Intervistë me z. Fatmir Limaj, bartës i listës së PDK-së për Prishtinën në zgjedhjet lokale
Prishtinë, 20.10.2000.
Fatmir Limaj (29), jurist, gjatë luftës u bë i njohur me emrin luftarak "Çeliku" dhe si njëri nga pjesëtarët më të njohur në ish-UÇK-në. Aktualisht, Fatmir Limaj është njëri nga krerët e Partisë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit. Ajo që z. Limaj e dallon nga shumica e politikanëve kosovarë janë fjalët e pakta dhe mënyra e drejtpërdrejtë me të cilën i thotë vlerësimet politike. Thotë se kurrë nuk ka menduar të jetë kandidat për kryetar komune, por këtë e bën në shërbim të Kosovës. Mospërzierja në asnjërin nga "bizneset" e pasluftës bëjnë që zoti Limaj të jetë një ndër kandidatët më seriozë për Prishtinën. Ai thotë se do të jetë i pamëshirshëm ndaj kriminalitetit ordinar dhe ekonomik, si dhe kundër kaosit urban. Për këtë ai ka pragrame të gatshme dhe premton përfshirje të ekspertëve në kuadër të administratës komunale (nëse fiton ai) pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake apo bindjet politike.
AIM: Jeni bartës i listës së PDK-së për Prishtinën, d.m.th. njëri ndër kandidatët kryesorë të PDK-së për zgjedhjet e ardhshme lokale. Si e vlerësoni rrjedhën e deritashme të fushatës parazgjedhore?
LIMAJ: Marrë në përgjithësi, mendoj se fushata është duke u zhvilluar mirë, përkundër faktit se në Kosovë për herë të parë po organizohen zgjedhje të lira dhe për herë të parë po organizohet një fushatë parazgjedhore. Partitë politike shqiptare, megjithatë, janë parti pa përvojën e duhur në organizimin e fushatave të këtilla. Konsideroj se, përkundër disa eksceseve dhe skenave të pahijshme, në përgjithësi jemi të kënaqur me zhvillimet e fushatës parazgjedhore.
AIM: Ka pasur disa kritika në adresë të PDK-së dhe të LDK-së, kryesisht lidhur me militantizmin e simpatizantëve apo manipulimin me fëmijët gjatë tubimeve. Cili do të ishte komenti juaj lidhur me këtë?
LIMAJ: Ndoshta nuk do të thosha se është militantizëm, por megjithatë në masën e anëtarëve dhe simpatizantëve të partive të ndryshme njerëz që janë paksa më temperamentë jo gjithherë u përmbahen normave dhe rregullave të fushatës. Megjithatë, kjo është një dukuri që e dënon vetë masa dhe është me rëndësi që nga strukturat udhëheqëse të të gjitha niveleve ata nuk nxiten dhe nuk motivohen për veprime të tilla. Ndërkaq, sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, manipulimit me fëmijët, kemi të bëjmë me një direktivë të lëshuar nga njerëz kompetentë, nga njerëz që me vetëdije kanë bërë një veprim të tillë për përfitime politike, dhe kjo është e papranueshme. Ju e dini që në të gjitha instancat ndërkombëtare, edhe të pranisë ndërkombëtare këtu, por edhe nga forcat politike vendore, manipulimet e tilla janë dënuar, pasi njerëz të caktuar kanë përdorur kompetencat dhe lidhjet e tyre të mëparshme për të abuzuar me fëmijët.
AIM: T'i kthehemi z. Limaj çështjes kryesore. Si mendoni ju, si pretendent për prefekt të Prishtinës, t'i zgjidhni problemet e shumta në kryeqytetin e stërpopulluar të Kosovës?
