Romët: nga barcoleta deri tek realiteti
Banjallukë 23 tetor 2000 (AIM)
Kur para tetë vjetësh filloi lufta në Bosnjë e Hercegovinë, me ndezjen e plumbave të parë, siç ndodh zakonisht në Ballkan, u shfaqën barcoleta për romët. Njëra nga to thotë: E takoi policia ushtarake një rom, dhe e pyeti: çka je me nacionalitet. Ai përgjigjet: "Cigo". "Nuk të pyesim për atë - bërtet polici i nevrikosur. A je serb, kroat apo musliman. "E, kaq cigan nuk jam", përgjigjet Cigoja.
Kështu Cigoja aq i popullarizuar në barcoletë mposhti policinë serbe. Megjithatë në gjithë ish-Jugosllavinë ata vuajtën shkaku i luftës që as e deshën as e nisën. Kur filloi lufta në Kroaci, nën ndjenjën e kujtesës kolektive nga viti 1941, kur u mbushën kampet ustashe të përqëndrimit, romët në mesin e të parëve filluan të ikin si refugjatë.
Pas luftës në Kosovë, qindra trupa të romëve fatkeq, notuan në ujërat e Adriatikut malazez. Kështu për shumicën e tyre si nga ana e serbëve edhe e shqiptarëve, u ndërprenë tentimet për të ikur në vendin e preferuar në Itali. Ata që ngelën në Kosovë tani jetojnë në mjerim, frikë dhe izolim.
Kur filluan bombardimet e NATO, romët nga Serbia ikën në Bosnje. Shumë bashkëkombas të tyre, disa vitë më herët, ikën nga Kroacia dhe Bosnja në Serbi. Disa, në të nëntëdhjetat, nga Federata B e H ikën në Republikën Serbe, disa ikën në drejtimin e kundërt, kurse ata më me fat dhe më të gjindshmit, ikën prej gjithkund dhe shkuan në Perëndim. Kishte edhe romë që luftuan dhe u vranë në ushtri të ndryshme, por kjo nuk u ndihmoi që të integroheshin në ndonjërën nga bashkësitë nacionale.
Dhe derisa serbët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët, tentojnë t'i numërojnë viktimat e tyre, refugjatët dhe të kthyerit, madje për qëllime politike pragmatike, për lëvizjet dhe mundimet e romëve asnjë në ish-Jugosllavi thuajse nuk ka aspak të dhëna. Madje edhe në mediume për romet flitet ekskluzivisht në dy variante: në kronikat e zeza, ku ka ndodhur ndonjë fatkeqësi e madhe, ose në reportazhet udhëpërshkruese "për jetën e romëve", që jo rrallë herë janë jashta kufijtë të shijes së mirë. Natyrisht, shkrimet e tilla, nuk sjellin asgjë në rrëzimin e paragjykimeve ndaj romëve si bredhës, të varfër dhe vjedhës të imtë.
As në Republikën Serbe nuk ka të dhëna rreth romëve. Romët nuk kanë në RS shoqatë të tyre për regjistrim, as parti politike. Në regjistrimin e popullatës së vitit 1981 në BeH, gjegjësisht në RFSJ. Romët janë regjistruar si kategori e veçantë, por në regjistrimin e fundit të vitit 1991 ata u shënuan në rubrikën "të tjerë". Deri tani ky është regjistrimi i fundit i popullësisë në këto hapësira.
Duke iu falemnderuar organizatës joqeveritare të Banja Lukës "Të jeni shëndosh", e cila me organizatën humanitare britaneze "Save the Children" (Shpëtojmë fëmijët), punon në hulumtimin rreth romëve në Republikën Serbe (RS). RS me siguri është i vetmi vend në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku janë grumbulluar të dhëna, edhe sikur të jenë të pasakta, për jetën e romëve.
Nada Uletiloviç, projekt menaxhere në NGO "Të jeni shëndoshë", potencon se këto të dhëna nuk janë përfundimtare, sepse hulumtimet vazhdojnë edhe mëtej. Ajo vlerëson se në RS jetojnë 733 familje rome, prej të cilëve 208 familje vendase, 150 të ardhura, si refugjate, ose të shpërngulur nga diku tjetër dhe 375 familje të kthyera. Në Brçko, Brezikë dhe Bjelinë romët kanë shoqatatën e tyre, por nuk janë të regjistruar në RS, duke vepruar kështu si degë të shoqatës që vepron në kuadër të Federatës BeH.
