Statusi i Kosovës

Pristina Nov 3, 2000

Prishtinë, 30.10.2000.

Sikur ta kishin bërë me fjalë, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, por edhe shumë sish të bashkësisë ndërkombëtare, gjatë këtyre ditëve të vjeshtës, sintagmë më të shpeshtë në fjalimet e tyre e kishin “ardhmëria e Kosovës”. Të parët këtë togfjalësh e kanë stërpërdorur gjatë fushatës paraelektorale për zgjedhjet lokale, duke e përcjellë me “garancitë” e tyre për sigurimin e pavarësisë. Por, duket se ishin ndryshimet në Serbi dhe rënia “revolucionare” e ish liderit serb Sllobodan Millosheviq ajo që nxiti shpërthimin e deklarimeve rreth statusit të Kosovës. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, posaçërisht të vendeve europiane sikur u vunë në garë për të përshëndetur fitoren e “demokratit” Vojisllav Koshtunica dhe për ta paraqitur atë si “paralajmërim të ndryshimeve shumë të rëndësishme edhe për tërë rajonin”. Kjo ngutje, madje, disa vëzhguesve cinikë u tingëllonte si “kërkim ndjese Beogradit për bombat e hedhura nga avionët e tyre” gjatë fushatës 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë. Dhe për një çast u duk se faktorët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë i kishin këmbyer pozicionet e tyre. Të parët filluan të flasin për nevojën e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Të dytët, duket të shqetësuar për shkak të ndryshimit të raporteve brenda vetë Serbisë, thanë se “është ende heret për të hapur diskutimet për një gjë të tillë”. Deri në fillim të tetorit të këtij viti ata ishin të bindur se askush nuk do të fliste për mundësinë e riintegrimit të Kosovës në Federatën e Serbisë dhe Malit të Zi përderisa Millosheviqi ishte në pushtet. Dhe, paradoksalisht, ata duket se e kanë dëshiruar vazhdimin e sundimit të tij, ndërsa pas fitores së zotit Koshtunica, ata vrapuan për t'u shpjeguar diplomatëve perëndimorë se ai është “i njëjtë me Millosheviqin sa i përket çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve”.

Por, fillimisht, shqiptarëve u ra si “bombë” lajmi sipas të cilit administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, ka pohuar që në samitin e vendeve ballkanike që do të mbahet më 24 nëntor në Zagreb të Kroacisë do të mund të fillonin bisedimet me palën jugosllave për statusin e Kosovës. Partitë politike u ngutën të përkujtojnë zotin Kouchner se, megjithë “plotfuqishmërinë e tij për vendosjen dhe funksionimin e misionit civil ndërkombëtar, ai nuk ka mandat të bisedojë për të ardhmen politike të Kosovës”. Shumica e përfaqësuesve politikë shqiptarë mbrojtën qëndrimin se Kosova së pari duhet të ketë institucionet e veta, të cilat më pastaj do të mund të fillonin çfarëdo bisedimesh mbi të ardhmen e Kosovës. Disa syresh thanë se ka kaluar koha e “përfaqësimit të Kosovës me grupe të ndryshme”, duke kundërshtuar paralajmërimet se administratori Kouchner do të mund të udhëtonte në Zagreb të Kroacisë me një grup përfaqësuesish politikë shqiptarë...

Dhe derisa shqiptarët po rimerrnin veten nga “shoku” i parë pasi që zoti Kouchner tha se nuk ka ndërmend ta hapë çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, nga qarqe të caktuara në Uashington atyre u erdhi një kumt i ri, sipas të cilit administrata amerikane mbështet idenë që Kosovës t'i jepet statusi i republikës në Federatën Jugosllave. Ishte kjo ideja më e kundërshtuar nga shqiptarët e Kosovës. Ata mendojnë se kjo “ofertë” është djegur që në Konferencën Paqësore të Rambujesë në Francë, kur “negociatorët e Millosheviqit nuk pranuan kurrfarë kompromisi, ndërsa veprimet e mëvonshme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, posaçërisht gjatë fushatës së bombardimeve, kanë rrënuar mundësinë e çfarëdo lidhjeje të Kosovës me Beogradin”.

Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre thanë se “statusi përfundimtar i Kosovës nuk është më një temë tabu dhe për të mund të bisedohet hapur”. Gjithsesi, për çfarëdo bisedimesh me Beogradin, sipas tyre, duhen plotësuar fillimisht disa kushte elementare: “Lirimi i të burgosurve që mbahen në burgjet e Serbisë dhe ndriçimi i fatit të mijëra personave të zhdukur, që Beogradi t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për tërë krimet e luftës dhe gjenocidin, largimin e të gjitha forcave të sigurimit nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci (komuna këto me shumicë shqiptare në jug të Serbisë) etj.”, dhe të gjitha këto kushte sipas tyre duhet të plotësohen para se të fillojnë bisedimet për ndarjen edhe formale të Kosovës nga Serbia. Sidoqoftë, çështja e statusit përfundimtar të Kosovës gjithsesi duhet të lihet për më vonë. Mirëpo, nga përtej atlantikut shqiptarëve filluan t'u arrijnë sinjale që nuk shkonin shumë në favor të përcaktimit të tyre për zgjidhje “hap pas hapi”. “Miqtë e shqiptarëve” thanë se këta duhet të përshpejtojnë me lancimin e ideve dhe projekteve të tyre dhe tashme duhet të marrin iniciativat në duar, meqenëse ndryshimet në Beograd do të ndikojnë gjithsesi në raportet e përgjithshme në rajon dhe në qasjen ndërkombëtare ndaj rajonit. Për një pjesë të madhe të përfaqësuesve shqiptarë ishte ky një argument shtesë dhe bindës se gjërat nuk janë më “bardh e zi”, si në kohën e Millosheviqit. U deshën disa deklarime të fuqishme, posaçërisht amerikane, se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e tyre ndaj Kosovës, për t'i qetësuar shpirtrat e brengosur, të cilët angazhimin ndërkombëtar tashmë e shihnin të zbehur në Kosovë dhe gjithnjë e më shumë të përqendruar në Serbi.

Në skenën e brendshme politike, kjo u krijoi mundësi liderëve të partive politike që fushatën e tyre parazgjedhore ta përqendrojnë në garantimin e elektoratit se “ata do të jenë në mbrojtje të integritetit të Kosovës”. Madje, mungesën e projekteve konkrete për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve (të cilët në të shumtën e rasteve nuk kanë as drita, as ujë, as ngrohje, e të mos flasim për punë e strehim), partitë u ngutën ta mbulojnë me “megaprojektin” e pavarësimit, demokratizimit dhe integrimit evropian e veriatlantik të Kosovës, megjithëse po luftonin për krijimin e qeverive komunale, të cilat zor se mund të kenë një mundësi të tillë...

Sidoqoftë, çështja e statusit përfundimtar të Kosovës tashmë është bërë çështje numër një e të gjitha diskutimeve, në të gjitha nivelet. Projekti i Komisionit të pavarur ndërkombëtar (të themeluar nga kryeministri suedez) që i është dorëzuar sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, parasheh që Kosova të fitojë një pavarësi të kushtëzuar. Një propozim i tillë u pa në Kosovë si evoluim i opinionit ndërkombëtar rreth pavarësisë së Kosovës, e cila më nuk është një temë e ndaluar dhe as e paarritshme. Madje, mbiemri “e kushtëzuar” as që u bëri përshtypje shqiptarëve, të cilët thanë se kjo edhe është një gjë e natyrshme, meqë edhe pavarësitë e vendeve të tjera të rajonit sipas tyre ishin njësoj të “kushtëzuara”. Brenda pak ditësh, gjërat filluan të ndryshojnë dhe tani shqiptarët pohojnë se duhet përshpejtuar procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Por, natyrisht, bisedimet e tilla “duhet të mbahen brenda një situate ku do të krijohet një pushtet legjitim kosovar që do ta merrte përsipër këtë çështje”. Një pushtet i tillë mund të krijohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme, thonë shqiptarët, të trimëruar edhe nga premtimet e arkitektit të Daytonit, Riçard Hollbruk, i cili sapo ka përftuar furishëm nëpër rajon...

AIM Prishtinë, Besnik BALA