LIMAJ: Së pari, mendoj se Prishtinës i duhet një administratë e mirëfilltë. Përfundimisht, shqiptarët dhe forcat plitike në Kosovë, dhe në këtë kuadër vetë PDK, konsideroj se kanë patur mjaft për të mësuar nga vendet fqinje, të cilat kanë kaluar nëpër një proces të këtillë tranzicioni dhe kanë organizuar zgjedhje të lira, që edhe në nivelin lokal edhe në atë qendror, partinë duhet vënë në funksion të administratës dhe jo anasjelltas. Ne, si parti politike, prandaj, do të përpiqemi që administratën në Prishtinë dhe administratën në qytetet e tjera të Kosovës, kudo që do të fitojmë shumicën, programet tona ekonomike do t'i vëmë në shërbim të ndërtimit të një administrate të fuqishme. Këto probleme që i cekët, ne mund t'i zgjidhim nëse ndërtojmë një qeveri të bazuar në ekspertë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake dhe bindjet e tyre politike. Me rëndësi është që ata të jenë njerëz që mund të ndihmojnë për tejkalimin e vështirësive me të cilat përballet Prishtina. Ne e kemi në program të qartë për mënyrën e tejkalimit të këtyre vështirësive me të cilat po ballafaqohen banorët e Prishtinës pas luftës. Mirëpo, është normale që Prishtina, e cila mendohet si një kryeqytet i një vendi të pavarur, patjetër duhet t'i ketë të zgjidhura problemet. Nuk themi, natyrisht, se do t'i zgjidhim të gjitha problemet, por problemet kryesore me të cilat ndeshen çdo ditë banorët e Prishtinës mund të zbuten dhe kryeqyteti i Kosovës të fitojë ashtu elementet e një kryeqyteti bashkëkohor.
AIM: Në këtë kuadër, z. Limaj, ndërtimet e paligjshme dhe kriminaliteti ekenomik dhe ai ordinar janë problemet më shqetësuese për popullatën e Prishtinës. Si do t'ia dilte t'i zgjidhë këto probleme Fatmir Limaj dhe PDK, nëse e fiton Prishtinën?
LIMAJ: Së pari, kuvendi i ardhshëm komunal, pasi flas në kuadër të kompetencave që duhet t'i ketë pushteti lokal, duhet ta bëjë kornizën ligjore në bazë të së cilës do të veprojë. Jam i sigurt dhe i bindur se nëse bëjmë një bazë dhe një strukturë të qartë ligjore, ndaj ndërtimeve pa leje do të jemi të pamëshirshëm, e sidomos ndaj kriminalitetit të çfarëdo ngjyre dhe çfarëdo forme. Në këtë drejtim mund t'i siguroj qytetarët e Prishtinës se, nëse ne do të kemi kompetenca të ballafaqohemi me të, do ta shkatërrojmë përfundimisht kriminalitetin që ka filluar të zërë fill në qytetin tonë.
AIM: Për kunërkandidatë kryesorë keni keni një akademik (LDK) dhe dy njerëz që kanë ndihmuar luftën (AAK, PQLK). Cilat janë përparësitë tuaja apo çka mund të bëni ju më shumë se ata?
LIMAJ: Së pari, unë nuk e di se kam për kundërkandidat një akademik, pasi vetë akademiku dhe partia e tij janë të paqartë. LDK vazhdon me avazin e vjetër, të mbjellë huti te masat, përderisa bartësi i listës së tyre thotë se nuk është i interesuar të merret me Prishtinën dhe nuk i intereson ta udhëheqë Prishtinën. Kështu, deri tani LDK e ka mjegulluar çështjen se kush do të jetë nesër udhëheqës i komunës nëse LDK merr shumicën në Prishtinë. Prandaj, unë nuk konsideroj se kam një kundërkandidat akademik dhe madje nuk e di nëse kam fare kundërkandidat nga LDK. Sa u përket dy pretendentëve të tjerë, konsideroj se kanë dhënë mjaft për Kosovën dhe në fushat me të cilat merren. Mirëpo, me gjithë respektin për ta, konsideroj se nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me problemet që ka Prishtina, sepse atyre u mungojnë informacionet për zhvillimet në Kosovë, pasi një kohë të gjatë kanë jetuar jashtë Kosovës dhe si të tillë nuk janë njerëz adekuatë për ta udhëhequr Prishtinën.
AIM: Z. Limaj, cilat janë prioritetet e PDK dhe të programit tuaj personal, si jurist për nga profesioni, për të vendosur rregull në administratën e Prishtinës?