Para luftës një nga vendbanimet më të mëdha të romëve në Bosnjë e Hercegovinë ishte Veseli Brijeg në rajonin e Rebrovcit. Sot pamja demografike e këtij rrethi është ndryshuar plotësisht. Shumica e romëve kanë braktisur Banja Llukën. Në shtëpitë e romëve në Veseli Brjeg sot jetojnë refugjatët dhe të shpërngulurit serb.
"Para luftës në shkollën fillore "Esad Midxhiç" , në këtë vendbanim, për një gjeneratë, regjistroheshin edhe nga njëqind nxënës romë. Sot në Veseli Brijeg jetojnë vetëm tre romë", thotë zonja Uletiloviç.
Edhe në Dervent para luftës kishte vendbanim romësh me afër 300 familje, por sot në të jetojnë vetëm tre romë pleq, për të cilët kujdeset Qendra për punë sociale.
Një nga grupet më të mëdha të romëve të shpërngulur janë ata të ikur nga Kosova dhe Prijedori. Ata thonë se nuk do të kthehen në Kosovë, edhe sikur këtu të mos kenë kurfarë statusi, madje dhe sikur të jetojnë tërësisht të izoluar. Ata janë të besimit musliman dhe pasi nuk e dijnë gjuhën serbe, komunikojnë mes vete në gjuhën e romëve, e ndonjëherë edhe në gjuhën shqipe.
Zonja Uletiloviç sqaron se në RS jetojnë edhe disa grupe të bashkësive të romëve. "Karavlasët janë romë me fe ortodokse dhe me prejardhje nga Rumania. Në territorin e RS jetojnë gati 300 vjet. Ata janë të mjaft mirë të integruar në bashkësinë lokale, kanë shtëpi të tyre dhe vendbanime stabile", thotë ajo.
Hulumtimet e saj tregojnë se nga një anëtarë të çdo familje punon në Evropën Perëndimore. Ata janë të organizuar në mënyrë solide kurse fëmijët e tyre shkojnë në shkollë. Bashkësia më e madhe e romëve, karavllehëve, jetojnë në Mali Sitnezh afër Srpcës, Devetini te Hrvaçani, Vlatkoviç tek Bijelina dhe në Ostruzhni tek Doboj.
Grupin tjetër e përbëjnë romët muslimanë të cilët këtu kanë jetuar para luftës, kurse gjatë luftës, kryesisht, e braktisën RS. Ata tani kthehen në RS. Grupin e tretë e përbëjnë romët ortodoksë, që nuk janë Karavllehë, të cilët në RS, në vitet nëntëdhjeta ikën nga Kroacia. Ata kryesisht populluan pjesët e Posavinës rreth Srpski Brodit. Ata kanë ikur nga rajoni i Novskit, Zagrebit dhe Viroviticës. Në RS jetojnë si refugjatët tjerë. Do të thotë vështirë. Ata janë të vendosur në shtëpi të huaja, më së shpeshti në shtëpitë e kroatëve të ikur. Edhe pse në Kroaci ishin të integruar realativisht mirë nuk mendojnë për kthim. Për shkaqet e një disponimi të këtillë ata përmendin se shtëpitë e tyre janë të rrënuara, të djegura, prandaj kthimi në Kroaci nuk do të kishte asnjë kuptim. Edhe pse nuk kanë kurfarë të ardhurash të rregullta ata janë gjendur mjaft mirë në ambientin e ri. Më së shpeshti merren me grumbullimin e hedhurina të vjetra dhe gjërave tjera sekundare, të ngjashme.
Në Prijedor jeton një grup i paktë i romëve muslimanë të ikur nga Sanski Mosti. Ata në vitin 1995 lëshuan vatrat, duke ikur në RS së bashku me serbët. Tani jetojnë mjaft vështirë.
