Për buxhetin edhe taksa në paga

Pristina Nov 3, 2000

Prishtinë, 27.10.2000.

Ndoshta do të pimë raki dhe cigare me çmim më të lartë, kurse do të mendohemi edhe atëherë kur do ta afrojmë makinën pranë pikës së karburantit. Sipas një rregulloreje, e cila në Kosovë ka fuqinë e ligjit, për këta tre artikuj ngarkesat doganore do të jenë më të larta se gjer më tani.

“Problemi nuk qëndron vetëm tek inkasimi i mjeteve për buxhetin e Kosovës, por çështja ka të bëjë me futjen nën kontroll të importit të disa artikujve, përkatësisht që përmes politikës doganore të bëhen më racionalë importi dhe konsumi”, thotë Ali Sadriu, bashkëkryesues i Autoritetit Qendror Fiskal pranë UNMIK-ut.

Ndoshta z. Sadriu ka të drejtë kur kërkon një kontroll më të madh të importit, meqenëse Kosova tani është shndërruar në një treg që kryesisht blen nga vendet e tjera. Madje, krahasuar me vendet e rajonit, importi i saj është më i madh se i disa vendeve fqinje me ekonomi më të fuqishme. “Kemi arritur që brenda një jave nga doganat të inkasojmë 7 milionë DM, ndërsa në fillim, do të thotë jo më shumë se një vit më parë, inkasoheshin rreth 200 mijë DM”, pohon z. Sadriu. Sipas të dhënave të bashkëkryetarit të Autoritetit Qendror Fiskal, nëse merret në konsideratë fakti që ngarkesa doganore në mallra është 15 për qind, del se brenda një jave importohen mallra me vlerë prej së paku 50 milionë DM!

“Një gjë e tillë është e kuptueshme, pasi Kosova është në fazën e rindërtimit. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me importimin e artikujve të konsumit, por edhe të materialeve ndërtimore, apo edhe lëndëve të para për industrinë që ka filluar pjesërisht të ringjallet”, pohon Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Megjithatë, për shumë analistë të rrjedhave ekonomike shtrohet çështja nëse për buxhetin e Kosovës duhet të inkasohen mjete edhe nga burime të tjera, apo të mbetet thjesht vetëm dogana dhe tatimi në qarkullim. Nëse çdo javë, nga të gjitha pikat doganore, inkasohen nga shtatë milionë DM, atëherë, duke llogaritur edhe mjetet që vijnë nga donatorët, nuk do të kishte nevojë që të ngarkohen fitimet e ndryshme të kosovarëve.

Gjërat, ndërkaq, nuk qëndrojnë ashtu. “Inkasimi i shtatë milionë DM është vetëm çështje e një jave. Ne nuk kemi një inkasim të tillë gjatë tërë vitit”, shton z.Ali Sadriu.

E vërteta është se buxheti i konsoliduar i Kosovës në fillim kishte si mbështetje vetëm donacionet, doganat dhe tatimin në qarkullim për mallrat e importit. Deri më 23 shtator, nga burimet e brendshme në Kosovë për buxhetin janë inkasuar 157 milionë DM. Trendet e këtilla dëshmojnë se kosovarët do ta përmbushin hisen e tyre, e cila është caktuar nga vlerësimet e shtyllës së katërt të UNMIK-ut.

Buxheti i Kosovës për këtë vit ishte 437 milionë DM, shumë të cilën e ndajnë në proporcion të barabartë burimet vendore dhe donatorët. “Ky nuk është buxhet i mirëfilltë dhe as që mund të flitet për një politikë fiskale. Sa e sa burime të brendshme janë të pashfrytëzuara, kurse madhësia e buxhetit as që është shqyrtuar nga ndonjë ekspert vendor për të vlerësuar nëse ai është vërtet real”, pohon në anën tjetër dr. Sabri Kadriu, profesor në Fakultetin e Ekonomisë.

Toni Preston – Stanley, bashkëkryesues i Autoritetit Qendror Fiskal, pohon se “nga 437 milionë DM, sa është buxheti për këtë vit, 48 për qind sigurohet nga burime të brendshme, ndërsa brenda kësaj shume doganat dhe taksat marrin pjesë me 96 për qind”. Bashkëkryesuesi ndërkombëtar i AQF lavdëron punën e doganave, përkundër dobësive të shprehura.

