Porosi Koshtunicës për përdorim të brendshëm

Zagreb Oct 20, 2000

Aim, Zagreb, 16.10.2000.

Prej se u ndërrua pushteti në Beograd transportet për shpërndarje të mallrave, në portin e Riekës janë gjallëruar për qindra tonelata – granit, kabllo e të ngjashme- që e mbartin ose furnizohen firmat serbe, kurse përafërisht brenda javës pritet të realizohet puna e parë më e madhe. Në portin e Riekës do të notojë anija me 70 mijë tonelata xehe hekuri për Hekuranën e Smederevës, kurse gjithsejt këtë vit dhe vitin e ardhshëm, përmes këtij porti, për porositësin e njëjtë, do të dërgohen rreth 250 tonelata xehe.

Ky lajm arriti nga Rieka kah fundi i javës së kaluar dhe me siguri se gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm do të ketë më shumë të tjerë. Deri tani kjo paraqet një përjashtim që flet më parë për qëndrimin e përmbajtur të afaristëve kroat dhe pritjen se çfarë sinjalesh do të marrin nga politika se sa për pritjen e një renesanse të zhvillimeve ekonomike të ndërprerë para dhjetë vjetësh. As ekspertët ekonomik deri tani nuk shpejtojnë të deklarohen rreth kësaj, por ishte i mjaftueshëm edhe mendimi i njërit prej tyre që kjo temë të gjendej në faqen ballore të gazetës nga Rieka “Novi list”.

Kjo gazetë botoi tekstin e ekonomistit nga Zabrebi Guste Santinit, i cili potencon se më shumë dobi ekonomike nga thyerja e Milosheviçit mund të kenë kroatët. Santini, kështu, aludon në ripërtrirjen e dhjetëra tërësive ekonomike në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe shpreson se ekonomia kroate nuk do të bëjë lëshime rreth kësaj ashtu siç i bëri me rastin e Bosnjë e Hercegovinës. Ai, në të vërtetë, nuk potencon cilat janë arsyet – përveç “logjikës së gjeoekonomisë” – duke folur kështu se kësaj rradhe do të jetë ndryshe. Por qëndrimi i tij është i rëndësishëm, nëse jo për diçka tjetër, vetëm për atë se Santini është i pari që shpreh perceptime rreth suspendimit të sanksioneve ndaj Jugosllavisë si suspendim praktik të “sanksioneve” të Kroacisë për eksport në këtë vend.

Në shumicën e paraqitjeve tjera edhe mëtej dukshëm mbisundon qëndrimi se është e padrejtë që të suspendohen kaq shpejt sanksionet ndaj Jugosllavisë e veç kësaj nga Koshtunica në mënyrë ultimative kërkohet dorëzimi i Millosheviqit në Hagë. Përveç kësaj me shumë patetikë kërkohet që Jugosllavia të kalojë nëpër të njëjtën udhë të pranimit ndërkombëtar si Kroacia, edhe pse është e qartë se kjo udhë që në start nuk ka qenë e njëjtë (Kroacisë asnjëherë nuk i janë vënë sanksione, edhe pse për këtë gjë disa herë është menduar, kurse në Jugosllavi ata nuk u vendosën shkaku i akuzës së Gjykatës së Hagës ndaj Millosheviqit, por shkaku i angazhimit ushtarak në Bosnjë e Hercegovinë).

Gjërat shkuan aq larg sa kryeministri Raçan para do kohe thirri gazetarët e dymbëdhjetë redaksive dhe me shqetësim ua transmetoi mendimet e bashkëbiseduesve të rëndësishëm nga jashtë (Ollbrajtit, Kuk..) se krijohet përshtypje se Kroacia ankohet për ndryshimet në Serbi. Këto ndryshime nuk mund të jenë më të vogla për interesin e Kroacisë se sa bashkësisë ndërkombëre, u tha gazetarëve kryeministri, që tingëlloi si urdhër edhe tek një pjesë e tyre edhe tek një pjesë e kolegëve të Raçanit në kreun shtetëror, e mbase më së shumti tek shefi i shtetit Mesiçi. Ai kontaktet e para ndërkombëtare pas ardhjes së tij në këtë funksion i bëri pikërisht me fqinjët e dikurshëm jugosllav (Bosnjë e Hercegovinë, Slloveni, Mal të Zi), për çka morri kritika, madje edhe nga një pjesë e koalicionit qeveritar, se Kroacia hedh spirancat në vendet regjionale, aty ku kaherë nuk dëshiron të jetë.

