Ku është antimillosheviqi?

Ljubljana Oct 26, 2000

Reakcionet nga ngjarjet në Serbi shkojnë nga njëri skaj deri tek skaji tjetër - nga shpotitja deri tek entuziazmi i përmbajtur. Përkudër simpative për popullin në Serbi, që mbrojti fitoren e vet zgjedhore, në Slloveni gjithnjë e më tepër ndjehet frika se "rrëfimet sllovene për sukses" tani ikën në jug.

Lubjanë, 22.10.2000.

"Ndryshimi i papritur i pushtetit" në opinionin dhe politikën sllovene në fillim krijoj njëfarë çudie. Shumica e komentatorëve ngjarjet i ndoqën me mosbesim dhe me rezerva, përmes shënimeve proverbiale se në Serbi gjithçka sërish "zgjidhet në rrugë". Andej këtej lindën edhe simpatitë për popullin i cili i mbrojti të drejtat e veta për një jetë tjetër.

Se sa rëndë, për kreatorët e opinionin publik, është krijimi i situatës së re më së miri tregon pyetja e gazetarit të POP TV nga Lubjana, i cili në mes Ditarit TV e pyeti ministrin e jashtëm slloven Lojze Peterle: "Athua Sllovenia është e cenuar shkaku i ngjarjeve në Jugosllavi?". As më pak absurde nuk tingëlloi informata se Ministria tashmë kishte formuar "shtab krize", e gjithë kjo shkaku i ngjarjeve në Jugosllavi.

Serbofobia e shprehur, përmes së cilës tashmë një decenie krijon imazh politika e këtushme, mediumet dhe jeta shoqërore në përgjithësi (si e majta, poashtu edhe e djathta - me përjashtime të respektuara që mund të numërohen me gishtërinj) ka bërë të veten. Se në çfarë gjendje gjenden burimet e sigurisë së diplomacisë sllovene tregon e dhëna se "shtabi zgjedhor i krizës, pranë Ministrisë së jashtme sllovene "morri vesht "për ngjarjet e rrugës" në hapësirën jugosllave nga përfaqësitë diplomatike në Budapestë, Zagreb dhe Athinë! Ngjashëm ishte edhe me televizionin nacional slloven reporteri i së cilis, së bashku me "reporterët e luftës nga Kosova" dhe TV tjera komerciale për ngjarjet në Beograd raportuan nga Podgorica. Mu atëherë CNN bëri shpërthimin vendimtar, duke treguar skena nga marrja e parlamentit dhe RTS (Radiotelevizionit serb). Mesazhi ishte i qartë: botës i pëlqente ajo që ndodhte në Beograd, bota e pranoi Koshtunicën, kurse serbëve u dëshiroi kthim në shoqërinë e popujve evropian - që "serbët gjithmonë i kishin takuar". Dikcioni për gjendjen e re të serbëve dhe Beogradit si në Uashington, gjithashtu edhe në Londër e Berlin e shtyu diplomacinë sllovene të merrte qëndrim të njëjtë. U miratua deklarata se respektohet vullneti i qytetarëve të Jugosllavisë dhe u shpreh shpresë se ndryshimi i pushtetit në Serbi do të sjellë rrjedhë të re edhe në raportet e ngrira tashmë dhjetë vjet mes Lubjanës dhe Beogradit zyrtar.

Gjithë mediumet e botuan lajmin se kryetari slloven Milan Kuçan i dërgoi urim personal Vojisllav Koshtunicës që pas përfundimit të rrethit të parë, ngjashëm veproi edhe kryetari aktual i qeverisë Andrej Bajuk, me dëshirën që kriza të zgjidhet qetë. Reagimet në media, megjithatë, ndoqën kursin e mëparshëm, kursin e dyshimit, pasigurisë, mosbesimit se në "jug gjithçka mund të ndryshojë", me çka u zhvesh kodrina e dilemës para së cilës u gjend Sllovenia. Analistët kujdestarë, nëpër gazeta, si në kohën e dikurshmë, vlerësuan se si Miloshevici "sërish i ka futur në valle" shtetet perëndimore, në të cilën (Perëndimi) "edhe mëtej ngatërrohet shkaku se nuke njeh".

Në kërkim të "shkaqeve" të revolucionit në Serbi, "Delo" e 5 tetorit në mënyrë të fryrë nxjerr përfundimin se "popullin drejt barikadave e ka detyruar varfëria". Një ditë më vonë, gazeta më e shitur politike sllovene (në artikullin mbartës "Beogradi në zjarr") raporton se "Rajhstagu jugosllav digjet", duke pyetur "çdo të bëhet me shtetin dhe Fyhrerin e saj?". Ngjarjet megjithatë rrodhën sipas mënyrës së vet. Komentatorët ua bënë të ditur lexuesve (atë që tashmë e kishin parë në CNN, përmes TV kabllovike) se "populli serb morri pushtetin dhe ua dha fituesve të zgjedhjeve".

"Regjimi i vozhdit u rrëzua si shtëpi kartoni", shkruan Veçeri i Mariborit. "Dnevniku" i Lubjanës përkujton se Millosheviqi "trembëdhjetë vjet notoi në valët e nacionalizmit". Mahnitja e shkurtë fyshket shpejt: edhe mediumet edhe politika, në raport me Serbinë, kthyen rutinën. Analizët janë të cekta, kurse stereotipet e shumta. "Gjithë këto janë fjalë të mëdha për asgjë... Votuesit serb javën e shkuar nuk kanë rrënuar asfarë muri të Berlinit, por kanë votuar vetëm kundër standardit të padurueshëm jetësorë. Të kishin dashur vërtet ndryshime politike, atëherë do ta kishin zgjedhur liderin karizmatik, Antimillosheviqin. Kështu, është në pyetje vetëm apatia...", komenton Boris Jezh.