LIMAJ: Programi ynë është i bazuar në shqetësimet e përditshme që kanë qytetarët e Prishtinës. Mbi të gjitha, ne kemi përgatitur një projekt të sigurisë, pasi ajo është çështje primare jo vetëm në Prishtinë, por më gjithë Kosovën. Prandaj, duke ditur se çështja e sigurisë është kompetencë e ndërkombëtarëve, ne si parti e kemi përgatitur një projekt mbi sigurinë, të cilin do t'ua dorëzojmë ndërkombëtarëve, duke dokumentuar me fakte se ka ardhur koha që përgjegjësia të kalojë edhe te policia e Kosovës dhe ka ardhur koha të krijohet një polici komunale, që do të jetë nën kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe kryetarit të komunës. Përfundimisht, përgjegjësinë për çështjet e sigurisë në qytet duhet ta marrin vetë qytetarët, vetë strukturat udhëheqëse që dalin nga zgjedhjet lokale. Nëse arrijmë t'i bindim ndërkombëtarët me argumente konkrete se përgjegjësia duhet të kalojë te Shërbimi Policor i Kosovës dhe të formohet policia komunale e Prishtinës, krimit do t'i vijë fundi. Së paku të bëjmë një test: a është në gjendje policia komunale të kryejë detyrat? Nëse ky test, që do të aplikohej në Prishtinë, do të kishte sukses, atëherë shembulli do të ndiqej edhe nga komunat e tjera të Kosovës. Unë kam besim të plotë te Shërbimi Policor i Kosovës. Nëse ndërkombëtarët do të binden për ta nisur këtë projekt, kjo do të jetë fitorja më e madhe e vet qytetarëve dhe përfundimisht do të fitojë siguria, dhe as Prishtina e as komunat e tjera nuk do të diskutojnë për atë nëse ka apo jo siguri. Për këtë mund t'i siguroj qytetarët e Prishtinës, nëse kalon ky projekt.
AIM: Zoti Limaj, edhe pse është fjala për zgjedhje lokale, partia juaj ka thënë se ky ëahtë një hap në procesin e pavarësisë së Kosovës. Cili është vizioni juaj për të ardhmen e Kosovës në përgjithësi dhe për statusin e saj final?
LIMAJ: Unë mendoj se ne shqiptarët duhet t'i vlerësojmë rrethanat aktuale politike ashtu siç janë, pra as t'i mbivlerësojmë, por as t'i nënvlerësojmë. Zgjedhjet lokale duhet t'i vlerësojmë të paktën aq sa i vlerësojnë ndërkombëtarët dhe, nëse i shohim deklaratat e tyre, mund të shohim se në Kosovë nuk janë thjesht duke u mbajtur zgjedhje lokale, por diçka më tepër. Është çështja e ndërtimit të institucioneve dhe është me shumë rëndësi se si do të ndërtohen ato. Do të rindërtohen institucione të shëndosha, si bazë për institucionet qendrore, apo do të gabohet në ndërtimin e tyre dhe këto gabime qytetarët e Kosovës do t'i paguajnë, ashtu siç po i paguajnë të tjerët rreth nesh. Unë mendoj se është momenti vendimtar kur bashkësia ndërkombëtare pret një mesazh nga shqiptarët se kah duan të shkojnë. Është, pra, momenti kur shqiptarët me votat e tyre duhet të japin një mesazh të qartë për botën demokratike, se qytetarët e Kosovës kanë bërë luftë çlirimtare dhe atë luftë e kanë bërë për pavarësinë, dhe rruga jonë me votën tonë drejtohet drejt pavarësisë, e jo të jepet një mesazh i kundërt që do të ishte katastrofal për ne.
AIM: Megjithatë, ditët e fundit në Serbi kanl ndodhur zhvillime të reja. Ju, si një ndër njerëzit e parë të PDK-së, cilat mendoni të jenë implikimet për Kosovën të fitores së opozitës së atjeshme?
LIMAJ: Ne konsiderojmë se në Serbi nuk ka ndryshim të koncepteve politike, nuk ka ndryshim të sistemeve politike. Rënia e Milosheviqit dhe marrja e pushtetit nga Koshtunica është një ndryshim kadrovik. Koshtunica është i njëjti njeri si Milosheviqi, është me të njëjtjat koncepte dhe në raport me Kosovën reflekton nëse jo më keq, atëherë njësoj si Milosheviqi. Dhe, domosdo, kjo do të ketë reflektime edhe në Kosovë. Do të ketë ndoshta edhe presione të ndryshme anëve të tjera, mirëpo është me rëndësi që qytetarët e Kosovës ta thonë fjalën e tyre, dhe nëse qytetarët e Kosovës në këto zgjedhje e thonë fjalën e vet, do të mund të konstatojmë se Serbia për ne ka qenë, është dhe do të mbetet një vend fqinj dhe vetëm në këtë pikëvështrim ne mund të bashkëpunojmë dhe bisedojmë. Por, asnjëherë dhe për asnjë çmim Kosova nuk guxon të ketë lidhje me Serbinë. Kjo çështje ka marrë fund. Ne mund të bashkëpunojmë në kuadër të integrimeve rajonale, por asnjëherë të lidhur me konfederatë apo federatë, siç pretendojnë dhe siç do të bënin të tjerët.
AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI