Errësirë përpara shiut

Tirana Nov 2, 2000

AIM TIRANA, 31.10.2000

Shqiperia po perballet me krizen me te rende energjitike te 30 vjeteve te fundit. Ironikisht, 25 tetori, e konsideruar si festa e dritave, u perkujtua nga shqiptaret ne erresire te plote. E varur teresisht nga nje sistem energjitik i bazuar tek hidrocentralet e ndertuar ne kohen e komunizmit, Shqiperia po ndjen mungesat e medha te energjise, te shkaktuara nga mungesa e shirave per nje kohe te gjate.

Kryeqyteti shqiptar, Tirana gjendet pothuajse i paralizuar per ore te tera. As semaforet e rrugeve kryesore nuk kane energji elektrike. Biznesi eshte pothuajse i bllokuar.

Në Qëndrën Spitalore Universitare të Tiranës, telefonatat e mjekëve me drejtorinë e Koorporatës Energjitike Shqiptare (KESH), përcaktonin oraret e operacioneve, nga apendesiti deri për ndërhyrjet në zemër. Ndërsa një linjë e rezervuar elektrike ishte siguruar për të furnizuar njërin prej materniteteve, ku planifikimi i lindjeve nuk është vetëm në dorën e zyrtarëve.

Alarmi i krizës së errësirës është dhënë në javën e fundit të tetorit, për t'u shpallur publikisht gjatë një vizite rrufe të kryeministrit Meta në Maqedoni. Në 24 tetor, numri një i ekzekutivit shqiptar i ka kërkuar homologut të tij maqedonas Gjeorgjevski, rritjen e nivelit të ujrave që rrjedhin nga liqeni i Ohrit, në favor të prurjeve më të mëdha për lumin Drin. Mbi këtë të fundit qëndrojnë të paktën tre hidrocemtale të mëdha që prodhojnë energji për Shqipërinë, të bllokuara nga thatësira dhe mungesave e shirave.

Paralelisht me udhëtimin e tij të shpejtë, Meta, që me pare kishte zëvendësuar drejtorin e Përgjithshëm të KESH, hartoi me Ministrinë e Punës një projekt për instalimin e ngohjes qëndrore në banesat shqiptare me lëndë djegëse organike dhe shpalli rritjen e Çmimit të energjisë elektrike për përdoruesit jofamiljarë. Po në 24 tetor, qeveria shqiptare akordoi 100 milione lekë për investime nga buxheti në rrjetin elektik të vendit dhe shpalli një masterplan me afat tre vjeçar për përmirësimin e treguesve tekniko-financiarë të KESH, me qëllim përballimin e blackout-it të thellë.

Por jo gjithshka duket se u zgjidh me lëvizjen e shpejtë të kryeministrit shqiptar. Në Maqedoni fuqia e organizatave ambjentaliste solli frenimin e autoriteteve për shtimin e prurjeve të Drinit. Në këmbim të kësaj, shqiptarët pranuan të importojnë nga termocentrali maqedon i Negotino, 4.5 milion KWH në ditë, megjithëse me një çmim tejet të kripur. Po ashtu Mali i Zi ka ofruar 1.5 milione KWH ne dite.

Megjithë afro 7 milion KWH që aktualisht prodhohen në vend (nga 8 hidrocentralet e mëdhenj, afro 83 të vegjël dhe pak termocentrale), errësira që mbulon vendin çdo mbrëmje është e thellë. Kjo pasi sipas drejtorit të sapoemëruar të KESH, Dritan Prifti, Shqipëria konsumon normalisht jo më pak se 30 milion KWH në ditë. E thënë ndryshe, më shumë se gjysmën e energjisë Shqiperia eshte e detyruar ta importojë.

Mbi këtë bazë aritmetikore ka qenë dhe ndërhyrja e parë në kurriz të kosumatorëve. Që prej një javë qytetarët shqiptarë janë lajmëruar se në shtëpitë dhe zyrat e tyre do të kene energji vetëm gjatë 10 orëve në ditë. 14 orët e tjera të errësirës janë ndarë me fasha oraresh të zgjatura paraditen e vonë, pasditen e hershme dhe gjatë gjithë natës. Një banor i Tiranës, Shkodrës apo Gjirokastrës do të duhet të nxitojë për të mbaruar punë me energjinë nga ora 6- 8.30 në mëngjes, 12-16 në drekë dhe 18.30-24 në mbrëmje. Kaq korent është gjykuar i domosdoshëm për përballimin e nevojave imediate që varen prej elektricitetit, në një kohë kur shumë biznese po llogarisin humbje kolosale nga kjo situatë.

Por nëse impiante komerciale si Cola Cola, Deka Group apo Glina kanë menduar të instalojnë gjeneratorë që punojnë me naftë, (pavarësisht çmimit të rritur të karburanteve në tregun botëror) të tjerë prodhues gjenden në vështirësi të mëdha. Gjendja më e rënduar ka rezultuar në linjën e prodhimit të çelikut në Elbasan, ku pronare është kompania turke "Kurum", e cila ka shpallur se llogarit një humbje ditore prej 100 milion lek (75 mijë USD) gjatë një dite, vetëm prej ndërprerjes së energjisë elektrike. "Kurum" ka hequr dorë ditët e fundit nga një padi që kishte depozituar në Gjykatën e Faktit në Elbasan në dëm të KESH, në shkëmbim të një arrëveshje, që një termocentral shqiptar do te punojë eskluzivisht për të.

Sidoqoftë, bizneset e tjera që ndoshta s'kanë humbjen, por as edhe fuqinë imponuese të kompanisë turke, qëndrojnë të paralizuara, në pritje të fashave të lira kur drejtoria e përgjithshme e KESH, ngre çelësin e limituar të korentit.

Kriza energjitike që ka përfshirë Shqipërinë, duket se ka krijuar probleme edhe në politikën lokale. E shpallur pas zgjedhjeve adrimistrative të 1 tetorit, kjo situatë ka zbehur në një farë mënyre entuziazmin e publikut, i cili ka filluar të shprehet se qeveria e majtë kufizoi energjinë vetëm pasi siguroi pushtetin në shumicën e bashkive dhe komunave. Një pjesë e vëzhguesve të pavarur politikë nuk kanë lënë jashtë vëmendjes faktin se deri në 16 tetor, ditën kur mbaroi dhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, energjia elektrike nuk është ndërprerë për asnjë moment. Ndërkohë kur zërat brenda maxhorancës që po fajësojnë qeverinë për agravimin e kësaj gjendjeje duken në rritje. Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka ndërhyrë gjatë javës së fundit duke kritikuar në përgjithësi defekte të qeverisë, në një kohë që burime brenda partisë në pushtet, thonë se përgjegjësit e errësirës nuk do ta kenë të lehtë të qëndrojnë në ekzekutiv.

Nga ana tjetër, opozita e pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, ka gjetur një tjetër argument për protestat e saj kundër qeverisë. Dhe nëse errësira do të vazhdojë dhe për shumë kohë, mundet që sheshet e mitingjeve të demokratëve të kthehen në një kërcënim real për të majtët që janë në pushtet.

Drejtori i sapoemëruar i KESH, përveç racionalizimit të energjisë elektrike, ngritjes së çmimit për kwh dhe kërkesës së vazhdueshme për pagesat e pashlyera nga një pjesë e madhe e konsumatorëve, duket i dorëzuar për t'i bërë ballë i vetëm errësirës së thellë që ka mbërthyer vendin. Ai parashikon se nëse në ditët e ardhshme retë e shiut do të derdhin ujë mbi Shqipëri, kufizimi i energjisë do të ulet nga 14 orë, në vetëm pak, por asnjëherë nuk mund të mënjanohet plotësisht. E thënë kjo për një vend si Shqipëria që llogarit mbi 250 ditë me diell në vit, (paçka se ka ndërtuar 8 hidrocentrale të mëdhenj dhe mbi 80 të vegjël) optimizmi lidhet vetëm me forca thellësisht natyrore. Deri atëherë policët do ta kenë të pamundur të bëjnë verifikimet për keqbërësit, biznesmenët do vazhdojnë të pësojnë humbje, ndërsa kirurgët do telefojnë ndërmarrjen e elektrikut për të planifikuar operacionet. Ndërsa të tjerët do shpresojnë te uji që mund të rrjedhë nga qielli të rrisë kuotat e hidrocentaleve, dikur krenaria e komunizmit që kujtoheshin çdo 25 tetor.

Sidoqoftë, përpara shiut, Shqipëria gjendet në një errësirë që duket se kërkush nuk mund ta zhdukë.

AIM Tiranë

ARBAN HASANI