh i lodhin lexuesit e figurat publike, andaj shpesh kjo shkon në dobi të gazetës "Kosova Sot", e cila ka dy vite që vazhdon të jetë në mes, as e para e as e fundit. Por, gjatë fushatës paraelektorale, deri më tash nuk janë vërejtur shumë "beteja" ndërmjet gazetave "Koha Ditore" dhe "Bota Sot", por më tepër vërehet kjo e dyta në animin e saj të hapur për LDK-në. Kështu për shembull, gazeta "Bota Sot" në fotoreportazhin rreth pllakateve të partive politike të vendosura nëpër pjesë të ndryshme, mure, mbi dritare dyqanesh, etj. kishte një shkrim shumë tendencioz. Nën fotografitë ku shihet shenja PDK dhe kandidatët e saj në zgjedhje shkruan legjenda: "Fotografitë që shëmtojnë qytetin", kurse nën fotografinë e LDK-së dhe të PLK-së (parti kjo e cila e quan vetën parti e së djathtës) shkruan legjenda: "Kush po i gris pllakatat". Animi i së përditshmes "Bota Sot" vërehet edhe në raporte, ku prezentohen tubimet e LDK-së, raporte këto të cilat zakonisht në fjalinë e parë përmbajnë fjalët "pretenduesja kryesore"."partia kryesore dhe më masovike".etj. Tri gazetat e afërta me PDK-në, ndërkaq nuk ia dalin të garojnë me propagandën e gazetës "Bota Sot". Njëri nga liderët politikë shqiptarë, Rexhep Qosja, i cili prezenton një parti të vogël në këto organe të përbashkëta, e ka quajtur këtë gazetë "fashiste dhe antikombëtare". Ai këtë revoltë e kishte shprehur pasi që kjo gazetë gjatë kohës së fushatës e kishte identifikuar z.Qosja me një akademik serb, i cili për shqiptarët është i plotësisht i padëshirueshëm, çka për popullatën nënkupton se është "shpallur" për tradhtar kombi. Por, s'mund të thuhet që nga po kjo sëmundje nuk vuajnë edhe gazeta të tjera. "Rilindja", gazeta më e vjetër në Kosovë, gjatë fushatës paraelektorale ka botuar edhe nga katër komente kundër dr. Rugovës, shpesh ndoshta edhe me një fjalor më të ashpër nga "Bota sot". Mirëpo, përkundër jehonës më të vogël që bëjnë shkrimet skandaloze të gazetave në taborrin e kundërt, nga kritikat në Këshillin e Përkohshëm Administrativ nuk kanë shpëtuar edhe gazeta "Dita", e afërt me partinë e z.Thaçi, si dhe agjencia e lajmeve "Kosovapress", e cila e kishte sulmuar rëndë LDK-në dhe z.Rugova për bashkëpunim me strukturat politike serbe vetëm dy ditë para se të hapet fushata parazgjedhore. Gazeta e afërt me partinë e z.Thaçi, "Dita", si dhe të përditshmet "Rilindja" dhe "Epoka e Re", tubimet e kësaj partie i prezentojnë në faqet e para me mesazhet e liderëve të tyre për të votuar për këtë parti. Që të menjanohen shumë parregullsi dhe shkelje të etikës gazetareske, të gjitha mediat e shkruara, përfshirë edhe gazetën "Bota Sot", e kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me të cilin zotohen për qasje sa më profesionale në raportimet e tyre gjatë fushatës dhe gjatë zgjedhjeve. Një kod të përkohshëm të sjelljes së gazetave gjatë fushatës dhe zgjedhjeve e ka miratuar edhe UNMIK-u, me të cilin parashihen edhe ndëshkime për thyerjen e rregulloreve për mediat e shkruara.
Sipas analistëve vendas, fushata është e qetë por, tensionet mund të rriten javëve të ardhshme kur do t'u ofrohemi votimeve, e me këtë edhe botimet skandaloze të mediave dhe pozicionimi i tyre mbase do të jetë shumë më evident, e ndoshta edhe i këtyre ende të quajtura të pavarura, ndonëse donacionet e tyre nga jashtë do të varen shumë se si dhe me sa korrektësi ato do t'i mbulojnë zgjedhjet. Ka edhe analistë që mendojnë se pas zgjedhjve ky numër kaq i madh i mediave, në një vend kaq të vogël, do të zvogëlohet dukshëm.
AIM Prishtinë, Arbër ALIU