Por pas ndryshimeve në Serbi Mesiçi mori qëndrim thellësisht të inatosur, duke deklaruar se nuk do të shkojë në Beograd, në inaugurimin e Voisllav Koshtunicës, sepse atje “edhe mëtej e konsiderojnë si tradhëtar”. Ç'është më e keqja, gjykuar sipas të gjithëve, është thënë në valën e zemërimit shkaku asaj se Raçani dërgoi në Beograd të dërguarin e vet special Paru duke mos u konsultuar për këtë gjë me Mesiqin (këtë për këtë misionin e lajmëroi vetëm ministri i punëve të jashtme Tonino Picula por, gjykuar sipas të gjithëve, duke mos kërkuar mendim tjetër rreth kësaj). Kështu duket se kjo dokër e funksionarëve më të lartë shtetërorë ishte vendimtare për marrjen e qëndrimit rreth ndryshimeve në Beograd, por edhe për interesat objektive gjeoekonomike dhe gjeopolitike vrulli i startit të të cilit, matet me milionë dollarë.

Ndodhi si ndodhi edhe Mesiqi iu bashkangjit orkestrës së vogël të shtetarëve më të lartë kroat (mes të cilëve më i zëshmi është kryetari i Kuvendit (Saborit), Zllatko Tomçiç), që kërkojnë nga Beogradi dorëzimin e ngutshëm të Millosheviqit, si kriterium eliminator përmes së cilit pushteti i ri në Beograd do të dallonte nga i vjetri. Tomçiç nga Koshtunica kërkoi në mënyrë utimative t'i kërkojë falje Kroacisë dhe viktimave tjera të agresionit serbomadh, që nuk do të ishte aq e padëshirueshme për sytë nëse nuk do të ishte një “ose” djallëzore. Në të drejtë Tomçiç më së shumti brofte kur Mesiçi deklaroi se Kroacia duhet të diskutojë për viktimat e luftës që i ka fshehur, kurse Budisha akuzoi se këta koketojnë me gjitha “ekstremizmat majtiste agresive jugosllave".

Duket se gjithë këto bizaritete i ngacmon me muaj e djathta radikale, e cila këtyre ditëve përmes HDZ (BDK- Bashkësisë Demokratike Kroate) arriti të impononte edhe diskutimin në Kuvend rreth “mbrojtjes së dinjitetit të Luftës Atdhetare”. Përkundër zhurrmës së madhe që u ngrit në Kuvend në fund përmes koncenzusit u miratua, në bazë të qasjes së HDZ ndaj kësaj lufte, se ajo ishte e pastër si virgjëreshë, me disa ndytësira të izoluara dhe të pakta në margjinat e saj. Ç'është më e keqja, gjashtëshja qeveritare edhe nuk duhej më shumë të fliste rreth këtij konkludimi sepse pikërisht ajo gjatë kohëve të fundit furishëm del me qëndrimet që insistojnë në “shenjtërinë” dhe pastërtinë e luftës atdhetare.

Askush me këtë rast nuk pyet ç'u bë me diagnozën e regjimit të Tugjmanit si autoritar, por edhe totalitar, dhe a nuk është konstantë e gjithë vendeve – përveç tani në Kroaci –se regjimet totalitare bëjnë luftë të ndyta. Kështu i lartpërmenduri Tomçiç këtyre ditëve deklaroi për ”Vjesnikun” se "Kroacia definitivisht nuk ka qenë agresor " në BeH, kurse nënkryetari i qeverisë Goran Graniç çuditet sinqerisht në “Feral Tribun” se dikush mund të dyshojë në HDZ (Bashkësinë Demokratike Kroate) për "pastrim të vetëdijshëm etnik" të Serbëve në Kroaci. Nga kjo është lehtë të nxirret përfundimi se në rastin kur Tugjmani do të ishte ende gjallë dhe të kërkohet dërgimi i tij në Hagë, edhe Tomçiçi edhe Graniçi do të brofnin në këmbë, mu si tani Koshtunica, dhe çka është më e keqe, ende do të mbronin rrëfimet e mëdha për të drejtën e luftës e jo pragmën lakuriqe politike.

Pas kësaj njeriu doemos duhet pyetur se për çka është fjala në këtë rast. Koshtunica nuk e jep Millosheviqin, Tomçiç dhe Graniç nuk e japin Tugjmanin, po ku është këtu kontesti?! A nuk bëhet fjalë për një pajtueshmëri heshtake të qëndrimeve fillestare, që kamuflohen së foluri për heroizmin e njërit dhe pandershmërinë e tjetrit. Përndryshe, kjo ngjashmëri shumë shpejt do të shihet nëse pushteti i ri në Beograd do t'i ik në të vërtetë bashkëpunimit me Gjyqin e Hagës siç mund të lexohet në deklaratat fillestare Është shumë e besueshme se atëherë edhe Kroacia do të fillojë të rezervohet përkundër gjendjes së tanishme, ose do të fillojë të kalkulojë se me kooperativitetin e deritanishëm me Gjyqin e Hagës – por edhe me gjithë bashkësinë ndërkombëtare –gjërat i ka "paguar". E kjo do të thotë se një të ardhme të afërme edhe mëtej mund të shohim mini-reprizime të idilës së madhe serbo-kroate si në vitet e nëntëdhjeta.

AIM Zagreb

MARINKO ÇULIÇ