Nga komentet e ngjashme të intonuara, të autorëve të tjerë, "njohës së rrethanave në Ballkan", shprehet frikë se tani Serbisë "do t'i falet gjithçka" dhe se në rajon sërish do të luajë rol të rëndësishëm, në dëm të Sllovenisë dhe shteteve tjera të vogla. Për këtë raporton edhe korrespondenti i "Dela" nga Kroacia: "Serbisë iu hoqën sanksionet, iu paralajmërua ndihmë finansiare ndërkombëtare disamiliardëshe dhe inkuadrim në bashkësinë ndërkombëtare, e gjithë kjo si shpërblim se janë çliruar nga Millosheviqi. Kushte tjera nuk kishte. Pasi Koshtunica nuk e dënon Millosheviqin dhe politikën serbomadhe të ish-regjimit, frustracionet kroate, shkaku indryshimeve të befasishme në Serbi, janë gjithnjë e më të mëdha". Korespondenti nga Zagrebi transmeton vlerësimet e se qendrat evropiane në të ardhmen duhet në mënyrë "më pragmatike t'i bëjnë lëshime Beogradit".

Komentatorët ia zënë për të madhe Vojisllav Koshtunicës se nuk e ka dënuar masakrën në Srebrenicë dhe se ka pozuar me kallashnikov. Megjithatë, asnjë nuk e ka shënuar shenjën e plotë të barazimit mes kryetarit të ri dhe të vjetër të RFJ. "Koshtunica si romantik, gjegjëisht si nacionalist qytetar, ose thënë më mirë si nacionalist salloni - siç e quajti para disa ditësh në Nju Jork Tajms, Timothy Garton Ash -realizimin e qëllimeve të veta asnjëherë nuk e ka parë në fushëbetejë. Në të vërtetë ka bërë të kundërtën", raporton korrespondenti i "Delos" nga Nju Jorku. Në të njëjtën gazetë shfaqet edhe negociatori slloven për çështjet e sukcesioneve dr. Miran Mejak, i cili me gishtin ngritur, pas inaugurimit të Koshtunicës, bën thirrje për syçeltësi, sepse rreziku vazhdon. "Duhet të dijmë se rrëfimi për Millosheviqin edhe mëtej e ka fundin e largët. Nuk do të isha i prirur për ndjenjë gëzimi derisa nuk i mësojmë rezultatet e zgjedhjeve për Kuvendin serb gjatë muajit dhjetor. Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme. Tani në këtë Kuvend edhe mëtej janë njerëzit e vjetër. Derisa zgjedhjet në Serbi nuk dëshmojnë të kundërtën Millosheviqi dhe klika e tij do të kenë ndikim të madh", thekson Mejak.

Paraqitjet e rezervuara janë të denja - shkaku i euforisë parazgjedhore në Slloveni - askush nga politikajtë e njohur as ka menduar të shkojë tek Koshtunica, në Beograd, që sipas shënimeve sarkastike për njëri tjetrin, nga ana e diplomatëve, ia bëjnë të njohur kabinetit të Koshtunicës se Sllovenia edhe kësaj rradhe vonohet në planin diplomatik.

Në Beograd udhëtuan Dini, Hombah, Petriç dhe të tjerë, kurse Slloveninë e përfaqësoi sekretari shtetëror në Ministrinë e jashtme të Peterlesë, Mitju Drobnica. I dërguari i qeverisë sllovene u takua me kryetarin e RFJ-së Vojisllav Koshtunicën në Pallatin e Federatës, me çka (sipas fjalëve të Mitju Drobnicës) Koshtunica ka treguar gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve sllovene -jugosllave. Drobnica tha se i është thënë qe çështja "e kontinuitetit të pakontetueshëm të Jugosllavisë më nuk do të jetë faktor kufizues, që deri tani pengoi normalizimin e marrëdhënieve mes shteteve". Një rëndësi të veçantë pati vizita e Zharko Koraçit në Slloveni. Koraçi në afërsi të kufirit slloveno-kroat në nyjen Mokrice u takua me Peterlenë dhe me këtë rast e theu akullin me fjalët se Sllovenia prej tani "ka miq në Beograd". Në bisedimet mes përfaqësuesve të ri të pushtetit në RFJ, pala sllovene më së shumti u morr me çështjen e bashkëpunimit ekonomik. Sa i përket punës rreth RFJ-së pengesë më të madhe paraqet fakti se Fondacioni eksportues slloven (SID) nuk siguron punët me ndërmarrjet nga RFJ-ja, derisa Sllovenia dhe Jugosllavia nuk vendosin marrëdhënie diplomatike. Sllovenia në tetë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave më të reja të Komorës ekonomike të Sllovenisë, ka eksportuar në BeH mall në vlerë prej 239,4 kurse ka importuar mall në vlerë prej 34,2 milionë dollarësh, në Kroaci ka eksportuar 452,9 milionë, kurse importuar mall për 294.2 milionë dollarë. Në Maqedoni ka eksportuar mall për 104,5 kurrse ka importuar mall në vlerë prej 20,1 milion dollarësh, ndërkaq në RFJ ka eksportuar 91,8 kurse ka importuar mallra për 25,4 milion dollarrësh. Nuk është e çuditshme nëse Sllovenia në seancën e Qeverisë tashmë i ka hequr sanksionet ndaj RFJ-së (para së gjithash shet naftë dhe derivate) dhe pret diç këtillë së shpejti të ndodh edhe nga ana e RFJ-së.

AIM Lubjanë

IGOR MEKINA