Romët e ikur nga Jugosllavia gjatë bombardimeve të NATO-s, erdhën në RS, kryesisht për shkaqe ekonomike. Ata sot këtu nuk kanë kurfarë të drejtash dhe as që i duan. Këta emigrantë të parëndomtë ekonomik janë në lëvizje të përhershme. Kishin venbanimin e tyre tek stacioni hekurudhor në Banja Llukë. Kur kasollet prej najlloni u zgjeruan, autoritetet e qytetit vendosën për rrënimin e tyre. Romët u shpërndanë nëpër qytet, kurse pastaj u shpërndanë nëpër gjithë RS në kërkim ndonjë vendi të braktisur. Ata janë tërësisht të painteresuar, fëmijë e tyre kryesisht rrijnë nëpër kafene, kurse prindërit as që mendojnë t'i dërgojnë nëpër shkolla. Ky grup arriti në RS kryesisht nga rrethi i Caçakut dhe Shabacit.
Romëët e besimit musliman, të cilët ikën në vitet nëntëdhjeta, kohëve të fundit kthehen në RS. Më shumë romë të kthyer ka në Suljagic Sokak, Broduzhi dhe në Brod afër Bërçkos. Më shumë se një mijë prej tyre janë kthyer në Bijelinë. Në komunën e Modricës dhe Vukosavles janë kthyer, gjithashtu, një bashkësi e madhe romësh, kurse më pak romë të kthyer ka në Tesliç dhe Prijedor.
Mjaft vështirë jetojnë romët e kthyer në fshatin Brezik afër Modricës. Aty janë kthyer 30 familje, kurse në fshat vetëm dy shtëpi janë të gatshmë për banim. Të tjerët jetojnë në tenda dhe kasolle. Në fshat nuk ka as rrymë as ujë, por ka mjaft fëmijë.
Në Suljagic Sokak donatorët ndërkombëtarë romëve ua kanë renovuar 16 shtëpi kurse në to kanë vendosur 50 familje. Por as ata nuk kanë ujësjellës dhe kanalizim, prandaj në fshat është shfaqur verdhëza.
Në Bijelinë para luftës ekzistonte bashkësi e numërt dhe e pasur e romëve. Në vendbanimin Tombak kanë jetuar rreth 8 mijë romë në shëpi të ngjitura. Në vilat e ciganëve gjatë luftës u vendosën madje edhe disa institucione shtetërore të RS. Romët e Bijelinës arritën deri tek kapitali duke u marrë me shitjen e mesingut dhe bakrit, gjithashtu ishin blerësit më të mëdhenj të mallrave gjatë shtatorit. Në këtë qytet janë kthyer më shumë se një mijë romë, por ata tani jetojnë kryesisht nëpër oborret e ndërtesave përballë shtëpive të tyre komode, sepse nuk është bërë asfare shqyrtimi i pronësive. I vetmi është kryetari i shoqatës së këtushme të romëve, Hamdi Husiç që i është kthyer një pjesë e shtëpisë së tij.
Romët e Bijelinës janë të zemëruar në autoritetet lokale, sepse janë të bindur se nuk u mundëson kthim për të cilin ata kanë vendosur kaherë. Nga Pakti për Stabilitet të Evropës Juglindore, është sugjeruar në vitin e ardhshëm 2001, i shpallur si viti ndërkombëtar i romëve, që organizatat qeveritare dhe joqeveritare të fokusojnë aksionet e tyre jo vetëm në hulumtimin e jetës së këtij grupi etnik mjaft specifik, por të ndërmarrin edhe aksione konkrete që do të ndimonin ata të integroheshin në rrjedhat shoqërore.
Tani për tani romët janë inspirim për xhirim të filmave antologjik dhe barcoletave të mahnitshme. Thonë se në Serbinë Jugore romët në zgjedhjet e kaluara për kryetarë të RFJ-së kanë votuar për Koshtunicën. Kur gazetarët i pyetën pse Koshtunica është favoriti i tyre, morrën përgjigjen: sepse ai xhiron filmat më të mirë. Nëse kjo anegdotë është e vërtetë, a do të thotë se romët e atjeshëm do të integrohen në shoqëri. Ajo që nuk e dallon Voislav Koshtunicën nga Emir Kusturiën, është pak e rëndësishme.
AIM Banja Llukë
TIJANA TADIC