“Përmes doganave bëhet një politikë diskriminuese. Më e dëmtuara është Shqipëria, meqenëse ngarkesa doganore për mallrat që importohen nga atje është 26.5 për qind, ndërsa për mallrat nga Maqedonia 11.5 për qind, kurse mallrat e importuara nga Serbia nuk kanë kurrfarë dogane”, shton dr. Sadri Kadriu, i cili shfaq brengosjen pse në kohën kur shqiptarët mendojnë se janë hequr barrierat kufitare për qarkullim me Shqipërinë, ato ngarkohen me taksa dhe ngakesa të tjera. Mirëpo, sipas z. Ali Sadriu, e tërë kjo problematikë do të korrigjohet. “Deri në fund të vitit të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës do të mbulohen me pika doganore. Mallrat do të kenë taksa të njëjta, pa marrë parasysh se prej nga vijnë. Që nga tetori i këtij viti Maqedonisë do t'i heqen preferencialet, të cilat ajo i gëzonte sipas një marrëveshjeje të mëhershme me RFJ-në”, shton ai.

Në anën tjetër, z. Stanley vlerëson se kosovarët nuk do të duhej të mbështeteshin vetëm te donacionet. “Ata duhet të krijojnë burime të vetat për financimin e veprimtarive buxhetore”, thotë Stanley. Sipas tij buxheti i paraparë për vitin 2000 do të jetë 450 milionë DM. Donatorët, numri i të cilëve është në rënie të vazhdueshme, premtojnë vetëm 150 milionë DM, ndërsa nga burime të brendshme duhet siguruar dy herë më shumë.

Si duket, më nuk do të jenë vetëm dogana dhe tatimi në qarkullim burim i vetëm për buxhetin. Në AQF thonë se do të përfshijnë një spektër sa më të gjerë burimesh, përkatësisht parashikohet ngarkimi me taksa dhe tatime i çdo fitimi që krijohet në Kosovë. Do të ketë tatime në paga, në qarkullimin e pronave të paluajtshme. “Sikur të kishim një dokumentacion në bazë të të cilit do të përcaktohej pronësia, atëherë pronarët do të ishin të obliguar të paguajnë edhe tatim në pronat e tilla”, shton z. Stanley.

Gjithashtu, sipas z. Ali Sadriu, që nga një tetori ka hyrë në fuqi edhe tatimi në vaj dhe artikuj ushqimorë, masë e cila do t'i mbështesë prodhuesit e vendit. Deri tani, vaji dhe artikujt e tjerë ushqimorë nuk janë doganuar, ndërsa ambalazhi për to është ngarkuar me këtë çmim. Në kuadër të risive në sistemin doganor të Kosovës, z. Sadriu thekson se nga 1 qershori i vitit të ardhshëm do të futet edhe dogana në pemë e perime. “Duam ta stimulojmë prodhimin në vetë Kosovën dhe të mos importohen perimet nga Maqedonia, ndërsa ato vendore të hedhen”, vlerëson ai.

Mendohet se një problem më vete, madje edhe politik, do të përfaqësojë vendimi për tatimin që do të fillojë të paguhet në të ardhurat personale, respektivisht në paga. Mirëpo, në anën tjetër, sipas rregulloreve të OKB-së, stafi dhe punëtorët e kësaj organizate nuk do të paguajnë tatim. Do të ngarkohen vetëm punëtorët e stafit lokal. Realisht, numri i tyre nuk është i vogël. “Janë rreth 26 mijë firma të regjistruara, ka shumë organizata qeveritare dhe joqeveritare që veprojnë në Kosovë, prandaj nuk mund të thuhet se numri i punëtorëve është i vogël”, thotë Mustafë Ibrahimi.

Se buxheti është i vogël, e thonë ata që janë të varur prej tij. Mjekët, punëtorët në arsim, pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, etj. thonë se punojnë duke iu falënderuar moralit të lartë dhe jo pagave, të cilat nuk janë as